Mungesa e strategjisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë

Spread the love

Përderisa Parlamenti Evropian ka kërkuar që të nisin bisedimet për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në, Shkupi zyrtarë përveç njoftimit përshëndetës asgjë të re nuk ka deklaruar. Ndërsa MPJ e Maqedonisë së Veriut, për më shumë se dhjetë ditë ka qenë në një pozicion sulmues e të kotë duke kritikuar qëndrimin e të fortë bullgar ndaj Maqedonisë së Veriut.

Nga Dr Selim IBRAIMI

Por, duke e ashpërsuar tonin ndaj Sofjes zyrtare, qeveria në Shkup dhe diplomacia e saj, po harrojnë se çështjet duhet filluar e zgjidhur hap pas hapi. Dhe deri tash dihet se ku qëndron nyja e cila nuk po lejon palët të lëvizin më tej. Ashtu siç kemi nënvizuar më herët, përveç anëtarëve të komisioneve historike që mund të jenë pengesë në arritjen e një marrëveshje, tani po del se edhe në kreun më të lartë të diplomacisë maqedonase, ka filluar të ndërtohet një farë qëndrimi i pakuptimtë rreth negociatave me palën bullgare.

Mirë, të bëhemi kokë fortë për figurat historike që deri më tani i kemi mësuar në komunizëm se janë maqedonase, ndërsa në realitet nuk janë, dhe më tej të njëjtit të jenë pengesa kryesore për arritjen e një marrëveshje në mes dy shteteve?! A duhet të na mbajë peng historia e kohës së socializmit jugosllav dhe rus? Sigurisht se jo. Përkundër shpresës së Shkupit zyrtarë se Uashingtoni do të ushtrojë presion më të madh mbi Bullgarinë dhe se loja e viktimizimit do të jetë si mjet i diplomacisë për të lëvizur në negociata, gjërat si duken nuk janë aq të qarta para syve të diplomatëve në Shkup. Taktika e re tregon për mungesën maqedonase të strategjisë së zgjidhjes së kontestit. Shkupi zyrtarë pret që çështja të ecë vetë dhe dikush nga jashtë ta zgjidhë problemin apo edhe t’i kënaqë interesat e brendshme politike, nacionale dhe grupore.

Pala e cila nuk do të jetë e gatshme të bëjë kompromise reale dhe të duhura, në fakt do të jetë humbësja më e madhe. Këtu duhet pranuar se gjatë javëve të fundit diçka nuk është në rregull me diplomacinë e Maqedonisë se Veriut.

Kur shpresat u rritën se Uashingtoni do ta merr çështjen në duar dhe deri në fund të vitit bllokada bullgare do të largohej, në fund dalin figura me pikëpamje të çuditshme brenda MV-së, nga media dhe shoqëria civile që e vështirësojnë procesin negociatorë, pa i lënë anësh deklaratat e pakuptimta të zyrtarëve të diplomacisë maqedonase.

Në fund, lind pyetja se cila palë nuk dëshiron marrëveshje dhe pse pozicioni maqedonas po mbetet i ngurtë dhe agresiv në këtë kohë të rëndësishme kur të gjithë aktorët e rëndësishëm gjeopolitik kanë paralajmëruar për efektet e luftës në Ukrainë në Ballkanin Perëndimor? A po synohet të arrihet kompromisi me Bullgarinë, apo mendohet se zgjatja e problemit do të mund të favorizojë Shkupin dhe dobësojë Sofjen?

Nëse vlerësimet e MPJ-së janë apo shkojnë në favor të qëndrimit të vazhdimit me sulme dhe të mos arrihet asgjë, atëherë problemi nuk është vetëm në Sofje ashtu siç deklarojnë zyrtarët e lartë të MPJ-së, por çështja ka ngecur brenda në Shkup.

Para qershorit, është mirë që delegacioni bullgar dhe maqedonas kur do të takohen në Romë, të fillojnë të shohin një rrugëdalje nga pozicioni sulmues që dikush në MPJ aktualisht e favorizon.

Qeveria duhet ta ketë parasysh se nuk do të vijnë nga jashtë emisarë për t’ua lehtësuar negociatat me Bullgarinë.

Më tej ish kryeministri Lupço Georgievski dha disa deklarata se ish kryeministri Zoran Zaev paska qenë në gjendje të bëjë lëshime të mëdha ndaj palës bullgare. Mirë, këto njoftime nuk bëjnë punë dhe as mund të ndryshojnë gjë në raportet në mes dy vendeve.

Si duket në Maqedoninë e V. mungon vullneti për t’i hyrë rrugës së rishikimit të historisë dhe zgjidhjes së kontestit më Bullgarinë. Një ndërhyrje nga jashtë tani është e domosdoshme për lehtësimin e negociatave të bllokuara dhe fillimin e mundshëm të bisedimeve këtë vit me Maqedoninë e V. dhe Shqipërinë.


Spread the love


Leave a Reply