Një vit luftë, Ukraina stoike

Spread the love

Një vit luftë, Ukraina stoike

GJENERAL PIRO AHMETAJ

Në kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s, kam ndjekur me interes të shtuar 365 ditë/net luftime në fushëbetejën “me/për Ukrainën”.

Në vijim po paraqes një përmbledhje të mësimeve strategjike, nga 1 vit i përballjes stoike të Ukrainës, si dhe vendosmërisë së Aleancën Transatlantike (USA/NATO/BE) në fushëbetejën me të keqen e përbashkët, Rusinë-Putiniste: Si sot një vit më parë, në 24 shkurt 2022, regjimi i Putinit iu rikthye përqasjes neonaziste të ndryshimit të kufijve shtetërore dhe hartës gjeopolitike nëpërmjet agresionit ushtarak.

Para një viti, Rusia-Putiniste e nisi agresionin, jo vetëm me konceptet, armatimet dhe mendjet e ndryshkura, por edhe me ambicie dhe objektiva perandorake (nënkupto paranojake). Por, mbas një viti luftimesh rezulton e humbur, e rraskapitur, më e izoluar dhe më e diskredituar. Pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara muajin e fundit për të rimarrë iniciativën strategjike si dhe restauruar moralin, në fakt, gjatë vitit 2022 në përballjen me Ukrainën Rusia humbi: “Rreth 40% të territoreve të pushtuara (“Mëmës-Rusi”); 120 mijë të vrarë, mbi 3 Trilion €, ose 2 herë më shumë së Prodhimi i Përgjithshëm Neto (2022 -1.7 trilion €); moralin e ushtrisë dhe kohezionin e kombit Rus; epërsinë si dhe iniciativën strategjike”!

Përgjatë një viti luftimesh, u konfirmua se agresioni ushtarak i Rusisë-Putiniste nuk ishte vetëm kundër sovranitetit të Ukrainës, por edhe: “kërcenim serioz ndaj rendit global të sigurisë, kufijve të demokracisë, vlerave perëndimore si dhe ndaj interesave të Aleancës EuroAtlantike (USA/NATO/BE)”. Por mbas një viti luftimesh të përgjakshme, mund të themi me bindje se RusiaPutiniste i humbi me turp betejat për të testuar kohezionin mes 30 vendeve të NATOs, edhe duke kërcënuar “si shtet terrorist” me gazin apo me përdorimin e armëve bërthamore.

Në të kundërt, gjatë 2022, mbi 50 miliardë € armatim dhe pajisje ushtarake moderne etj. flasin fort për kohezionin e përforcuar dhe vendosmërinë e Aleancës Transatlantike në mbështetje të Ukrainës. Po ashtu, mbas një viti lufte, Rusia gjendet edhe më e izoluat nga bota e qytetëruar: “Vetëm 4 shtete terroriste e njohën këtë aventurë neo-naziste”; për shkak të kësaj lufte rrezikon seriozisht përjashtimin nga 5-shja vendimmarrëse e Këshillit të Sigurimit/OKB si dhe besoj jo shumë vonë, Putini dhe Gjeneralët e Tij do të përgjigjen për krime kundër njerëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare.

Përgjatë 1 viti lufte, Putinit refuzonin t’i jepnin dorën edhe autokratët e Azisë Juglindore, ndërsa si aleat i kanë mbetur vetëm regjimet terroriste, si Irani, Koreja e Veriut dhe Junta e Malit. Jo vetëm përgjatë këtij viti, Rusia keqdështoi për të ndezur një front të ri lufte duke frymëzuar grupet kriminale, axhendën e politikanëve të korruptuar dhe ekstremistët e tipit Dodik në Ballkan apo duke ricikluar oscilacionet e Beogradit zyrtar për të kërcënuar me agresion ushtarak sovranitetin teritorial të Republikës së Kosovës, njëkohësisht edhe ndaj prezencës së NATO/ KFOR?!

Thënë sa më sipër, një vit luftime me “superfuqinë e kapur nga paranojat e ambicieve staliniste”, treguan se krahas përballjes sublime të Ukrainës, fati i luftës mbetet i ndërlidhur nga mbështetja e perëndimit. Prandaj, SHBA, UK, Gjermania dhe pothuaj të gjitha vendet e NATO-s kanë konfirmuar dërgimin e tankeve (Abrams, Challenger & Leopard) të gjeneratës se fundit, të cilët do të vendosin fatin e luftës në tokë. Në terma financiare, paketa e mbështetjes së Ukrainës nga USA, UK, Norvegji, Gjermani dhe vendet e NATO-s (sisteme Patriot, Dronë, Tanke, etj.) e konfirmuar nga Perëndimi për vitin 2023 arrin mbi 100 miliardë €.

Ndërsa Samiti Historik i BE- në Kiev (3 Shkurt) dhe vetëm 2 ditë më parë (22/02)), vizita si “surprizë – strategjike” e Presidentit të SHBA, Joe Biden, demonstrojnë vendosmërinë e palëkundur të Perëndimit për ta mbështetur pa kompromis Ukrainën deri në fitoren përfundimtare ndaj të keqes së përbashkët, Rusisë-Putiniste. Në përmbyllje, për titull të këtij opinioni, kam përzgjedhur të citoj ish-kryeministrin e UK, Blair: “falë rezistencës stoike të Ukrainës dhe vendosmërisë se Perëndimit”, Rusia – Putiniste do ta humbasë luftën si dhe do të gjunjëzohet në përballjen fuqinë ushtarake të USA/NATO-s, kohezionin e fortë dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/BE).

Me këtë rast, nuk mund të mos e përshëndesim, rolin aktiv të Republikës së Shqipërisë, si rrjedhojë e përfaqësimit krah SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit të OKB; për mbështetjen e pa kushtëzuar të vendimmarrjeve në NATO dhe kontributeve me shumë se modeste që RSH vijon t’i japë Ukrainës martire.

Në shtesë, do këshilloja faktorët politikë & aktorët shtetërorë të Tiranës që: “Humbja e luftës, kolapsi ekonomik dhe diskreditimi ndërkombëtar, përfshi në Ballkan që e pret Rusinë, është një rrethanë e favorshme gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSH në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha (SHBA/NATO/UN) për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat Kombëtare në Rajon, Mesdhe, etj.”! [Gazeta Panorama]

* Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO, Zv/President i Këshillit të Atlantikut; Anëtar i Bordit “Istrael House”, si dhe Ish: Këshilltar i Presidentit të RSh & Zv/ ShShPFA, Përfaqësues Kombëtar Ushtarak në NATO.


Spread the love


Leave a Reply