Nëse Serbia bashkohet me Rusinë…

Spread the love

Nëse Serbia bashkohet me Rusinë…

Nga Shaban Murati

100 vjetori i krijimit të BRSS, Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, në 30 dhjetor 1922, ka nxitur në Moskë hapjen e sirtareve strategjike të projekteve dhe propozimeve, që ringjallin në një formë apo tjetër superfuqinë e dikurshme, Bashkimin Sovjetik. Presidenti rus Vladimir Putin, i cili e ka përkufizuar shembjen e Bashkimit Sovetik në 1991 si katastrofën më të madhe gjeopolitike të Rusisë, në 22 vitet e sundimit të tij po përpiqet që me luftë të rikthejë copa territoresh të mozaikut të perandorisë së dikurshme sovjetike.

Me agresionin kundër Gjeorgjisë në 2008 presidenti Putin ia aneksoi Rusisë Abhazinë dhe Osetinë e Jugut, me agresionin e parë në 2014 kundër Ukrainës aneksoi Krimenë, dhe me agresionin e tanishëm kundër Ukrianës në vitin 2022 i aneksoi katër rajone të Ukrainës.

Por nostalgjia për superfuqinë sovjetike ka krijuar një rrymë të fuqishme mendimi dhe lëvizje, ide dhe projekte, që shkojnë përtej kufijve gjeografikë të Bashkimit të dikurshëm Sovjetik.

Në datën 12 dhjetor 2022, një nga figurat më të rëndësishme të parlamentit rus, zëvendëskryetari i parë i komitetit të Dumës për çeshtjet ndërkombëtare, Aleksej Çepa, rihapi në publik projektin e bashkimit të Serbisë me Rusinë. Diskutimi për këtë projekt është i hershëm në qarqet e larta drejtuese të Rusisë, sepse për këtë projekt ka akte dhe vendime zyrtare në Serbi dhe në Rusi.

Think tanku kryesor qeveritar rus i politikës së jashtëme “Valdai club” kishte organizuar edhe një sondazh në Serbi dhe publikoi në 25 qershor 2021 të dhënat sipas të cilave 67 përqind e popullsisë në Serbi janë në favor të bashkimit të Serbisë me Rusinë.

Lexuesit të painformuar shqiptar, ballkanik dhe europian, mund t’i duket e pabesueshme idea apo projekti i bashkimit të Serbisë me Rusinë. Dokumentacioni dhe memoria historike, diplomatike dhe zyrtare provon realitetin se bashkimi me Rusinë është një projekt i vjetër shtetëror dhe zyrtar i Serbisë. Në vitin 1999, kur u shpall vendimi zyrtar i qeverisë serbe për bashkimin e Serbisë me Rusinë, kam botuar për këtë çeshtje analizën me titull “Bashkimi i Serbisë me Rusinë nuk është projekt letrar”.

Në librin tim “Serbia kundër Serbisë-analizë e një gjysëm revolucioni të lënë përgjysëm”, botuar në vitin 2004, kam trajtuar këtë projekt serbo-rus për bashkimin e dy shteteve. Në libër bëj të ditur se në 12 prill 1999 parlamenti i Serbisë mori  vendimin që Serbia të bashkohet me Rusinë. Ky ishte një akt legal me vlefshmëri të ligjëshme juridike, sepse organi më i lartë legjislativ serb vendoste të krijonte bazën legale të bashkimit të Serbisë me Rusinë.

Akti i parlamentit të Serbisë erdhi pas vendimit të qeverisë së Serbisë për t’i drejtuar zyrtarisht Moskës kërkesën për bashkimin e dy shteteve. Kërkesa zyrtare serbe për bashkimin e Serbisë me Rusinë i është dorëzuar presidentit rus Boris Jelcin me firmën e presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviç.

Po atë ditë, në 12 prill 1999, ministri i jashtëm rus, Igor Ivanov, deklaroi se “Moska e sheh në mënyrë të favorëshme idenë e futjes së JUgosllavisë në Unionin e Rusisë me Bjellorusinë”. Gjatë një vizite ato ditë në Beograd, kryetari i parlamentit rus Zheleznjev, njoftoi se presidenti Boris Jelcin kishte urdhëruar përgatitjen e një drafti të bashkimit të Serbisë me Rusinë. Moska e kapi topin në ajër dhe me shpejtësi në Dumën Ruse tre komitete të posaçme të parlamentit rus paraqitën sëbashku projektrezolutën e mbështetjes për kërkesën e Serbisë.

Rezoluta e Dumës ruse, që u paraqit në datën 16 prill 1999, përmbante tre pika: 1- Përkrahjen e vendimit të parlamentit të Serbisë për bashkimin me Rusinë. 2-Rekomadimin për presidentin rus dhe qeverinë ruse që sa më shpejt të shqyrtohen çeshtjet ndërkombëtare politike, juridike, ekonomike, etj. të bashkimit të dy shteteve. 3-Deputetët e parlamenteve të Rusisë dhe të Bjellorusisë të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët për kërkesën e Serbisë për bashkim me Rusinë dhe me Bjellorusinë.

Brenda ditës në 16 prill 1999, katër ditë pas vendimit të parlamentit të Serbisë, Duma Ruse miratoi rezolutën e bashkimit të Serbisë me Rusinë. Në seancën plenare ish-kryeministri rus Nikollaj Rizhkov, (1985-1991) bëri thirrje për miratimin e saj: “Në qoftë se ne nuk e votojmë këtë vendim, ne do të trathtojmë Serbinë dhe do të çgënjejmë njerzit, që duan të bashkohen”.

Mali i Zi, që ishte ende në atë kohë pjesë e të ashtuquajturës Jugosllavi e cunguar bashkë me Serbinë, u distancua menjëherë në 16 prill 1999 nga kërkesa e qeverisë së Beogradit dhe nga vendimi i parlamentit serb për bashkim me Rusinë. Nënkryetari i parlamentit të Malit të Zi, Predrag Popoviç, deklaroi se “vendimi i parlamentit serb për bashkimin me Rusinë është i pavlefshëm dhe nuk përbën detyrim për Malin e Zi”.

Vendimi i qeverisë së Serbisë dhe i parlamentit të Serbisë për bashkimin me Rusinë, si edhe rezoluta e parlamentit të Rusisë, që e miratoi bashkimin e dy shteteve, janë ende në fuqi si akte të vlefëshme juridike të vlefëshme edhe sot e kësaj dite, sepse ato nuk i ka abroguar asnjë qeveri e Serbisë dhe asnjë parlament i Serbisë pas ikjes së Millosheviçit.

Gjithashtu as Duma Ruse nuk e ka abroguar kurrë rezolutën e saj të bashkimit të Serbisë me Rusinë. Sipas agjencisë zyrtare ruse të lajmeve “Ria.ru” “ka qenë presidenti rus Boris Jelcin, që e bllokoi procedurën e bashkimit të të dy shteteve, sepse një vendimi i tillë mund të shkaktonte komplikime të karakterit ndërkombëtar”.

Përderisa nuk janë abroguar, kjo don të thotë se aktet ligjore dhe zyrtare të bashkimit janë në fuqi dhe mund të vihen në jetë kur qeveritë e të dy shteteve do të bien dakord. Diplomacia i njeh dhe i përdor aktet dhe marrëveshjet edhe sikur të jenë të fjetura 50, 100 apo 200 vjet.

Shqipëria e ka një përvojë të hidhur me Traktatin e Miqësisë dhe të Bashkëpunimit me Rusinë, të sigluar nga ministrat e jashtëm të të dy shteteve në vitin 2004, dhe të cilin befas pas 16 vitesh ministri i jashtëm rus Lavrov ia kujtoi kryeministrit shqiptar Rama në konferencën e përbashkët të shtypit në Moskë në 26 shurt 2020 me ftesën “ta vemë në veprim”.

Sepse qeveritë e Shqipërisë nga 2004 e deri më sot nuk e kanë abroguar atë akt antishqiptar dhe antiatlantik, të cilin Rusia e mban në frigorifer gati për konsum në kohën e duhur. Këtë po bën Moska me kërkesën zyrtare serbe të bashkimit me Rusinë.

Gazeta “Dita” paralajmëronte në 22 tetor 2021 se mosabrogimi “don të thotë që rezoluta e bashkimit të Serbisë me Rusinë është në frigoriferin diplomatik të të dy shteteve, është në fuqi dhe mund të zbatohet kur të dy qeveritë do të bien dakord”..

Sinjalin e dha tani zëvendëskryetari i parë i komitetit të çeshtjeve ndërkombëtare të Dumës Ruse, Aleksej Çepa, në 12 dhjetor 2022, i mbështetur në faktin që dokumentat zytare të të dy shteteve për bashkimin janë në fuqi. Parlamentari i rëndësishëm rus parashtron edhe mënyrën e zbatimit të procesit të bashkimit. Aleksej Çepa sugjeron organizimin e një referendumi në Serbi për të pyetur popullin për bashkimin.

Madje ai sfidon direkt presidentin serb: “Bashkimi i Serbisë me Rusinë nuk është vendim i Vuçiçit, por i popullit. Këtë e përcaktojnë njerëzit me referendum. Duhet kjo shprehje e vullnetit të popullit që askush të mos thotë se ky është pushtim, okupim apo përmbysje”.

Element interesant është informacioni, që jep media proqeveritare ruse “Balkanist.ru” në datën 13 dhjetor, ku veçon nga deklarimet e Aleksej Çepas përkufizimin “hyrja e Serbisë në përbërje të Rusisë”. Pra nga termi “bashkim” kalohet në termin “hyrje në përbërje të Rusisë”, çka flet për një shkallë më të lartë unifikimi të të dy shteteve. Kjo nuk të habit shumë, po të kemi parasysh se në vitin 2008 kryetari i parlamentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, që u bë më vonë edhe president i Serbisë, deklaroi publikisht se “për Serbinë është më mirë të jetë gubernë e Rusisë, se sa anëtare e BE”.

Në diskutimet politike e mediatike, që u çfaqën në Moskë lidhur me projektin e rihapur nga parlamentari i lartë rus për  bashkimin e Serbisë, është ngritur si një pengesë teknike fakti që Serbia nuk ka kufij të përbashkët me Serbinë, siç ka Bjellorusia që ka hyrë në një Union me Rusinë. Natyrisht qeveria dhe parlamenti serb, si dhe parlamenti rus, e dinin se dy shtetet nuk kanë kufij të përbashkët, kur firmosën vendimin e bashkimit të tyre.

Por argumenti serb dhe rus atëhere dhe tani është se në kohën e sotme të globalizmit dhe të teknologjisë informative bashkimet e shteteve nuk e kanë të domosdoshme të qenit shtete kufitare. Sillen shembujt e Francës, që ka pesë territore të saj përtej detit në kontinentet e tjera, apo shembulli i Britanisë së Madhe me Irlandën e Veriut dhe ishullin Folklend, ku e ndajnë dete dhe oqeane.

Kushdo e kupton se projekti i bashkimit të Serbisë me Rusinë përbën një projekt tepër të rrezikshëm për Ballkanin, për NATO-n dhe BE, por edhe më gjërë. Do të ishte një tërmet gjeopolitik me nje cunam rreziqesh lufte për shtetet e NATO-s në Ballkan, sepse do të sillte një Rusi kufitare me të gjitha shtetet ballkanike anëtare të NATO-s.

Tërheq vëmendjen se projekti po ringjallet në kohën që Rusia është në kulmin e agresionit të saj ushtarak në Ukrainë dhe të acarimit ushtarak me NATO-n, si dhe në kohën kur Rusia po nxit Serbinë të provokojë luftën kundër Kosovës.

Është një rrezik shumë i madh, që i kërcënohet edhe Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar, sepse është e lehtë të merret me mend se çfarë don të thotë të kemi një Rusi në kufirin e Kosovës. Shtetet e tjera ballkanike anëtare të  NATO-s janë vënë në lëvizje ndaj perspektivës së këtij rreziku. Media ruse “ura.ru”  në 25 nëntor 2022 informon qysh në titull se “Në Bullgari paralajmëruan se bashkimi i Serbisë me Rusinë përbën një kërcënim të madh për Europën”.

Përballë këtij zhvillimi të rrezikshëm për Ballkanin dalin disa pikëpyetje serioze.

Serbia gjatë 23 viteve nuk i ka abroguar aktet zyrtare dhe legjislative të bashkimit të saj me Rusinë. Përse? Mirë qeveritë serbe si aleatë strategjikë të Rusisë i kanë ruajtur si rezervë strategjike antiperëndimore dhe antiatlantike, po BE kur e pranoi si shtet kandidat të saj apo kur i hapi bisedimet e pranimit në BE si nuk i shkoi në mendje të vendoste si kusht abrogimin e akteve zyrtare, që çojnë te bashkimi me Rusinë.

Në BE rrinë e bëjnë diskutime të pafund tautollogjike si murgjit e mesjetës për seksin e engjëjve se në cilën karrike do të qendrojë Serbia, në atë europiane apo në atë ruse. Serbia e ka zgjedhur me kohë karriken ruse, ndaj dhe Moska qëllimisht hapi çeshtjen e bashkimit te Serbisë me Rusinë, që t’i dërgonte një mesazh të qartë diplomacisë dhe qeverive europiane, të cilat kanë ende iluzione naive se do ta tërheqin Serbinë drejt Europës.

Jo rastësisht zyrtarët, politikanët dhe mediat ruse po përsërisin vazhdimisht se nuk është më Rusia e Boris Jelcinit, por është Rusia e Vladimir Putinit, i cili i realizon ambicjet ruse me instrumentin e forcës.

Në këtë sinoptikë katrahurash gjeopolitike të rrezikëshme në Ballkan, para Shqipërisë del një pyetje e re ekzistenciale: Nëse Serbia do të bashkohet me Rusinë, a do të bashkohet me Rusinë edhe “Ballkani i hapur”  serb?

Qeveritë shqiptare nuk e kanë dënuar kurrë vendimin e qeverisë serbe dhe të parlamentit serb për bashkimin e Serbisë me Rusinë. Minimumi, që duhet të bënte qeveria aktuale e Shqipërisë para se të bashkohej me projektin e presidentit serb me emrin “Ballkan i hapur”, ishte të kërkonte nga Beogradi largimin e Serbisë nga hipoteka e rrezikshme e bashkimit me Rusinë.

A e di  kryeministri i Shqipërisë se rreziku është konkret, sepse presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, ish-ministër i qeverisë se Millosheviçit, dhe zëvendëskryeministrja e qeverisë së sotme serbe, Maja Gojkoviç, që ka qenë zëvendëskryeministre në qeverinë e Millosheviçit, që të dy kanë dhënë votën dhe firmën për vendimin e parlamentit serb në 1999 për bashkimin me Rusinë, sepse ishin deputetë të atij parlamenti.

Realitetet diplomatike dhe politike kërkojnë që të përsëritet pyetja ekzistenciale: Nëse Serbia bashkohet me Rusinë, a do të bashkohet me Rusinë edhe “Ballkani i hapur?”


Spread the love


Leave a Reply