Në shekullin XXI

Spread the love

Në shekullin XXI

LEONARD DEMI / Tiranë

Një vit më parë, Rusia, një shtet europian, fuqi bërthamore, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nisi pushtimin agresiv imperialist të fqinjit të vet  për t’i grabitur pavarësinë, për ta tjetërsuar me vrasje të njerëzve të pafajshëm, me krime lufte, përdhunime, kërcënime bërthamore, shkatërrim sistematik të infrastrukturës civile, duke i kthyer në gërmadha të braktisura trojet e pushtuara. Më 24 shkurt 2022, Presidenti Vladimir Putin zbuloi projektin e tij të vërtetë të rindërtimit të Perandorisë me forcë dhe shkallmoi të gjitha parimet e rendit ndërkombëtar, që demokracitë europiane filluan ta ndërtojnë që në shekullin e shtatëmbëdhjetë.

Një vit më parë, Presidenti Putin mendoi se Ukraina ishte e dobët dhe Perëndimi i përçarë, prandaj u përpoq ta kapte në befasi për të arritur një fitore të shpejtë dhe vendimtare brenda pak ditësh apo javësh. Por e pati kryekëput gabimi, keqllogariti atë që strategët ushtarakë e quajnë “rendi i betejës”. Mbivlerësoi forcën e vendit të tij dhe nënvlerësoi vendosmërinë dhe forcën e Ukrainës, të Aleancës transatlantike, të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian dhe ra në kurthin e vet. Dëshpërimi e bën të rrezikshëm, por populli ukrainas po e mund.

TË NJËSUAR KUNDËR IMPERIALIZMIT RUS

Aleanca transatlantike, partnerët dhe koalicioni i kombeve i ngritur nga Shtetet e Bashkuara në mbarë botën janë bashkuar për të mbështetur Ukrainën të mbrohet kundër një lufte tragjike, të paramenduar, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë dhe regjimit autokratik të Presidentit Putin.

Në këtë përpjekje të madhe, ndihma ushtarake, ekonomike, humanitare dhe financiare e Perëndimit është mbresëlënëse dhe e pashoq. Këtu dallohen Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, që respektivisht i kanë siguruar Ukrainës më shumë se 75 miliardë dollarë dhe 49 miliardë euro. Lista e pajisjeve ushtarake përfshin edhe armatimet më të përkryera të kohës sonë. Këto ditë, Presidentja e Komisionit Europian, Von der Leyen, mbështeti propozimin estonez që BE-ja t’i sigurojë Ukrainës urgjentisht municione dhe furnizime të tjera ushtarake, ashtu siç veproi për vaksinat gjatë pandemisë. Sidoqoftë, donatori më i madh i ndihmës ushtarake janë Shtetet e Bashkuara, $29.3 miliardë, të ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca. Disa anëtarë apo partnerë të NATO-s, si Gjermania dhe Suedia, ndryshuan kushtetutat e vendeve të tyre për të mbështetur Ukrainën, ndërsa BE, për herë të parë në historinë e vet, furnizon me armë një vend të tretë.

Në Konferencën e sivjetshme të Sigurisë në Munih, aleatët, pa asnjë mëdyshje, u zotuan se do të dërgonin në Ukrainë sistemet e tyre më të përparuara për të mbrojtur vendin. Zoti Putin, theksojnë liderët transatlantikë, nuk po planifikon paqen, ai ka mobilizuar me qindra mijëra trupa për ofensiva të reja dhe po siguron armatime të tjera nga Irani, Koreja e Veriut apo nga ndonjë vend tjetër.

Në kuadër të partneritetin “pa kufij”, Kina po shqyrton mundësinë e furnizimit të Rusisë me armë. Nëse e bën këtë, do të kthente një konflikt rajonal në një luftë botërore.

Vizita simbolike e Presidentit Bajden në kryeqytetin ukrainas në vigjilje të përvjetorit të agresionit rus, riafirmoi mbështetjen e palëkundur dhe të papërkulur të Uashingtonit ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Kjo vizitë, tha ai. “Nuk ka të bëjë vetëm me lirinë në Ukrainë. Ka të bëjë me lirinë e demokracisë në përgjithësi”.

Në Varshavë, Presidenti Bajden takoi, gjithashtu, udhëheqësit e nëntë anëtarëve lindorë të NATO-s apo B9 (Bullgari, Çeki, Estoni, Hungari, Letoni, Lituani, Poloni, Rumani dhe Sllovaki) për të rritur mbështetjen për Ukrainën. Me këto vizita dhe takime, Presidenti amerikan i shtoi peshë simbolike zotimit të tij të përsëritur për të qëndruar pranë Ukrainës në luftën e saj për mbijetesë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

PAS NJË VITI

– Rusia nuk mundi të realizojë objektivin. Lufta pushtuese dhe gabimet trashanike strategjike kanë rrënuar autoritetin e saj dhe, në këto kushte, po përgatitet për një mësymje tjetër në shkallë të gjerë për të fituar terren përpara mbërritjes së tankeve perëndimore dhe ndihmës tjetër ushtarake, që i janë premtuar Ukrainës.

Në fjalimin e tij tradicional drejtuar kombit, presidenti rus përsëriti ligjërimin e “viktimizimit”: se vendet perëndimore kishin “filluar luftën” në Ukrainë si pjesë e një komploti për të “shkatërruar” Rusinë. Dhe ai ishte i detyruar të vepronte. Fakti është se, pas Luftës së Ftohtë, Rusia ka qenë më e sigurt në kufirin e saj perëndimor se në çdo kohë të historisë së vet. Vreri dhe këmbëngulja e liderit të Kremlinit për ta bërë Rusinë viktimë tingëllojnë gjithnjë e më shumë si përpjekje për vetëjustifikim, pasi “operacioni ushtarak special” kërkon sakrifica gjithnjë e më të mëdha. Më tej, ai deklaroi se Rusia do të pezullojë pjesëmarrjen e saj në traktatin për reduktimin dhe kufizimin e armëve sulmuese strategjike: New Start dhe kërcënoi se do t’u rikthehej provave bërthamor, duke goditur rëndë sigurinë dhe stabilitetin global (Rusia zotëron sasinë më të madh të armëve bërthamore në botë, afro 6000 koka luftarake).

Rusia, gjithashtu, revokoi dekretin, që mbështeste pjesërisht sovranitetin e Moldavisë mbi Transnistrian, rajon separatist i mbështetur nga Kremlini, kufi me Ukrainën, ku Rusia ka dislokuar trupa. Autoritetet transnistriane e konsiderojnë atë një shtet të pavarur, megjithëse nuk njihet nga asnjë anëtar i OKB-së.

– Me këtë luftë, Rusia forcoi identitetin ukrainas dhe e konsolidoi atë. Sot, Ukraina, më e bashkuar se kurrë, lufton për lirinë dhe sovranitetin e vet dhe mbron megjak, që derdhet çdo ditë në fushat e betejës kundër pushtuesit rus, parimet themelore të komunitetit demokratik perëndimor.

– Lufta farkëtoi unitetin e NATO-s, Bashkimit Europian dhe marrëdhëniet e BE-së me Shtetet e Bashkuara si garantues të sigurisë në Europë.

– Agresioni imperialist rus zgjeroi NATO-n. Në Samitin e radhës në Vilnius, Aleanca po përgatitet të pranojë në radhët e veta Finlandën dhe Suedinë.

Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, për këtë arsye nuk është palë e mbrojtjes kolektive të nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, por NATO ka qenë e qartë, që në krye të herës, në mbështetje të Ukrainës. NATO po koordinon efektivisht kërkesat e qeverisë ukrainase për ndihmë ushtarake dhe humanitare, të cilat plotësohen nga anëtarët e vet individualisht. Në këtë veprimtari të patjetërsueshme Aleanca mbështetet fort nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë. Pa këtë ndihmë nuk mund të imagjinohet që Ukraina jo vetëm t’i mbijetojë sulmit rus, por edhe të rimarrë territorin e humbur, duke shkaktuar viktima masive në forcat e zotit Putin. Ku do të ishte Europa dhe të gjitha demokracitë europiano-lindore nëse inteligjenca amerikane dhe dërgesat e para të armëve nuk do të kishin mbërritur në kohën e duhur tek forcat heroike të rezistencës ukrainase? Sipas disa analistëve, forcat ruse do ta kishin kaluar kufirin ukrainas.

Zoti Putin donte ta ndante Europën në zona influence dhe botën në blloqe fuqish të mëdha dhe shtete vasalë. Ai besonte se pushtimi i Ukrainës do të shtrëngonte marrëdhëniet ndërmjet kundërshtarëve të tij. E kundërta ndodhi: BE-ja është më e bashkuar se kurrë më parë dhe lufta e tij shërbeu për të zgjeruar Bashkimin. BE-ja i ofroi Ukrainës dhe Moldavisë statusin e “vendeve kandidate”, ripohoi se e ardhmja e Gjeorgjisë është në Europë dhe anëtarësimi i të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të bëhet realitet shpejt.

– Uniteti europian është më rrokës te sanksionet ekonomike të paprecedentë, që janë vendosur kundër Rusisë. Zoti Putin u përpoq të përdorë energjinë si armë kundër Europës, por aleatët diversifikuan furnizimin dhe po përshpejtojnë masivisht kalimin drejt energjisë të rinovueshme, si dhe energjisë të erës dhe diellit.

Komuniteti euroatlanitk po e rrit gamën e sanksioneve, sepse lehtësimi do ta inkurajonte Presidentin rus të ndiqte ambiciet e tij të egra përtej Ukrainës.

– Lufta forcoi mbrojtjen europiane. Europa do të armatoset në komplementaritet dhe ndërveprueshmëri me NATO-n për të frenuar dhe shmangur konfliktet, për të zmbrapsur çdo agresion kundër saj, si dhe për të rritur aftësinë e saj vendimmarrëse në aspektin gjeopolitik. Përditësimi i mbrojtjes dhe pajisja e forcave të armatosura me kapacitetet e gjeneratës tjetër kërkon investime të mëdha, por, sidoqoftë, nuk ka asgjë më të rëndësishme se siguria. Shembujt janë të shumtë: Gjermania, p.sh., sivjet, i akordoi Bundeswehr-it një fond të posaçëm prej 100 miliardë eurosh dhe vendosi të rritë buxhetin e mbrojtjes matanë angazhimeve të NATO-s; Franca planifikon t’i kushtojë mbrojtjes së vet rreth 413 miliardë euro deri në vitin 2030; Polonia vendosi të shpenzojë për mbrojtjen 4% të PBB-së, dyfishi i mesatares europiane etj. Në qershor të këtij viti, në Paris, do të organizohet konferenca për mbrojtjen ajrore të Europës, që do të bëjë bashkë, sidomos, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Britaninë e Madhe.

Disa shtete europiane po u bëjnë thirrje prodhuesve të tyre të rritin prodhimin e armatimeve dhe më shpejt. Forcat e armatosura ukrainase, çdo muaj, gjuajnë aq predha luftarake sa prodhojnë Shtetet e Bashkuara në një gjysmë viti.
Nisma e forcimit të mbrojtjes europiane përfshin, gjithashtu, frenimin bërthamor, mbrojtjen kibernetike, hapësinore, detare dhe mënjanimin e dobësive të demokracive tona ndaj dizinformimit dhe destabilizimit. BE nuk është në gjendje të mbrojë Europën, por këto përpjekje forcojnë NATO-n. Sot, thotë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, “nuk është koha për të parë përtej Aleancës, por është koha për të forcuar dhe zgjeruar Aleancën tonë”.

RUSIA NUK DUHET TË FITOJË

Fitorja e Vladimir Putinit në Ukrainë nëpërmjet përdorimit të paligjshëm të forcës do të ishte një goditje me pasoja të jashtëzakonshme për stabilitetin europian dhe më gjerë. Do të krijonte një precedent të rrezikshëm: fuqitë e mëdha, apo bërthamore, mund të marrin atë që duan me forcë dhe më pas të kërcënojnë me përdorimin e armëve atomike. Përpjekjet për të shmangur përshkallëzimin ka të ngjarë të rezultojnë në më shumë agresione për interesa imperialiste apo neoimperialiste.

Analistë të njohur vënë re se zoti Putin është në procesin e militarizimit të plotë të shoqërisë ruse dhe nëse Rusia përfundimisht mund Ukrainën, Presidenti Putin do të ketë një mesazh për popullin e tij: Rusia u përball me Ukrainën dhe NATO-n dhe Rusia fitoi.

“Agresioni rus është një luftë midis demokracive perëndimore dhe perandorive të reja, ku Rusia është pararojë”, thotë Presidenti Makron, “nëse Putini nuk mposhtet ushtarakisht, nesër e gjithë Europa do të kërcënohet”.

Shumë domethënës dhe inkurajues është fakti që OKB-ja, me shumicë dërrmuese, sapo miratoi rezolutën, që i kërkon Rusisë të tërheqë “menjëherë” trupat e veta nga Ukraina dhe “pa kushte”. 141 vende votuan pro, abstenuan 32, përfshirë Kinën, Indinë dhe Afrikën e Jugut; shtatë vende (Rusia, Bjellorusia, Siria, Koreja e Veriut, Mali, Nikaragua dhe Eritrea) votuan kundër. [Panorama]


Spread the love


Leave a Reply