Në mungesë të akademisë, zbavitemi

Spread the love

Në mungesë të akademisë, zbavitemi

Kohë interesante vërtet. Teksa vërejmë një homogjenizim të faktorit pro-rus në Ballkan, i cili është prezent sidomos te serbët etnikë, por gjithnjë e më shumë edhe te maqedonët etnikë, ku mbeten shqiptarët? Ata janë vetëm të befasuar nga paparashikueshmëria e kohërave. Historia ndodh, ndërsa ata nuk mbajnë shënim, por vetëm çuditen.

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë

Një proverb kinez, që s´merret vesh a është mallkim a bekim (apo të dyja bashkë në mënyrë ironike), thotë “jetofsh në kohë interesante”. Ndërsa një strategjist i shquar amerikan ka shkruar “nëse nuk po mërzitesh (prej monotonisë, prej kohës jointeresante), dikush është duke të mashtruar.”

Kohët interesante i bën të tilla paparashikueshmëria. Mund të jetë bekim, sepse paparashikueshmëria e lartë i hap disa rrugë me përfitim të madh. Por, bashkë me to, vjen edhe rreziku i madh, e si në kumar, gjasat e përfitimit janë shumë më të vogla se ato të rrezikut. Prandaj mund të jetë edhe mallkim. Ndërsa strategjisti amerikan në logjikën e tij vepron paralel me proverbën e liberalëve klasikë “dreka falas nuk ekziston”, pra në një botë ku njerëzit udhëhiqen nga logjika, nëse dikush të dhuron diçka, ai është duke marrë diçka nga ty qoftë edhe pa vetëdijen tënde – e shpeshherë merr më shumë sesa po të jep. Nga ky parim rrjedh edhe vlerësimi që shpesh bëhet për mediat online dhe rrjetet sociale, të cilat prodhojnë zbavitje e informim falas për publikun e gjerë: “Nëse nuk po paguan (për informacionin, për zbavitjen), atëherë produkti je ti!”. E nëse ty po të duken interesante kohët, dikush është duke i bërë ato interesante për ty, e dikush është duke fituar teksa ti po zbavitesh me paparashikueshmërinë. Në fakt e befasishmja dhe e paplanifikuara që ti shijon, mund të jetë pjesë e planit rutinor të tjetrit: kjo është mënyra më e rëndomtë se si fitohen betejat në treg, në diplomaci ose edhe në luftë, përmes asimetrisë së informacionit.

Ballkani, qartësisht, po kalon nëpër kohë interesante. Politologu boshnjak që vepron në Amerikë, Jasmin Mujanoviq, në janar shtronte një tezë interesante. Sipas tij, Amerika nuk ka kohë dhe vëmendje gjeopolitike për Ballkanin, sepse vëmendja e saj kryesore është te Kina, ndërsa ajo dytësore te Rusia (mandej Irani etj.). Sa herë që në Ballkan situata është bërë problematike, qysh pas rënies së regjimeve në vitet ‘90-të, Amerika përgjithësisht e ka deleguar zgjidhjen e problemeve te partnerët e vet europianë. E sa herë që europianët kanë dështuar (kryesisht për shkak të pamundësisë së tyre për të folur njëzëri) dhe situata është përkeqësuar ndjeshëm (Bosnja, Kosova) amerikanët kanë ndërhyrë vetë me masa sa më të shpejta dhe me sa më pak kosto, gati për t´u tërhequr vetë sa më shpejt e për t´ia lënë proceset shëruese prapë europianëve. Kështu ka ndodhur me Bosnjën, ku shpejt e shpejt u organizua Dejtoni e ku Millosheviqit iu krijua mundësia të paraqitej si faktor paqebërës, dhe pastaj me një kushtetutë disfunksionale Bosnja iu la në menaxhim një komisionari të lartë europian, por kështu ka ndodhur edhe me Kosovën, ku pas çlirimit e pavarësisë së saj, iu la në dorë Brukselit të lehtësojë procesin dialogues e të çojë deri në zgjidhje (me njohje të ndërsjellë) të konfliktit Kosovë-Serbi. Mirëpo, mosvëmendja amerikane dhe dështimet europiane nuk e kanë lënë rajonin në status-quo, por në fakt e kanë çuar në regres, meqenëse është krijuar hapësira për ndikim nga fuqi të treta, ndër to edhe Rusia e Kina. Një pjesë e vendeve ballkanike po bëjnë hapa pas sa i përket indekseve demokratike, por edhe sigurisë e stabilitetit të brendshëm, ndërkohë që ekonomia vazhdon të mbetet problemi primar i popujve dhe korrupsioni problemi primar i shteteve. Në këto kushte, sipas Mujanoviqit, duket se SHBA-ja edhe një herë po përgatitë një ndërhyrje të shpejtë, për ta dhënë një zgjidhje të shpejtë, për ta hequr qafe problemin e Ballkanit e për t´ia varur atë në qafë edhe një herë BE-së. Të lodhur nga lëmshi ballkanik është e mundur, thotë Mujanoviq, që amerikanët të kenë marrë vendim të konsiderojnë tre shtete të Ballkanit Perëndimor si “feasible” dhe të tjerat si “shtete të dobëta”. Shtete “feasible” do të ishin Kroacia, Serbia e Shqipëria, ndërsa shtetet e dobëta do të ishin Bosnja, Mali i Zi, Kosova e Maqedonia e Veriut. Zgjidhja e shpejtë amerikane, sipas politologut boshnjak, ka mundësi të jetë dakordimi me Zagrebin, Beogradin dhe Tiranën, që të rritet ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë në vendet e tjera. Praktikisht: kufijtë e jashtëm të secilit vend do të ruhen ashtu siç janë, mirëpo Bosnjës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do t´i ndryshohen kufijtë e brendshëm.

Nuk e dimë sa e vërtetë mund të jetë teza që shtron Jasmin Mujanoviqi, mirëpo vërtet që Bosnja po kalon sfida shumë të mëdha, teksa atje po vërehet një bashkëpunim i faktorit nacionalist kroat të Bosnjës me atë separatist serb të Bosnjës, për një ndarje edhe më të thellë etnike të atij vendi. Faktorët nacionalistë po e marrin herë pas here një ndihmë edhe nga ndërhyrjet arbitrare të komisionarit të lartë, i cili është akuzuar se në favor të tyre ka ndryshuar deri edhe rregullat zgjedhore në ditën e zgjedhjeve. Ky bashkëpunim është shoqëruar edhe me takime të përfaqësuesve të lartë të shtetit të Kroacisë e atij të Serbisë, gjë që nuk ndodh edhe aq shpesh për arsye historike e aktuale. Ndërkohë, në Sarajevë, në fillim të janarit, separatistët e Republikës Serbska të Dodikut organizuan një paradë në përkujtim të masakrave, që ata i bënë mbi boshnjakët. Në paradë mori pjesë jo vetëm ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiqi, por edhe paramilitarë rusë nga “Ujqërit e Natës” dhe “Grupa Vagner”. Aty marshuan njerëz të pajisur me armë dhe me parulla pro Putinit, teksa te duartrokitësit ishin edhe i biri i Mlladiqit të dënuar për gjenocid e i biri i Vuçiqit, aktualisht president i Serbisë.

Në Mal të Zi situata s´është aspak më e mirë, teksa edhe vetë emisari amerikan Gabriel Escobar e pranoi se ky vend është në prag të kolapsit ose ka kolapsuar. Mali i Zi, i cili e shpalli mëvetësinë nga Serbia pas një referendumi në vitin 2006, gjithnjë ka qenë çështje delikate. Në referendum vetëm 55 për qind votuan pro ndarjes, gjë që do të thotë se një numër i madh ishin pro qëndrimit me Serbinë. Këta 45 për qind që votuan kundër janë të gjithë malazezë me identitet serb, ndërsa te 55 për qind që votuan për ndarje, përveç malazezëve me identitet joserb, morën pjesë edhe shumë kombësi të tjera të Malit të Zi, siç janë shqiptarët, boshnjakët ose kroatët. Natyrisht, 45 për qind kundër pavarësisë përbën një trupë të madhe elektorale dhe rrezikun kryesor për pavarësinë e Malit të Zi, e ndikimin kryesor në të e ka sërish Beogradi dhe Moska. Ndoshta për shkak se u mendua që Mali i Zi i tejkaloi një herë e mirë problemet gjeopolitike me hyrjen në NATO, vëmendja për ruajtjen e pavarësisë u relaksua. Dhe, pikërisht në 2019 u shfaq një subjekt i vogël multietnik që propozoi një aleancë “kundër korrupsionit” bashkë me subjektet pro-serbe që deri atëherë ishin mbajtur me çdo kusht jashtë qeverive. Ishte e lehtë të akuzoje për korrupsion Millo Gjukanoviqin, njeriun që për thuajse tridhjetë vite kishte qenë ose president ose kryeministër në Mal të Zi. Kështu që, pak me populizëm e pak me mendjelehtësi, u zgjodh kryeministër një djalë i ri nga një parti e re, për herë të parë një shqiptar, Abazoviqi, dhe për herë të parë nga një parti shumë e vogël, URA. Por, kur bëhet kryeministër dikush që s´ka deputetë, atëherë tjetërkush drejton. Kësisoj, për herë të parë hynë në qeveri forcat pro-serbe, kundër pavarësisë së Malit të Zi. Abazoviqi u detyrua të bëjë lëshime të mëdha ndaj Kishës Serbe, e cila pretendon se Kisha Malazeze nuk ekziston, dhe dëshiron të dominojë në aspektin identitar dhe religjioz Malin e Zi, kuptohet në funksion të Serbisë. Ngjashëm si Kisha Ruse e cila këmbëngul për mosekzistencën e Kishës Ukrainase. Hyrja e partive pro-serbe në qeverinë e Malit të Zi, është fillimi i vorbullës të destabilizimit të atij vendi. Edhe një tjetër vend i NATO-s ku Rusia ka akses dhe kontroll deri tek qeveritarët.

Në Kosovë, vendi i vetëm i cili ka bërë përparime sa i përket demokracisë, standardeve të shtetit ligjor e të luftimit të korrupsionit, por njëkohësisht edhe vendi i vetëm ku ka mundur të ndodhë një ndërrim paqësor i gjeneratës politike, presioni amerikan ka qenë i madh edhe publik që të zbatohet një kinse-marrëveshje e vitit 2013, për të krijuar një “Zajednicë” të komunave me shumicë serbe. Problemet janë të mëdha. Fillimisht aspekti i sigurisë, pasi u pa që në komunat me shumicë serbe ka një prezencë të madhe të strukturave kriminale e paramilitare serbe e ruse, të cilat janë në gjendje të krijojnë trazira, të sulmojnë policinë e Kosovës por edhe të rrahin e të vrasin çdo qytetar serb që dëshiron të integrohet në Kosovë. Pa pasur “Zajednicë”, këto struktura kriminale arritën të marrin peng banorët e disa komunave duke bllokuar rrugët. Por, çfarë do të ndodhte në rast se do t´u jepej “Zajednica”? Ashtu siç e ka pohuar famëkeqi Millorad Dodik, “Zajednica” do të bëhet një Republikë Serbska e re. Përveç kësaj, është edhe problemi i aspektit ligjor. Marrëveshja e 2013-tës nuk është ratifikuar asnjëherë në Serbi, sepse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet dhe as atë marrëveshje nuk e njeh si ndërshtetërore ose ndërkombëtare. Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, atëherë pse Kosova duhet ta bëjë “Zajednicën”? Në çdo lëshim që ka bërë Kosova në të shkuarën, më pas nuk ka ardhur ndonjë afrim i Serbisë drejt njohjes, por vetëm ndonjë kërkesë edhe më e madhe për lëshim pe ndaj Serbisë. Kjo taktikë, e njohur anglisht si “salami slicing”, rrezikon të marrë gjithçka prej Kosovës, e të mos i japë asaj asgjë. Fundja, Kosova nuk ka luftuar vetëm për të pasur kufijtë e jashtëm, por edhe pavarësinë e brendshme. Natyrisht, qeveria e Kosovës do të rezistojë, por nuk kanë munguar kërcënimet për realizim të këtyre projekteve “me partnerë të tjerë”. Ku do të çonte kjo, pos në paqartësi të mëdha e në trazira? Në shkatërrimin e të vetmit vend me arritje demokratike, të vetmit vend ku zyrtarisht e thelbësisht Rusia e Kina nuk lejohet të kenë qasje as me politikë e as me kapital?

Përveç Kosovës, është edhe Maqedonia e Veriut. Në atë vend, që në plan të parë duket më stabil se tre të parët, ka pasur zhvillime jo të vogla e jo të parëndësishme. Gati se gjitha partitë parlamentare janë duke kaluar nëpër kriza të mëdha të brendshme, disa prej tyre edhe në ndarje. Për herë të parë në dy dekadat e fundit ka dalë në skenë një propozim serioz për të krijuar një qeveri pa pjesëmarrjen e shqiptarëve, të cilët në Maqedoni nuk janë minoritet por popull shtetformues. Ky propozim nuk ka ardhur nga ndonjë njeri i dorës së dytë, por nga ish-kryeministri Zoran Zaev, i cili ka propozuar që të krijohet një qeveri LSDM-VMRO, bashkë me Mickovskin. Nuk është hera e parë që Zaevi “babaxhan” që aq shumë ledhatohej nga Vuçiqi e nga Rama, bën propozime të tilla. Edhe në zgjedhjet e shkuara parlamentare ai e kërkoi votën e deputetëve nga VMRO – siç tha ai – që të mos mbetej qeveria në dorë të shqiptarëve. Maqedonia e Veriut është në një udhëkryq, teksa ka marrë kërkesë nga Bullgaria për të bërë ndryshime kushtetuese, për të cilat nuk ka pajtueshmëri të madhe sidomos te faktori maqedonas. Bullgaria e ka vendosur kërkesën si veto për procesin e integrimit europian të Bullgarisë dhe në fund të janarit doli lajmi se po e mbyllin ambasadën e vet në Shkup në shenjë presioni. Por, tash për tash faktori i vetëm që në shumicë është pro-europian dhe pro-amerikan janë shqiptarët. Tek maqedonasit sllavë në sondazhet e fundit të opinionit publik simpatia për Rusinë ka arritur deri në 80%, duke iu afruar kështu ndjeshëm bindjeve të opinionit publik serb në Serbi, por edhe në Republikën Serbska, në Mal të Zi ose atij të Listës Serbe në Kosovë.

Kohë interesante vërtet. Teksa vërejmë një homogjenizim të faktorit pro-rus në Ballkan, i cili është prezent sidomos te serbët etnikë por gjithnjë e më shumë edhe te maqedonët etnikë, ku mbeten shqiptarët? Ata janë vetëm të befasuar nga paparashikueshmëria e kohërave. Historia ndodh, ndërsa ata nuk mbajnë shënim, por vetëm çuditen.

Kryeministri i fundit i Perandorisë Osmane nuk mund të ishte tjetër përveçse një shqiptar, i quajtur Damat Ferit Pasha. Teksa Osmanët kapitulluan dhe humbën në Luftën e Parë Botërore, ata nënshkruan disa traktate shumë poshtëruese në Mudros dhe në Sevres, sipas të cilave krejt vendi do të çarmatosej, shumë nga provincat do të kalonin nën sundimin direkt të Anglisë e Francës, ndërsa Turqia e sotme do të ishte një lloj protektorati i përbashkët i fuqive. Elitës perandorake të mposhtur iu krijua bindja se fuqitë e mëdha do ta mbronin Turqinë. Sadrazemi Damat Ferit Pasha madje thoshte me bindje se turqit duhet t´i besonin “Allahut, sulltanit, sadrazemit dhe Anglisë”. Por, teksa shqiptari kishte kaq shumë besim te mbrojtja që do i vinte nga fuqitë e mëdha, në perëndim të Turqisë ishujt i pushtoi Italia, Greqia hyri thellë në Izmir e në krejt bregun perëndimor, në verilindje hynë armenët, në juglindje kurdë, arabë e francezë, në lindje anglezët, në pjesën e Trakës rusët e çkamos. Po të mos kishte rrëmbyer armët populli e ushtria, Turqia do të kishte mbetur sa gjysma e të sotmes.

Shqiptarët e sotëm nuk do të duhet të ishin po aq naivë sa Damat Ferit Pasha një shekull më parë. Ata duhet ta dinë se sa më i vogël një komb, aq më e madhe është mundësia që ai të përbuzet, prandaj sa më i vogël, aq më i bashkuar duhet të jetë kombi e aq më shumë duhet të këmbëngulë në kultivimin dhe tregimin e vlerave të veta. Njëra prej atyre vlerave do të duhet të ishte edhe kultivimi i mendimit strategjik, i cili nuk ka nevojë të jetë homogjen por pluralist dhe debatues. Në këtë funksion do të duhej të ishin akademitë shtetërore në Tiranë e Prishtinë, por edhe institutet e rëndësishme të shqiptarëve në trojet e tjera apo në diasporë. Fatkeqësisht, nuk janë. I kemi vetëm disa autorë që përpiqen sistematikisht ta organizojnë mendimin në këtë drejtim, e një pjesë të tyre i gjejmë për çdo muaj në këtë revistë, sa modeste aq edhe meritore, që quhet “Shenja”.[Shenja]


Spread the love


Leave a Reply