Nga çfarë ka frikë Putin-i?

Spread the love

Përse po kërkon “garanci për sigurinë” kur as NATO dhe as Ukraina nuk po kërcënojnë territorin rus?

Nga Janusz Bugajski

Paralajmërimet e Vladimir Putin që NATO të tërhiqet nga kufijtë e Rusisë tregojnë frikën e tij nga dështimi, si në Ukrainë ashtu edhe brenda vendit. Pavarësisht pretendimeve të tij, Putini nuk ka frikë nga pushtimi i Rusisë prej NATO-s apo nga sulmet e Ukrainës në territorin rus.

Frika e tij thelbësore është se një Ukrainë e pavarur dhe një ombrellë e NATO-s për sigurinë rajonale në të gjithë Europën Lindore do të ekspozonin dështimin e shtetit rus dhe do të përshpejtonin rënien e regjimit të tij autoritar të korruptuar. Por, në mënyrë paradoksale, një tjetër sulm ndaj Ukrainës do e përshpejtonte këtë proces.

Moska e ka kërcënuar Ukrainën me një pushtim ushtarak edhe më të madh dhe ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa e pajisje sulmi përgjatë kufirit të saj. Njëkohësisht, shqetësimet janë shtuar me ultimatumin dërguar Uashingtonit. Me anë të një thirrjeje të pretenduar si dokument, Moska i ka kërkuar NATO-s të çarmatoset, duke tërhequr trupat e saj nga të gjitha vendet anëtare në vijën e parë; të refuzojë anëtarësimin e çfarëdo vendi tjetër europian, përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë; dhe të pranojë sferën e dominimit rus në të gjitha vendet në kufi me Rusinë.
Administrata Biden ka sinjalizuar se do t’i diskutojë këto kërkesa javët e ardhshme, pas konsultimit me aleatët e vet europianë. Bisedimet e nivelit të lartë midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë do të mbahen më 10 janar. Shtëpia e Bardhë tashmë është përballë dy zgjedhjeve të vështira: ose të përpiqet të qetësojë Moskën ose të mos lëkundet, pra, të refuzojë ultimatumin e Putinit dhe të listojë kërkesat e veta. Çdo kompromis mbi parimet thelbësore të aleancës së NATO-s thjesht do ta inkurajojë Kremlinin që të kërkonte zmbrapsje të mëtejshme dhe të pretendonte se fitoi ndaj Perëndimit.

Në vend që t’i japë kredibilitet kërcënimeve të Kremlinit, Uashingtoni duhet të përdorë mundësinë e diskutimeve të ardhshme për të treguar solidaritetin, fuqinë dhe vendosmërinë e NATO-s. Gjithashtu, ai ka mundësinë të qartësojë kërkesat e aleatëve ndaj Moskës, përfshi kthimin e Krimesë dhe të gjithë Donbasit në Ukrainë, si dhe heqjen e pranisë kërcënuese ushtarake të Rusisë përgjatë kufijve të vendeve të saj fqinje, përfshi anëtarët dhe partnerët e NATO-s.

Në mënyrë që Perëndimi të këtë ëpërsi gjatë përgatitjes për bisedimet e nivelit të lartë me Moskën, duhet që Ukrainës t’i jepet gjithë fuqia luftarake e nevojshme për ta bërë çdo pushtim rus sa më të dhimbshëm. Për më tepër, mund të bëhen publike sanksionet e rënda në rast se Moska ndërmerr një tjetër sulm ushtarak kundër Ukrainës, ku në listë të përfshihen përjashtimi i plotë i Rusisë nga tregjet financiare dhe një embargo gjithëpërfshirëse ndaj eksportit të naftës dhe gazit rus, çfarë do ta çonte ekonominë e saj drejt falimentimit.

Përse Putini kërkon “garanci për sigurinë” kur as NATO dhe as Ukraina nuk po kërcënojnë territorin rus? Përgjigja është: nevojë e shtuar për sukses ndërkombëtar në një kohë frike në rritje për krizë të brendshme. Pajtimi i popullit me të dhe vijueshmëria e regjimit të tij varen gjithnjë e më shumë nga një politikë e jashtme agresive dhe antiperëndimore, çfarë do të shprehte ndikimin ndërkombëtar të Rusisë. Megjithatë, Putini rrezikon të ketë përllogaritur gabim fuqinë e vet dhe kriza e brendshme do të përshpejtohej nga një disfatë ushtarake në mes të rënies ekonomike, për të cilat Kremlini do të fajësohej gjerësisht. Bllokimi i zgjatur ushtarak në Ukrainë me humbje në rritje për forcat e armatosura të Rusisë mund të mos jetë i zbatueshëm.

Regjimet në Rusi, që humbasin luftëra ose nuk munden t’i fitojnë ato, në një kohë kur janë investuar së tepërmi te fitorja, gjithmonë bien. Një zmbrapsje në një luftë me Ukrainën, duke përfshirë viktima të shumta dhe burime shtetërore të shpërdoruara, do të nxiste luftërat për pushtet dhe revoltat popullore kundër një lidershipi të diskredituar dhe do të nxirrte në pah dështimet e akumuluara të Federatës Ruse. Vlen të përmendet se perandoria cariste ra pas një disfate ushtarake me Japoninë dhe një lufte të tejzgjatur me Gjermaninë perandorake. Bashkimi Sovjetik dhe perandoria e tij e Europës Lindore u shpërbë pas një lufte të dështuar në Afganistan. Fuqia e kredibiliteti i Putinit dhe qëndrueshmëria e Rusisë në formën e saj aktuale territoriale do të ishin viktima të një lufte më përfshirëse me Ukrainën dhe një konfrontimi në rritje me SHBA-në dhe NATO-n.

Arroganca e Putinit jashtë vendit tregon se kushtet ekonomike dhe sociale në Rusi po përkeqësohen dhe se atij mund t’i duhet një tjetër për të shtuar kredibilitetin dhe për të siguruar mbijetesën e vet politike. Në një video-konferencë me Këshillin Presidencial të Rusisë për të Drejtat e Njeriut, së fundmi, gjatë diskutimeve të nxehura, Putini hodhi poshtë propozimin për të lejuar rajonet ruse që nuk duan të jenë më pjesë e shtetit, të ndahen. Ai paralajmëroi për një përsëritje të luftërave të përgjakshme jugosllave dhe pretendoi se kishte 2000 pretendime territoriale brenda Rusisë, të cilat duheshin trajtuar “shumë seriozisht” pasi ato mund ta përçanin shtetin. [DITA/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply