Minë me sahat/ Rreziqet që i kanosen rajonit prej nismës ‘Ballkani i Hapur’

Spread the love

Minë me sahat/ Rreziqet që i kanosen rajonit prej nismës ‘Ballkani i Hapur’

Një vizitë në ajrin e pastër dhe ujërat e kristalta të liqenit të Ohrit është gjithmonë një ide e mirë. Ose të paktën, në 90% të rasteve. Fatkeqësisht, arsyeja e mbledhjes së javës së kaluar të liderëve nga rajoni, nuk hyn në këto raste. Në datë 7 dhe 8 qershor qyteti i bukur maqedonas ka bërë bashkë liderët e rajonit për të mbajtur samitin e radhës të ‘Ballkanit të Hapur’, emër ky i fundit që më shumë ngjan me një urdhër se sa me një nismë përparimtare. Të shtyrë nga një emër në dukje kumbues, dhe nga vëmendja e herëpashershme që ndërkombëtarët i japin, bashkëpunëtorët entuziastë të kësaj nisme i kanë lënë mënjanë mospërputhjet e dukshme mes tyre.

Dallimi më i madh është pabarazia ekonomike mes vendeve që janë bërë pjesë e nismës. Dy nga tre pjesëmarrësit, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë GDP që, të kombinuara bashkë, janë afro sa gjysma e pjesëmarrësit kryesor, Serbisë. Rrjedhimisht kjo sjell përfundimin që përfituesi më i madh nga një treg i përbashkët, ose një zone tregtare të përbashkët, do të jetë Serbia. Tregu serb është më i madh dhe gjithmonë do të jetë në gjendje të tërheqë më shumë investime të huaja dhe të prodhojë mallra me vlerë më të lartë (për eksport brenda dhe jashtë tregut rajonal). Me fjalë të tjera, batica që mund të sjellë Ballkani i Hapur mund të ngrejë të gjitha varkat, por pas valës së ndryshimeve Serbia do të bëhet anije.

Përkrahësit entuziastë të ‘Balkanit të Hapur’ me sa duket nuk i kanë menduar efektet e rritjes dhe produktivitetit në mënyrë kaq të çekuilibruar. Janë disbalanca të tilla që nxisin tensione në shumë zona të ish-Jugosllavisë, të cilat fare mirë mund të përmblidhen në një frazë që ende dëgjohet në lagjet e varfra të Kosovës: “Kosovo radi, Beograd gradi’ (‘Kosova punon’, ndërsa ‘Beograd ndërton’). Një gjë mund të thuhet me siguri, ekonomia e rajonit të sotëm të Ballkanit është e ndryshme dhe pasojat e kësaj i kanë ndjerë më së shumti shtetet e vogla, të cilat janë të shkatërruara. Unifikimi i tyre në një treg të përbashkët do të krijonte efikasitet, do të tërhiqte investime dhe do të nxiste rritjen ekonomike.

Mbikëqyrja e pushtetit, mbikëqyrja e qëllimeve dhe vlerave

Pas luftrave dhe trazirave në rajon, Bashkimi Evropian u përpoq që të krijonte një ambient të paqtë dhe që do t’i qëndronte larg telasheve. Të paktën deri në vitin 2020, në Samitin e Sofjes, BE-ja i dha përparësi bashkëpunimit dhe lidhjes rajonale, të mbështetur nga një angazhimi serioz financiar, kujtojmë këtu planin ekonomik dhe investues prej 30 miliardë eurosh.

Bashkëpunimi rajonal u projektua nga BE-ja në formën e ‘Procesit të Berlinit’, nismë kjo që siguronte përkushtimin dhe angazhimin e të gjithë vendeve të rajonit nën udhëheqjën e Gjermanisë. Ky proces përfshinte të gjithë ‘aktorët’ e Ballkanit, jo vetëm tre apo katër, dhe kushtëzonte një treg të përbashkët rajonal, të shkrirë me synimin e anëtarësimit dhe përkushtimit ndaj vlerave të bllokut gjithëpërfshirës të BE-së. Një dizajn i tillë, i bazuar në qëllime dhe vlera mbizotëruese, ishte kundërhelmi më i mirë ndaj pakënaqësive të lindura, si ato në ish-Jugosllavi. Ky proces ishte krijuar asisoj në mënyrë që të minimizonte tundimin për të shfrytëzuar fuqinë ekonomike, ndërsa promovonte rritjen e përbashkët të vlerave dhe reformave njësoj si në vendet e BE-së.

Nevoja për ta mbikëqyrur pushtetin, në mënyrë që të zbulohej mosbesimi dhe tradhëtia, ishte në thelb të planit të famshëm Schuman, i cili ishte pararendës i BE-së. Pas Luftës së Dytë Botërore, Franca ushqente frikën për një ringritje të Gjermanisë, nga aksesi që ky shtet kishte në prodhimin e qymyrit dhe çeliku. Plani Schuman adresoi shqetësimet franceze dhe kërkesat gjermane duke e vendosur prodhimin e qymyrit dhe çelikut nën një Autoritet të Lartë mbikombëtar që përfundimisht u bë Komuniteti Europian i Qymyrit dhe Çelikut, dhe më vonë Komuniteti Ekonomik Europian, përpara se të evoluonte përfundimisht në BE-në e sotme.

Mbikëqyrja e pushtetit dhe garantimi i prosperitetit dhe paqes nëpërmjet këtij mekanizmi është kthyer me kokë poshtë nga nisma ‘Ballkani i Hapur’. Filozofia e re, e përqafuar dhe nga administrata Biden, është se tregtia dhe krijimi i vendeve të punës kapërcejnë mosbesimin.

Por sado naiv të jemi, lufta e furishme në Ukrainë, një shtet që kishte shkëmbim tregtar të madh me Rusinë, sot uzurpatore, tregon qartë që ky parim jo vetëm që nuk është i qëndrueshëm, por përkundrazi është shumë i rrezishëm. Në mënyrë të ngjashme, tregtia midis Kinës dhe fqinjëve të saj demokratikë, Japonisë, Koresë së Jugut dhe Tajvanit ka kundërvepruar dhe besimi midis Pekinit dhe fqinjëve të tij ka rënë ndjeshëm.

E njëjta dinamikë vlen edhe në Ballkan. Nëse tregtia do të ishte e barabartë me besimin, atëherë Serbia, e cila është partneri tregtar numër një i Malit të Zi për eksportet dhe importet, do të kishte tashmë një marrëdhënie besimi të qëndrueshme me partnerin e saj tregtar shumë më të vogël. Në vend të kësaj, malazezët e perceptojnë Beogradin si një grabitqar. Për pasojë kuptohet se ajo që ka rëndësi në marrëdhëniet tregtare është karakteri i partnerit tregtar, demokratik apo autoritar. Gjermania Perëndimore vërtet evoluoi në fuqinë më të fortë ekonomike të Evropës dhe në një demokraci udhëheqëse që nuk e shfrytëzon fuqinë për të përmbysur fqinjët e saj, por këtë ajo e bëri falë një regjimi të ndërtuar mbi interesat e përbashkëta dhe vlerat demokratike, jo mendjelehtësisë.

Serbia e madhe, Shqipëria e madhe

Me Ballkanin e Hapur, SHBA-ja po promovon një regjim tregtar të udhëhequr nga një autokrat, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili po minon vullnetin e Perëndimit për rajonin. Përpara 24 shkurtit, mbështetja për Open Balkan ishte naive; pas 24 shkurtit është neglizhencë. Beogradi është në kundërshtim të hapur ndaj detyrimeve të tij kundrejt BE-së, duke mos aplikuar sanksione ndaj Rusisë. Jo vetëm që Vuçiç refuzon me forcë të sanksionojë Moskën, por ai kultivon në mënyrë aktive partneritetin e tij strategjik e të vazhdueshëm me Vladimir Putinin, kundërshtarin e pjesës tjetër të kontinentit.

Në një moment kur lufta e Rusisë kërcënon rendin perëndimor dhe madje edhe atë global, pjesëmarrja në një skemë të dyshimtë tregtare me aleatin numër një të Putinit në Ballkan dhe ndoshta në Evropë është shqetësuese. Lufta e Rusisë me Ukrainën e ka vënë botën përpara një zgjedhjeje dhe deri më tani, Vuçiç e ka treguar qartë se cilën palë mbështet. Autokrati serb duhet të shikohet si ushtar i një krimineli lufte dhe jo si partner.

Një tjetër pabarazi krijohet në lidhje me Vuçiçin si faktor në Ballkan. Bëhet fjalë për pabarazinë mes vendeve që e mbështesin Ballkanin e Hapur dhe ato që kanë refuzuar t’i bashkohen kësaj nisme. Shqiptarët [në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut] dhe maqedonasit nuk ndajnë ankthin për dominimin ekonomik prej Serbisë, sepse ata nuk përballen me kërcënime të drejtpërdrejta nga autoritarizmi i Vuçiçit.

Duke parë të bllokuar rrugën e tyre drejt BE-së, maqedonasit janë të gatshëm të shkojnë drejt Ballkanit të Hapur, pasi integrimi në këtë nismë shërben si një mburojë kundër nacionalizmit grabitqar bullgar. Përveç kësaj, njohja e fundit e Kishës Ortodokse Maqedonase nga Kisha Ortodokse Serbe ka intensifikuar marrëdhëniet mes dy vendeve në një kohë kur identiteti maqedonas është nën sulmin e Bullgarisë, që është gjithashtu rivale e Serbisë.

E udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, Shqipëria mund të ketë një interes afirmativ në ‘bashkëpunimin rajonal’ të stilit të Ballkanit të Hapur. Me kalimin e kohës, një regjim tregtar tërësisht jashtë kuadrit të BE-së do ta lërë nacionalizmin serb të drejtuar nga Vuçiçi që të ruajë status quo-në e Kosovës. Ashtu siç ndodhi me ‘shkëmbimin e territoreve’ në vitin 2019, SHBA-ja dhe BE-ja – të mërzitura nga mosmarrëveshjet e lodhshme të Ballkanit – mund të pranojnë sërish ndarjen, të nxitur nga të huajt që pretendojnë se kështu mund të “zgjidhet një konflikt i ngrirë”.

Ndarja hap automatikisht mundësinë e Bashkimit të Kosovës më Shqipërinë, duke krijuar atë që zakonisht konsiderohet si Shqipëria e Madhe. Kjo do të ishte një zgjidhje e pranueshme dhe për palën serbe, e cilla mund të krijojë gjithashtu Serbinë e Madhe duke marrë pjesë prej Kosovës së ndarë në dysh.

Nën një Beograd ekonomikisht më të fuqishëm, i pakufizuar nga asnjë kornizë e BE-së, përveç kandidaturës së Vuçiçit në BE, perspektivat për njohje reciproke me anë të dialogut të ndërmjetësuar nga BE janë edhe më të largëta. Në të vërtetë, nënshkrimi i marrëveshjes së ‘Normalizimit Ekonomik’ në shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë të drejtuar nga ish-presidenti Trump asokohe, nuk bëri asgjë për të zbutur armiqësinë e Beogradit ndaj Prishtinës, edhe pse Kosova drejtohej atëherë nga kryeministri Avdullah Hoti. Nëse gjërat vijojnë me këtë ritëm politikbërësit perëndimorë të frustruar, duke parë që Serbia nuk do të ndryshojë qëndrim, do të pyesin veten: ‘Pse të mos jemi ‘praktikë’ për Kosovën?’

Rivali i Ramës në Prishtinë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është ndërkohë një nacionalist që promovon ‘bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë’. Kurti, si shumica e kosovarëve, nuk dëshiron ta shohë Kosovën të ndarë, pjesërisht sepse kjo do të shfajësonte politikën nacionaliste serbe të Millosheviçit – e ringjallur nga Vuçiç. Shfajësimi i Serbisë së Madhe në Kosovë do të sillte më pas të njëjtën gjë për ambiciet nacionaliste serbe në Bosnje dhe Mal të Zi.

Fitore për Rusinë

Nëse gjithë parashikimet e bëra më lart do të vijnë në jetë, kjo do të ishte një fitore për presidentin rus Vladimir Putin dhe vizionin e Putinit për Ballkanin dhe Europën. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, duke përdorur një gjuhë të prerë, kohët e fundit pohoi mbështetjen e Moskës për Ballkanin e Hapur. Kjo nuk është hera e parë. Media kryesore e Rusisë në Serbi, “Sputnik Serbia”, ka promovuar në mënyrë të përsëritur ‘Ballkanin e Hapur’, siç vunë në dukje Srdjan Darmanovic dhe Andelka Rogac në raportin e tyre CEDEM mbi ‘Gjurmën dixhitale ruse në Ballkan’. Raporti citon një sërë titujsh lavdërues të Sputnik-ut, duke përfshirë këtë perlë: “Vuçiç: ‘Ballkani i Hapur’ do të funksionojë, sepse askujt tjetër nuk i ka shkuar mendja për një iniciativë të tillë”.

Fatkeqësisht, pavarësisht gjithë rrëmujës së krijuar rreth Open Balkan, ajo nuk ka dhënë shumë rezultate. Avokati ndërkombëtar serb Relja Radovic kohët e fundit ekspozoi natyrën e zbrazët të ‘Ballkanit të Hapur’ me titullin: ‘Marrëveshja për Kushtet për Qasje të Lirë në Tregun e Punës në Ballkanin Perëndimor’. Siç shpjegon Radovic, qëllimi i supozuar i aksesit të lirë mbetet në nivelin e dëshirave.

Mungesa e progresit është gjithashtu zhgënjyese, sepse e gjithë ideja e ‘Ballkanit të Hapur’ ishte të kalonte ritmin e ngadaltë të ‘Procesit të Berlinit’. Me sa shihet një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kështu ‘Open Balkan’ shërben vetëm për t’i ofruar Aleksandar Vuçiç-it mundësinë për të realizuar iluzionin e stabilitetit bashkëpunues në Ballkan, duke ndërtuar ironikisht kushtet për destabilitet. Nën këto rrethana kuptohet sa e rëndësishme është që të ndalohet ndezja e këtyre zjarreve që mund të bëjnë që fuçia e barutit(Ballkani) të shpërthejë në flakë. /Balkan Insight – Perktheu: Lapsi.al/ [ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply