Nga barrikadat te zgjidhja konkrete

Spread the love

Nga barrikadat te zgjidhja konkrete

Nga Dr Selim IBRAIMI

Diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje”. “BE, SHBA, NATO-KFOR kanë bërë një punë të madhe. Tani kemi nevojë për përparim urgjent në dialog”- tha ndërmjetësi për dialogun Kosovë- Serbi Josef Borell. “Me rritjen e ritmit të krizës kushtetuese, Mali i Zi është në një rrezik serioz për t’u bërë një tjetër vend i destabilizuar bashkë me Kosovën. Një koalicion i mbështetur nga Beogradi dhe Moska po ecën përpara me Lekiçin si kryeministër i mundshëm, ku bashkë me serbët e Kosovës kanë gjasa të mëdha të bëhen pjesë e lojës së serbo-ruse- thonë analistët.

Serbët në veri të Kosovës pas urdhrave nga Beogradi i kanë tërhequr barrikadat, por situata mbetet e njëjta: Serbët e veriut nuk dëshirojnë të jenë pjesë e sistemit kushtetues të Kosovës. Çfarë më tej? Dialogu në Bruksel nuk po jep rezultate në mes dy vendeve, sa që nga kjo diplomaci një vjeçare e zhvilluar nga evropianët me mbështetje amerikane, gjendja në veri më tepër është vështirësuar se sa është përmirësuar dhe aq më shumë në mes Serbisë dhe Kosovës.

Beogradi veriun e shfrytëzon për interesat e veta politike, duke e minuar sovranitetin e Kosovës, ky po aty qeveria në Prishtinë nuk po arrin të ushtrojë pushtetin. Zgjidhja duhet kërkuar në një plan afatgjatë ku çështja e serbëve në Kosovë edhe pse i kanë të gjitha të drejtat e garantuara me kushtetutë, të përfundojë me një marrëveshje e cila nuk do ta cenojë Kosovën dhe rajonin. Njëkohësisht duket bërë të pamundur për Beogradin që të shfrytëzojë serbët lokal si levë dhe kjo duhet të bëhet nga SHBA dhe BE.

Aktualisht në diplomacinë ndërkombëtare mbizotëron një mendim se formimi i një asociacioni mbi baza mono- etnike do t’i jepte fund konfliktit në mes Beogradit dhe Prishtinës. Kjo pak duket si jo e qëndrueshme, pasi tash më gjërat kanë lëvizur në drejtim të kundërt dhe serbët në të gjitha mënyrat nuk e duan shtetin e Kosovës. Aspirata e tyre është një autonomi që do ta kthente Kosovën në një shtet jo funksional ose versioni i bashkimit me Serbinë.

Dialogu në Bruksel në rrethanat e reja kur barrikadat mund të vendosen kur të duan serbët në veri, është i pasuksesshëm, pasi nuk ka për qëllim ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës, pra unitetin. Tani e tutje presioni euro-amerikan do të jetë mbi Kosovën për të pranuar asociacionin me baza ekzekutive. Në janar të 2023-tës janë paralajmëruar vizita të diplomatëve nga BE dhe SHBA në Kosovë dhe në Serbi për të bindur palët për një marrëveshje në pranverë. Ambasadori Amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier ka thënë se asociacioni është një obligim i Kosovës dhe SHBA pret që Kosova ta zbatojë. Për sovranitetin ai është shprehur se SHBA po e mbështet Kosovën në kufijtë aktual.

Përkundër besimit të bashkësisë ndërkombëtare se popullata serbe me të vërtetë mund të jetojë bashkë me etnitë tjera, realiteti është më ndryshe. Diplomacia dhe problemi aktual në veri të Kosovës janë në drejtime të kundërta. E para (ndërkombëtarët) ende mendojnë se Serbia dhe serbët në veri të Kosovës do të sillen në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe themelimi i një asociacioni nuk e rrezikon sovranitetin e Kosovës. E dyta (Serbia) duke e shfrytëzuar pozicionin e butë të SHBA-dhe BE-së, është e vendosur që të krijojë destabilitet në veri dhe ta pengojë zhvillimin normal të Kosovës.

Beogradi nuk mund të luajë një rol paqësor ashtu siç luan Shqipëria përballë shqiptarëve në Ballkan. Përderisa do të kemi veprime në adresa të ndryshme, një marrëveshje dhe paqe e qëndrueshme do të jetë larg me aktorët aktual ndërkombëtar dhe natyrisht me një Serbi e cila nuk është e interesuar për një marrëveshje afatgjate me Kosovën. Zgjidhja duhet të jetë konkrete dhe pa favore ndaj të dyja palëve. Kjo mund të arrihet nëse Beogradi përfundimisht do të shkëputet nga Kremlini dhe do të njohë pavarësinë e Kosovës, duke ju drejtuar serbëve në Kosovë se ata duhet të pranojnë Kosovën si shtetin e tyre. Ndryshe të gjitha opsionet tjera që do të dalin nga plani franko-gjerman nuk do të prodhojnë stabilitet dhe pajtim në mes serbëve dhe kosovarëve.


Spread the love


Leave a Reply