Masterplani rus, Dugini dhe rezistenca aktive ukrainase

Spread the love

Beteja për Ukrainën po hynë në një fazë të re. Lajmi i ri, drithërues për civilizimin tonë, është tashmë jo vetëm brutaliteti agresiv i përdorur nga trupat ruse për të realizuar projektin për perandorinë e re ruse, por edhe kërcnimi real për Luftën e Tretë Botërore nga ana e Hitlerit rus — V.Putin. Ky kërcnim është pjesë e strategjisë për krijimin e zonës tampon, që përbëhet nga Norvegjia, Finlanda dhe Suedia në Evropën veriore, tutje nga republikat baltike, Polonia, Ukraina, Rumania dhe Bullgaria, në jug.

Dr Sadri RAMABAJA

Kurthi i dytë në të cilin po bie Kremlini

Deri më 9 maj duket se Putini i ka parashtruar vetes qëllimin qenësor: të shpallë fitoren në çfarëdo mënyre, edhe nëse ajo është e kufizuar në pjesë të caktuara të territorit të Ukrainës lindore dhe jugore.

A mund të cilësohet ky fakt si kurthi i dytë në të cilin po bie Kremlini, meqë lufta më pas do të vazhdojë me intenzitetin që mund ta imponojë Kyievi, gjithmonë në funksion të çlirimit të territoreve të okupuara?

Komandanti i ushtrisë britanike, gjenerali Sir Mark Carleton-Smith, shih për këtë, paralajmëron për rrezikun që lufta në Ukrainë të përfundojë të paktën përkohësisht, në një ngërç ushtarak dhe atë pikërisht në Donbas.

Por, projekte krejt tjera paralajmron njëri nga ideologët kryesor rus, Alexander Dugin, që aktualisht shërben edhe si altoparlant i lirë i Kremlinit. Ai në një analizë të publikuar më 13 prill, me titull “Fitore ose asgjë”, pohn se, pala ruse beson se fitorja e Moskës në Ukrainë është parakusht për vazhdimin e politikës ruse ndaj Evropës dhe në rrafshin global.

Krahas kësaj më 12 prill nga Moska paralajmrohet masterplani rus për “Tampon-zonë ose Luftën e Tretë Botërore”.

Kjo zonë tampon, sipas këtij masterplani, do të përfshinte një hapësirë të madhe dhe të gjerë midis Rusisë dhe NATO-s, që përbëhen nga Norvegjia, Finlanda dhe Suedia në Evropën veriore, tutje nga republikat baltike, Polonia, Ukraina, Rumania dhe Bullgaria.

Vazhdimi i rezistencës efektive ushtarake ukrainase është pengesa serioze për zbatimin e masterplanit rus. Shih për këtë, Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, më 25 prill paralajmëroi për shpërthimin e një Lufte të Tretë Botërore.
“Rreziku është serioz, është real, nuk duhet nënvlerësuar”, tha Lavrov në një intervistë në televizionin rus që distribuoi Ministria e Jashtme në kanalin e saj Telegram të hënën, më 25 prill, në orët e mbrëmjes.

Çfarë do të mund të cilsohej kjo deklaratë, si bllof apo kërcënim flagrant?

Në fjalimin e tij, ai për një çast, nga roli real që ka, ai i Ribentropit rus, katapultoi tek ai i Gebellsit rus. Vazhdoi me akuzat ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Britaninë e Madhe për ngadalësimin e negociatave me Ukrainën. Ne e dimë me siguri se “as Londra dhe as Uashingtoni” nuk do ta këshillonin presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të përshpejtuar negociatat, tha ai në intervistë. “Ata gjithmonë e këshillojnë Zelenskyin që të forcojë pozicionin e tij”.[1]

Ministri Lavrov, ngjashëm si Joachim Ribbentrop, po i shërben Putinit edhe kur bën kërcnime të kësaj natyre. Ai, i vetëdijshëm se Rusia nuk mund t’ia dalë dot ta realizojë masterplanin përmes luftës me mjete konvencionale, paralajmron hedhjen e një bombe bërthamore në Kyiev, si mundësi reale.

Ambasadori francez Robert Coulondre në kujtimet e tij, tek e përshruan figurën e Ribentropit, e portretizon atë si një burrë me “sy të ftohtë, të zbrazët, si hëna”, i cili, ndonëse i pashëm në shikim të parë, nuk kishte “asgjë njerëzore”, ndërkaq në vrojtim më të afërt të tij, nuk vren dot tjetër përveç “instinkteve më të ulëta” të mundshme. Kështu do ta portretizonte ai Ribentropin e epokës sonë, alias Sergej Lavrovin.

Kyevi pret diplomatët perendimor

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, të dielën që lam pas (24 prill) u takuan në Kyiev me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Vizita e Blinken-it dhe Austin-it tërhoqi vëmendjen jo vetëm të mediave, por edhe të palëve në luftim, pasi është vizita e nivelit më të lartë të zyrtarëve amerikanë në Ukrainë gjatë luftës
Rusi-Ukrainë.

Vizita e zyrtarëve të lartë amerikan vije si rezultat i zhvillimeve të reja në terren – hyrjes së luftës në një fazë të re, pasi Rusia i zhvendosë forcat e saj në lindje dhe jug, meqë dështoi të marrë Kyievin ose të rrëzojë qeverinë e Zelenskyt në javët e para të konfliktit.

Ukraina ka ushtruar presion ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj për të dërguar armë më të fuqishme për të zmbrapsur Rusinë nga rajoni lindor i Donbasit, ku trupat ruse po kërkojnë të marrin kontrollin e plotë të portit të rrethuar të Mariupolit.

Mbështetje të fuqishme ndaj Kyievit kanë demonstruar ditë më parë edhe zyrtarë të lartë europian.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe liderë të tjerë europian kanë vizituar më parë Kyievin për të treguar mbështetje për qeverinë ukrainase.

Të martën, më 26 prill, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, nisi takimin me ministrat e Mbrojtjes të më shumë se 40 vendeve në bazën ajrore amerikane, Ramstein, në Gjermani, duke shprehur besimin se Ukraina mund të ngadhënjejë kundër Rusisë në konfliktin që tashmë mbushi dy muaj.

“Ukraina beson qartë se mund të fitojë dhe kështu besojmë të gjithë këtu”, u shpreh ai.[2]

Në këtë takim, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, tha se qëllimi kryesor i bisedimeve është bashkërendimi i shtimit të ndihmës për Kyievin që përfshin armatim të rëndë, si dhe dronë luftarakë dhe municione.
“Javët e ardhshme do të jenë shumë kritike. Ata kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme në mënyrë që të jenë të suksesshëm në fushën e betejës. Dhe ky është me të vërtetë qëllimi i kësaj konference”, nënvizoi gjenerali Milley.[3]

Demokracitë perendimore mbështesin vazhdimin e luftës si opsion

Bota Perendimore, tashmë kur ofenziva e dytë ka filluar, ndodhet saktësisht para dy opsioneve: ose ta mbështesë vazhdimisht luftën e Ukrainës, ose ta refuzojë këtë mbështetje.
Duke pasur parasysh faktin se, sipas të gjitha gjasave, vetëm një fitore në Ukrainë ose rënia e regjimit diktatorial në Moskë që e shoqëron atë, mund ta shtyjë tutje luftën perandorake të agresionit të Putinit, vendimi këtu nuk duhet të jetë në fakt i vështirë.

Por pas fjalimit për “pikën e kthesës në kohë”, qeveria federale gjermane vendosi për një kurs të mesëm të diskutueshëm, i cili ka shkaktuar acarim të rëndë jo vetëm në Ukrainë, por në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore. Një embargo e gazit dhe naftës, për të të cilën angazhohen personalitete të shkencës në Gjermani, po refuzohet. Njëkohësisht qeveria gjermane mbetet shumë e rezervuar, jo vetëm në lëmin e dërgimit të armëve të rënda.

Studjuesi i kulturës dhe shkenctari i njohur gjerman Ulrich Schmid, shpjegoi kohët e fundit fiksimin tek mirëkuptimi gjerman në raport me Rusinë në kurriz të Evropës Lindore e asaj Qendrore, duke iu referuar shekullit të 19-të dhe zhvillimeve politike atbotë.
Pas ndarjes së Polonisë nga monarkia e Habsburgëve, Prusia dhe Perandoria Ruse në fund të shekullit të 18-të, Gjermania dhe Rusia ishin të mbingarkuar në fakt ishin fqinjë për njëqind vjet. Këtij vëzhgimi me vend do t’i shtohej fakti se, dy fuqitë ishin të lidhura fatalisht nga një politikë antipolake. Stereotipet gjermane anti-polake të shekullit të 19-të dhe periudhës së ndërmjetme janë transferuar sot në Ukrainë. Në fund të fundit, në vitin 2014 shumë komentues gjermanë dëshmuan se Ukraina në thelb nuk ishte e aftë të qeveriste dhe prandaj flitej për një “shtet të dështuar”.

Pushtimi rus i Ukrainës, i nisur më 24 shkurt të këtij viti, ka ndryshuar botën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo që ishte e vlefshme deri atëherë nuk vlen më. Tashmë kanë filluar të zbatohen disa rregulla të reja. Vendimi i Federatës Ruse për të hyrë në një aventurë ushtarake në Ukrainë, prandaj duket shumë irracional, ndryshe nga lëvizjet e mëparshme ruse nga fillimi i krizës ukrainase në 2014, të cilat dukeshin shumë të menduara.

Në optikën gjeopolitike të Putinit Rusia është Euroazi

Pyetja kryesore që shtrohet nga njohësit e gjeopolitikës dhe strategjisë është: pse Vladimir Putin dha dritën e gjelbërt për një pushtim të plotë të Ukrainës? Një përgjegje më të qartë, do të mund ta gjenim në botimet e ideologut kryesor rus Alexander Geljevic Dugin.

Ai ka botuar libra të shumtë dhe artikuj profesional mbi filozofinë, sociologjinë dhe gjeopolitikën, duke përfshirë librin “Bazat e gjeopolitikës” [1997] dhe “Teorinë e katërt politike” [2009].

Në  librin “Bazat e gjeopolitikës” [The Fundamentals of Geopolitics] ai mbron sundimin rus nga Dublini në Vladivostok. Një nga objektivat e aneksimit rus, shkroi ai, duhet të jetë Ukraina, sepse ajo qëndron në rrugën që Rusia të bëhet një superfuqi transkontinentale. “Ukraina si shtet nuk ka asnjë rëndësi gjeopolitike. Nuk ka asnjë rëndësi të veçantë kulturore apo universale, asnjë veçanti gjeografike, asnjë ekskluzivitet etnik”.

Kur Vladimir Putin erdhi në pushtet, Dugin pushoi së qeni në opozitë dhe u bë i preferuari i qeverisë. Në fillim të mijëvjeçarit, ai themeloi Lëvizjen Euroaziatike, e cila promovon bashkimin e ish-BRSS në një entitet të vetëm kulturor dhe qytetërues nën kontrollin e Moskës. Dugin mbështet absolutisht Putinin dhe lëvizjet e tij që kërkojnë ta kthejnë Rusinë në shtigjet e lavdisë së vjetër (zgjidhja e çështjes çeçene, tejkalimi i krizës ekonomike, dëbimi i oligarkëve). Në vitin 2007, ai tha: “Nuk ka më kundërshtarë të drejtimit të Putinit, dhe nëse ka, ata janë të sëmurë mendorë dhe duhet të dërgohen për një ekzaminim klinik. “Putini është kudo, Putini është gjithçka, Putini është absolut, Putini është i pazëvendësueshëm”.[4]

Ai u bë mbështetësi më i zëshëm i Bashkimit Ekonomik Euroaziatik me një përpjekje të veçantë për të përfshirë Turqinë në këto procese të lidhjes me Rusinë. Ai u godit veçanërisht nga Revolucioni Portokalli në Ukrainë në 2004, si dhe nga revolucionet e tjera properëndimore në Rusi — në Gjeorgji në 2003 dhe Kirgistan në 2005. Si përgjigje, u krijuan Iniciativat Rinore Euroaziatike. Veprat e tij zgjuan interes të madh në udhëheqjen politike dhe ushtarake ruse. Ai ishte këshilltar për çështje strategjike dhe gjeopolitike të kryetarit të Dumës, Genadi Seleznev dhe më pas Sergei Naryshkin. Eshtë e panevojshme të thuhet se ai u bë mik i ngushtë i Putinit.

Në librin e tij “Geopolitics of the Multipolar World”, botuar fillimisht në 2012, Dugin ndau një kapitull të veçantë për marrëdhëniet e Rusisë me Ukrainën, Bjellorusinë dhe Moldavinë. Në libër, Dugin shpesh “godet” atdheun e tij, duke e quajtur Heartland ose Eurazia. Në përgjithësi, ai e përcepton Rusinë si Euroazi, dmth kontinentin e madh botëror. Dugin thekson se territoret e këtyre tre shteteve moderne dikur ishin pjesë përbërëse, thelbi dhe qendra e Rusisë së Kyievit, shtetësisë ruse, zonë nga e cila filloi zhvillimi historik i Rusisë dhe popullit rus. Pas çlirimit nga pushtuesit mongolë, Dukat e Mëdhenj të Moskës, Dukat dhe Carët rusë bënë gjithçka në fuqinë e tyre për të rivendosur integritetin strategjik të Rusisë së dikurshme të Kyievit. Ai shtet i madh rus do të ishte nën sundimin e Kishës Ortodokse ruse dhe sllave në përkatësinë e tij etnike. Për më tepër, ishte kjo përpjekje për të sjellë Ukrainën dhe Bjellorusinë nën kontrollin rus që ka qenë një synim kryesor i politikës së jashtme ruse për shekuj. Luftërat e shumta të rusëve kundër lituanezëve, Urdhri Livonian dhe më vonë në kohën e Shën Petërburgut me osmanët, u zhvilluan me të njëjtin motiv: për të rivendosur hapësirën e vetme politike të Rusisë (së Madhe). Politikanët dhe studjuesit , sidomos ata të kulturës ruse, e konsideruan bashkimin e Rusisë së Madhe, Malorusisë dhe Bjellorusisë si rezultat logjik të proceseve historike.[5]

Ofenziva e filluar ndërkohë është në funksion të përmbushjes së idesë së Duginit mbi domosdonë e bashkimit të tri republikave (Federatës Ruse, Bjellorusisë dhe Ukrainës) është një “pikë strategjike e nevojshme” që duhet t’i mundësojë Rusisë të bëhet dhe të mbetet një pol i pavarur gjeostrategjik, fillimisht në nivel rajonal dhe më pas në nivel global.

Teoricienët e famshëm gjeopolitikë perëndimorë si Halford Mackinder dhe Zbigniew Brzezinski kishin pikëpamje të ngjashme. Në një kohë, Mackinder mbështeti idenë e pavarësisë dhe sovranitetit të Ukrainës gjatë Luftës Civile Ruse, ndërkaq në fund të shekullit të 20-të, Brzezinski mbrojti me zjarr pavarësinë e Ukrainës.

Dugin nuk e fsheh fare shqetësmin e tij për faktin se politologu polako-amerikan, Zbigniew Brzezinski, ka goditur në zemër të çështjes, duke pohuar se “mundësia e ringjalljes gjeopolitike të Rusisë, si një lojtar i pavarur në gjeopolitikën e madhe, varet drejtpërdrejt nga marrëdhënia e saj me Ukrainën”, respektivisht vetëm nëse Ukraina kontrollohet tërësisht nga Moska.

Në kapitullin kushtuar shteteve perëndimore, Dugin tërheq vëmendjen edhe për Moldavinë, duke theksuar se zona e Moldavisë moderne formoi pjesërisht Rusinë Kievane.
Ngjarjet e javës që po lëmë edhe në Moldavi dhe rreth saj, dëshmojnë se lufta që tashmë ka hy në fazën e dytë, ka objektiva të qarta.

Në një intervistë të fundit me gazetën turke Turkiye Gazetesi, ai paralajmroi një ofensivë të re ruse në të gjithë Ukrainën. Ai e quajti tërheqjen e Rusisë nga veriu i Ukrainës si një “lëvizje thjesht taktike” që do të lejonte ushtrinë ruse të rigrupohet dhe të kryejë “rishikime” nën gjeneralin e sapoemëruar Alexander Dvornikov, një figurë kyçe në fushatën e Rusisë në 2015 në Siri.

“Ne nuk mund ta humbim këtë luftë. Përndryshe e gjithë bota do të kthehet në një zjarr të madh“ pati pohuar Dugin, këtë që po e pohon tashmë edhe Putini në kërcnimin e së mërkurës, që transmetoi Telegrafi.[6]

Përfundim

Beteja për Ukrainën po hynë në një fazë të re, për të cilën pala ruse ka bërë plane afatgjata. Lajmi i ri drithërues për civilizimin tonë është tashmë jo vetëm brutaliteti agresiv i përdorur nga trupat ruse për të realizuar projektin për perandorinë e re ruse që ia servoi në tavolinë Putinit ideologu i tij Dugin, por edhe kërcnimi real për Luftën e Tretë Botërore nga ana e Hitlerit modern rus (Putinit), si fazë pararendëse e krijimit të zonës tampon që, siç pohuam më lart, do të përfshinte një hapësirë të madhe dhe të gjerë midis Rusisë dhe NATO-s, që përbëhet nga Norvegjia, Finlanda dhe Suedia në Evropën veriore, tutje nga republikat baltike, Polonia, Ukraina, Rumania dhe Bullgaria, në jug.

Ballkani Perendimor, sipas këtij masterplani, duket mbetet jashtë sferës së interesit rus. Por, a do të thot ky fakt se, Moska është dorëzuar?  Natyrisht se jo. Vetëm angazhimi i përshpejtuar i Perendimit në procesin integrues verioatlantik të Ballkanit Perendimor si tërësi, si pjesë e arkitekturës së sigurisë perendimore, është garancioni real i ndalimit të marshit rus.

___________________

1. https://www.tagesspiegel.de/politik/der-gute-wille-hat-seine-grenzen-was-lawrows-warnung-vor-einem-dritten-weltkrieg-bedeutet/28278690.html

2. https://www.zeriamerikes.com/a/6545426.html

3. Po aty

4https://www.geopolitika.news/analize/m-seric-duginove-velikoruske-koncepcije-ukrajinu-bjelorusiju-i-moldaviju-integrirati-u-ruski-strateski-prostor/

5. Po aty

6. https://www.geopolitika.news/vijesti/putin-ostro-upozorio-zapad-nasi-strateski-udari-bit-ce-munjeviti/


Spread the love


Leave a Reply