Një përqendrim i ri i diplomacisë amerikane në Ballkan

Spread the love

Një përqendrim i ri i diplomacisë amerikane në Ballkan

Nga Dr Selim IBRAIMI

Në prani të ambasadorit amerikan në Serbi Kristofer Hill, zyrtari i lartë i Stejt Departamentit për Evropë dhe Azi Gabriel Escobar u takua me zyrtarë të lartë të shtetit serb. Escobari u takua edhe në Prishtinë  me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani. Ballkani është i një rëndësie jetike për të ardhmen e Evropës. Mundësitë këtu janë të mëdha, por sfidat janë të vazhdueshme”- tha Escobar. Diplomacia amerikane që nga George Kenan, pra që pas përfundimit të ‘Luftës së Koresë’ dhe ‘Bllokadës së Berlinit’, seriozisht po e shqyrton opsionin se pa një paqe të qëndrueshme në Ballkan apo rishikim të problemeve historike nuk ka qetësi dhe as përparim në Ballkan. Gjithashtu në rajon janë shtuar zërat për afrimin e nënshkrimit të një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, presidenti serb Aleksandër Vuçiç i ka demantuar njoftimet rreth një marrëveshje të mundshme duke thënë se “së pari Kosova duhet të formojë Asociacionin”. Para luftës në Ukrainë, SHBA-të përshkak të përfshirjes në Lindjen e Mesme dhe të Largët, pothuajse e kishin lënë anësh Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. Aktualisht, agresioni rus e ka ndryshuar rrënjësisht mendimin diplomatik amerikan rreth problemeve të pazgjidhura siç që është rasti në mes Kosovës dhe Serbisë. Këtu më i shkathtë po tregohet diplomati amerikan Gabriel Escobar, i cili duket se do të jetë imazhi i ri qoftë i suksesit apo dështimit të diplomacisë amerikane në Ballkan  Escobari në Ballkan ka shumë punë, duke filluar nga marrëveshja e cila duhet të arrihet në mes Kosovës dhe Serbisë, Bosnja, ndikimi rus dhe natyrisht korrupsioni i lartë në rajon ku po aty amerikanët kanë derdhur biliona dollarë për të përmirësuar gjendjen. Rruga përpara do të hapë një marrëdhënie më të mirë në mes Prishtinës dhe Beogradit, një klimë më të mirë investimi dhe do të hapë derën për integrimin rajonal. Pasojat e vetme të moszgjidhjes së problemit do të jenë mundësitë e humbura”- ka thënë Escobari në Beograd. Tash e tutje, Uashingtoni do të përqendrohet në përmirësimin e dialogut aktual në mes dy palëve dhe klimës politike deri në gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për Serbinë dhe Kosovën. Synimi im është të përdor bashkëpunimin, dhe inovacionin për të arritur zgjidhje vërtet pozitive në një rajon ku tashmë ka shumë ndryshime pozitive”- ka deklaruar diplomati Pablo Escobar për shtypin serb. Angazhimi amerikan do të kërkojë një plan konkret dhe mbështetje për t’i përmbushur objektivat afatgjate amerikane dhe ndryshuar tërësisht Ballkanin Perëndimor përballë kërcënimit rus dhe kinez. Në fakt kjo mund të konsiderohet si nisma më serioze amerikane pas Dejtonit (1995), Rambujesë (1999), dhe Ohrit (2001), për t’i përmbyllur çështjet e hapura në rajon. Përqendrimi aktual amerikan në në raportin në mes Kosovës dhe Serbisë, me siguri se do të përfundojë me një marrëveshje në mes dy shteteve e cila do t’i hapë Kosovës rrugën drejt NATO-s dhe integrimit në BE. Qeveria në Kosovë bashkë me opozitën duhet të jenë të elastik për t’i biseduar të gjitha draftet që i mundësojnë në fund Kosovës një rrugë të re. Mbyllja e procesit duhet të jetë e qëndrueshme dhe pa lënë pas një vakum qoftë etnik dhe fetar. Diplomacia amerikane pavarësisht gabimeve që i ka në Ballkan gjatë këtyre dy dekadave, përsëri është më e besueshme dhe shumë më shpejt Prishtina mund të jetë pranë organizatave ndërkombëtare me mbështetjen e Uashingtonit. Gjendja aktuale në Ukrainë dhe rendi i ri i sigurisë në Evropë duhet shfrytëzuar, pasi tani SHBA është më aktive se kurrë në BE dhe në Ballkanin Perëndimor.


Spread the love


Leave a Reply