NDIKIMI RUS NË BALLKAN PËRFUNDON ATY KU FILLON ORIENTIMI EURO-ATLANTIK I SHQIPTARËVE

Spread the love

Perëndimi ende nuk e ka kuptuar se furnizimi i Serbisë me arsenal armatimi rus nuk është kërcënim vetëm për Kosovën, por edhe për pjesët tjera të Ballkanit dhe të Evropës. U desht të demostrohet në praktikë fuqia e këtij kërcënimi, për t’u  bindur se Kosova ka nevojë për një mbështetje më të madhe perendimore. Ndoshta është koha që të shqyrtohet seriozisht përfshirja e saj në NATO. Vetëm në këtë mënyrë arrihet paqja dhe stabiliteti i kësaj pjese të Evropës Juglindore, ku Kosova po paguan koston e një neglizhence të pajustifikueshme perendimore.

Mehmet PRISHTINA, PHD

Hyrje

Ballkani Perëdimor ndodhet pjesërisht me një këmbë në Evropë, pjesërisht në hartat e vjetra të gjeopolitikës sllave. Kosova dhe Shqipëria ende nuk po munden të gjejnë një rrugë të vetme për të imponuar një qëndrim dhe një vizion mbi të ardhmen e përbashkët. Tirana dhe Prishtina nuk po flasin me një zë, ndërsa Edi Rama dhe Albin Kurti kanë qëndrime diametralisht të kundërta mbi disa iniciativa rajonale.

Rama e favorizon Ballkanin e Hapur, kurse Kurti Procesin e Berlinit. Ky i fundit, në Forumin Strategjik të Bledit, i shpalosi pikëpamjet e tij mbi të ardhmen e rajonit, duke veçuar sundimin i ligjit ndaj oligarkëve, demokratizimin kundrejt autokratëve, përballjen me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës dhe reciprocitetin e të drejtave të pakicave karshi hegjemonisë nacionale.Sipas tij, këto katër elemente  mund t’i shërbejnë procesit të njohjes, komunikimit dhe ofrimit midis njerëzve në një rajon që ende i vuan pasojat e së kaluarës problematike.

Por, krejt ndryshe mendon Edi Rama. Ai është i lidhur me projektin Ballkani i Hapur, duke favorizuar agjenda të paqarta dhe krejt të disfavorshme për Kosovën. Sipas Ramës, Ballkani i Hapur ofron mundësi të mëdha bashkëpunimi, qarkullimi dhe komunkimi midis njerëzve, ideve dhe mallrave. Por, ai nuk ka arritur ta sqarojë se si do të jetë e mundur të ndodhë kjo në kushtet kur Kosova nuk njihet si shtet nga Serbia dhe kjo e fundit paraprakisht vendos kushte e barriera për Kosovën.

Sipas Ramës, fermerët e Konispolit do të kenë përfitime të mëdha nga Ballkani i Hapur,  mirëpo nuk na tregoi se si një fermer i Rahovecit do të mund t’i shesë produktet e veta në Kragujevc, nëse atje nuk mund të shkojë me targat e Republikës së Kosovës.

Me çfarë dokumentesh do të udhëtojnë kosovarët nëpër territorin e Serbisë apo do t’u duhet atyre ta plotësojnë kushtin e Beogradit duke zëvendësuar pasaportat dhe letërnjoftimet e Republikës së Kosovës me dokumente të tjera ku nuk figuron shtetësia e Kosovës.

Nëse Ballkani i Hapur është paraparë si një korridor nëpër të cilin do të mund të kalojnë vetëm ata që i plotësojnë kushtet e Beogradit, atëherë i bie që ai korridor duhet të funksionojë me disa sensorë që ua mbyllin dyert atyre që nuk i plotësojnë kushtet e Beogradit.

Ndonëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin ka mosdakordësi konceptuale për Ballkanin e Hapur, ai pretendon se kjo nismë është interes strategjik i kombit shqiptar.

Sipas Ramës, Kosova është sovrane të jetë kundër Ballkanit të Hapur, por nuk duhet të ndikojë në politikën e jashtme të Shqipërisë. Me fjalë të tjera, Edi Rama e pranon hapur se Shqipëria dhe Kosova duhet të ndjekin rrugë të ndryshme në projektet rajonale. Mirëpo, ai nuk po arrin të sqarojë një dubiozë logjike. Në njërën anë thotë se Ballkani i Hapur është në funksion të strategjisë kombëtare të shqiptarëve, ndërsa në anën tjetër nuk diskuton me liderët e Kosovës për përparësitë dhe të metat e kësaj nisme rajonale. Nëse, siç thotë Rama, kjo qenka në funksion të strategjisë kombëtare, atëherë përse kjo strategji nuk përpunohet në Tiranë dhe në Prishtinë, por Rama parapëlqen të komunikojë me lidershipin e Kosovës vetëm përmes konferencave të shtypit, në krah të Vuçiqit dhe Zaevit (!).

Idetë e mëdha, sidomos ato që kanë të bëjnë me të ardhmen e një populli apo të një rajoni, nuk krijohen duke vendosur që në start barriera, siç po ndodh aktualisht me Ballkanin e Hapur, ku Vuçiqi ka arritur ta bindë Edi Ramën se Ballkani i Hapur mund të funksionojë edhe pa Kosovën. Kjo është e mundur vetëm nëse fermerët e Konispolit e anashkalojnë Rrugën e Kombit dhe Kosovën dhe e zgjedhin Maqedoninë si rrugë transitore për të depërtuar në tregun e Serbisë. Nëse Rama e pranon këtë variant, atëherë këtu s’kemi të bëjmë me kurrëfarë strategjie kombëtare, por kemi të bëjmë me një strategji për përjashtimin e Kosovës nga gjeopolitika rajonale, ku fjalën kryesore do ta ketë Serbia dhe jo Shqipëria.

Por, si duket, Ballkani i Hapur, si ide dhe si nismë, nuk do të mund të mbijetojë pa mbështetjen e shteteve evropiane. Kundërpërgjigje ndaj kësaj nisme është Procesi i Berlinit. Pikërisht kjo ishte arsyeja që Kancelarja gjermane Angela Merkel qëndroi në Tiranë më 14 shtator. Qëllim i vizitës së saj ishte shtyrja përpara e Procesit të Berlinit, i inicuar në vitin 2014, i cili bazohet në ndihmën dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Siç dihet, një prej komponenteve më të rëndësishëm të Procesit të Berlinit është e ashtuquajtura “Axhenda për lidhje”, e cila fillimisht synon lidhjen e gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e transportit dhe energjetikës.

Disa samite që janë mbajtur deri më tani kanë ndihmuar në vendosjen e urave të komunikimit midis udhëheqësve të Ballkanit, si dhe në hartimin e disa projekteve infrastrukturore. Projektet e miratuara për secilin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor financohen pjesërisht nga mekanizmat e BE-së e pjesërisht nga vetë vendet.

Kosova, sipas qëndrimeve të deritanishme të udhëheqësve të saj, ndodhet në linjë me politikat evropiane të integrimit. Nëse qeveria aktuale e saj arrin t’i amortizojë efektet e keqmenaxhimit me institucionet e kaluara dhe të largojë nga radhët e veta llaskucat e pushtetit, atëherë mund ta përmirësojë imazhin e saj në arenën ndërkombëtare dhe të bëhet një partner serioz dhe i besueshëm. Pikërisht kjo i duhet Kosovës tash, sepse një vend gëzon reputacion ndërkombëtar vetëm atëherë kur arrin të konsolidohet së brendshmi.

Por, gjithsesi, Kosova ka nevojë edhe për mbështetjen e Shqipërisë dhe për koordinim me katër shtetet kryesore evropiane, sidomos tani, kur SHBA po përballet me efektet e kritikave pas tërheqjes nga Afganistani. Diplomacia shqiptare duhet ta përfshijë edhe Kosovën në agjendën e saj të çdoditshme dhe ta afirmojë gjithkund ku ajo ka qasje dhe miq. Vetëm kështu mund të thuhet se shqiptarët janë një komb serioz që kanë shtete të ndryshme, por kanë një strategji të përbashkët për çështjet ende të hapura. Me fjalë të tjera, çdokush që pretendon ta mbyllë çështjen shqiptare pa Kosovën gabohet rëndë.

Çështja shqiptare është e paplotë pa Kosovën.

Kosovës i nevojitet një partneritet më i fuqishëm me Shqipërinë

Kjo atmosferë politike, sociale e shëndetësore nëpër të cilën po kalon bota shqiptare nuk mund të shikohet e veçuar nga ajo çka po ndodhë aktualisht në rajon. Në Tiranë dhe në Beograd patëm kancelarën Merkel në vizitë lamtumirëse, dhe jehona e kësaj vizite vazhdon të interpretohet në mënytra të ndryshme. Ata që kanë mundur të ngelin më të zhgënjyer nga kjo vizitë, sigurisht janë në mesin e atyre që kanë pritur më tepër nga kjo vizitë, ndonëse politika e jashtme e Gjermanisë për Ballkanin tash më është e njohur. Por pritjet nganjëherë janë edhe iracionale, nëse e marrim parasysh faktin se segmentet e caktuara të politikave të jashtme të shteteve evropiane projektohen edhe mbi bazën e situatës në terren, konkretisht në Ballkan.  Për rrjedhojë nëse dikush në Prishtinë, bie fjala, ka pritur më shumë nga vizita e Kancelares Merkel, do të duhej t’i analizonte veprimet paraprake të politikës kosovare ndaj qasjes dhe interesimit gjerman për të investuar tek ne. Shumë kush nuk e ka të qartë se në marrëdhëniet midis shteteve, përpos miqësisë dhe partneritetit parimor, ka edhe interes. Stasistikat flasin se Gjermania shumë më shumë ka investuar në Serbi se sa në Kosovë. Në shikim të parë kjo tingëllon absurde, por e vërteta është më kokëfortë se dëshirat tona. Nëse i hedhi një sy të kaluarës do të shohim se investimet në Kosovë ishin të kushtëzuara nga segmente të caktuara të mafias politike, e cila para interesit publik shihte interesin personal. Për pasojë shumë investues nga Evropa, specifkisht edhe nga Gjermania, pas përvojave të hidhura me njerëzit tanë që kërkonin hise në biznese ende pa startuar ato, transferonin kaptalin e tyre në vende të ndryshme të rajonit, kryesisht në Serbi, në Maqedoni të Veriut e gjetiu. 

Tani, ajo çka iu intereson njerëzve të dinë, lidhet me atmosferën e biznesit që aktualisht mbretëron në Kosovë dhe sa kjo atmosferë mund të jetë e favorshme për investimet e huaja, përfshi edhe ato gjermane. Kjo pyetje bëhet edhe më me peshë nëse kemi parasysh faktin se votuesit kosovarë në zgjedhjet e fundit parlamentare ia deleguan besimin një elite të re politike, e cila nga shumë kush me të drejtë u quajt “Qeveria e ndryshimit”. Sigurisht që është herët të nxirren konkluzione të detajuara mbi bilancin qeverisës të kësaj garniture që aktualisht është në pushtet, sepse ende nuk janë bërë 6 muaj, mirëpo kur plafoni i premtimeve është shumë i lartë, njerëzit kanë të drejtë të pyesin se pse ata vazhdojnë të ecin të kërrusur, dhe pse nuk mund ta drejtojnë trupin nga problemet e grumbullara tash e njëzetë vite. Nëse plafoni i premtimeve ka qenë shumë i lartë, atëherë është shumë e logjikshme që çdo kush ta ndiej pulsin e ndryshimit, pa patur frikën se ai plafon një ditë mund t’ua gërvish sërish kokat.

Të rinjtë që kryejnë universitete, një kohë të gjatë më tepër vizitonin vebfaqet e amabasadave të huaja, për të siguruar ndonjë vizë pune, se sa që interesoheshin për ndonjë shpallje a konkurs që do të ishte plotësim i ëndrrave të tyre për punësim. Ata e dinin se edhe nëse kishte shpallje të tilla, ato ishin të rezervuara paraprakisht për ushtarët partiak, të cilët regjistroheshin si të papunë, por vazhdonin të merrnin rrogë pa bërë asnjë ditë punë. Kushti i vetëm i tyre ishte të jesh militalnt partiak.

Nëse sot bëjmë një anketë me të rinjtë dhe me qytetarë strukturash të ndryshme lidhur me pritjet dhe zhgënjimet nga qeveria aktuale, do të vëreni se grupi i dytë i njerëzve është në rritje. Kjo edhe për faktin se shumë kush ka menduar se qeveria e re po vjen me shkop magjik për t’i korrigjuar deformimet e grumbulluara me vite, por jo pak mendojnë se qeveria e Kryeministrit Kurti nuk po shkëlqen ashtu siç e kanë paramenduar ata që e votuan. Ka plot njerëz që kanë vërejtje në mënyrën se si funksionojnë digasteret qeveritar, duke akuzuar zyrtarët e lartë se megjithatë nuk ndryshojnë shumë nga pararendësit e tyre. Jo pak njerëz janë të befasuar me disa zgjidhje kadrovike, ku sërish ka ardhur në shprehje nepotizmi dhe kriteri ekskluzivisht i përkatësisë partiake.

Kosova ka shumë më shumë probleme që priten të zgjidhen se sa e ka komoditetin për të rrëshqitur në shtratin e njëfarë vetkënaqësie. Problemi numër një tani për tani është refuzimi i politikave të Serbisë që e rrezikojnë sovranitetin e Kosovës. Por ky refuzim nuk mund të ndodhë pa një koordinim të mirëfillt në mes të Prishtins dhe Tiranës dhe pa konsolidimin e klasës politike në Kosovë. Ne mund të jemi të pakënaqur nga politikanët e huaj, përfshi edhe Kancelaren e Merkel, të cilët ende e trajtojnë Vuçiqin si partner të denjë për bashkëpunim, por është koha që gishtin t’ia drejtojmë vetvetes dhe të pyesim çka po ndodhë me mendësinë tonë politike? Çka po ndodhë me politikanët tanë, të cilët më pak kanë harmoni brenda e më shumë miqësi jashtë?

Nëse jemi më vetëkritik, duke apostrofuar të metat në mesin tonë, atëherë më lehtë do ta kemi t’i kuptojmë qëndrimet e diplomatëve të huaj. Parasegjitash Kosovës i nevojitet një partneritet më i fuqishëm me Shqipërinë, në mëynrë që të mos kemi disonanca kaq të theksuara siç i kemi tani lidhur me nismat  rajonale të tipit  BALLKANI I HAPUR. Kjo është e mundur vetëm nëse Kurti dhe Rama i lënë anash egocentrizmat e tyre dhe i shohin problemet nga prizmi i interesit nacional. Ballkani Perendimor shumë shpejt nuk do të jetë ky që është, prandaj edhe aletatët tanë nuk do t’i kenë interesimet e njëjta siç i kanë patur në fillim. Në rrethana të tilla Prishtina dhe Tirana duhet të përpilojnë një axhendë të përbashkët veprimi, e cila do t’i kishte dy funksione – e para, që të punohet me këmbëngulje në ruajtjen e partnerëve tanë strategjikë, sidomos  SHBA-të dhe Gjermaninë dhe – e dyta, të demonstrohet një qëndrim më i fuqishëm politik kundrejt aspiratave të Serbisë për bosnjizimin e Kosovës.

Roli i Washingtonit në Ballkan, si rezultat i dështimeve të BE-së

Tani kur ka filluar qarkullimi i lirë  në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, të cilat lidhin Kosovën me Serbinë, pas largimit të barrikadave të vendosura nga serbët lokalë dhe largimit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, shumë kush, nga këndvështrimi i tij, e ka analiziuar situatën e krijuar në veri të Kosovës. Dy tetori ka qenë dita dhe afati i tërheqjes së Njësive Speciale të Policisë dhe zhbllokimit të rrugëve për në Jarinje e Bërnjak, sipas marrëveshjes së arritur nga Kosova e Serbia në Bruksel. Të shtunën filloi edhe zbatimi i pikës së parë të kësaj marrëveshje, e cila e parasheh largimin e protestuesve serbë, si dhe zëvendësimin e njësive speciale me trupat e KFOR-it në pikat kufitare në veri. Ndërsa pika e dytë, nisi të zbatohet  nga 4 tetor 2021, me ç’rast filloi vendosja e përkohshme e sistemit të afisheve, me të cilat si Kosova, ashtu edhe Serbia do të mbulojnë simbolet shtetërore të targave të njëra-tjetrës.

Pika e tretë parasheh që më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të BE-së, Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, ky grup pune, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Marrëveshja Kosovë-Serbi është lavdëruar nga diplomatët ndërkombëtarë, kurse është kritikuar nga opozita dhe një pjesë e mediave në Kosovë.

Marrëveshje mes dy vendeve është e përkohshme dhe do të zgjasë për 6 muaj. Në shtensionimin e situatës një rol të rëndësishëm, përveç zyrtarëve të BE-së, ka luajtur edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar. Kjo ka ndikuar që Brukseli ta trajtojë SHBA-në si “partner strategjik më i afërt dhe i rëndësishëm i Bashkimit Europian”.

Ndërkohë, disa ligjvënës amerikanë i bëjnë thirrje presidentit Joe Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken që të angazhohen për një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë dhe të dyfishojnë vëmendjen e SHBA për zgjidhjen e tensioneve mes dy vendeve.

The Guardian  ka vërejtur se  zhvillimet gjatë dy javëve të fundit kanë nxjerrë në pah mungesën e lidershipit ndërkombëtar për këtë çështje, veçanërisht nga BE-ja. Prandaj roli i Washingtonit në tejkalimin e kësaj situate ka ardhur edhe si rezultat i dështimeve të BE-së në imponimin e zgjidhjeve afatgjata.

Në krizën e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë u shfaq edhe Rusia. Ambasadori rus në Beograd ishte i pranishëm në afërsi të kufirit verior të Kosovës, kurse Serbia demonstroi forcë përms fluturakeve të prodhuar në Rusi.

Perendimi ende nuk e ka kuptuar se furnizimi i Serbisë me arsenal armatimi rus nuk është kërcënim vetëm për Kosovën, por edhe për pjesët tjera të Ballkanit dhe të Evropës. U desht të demostrohet në praktikë fuqia e këtij kërcënimi, për t’u  bindur se Kosova ka nevojë për një mbështetje më të madhe perendimore. Ndoshta është koha që të shqyrtohet seriozisht përfshirja e saj në NATO. Vetëm në këtë mënyrë arrihet paqja dhe stabiliteti i kësaj pjese të Evropës Juglindore, ku Kosova po paguan koston e një neglizhence të pajustifikueshme perendimore.

Kjo edhe për faktin se, siç ka thënë në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Edward Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, shkaku i problemeve në Ballkanin Perëndimor, Serbia nuk e pranon rendin perëndimor. Sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me qasjen e tij ndaj krizës në veri të Kosovës, ka treguar se Serbia ka pranuar dhe ndjek vlerat dhe agjendën e Rusisë dhe Kinës.

Paraqitja e Njësisë special të policisë së Kosovës në Jarinje dhe Bërnjak në mbështetje të reciprocitetit të aplikuar lidhur me mënyrën e përdorimit të targave të automjeteve, shënoi edhe kufirin ku mbrohen vlerat perendimore nga ndikimi rus. Kosova ka mundur të rrëshqet në një krizë edhe më të thellë sigurie, por vendosmëria për të refuzuar logjikën serbe të imponimit të arrogancës së mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës, dëshmoi se përpjekja për të mbrojtur sovranitetin e saj, Kosova po mbron edhe rendin demokratik Perendimor, i cili u vu në rrezik seriozisht nga aleanca ruso-serbe.

Përfundim

Në Prishtinë do të vazhdojë të kritikohet marrëveshjs e fundit për mbulimin e simboleve shtetërore në target e automjeteve të Kosovës dhe Serbisë, sepse kjo është edhe detyra e opozitës, por ajo që do të duhej të kihet parasysh është fakti se për herë të parë kufiri në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të trajtohet si adminstrativ nga Beogradi, siç është trajtuar deri më tani, por si prag që shënon derën e një shteti ku Serbia duhet patjetër të trokas. Për herë të parë Serbia duhet të heqë dorë nga arroganca e saj dhe të plotësoj kushtetet Kosovës. Për herë të parë Kosova përmes reciprocitetit të vendosur ndaj Serbisë po e konfirmon gatishmërinë kushtetuese e ligjore për të mbrojtur sovranitetin e saj në çdo cep të territorit. Gjithçka tjetër pasatj është pjesë e debatit mbi atë se a ka mundur Kosova të del më e fuqishme nga kjo situatë e tensionuar, dhe të mos pranojë largimin e Njësisë speciale nga veriu, apo të negocojë për një marëveshje kompromisi. Me këtë raport të forcave ndërkombëtare, me një BE të shpërqëndruar nga problemet e Ballkanit, me një Gjermani pa Merkelin, me një gjeopolitikë rajonale ku në sipërfaqe duken ide që e largojnë Ballkanin nga Procesi i Berlinit etj.etj. Kosova e ka pasur shumë vështirë të demonstrojë njëanshmërinë e saj në impionimin e ndonjë zgjidhjeje që do ta bënte atë më të dinjitetshme. Përkundrazi, çdo munutë e status-quos në formë të barrikadave, rrrezikonte shumë gjasat për një stabilitet afatgjatë dhe kjo nuk i ka konvenuar Kosovës. Sidomos nuk i ka konvenuar politikës së saj që përmes reciprocitetit të filluar ndaj Serbisë, ta detyrojë këtë të fundit të pranojë edhe kushtet tjera të Kosovës në dialogun e Brukselit. Kjo, mbase, do të shihet pas disa muajve muajve

[Kjo kumtesë u lexua në Konferencën e parë shkencore: “Evropa Juglindore dhe gjeopolitika sot – “Open Ballkan” dhe çështja shqiptare”, të organizuar nga Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë dhe mbajtur në Prishtinë, më 5.11. 2021]


Spread the love


Leave a Reply