Një kërcënim përtej kufijve të Ukrainës: Neni 4 dhe 5 i NATO-s

Spread the love

Një kërcënim përtej kufijve të Ukrainës: Neni 4 dhe 5 i NATO-s

Nga Dr Selim Ibraimi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jean Stotelnberg tha se në rast të një sulmi kibernetik ose klasik, NATO do të detyrohet të aktivizojë Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit. Më tej aleanca në deklaratën e lëshuar ka dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës. Konsultimet e Këshillit të NATO-s u mbajtën sipas dispozitave të Nenit 4 të Traktatit të Uashingtonit. Pasi konflikti në Ukrainë është i paparashikueshëm, detyrimisht lind nevoja që në rast të përshkallëzimit të luftës dhe sulmeve masive kibernetike, të aktivizohen Neni 4 dhe 5 i Traktatit të NATO-s.

Pas sulmit rus në Ukrainë, këta dy nene ka të ngjarë të përmenden gjerësisht në javët në vazhdim, kështu që përsëri për lexuesit tanë kemi bërë një përmbledhje të rëndësisë së neneve dhe mundësisë së aktivizimit nga anëtarët e aleancës në kohë të luftës dhe ndërhyrjeve të jashtëzakonshme hibride në infrastrukturën kritike të shteteve të NATO-s.

Pasi shtetet e krahut lindor të aleancës kufizohen me Rusinë dhe Ukrainën, sulmi ushtarak i Federatës Rusë mbi territorin ukrainas bëri që Polonia, Lituania, Rumania, Letonia dhe Estonia t’i referohen Nenit 4 të traktatit dhe kjo lidhej me vendimin e presidentit rus V. Putin për të sulmuar ushtarakisht Ukrainën. Kjo është hera e pestë në historinë e NATO-s që Neni 4 aktivizohet nga anëtarët në rrethana kërcënuese. Sipas nenit 4 të traktatit, vendet anëtare mund të sjellin një çështje vetëm pranë Këshillit të NATO-s (NAC), që njëherit është organi kryesor vendimmarrës politik i aleancës veri-atlantike.

Neni 4 thotë: ”Palët do të konsultohen së bashku sa herë që sipas mendimit të ndonjërës prej tyre, kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e ndonjërës prej shteteve.”

Mirëpo, duhet nënvizuar se pjesa më e rëndësishme e traktatit është neni 5, i cili njihet ndryshe si “klauzola bazë e angazhimit ushtarak”. Neni 5 parashikon që nëse një aleat i NATO-s është viktimë e një sulmi të armatosur, çdo anëtar tjetër i NATO-s do ta konsiderojë këtë akt dhune si një sulm të armatosur kundër të gjithë anëtarëve të aleancës.

Neni 5 thotë: “Shtetet bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre në Evropë ose në Amerikën e Veriut do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve dhe për rrjedhojë ato bien dakord që, nëse ndodh një sulm i tillë i armatosur, secila prej tyre, në ushtrim të së drejtës së vetëmbrojtjes individuale ose kolektive i njohur nga neni 51 i Kartës së OKB-së, do të ndihmojë palën ose palët e sulmuara, duke ndërmarrë menjëherë, individualisht dhe në bashkëpunim me shtetet e tjera, veprime të tilla që janë të nevojshme, duke përfshirë përdorimin e forca të armatosura, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”.

Si rezultat i afërsisë gjeografike, në konfliktin ruso- ukrainas, NATO ka bërë të ditur se Neni 5 do të miratohet nëse Rusia do të fillonte ndonjë sulm kundër shteteve të saja anëtare, gjë që do të përfaqësonte një përshkallëzim dramatik të luftës në Evropë. Është ende e paqartë nëse NATO, sulmet e përsosura kibernetike qofshin nga Rusia, Kina dhe armiqtë tjerë do t’i konsiderojë si kërcënuese që mund të vë në zbatim Nenin 5. Traktati i Uashingtonit, është dokumenti ligjor që vendosi bazat e NATO-s në vitin 1949.

ShBA, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, ishin ndër anëtarët themelues dhe kryesorë të organizatës, e cila siç dihet se u krijua si kundërpeshë ndaj BRSS-së. Në përleshjet e fundit në mes forcave ukrainase dhe ruse, NATO, Britania e Madhe dhe ShBA kanë ndihmuar dhe po dërgojnë ndihma ushtarake në Ukrainë. Uashingtoni ka bërë të ditur se nuk do të dërgojë trupa amerikane në Ukrainë, por mbi 10 mijë ushtarë amerikanë janë vendosur në krahun lindor të NATO-s për t’i mbrojtur shtetet anëtare të aleancës.

Presidenti amerikan Bajden tha se poqese një vend anëtar i NATO-s do të sulmohet, atëherë ShBA dhe NATO do të reagojnë e që nënkupton aktivizimin e Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit. Maqedonia e Veriut është anëtarja më e re e aleancës e 30-ta, dhe e cila ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës duke i mbështetur në fund sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë.


Spread the love


Leave a Reply