NATO, Rusia, doktrina dhe simbolika

Spread the love

NATO, Rusia, doktrina dhe simbolika

Graham Allison: “Të destinuar për luftë” ku shkruan “ Sado djallëzore, sado shkatërruese, sado e ndarë, sado që Rusia e meriton të mbytet, fakti brutal është se ne nuk mund ta vrasim këtë bastard pa bërë vetëvrasje”.

Dritan GOXHAJ, Tiranë

Ish zëvëndës sekretari për mbrojtje i Shteteve të Bashkuara në vitin 1993-1994, Graham Allison, në librin e tij me titull “ Të destinuar për luftë”, të botuar në vitin 2017, përdor togfjalëshin “ Kurthi i Tycidides (Thycidides)”, (Historian grek i lashtësisë, autor i “Historia e luftës së Peloponezit”).

E përdor këtë frazë për të përshkruar tendencën e dukshme të luftës kur një fuqi në zhvillim kërcënon të zhvendosë një fuqi të madhe ekzistuese si një hegjemon të madh rajonal apo ndërkombëtar.

Dhe e tillë është tashmë e gjithë kjo përplasje midis perëndimit dhe Rusisë, ku Rusia si një fuqi në zhvillim , po këkron që me anë të kësaj lufte në Ukrainë të zhvendosë hegjemoninë Amerikane dhe perëndimore jo vetëm në rajonin ku ajo ndodhet vetë, por edhe në arenën ndërkombëtare.

Sot, një vit pas fillimit të kësaj lufte, kjo tentativë e Rusisë është bërë edhe më e qartë. Por deri më sot, të gjithë i kemi dhënë kredit Putinit për këtë lloj doktrine. Kur them i kemi dhënë kredit, e kam fjalën që ashtu si perëndimi por edhe të gjith ne të tjerët ja kemi atribuar këtë përpjekje direkt Putinit, si një ide të tijën.

Ndërkohë që kjo doktrinë realisht nuk është formuluar nga Putini, por ajo është formuluar pothuajse para dy dekadash nga një individ tjetër.

Personi që ka formuluar këtë lloj doktrine quhet Jevgeni Primakov, ish zv/drejtor i KGB për politikën e jashtme nga 1991-1996 dhe ish Ministër i Jashtëm i Rusisë nga 1996-1998, periudhë në të cilën edhe e formuloi atë që njihet si doktrina Primakov.

Ajo është tepër e thjeshtë dhe konsiston në vetëm 5 pika:

1. Rusia duhet të bëhet një aktor i rëndësishëm dhe të ketë politikën e saj të jashtme

2. Rusia duhet të përpiqet drejt një bote shumë polare të manaxhuar nga një koncert i fuqive të mëdha që mund të kundërbalancojnë fuqinë e njëanshme të SHBA;

3. Rusia të insistojë në epërsinë e sajë në hapësirën post-sovjetike dhe të udhëheqë integrimin në atë rajon

4. Rusia duhet të kundërshtojë ekspansionin e NATO-s

5. Rusia duhet të vendos partneritet me Kinën

Dhe të gjitha këto pika janë ato që Putini i ka elaboruar si në fjalimin e tij të para një viti në prag të fillimit të kësaj fushate luftarake, por edhe në fjalimin që mbajti në 1 vjetorin e kësaj fushate, para disa ditësh.

Dhe për arritjen e objektivit të parashtruar në këto pika, Putini ka angazhuar tashmë ushtrinë Ruse. Duket qartazi që rusët kanë vënë në zbatim real thënien e Klauzeviçit “ Lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera”.

Tashmë duket edhe më qartë që gjith perëndimi jo vetëm që nuk e ka marrë asnjëherë seriozisht doktrinat politike Ruse por, në momentin që ka bërë një marëveshje, ose ka rregulluar marëdhëniet e veta diplomatike dhe veçanërisht ato ekonomike me Rusinë, duke marrë prej saj gazin dhe çdo lloj materiali tjetër të domosdoshëm për vete, me çmim të lirë.

Ka menduar se e ka nënshtruar Rusinë dhe e ka vëvë tashmë nën kontroll dhe ka menduar se rusët vërtet i kanë besuar perëndimit, duke menduar se ata e kanë konsideruar perëndimin tashmë si një mik të vërtetë.

Ky gabim i perëndimit ka ardhur pasi ai vazhdimisht e ka injoruar historinë, ashtu si po vazhdon ta bëjë edhe tashti.

Them injoruar, pasi çdo kush që do të lexonte ose ka lexuar librin e Marshallit të ish Bashkimit Sovjetik Konstantin Rokosovski, udhëheqësi i betejës më të madhe të tankeve që ka parë deri më sot historia ushtarake, betejës së Kurskut, ndaj ushtrive naziste në luftën e dytë botërore.

Nuk besoj se do i kishte shpëtuar ajo çfar Rokosovski shkruan në këtë libër, në faqen nr.8 të tij “ Të themi të vërtetën, askush nga ne nuk e besoj se Gjermania do të nderonte marëveshjen e saj me Bashkimin Sovjetik për një kohë të gjatë dhe ne ishim të bindur se herët ose vonë ajo do të na sulmonte. Megjithatë, ajo marëveshje na dha neve kohën që na duhej aq shumë për të ndërtuar mbrojtjen tonë dhe për të prishur shpresat e tyre për të krijuar një front të bashkuar anti-sovjetik”.

Dhe edhe kësaj rradhe Rusia, që pas daljes në skenën e saj politike të Doktrinës Primakov, ajo e ka përdorur gjithë këtë periudhë deri vjet për të forcuar pozitat e saj mbrojtëse, dmth për të forcuar ushtrinë dhe ekonominë e saj për t’i bërë ballë një fronti të ardhëshëm anti-Rus.

Kjo vërtetohet edhe nga një fjalim i Putinit në vitin 2018, po para parlamentit Rus, në të cilin ai deklaron “ Prej vitit 2010 kemi arritur të rrisim të gjitha kapacitetet tona ushtarake duke nisur që nga prodhimi i armëve dhe municioneve konvencionale por, edhe të armëve dhe municioneve të tjera bashkëkohore dhe moderne në masën 30%”.

Por lind pyetja : Përse atëherë Rusia nuk e realizoi këtë fushatë ushtarake ndaj Ukrainës më përpara dhe pse pikërisht vjet?

Unë jam i mendimit se Rusia priti derisa NATO dhe Amerika të dobësosheshin dhe çoroditeshin ushtarakisht.

Dhe kjo pikë erdhi në vitin 2021 kur NATO dhe Amerika kapitulluan pas një lufte 20 vjecare në Afganistan, kundrejt disa çobanëve dhish (Talebanëve).

Dhe largimi i trupave të tyre në mënyrë kaotike, nga sytë këmbët duke u detyruar të abandonin një pjesë të mjeteve të rënda dhe ajrore pa llogaritur këtu armë dhe municione dhe pothuajse edhe gjithë bashkpunëtorët e tyre afganë, i shkaktoi NATO-s dhe vetë Amerikës një goditje shokuese jo vetëm morale por edhe organizative.

Pasi edhe sot, gati një vit e gjysëm nga ajo tërheqje e turpshme duket qartë që nuk e kanë marrë veten. Pasi akoma deri më sot as NATO dhe as ushtria Amerikanë nuk ka bërë as edhe një analizë të plotë për të nxjerrë shkaqet e atij kapitullimi dhe për të mbajtur përgjegjësit e atij kapitullimi nga ana ushtarake. Ku realisht asnjë vend anëtar i aleancës, ku hym edhe ne, nuk ka ndërrmarë asnjë masë disiplinore ndaj atyre gjeneralëve që për 20 vjet mburreshin nëpër ekranet e televizioneve se tashmë i kishin reduktuar Talebanët në vetëm 2-3000 forca dhe se shumë shpejt do i asgjësonin edhe ato. Duke gënjyer kështu për realitetin në terren dhe duke harxhuar paratë e taksapaguesve të tyre me papërgjegjshmëri.

Fakt tjetër që tregon se NATO vazhdon të jetë e çoroditur është mos ngritja nga ana e sajë e nje shtabi të veçantë ushtarak për të ndjekur dhe marrë vendime mbi luftën dhe për luftën në Ukrainë, duke lënë që çdo shtet të dërgoi ato armë e municione që ja merr mendja pa një koordinim të mirëfilltë qëndror të bazuar mbi një plan të mirëfilltë ushtarak të bërë për të dhënë efektivitet.

Dhe që prej shtatorit të 2021 Rusët filluan të përqëndrojnë trupat e tyre rreth Ukrainës. Urdhi luftarak për të sulmuar u dha në datën 23 Shkurt.

Ndërsa në datën 24 forcat Ruse kaluan kufirin me Ukrainën. Të dyja këto data nuk u zgjodhën rastësisht nga Kremlini dhe Shtabi i Ushtrisë Ruse.

Data 23 Shkurt është data e përvjetorit të Ushtrisë së Kuqe, pasi në këtë datë në vitin 1918 detashmentet e para të kësaj ushtrie arritën të ndalin përfundimisht marshimin e ushtrisë Gjermane mbi Rusinë e atëhershme.

Ndërsa në datën 24 Shkurt Ukraina u shkëput nga Bashkimi Sovjetik dhe hyri në aleancë me Gjermaninë e asaj kohe.

Dhe ajo çfarë e bën akoma edhe më interesante këtë luftë nga pikëpamja e historisë ushtarake është tashmë përballja midis dy personave.

Shefit të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë Ruse Valeri Gerasimov dhe Shefit të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë Ukrainase Valeri Zaluzhni.

Normalisht që interesantja nuk qëndron në emrat e tyre të njëjtë, por në një fakt tjetër të cilin në një intervistë të tijën gjenerali Ukrainas, dhënë gazetës angleze The Ekonomist në 3 nëndor të vitit që shkoi thotë “ Unë jamë rritur dhe shkolluar me doktrinën ushtarake Ruse dhe akoma besoj se gjith shkenca ushtarake bëhet në Rusi. Kam studiuar nën Gerasimovin si pedagog. Kam lexuar dhe lexoj gjithcka që ai shkruan. Është një nga njerëzit më të zgjuar dhe pritshmërite e mia prej tij kanë qënë të mëdha”.

Pra tashmë në Ukrainë kemi një përballje të nxënësit me pedagogun.

Historia dhe fundi i kësaj lufte do të tregojë se kush do të jetë më i zoti.

Por ama sërish pamvarësish kësaj edhe Zaluzhni edhe gjithë perëndimi duhet të marrin parasysh një shënim tjetër të Graham Allison po në librin e tij “Të destinuar për luftë” ku shkruan “ Sado djallëzore, sado shkatërruese, sado e ndarë, sado që Rusia e meriton të mbytet, fakti brutal është se ne nuk mund ta vrasim këtë bastard pa bërë vetëvrasje”.


Spread the love


Leave a Reply