Paqja nuk arrihet me heshtje e as me ëndrra

Spread the love

Nuk sigurohet paqja në Kosovë duke mbyllur sytë ndaj fakteve për militarizimin e Serbisë, e cila po afrohet gjithnjë e më shumë me Rusinë dhe po pretendon asimetri në raport me Kosovën. Nuk garantohet siguria kombëtare e Shqipërisë duke mbyllur veshët e duke thënë se nuk janë spiunë njerëzit të cilët edhe vetë e kanë pranuar se janë në komunikim me shërbimet ruse.

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë

Nga viti 2000 mund të mbahen mend shumë gjëra, por s’e besoj që e mban mend ndokush filmin “Miss Congeniality”, një ndër ata filmat “comedy”, që i prodhon industria amerikane e filmave e që jetëgjatësinë e kanë një vit, maksimumi dy, e pastaj harrohen. Në film rolin kryesor e luan Sandra Bullock dhe filmi trajton një agjente të infiltruar që arrin të ngadhënjejë kundër terroristëve të panjohur, të cilët dëshirojnë ta godasin një konkurs bukurie. Agjentja e fshehtë shkon tebdil, maskohet si një nga vajzat që marrin pjesë në konkursin e bukurisë, me synimin që të kualifikohet deri në pesë vendet e para, e ashtu të mund të marrë vesh më shumë mbi kërcënimin terrorist, për ta parandaluar atë. Në një skenë të filmit, kur vajzat që marrin pjesë te konkursi i bukurisë pyeten se cila është dëshira e tyre më e madhe, ato të gjitha përgjigjen “paqja në botë”.

Është i vjetër ky stereotip, që i gjykon, shpesh padrejtësisht, vajzat pjesëmarrëse në konkurse bukurie si mendjelehta. Mirëpo, nuk janë vetëm pjesëmarrëset në konkurset e bukurisë në filmin e Bullock-ut ato që shprehin dëshira të tilla. Ka plot të tillë dhe jo vetëm vajza. Për shembull, në vitin 2011 një nga basketbollistët më të famshëm të NBA, Ron Artest, shkoi në gjykatë me kërkesën për ta ndërruar emrin e tij e për t’u quajtur Metta World Peace. Ron Artest-i njihej si një ndër basketbollistët më problematikë sa u përket fenomeneve të dhunës në fushën e lojës e jashtë saj, madje edhe në familje e në rrugë. Megjithatë, për arsye, sipas tij shpirtërore, ai vendosi që të bëjë thirrje për “paqe në botë” edhe me vetë emrin e tij.

Natyrisht, paqja në botë nuk erdhi as pas ndërrimit të emrit të Ron Artestit, e as pas filmit ku luan Sandra Bullock-u. Mirëpo, këto dy pjesëza të parëndësishme të showbiz-it, që mbush gazetat e paarkivueshme “online” dhe që nuk do të arrijnë ndonjëherë të përfshihen në historinë që u trashëgohet brezave të ardhshëm, më erdhën ndër mend në këtë fundgushti të vitit 2022.

Ajo që m’i solli nëpër mend këto ishin reagimet nëpër media e në rrjete sociale ndaj dy ngjarjeve të aktualitetit.

Në fillim të gushtit Albin Kurti dha disa intervista në media të rëndësishme botërore, ku sqaronte se si Serbia kishte ndërtuar 45 baza ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën, teksa po i njëjti vend mban edhe baza ruse e zhvillon stërvitje të përbashkëta me Rusinë, gjë që e mban rajonin nën kërcënimin e luftës. Menjëherë pjesëtarë të partive opozitare, LDK, PDK e AAK, nisën një fushatë kritikash e sulmesh ndaj Kurtit, duke e akuzuar si luftënxitës. Kësaj fushate i dhanë jehonë të madhe edhe mediat e disa politikanë në Beograd, por edhe disa nga portalet në Kosovë. Kurti, i cili bën thirrje për vëmendje ndaj Serbisë që po armatoset e po grumbullon forca pranë Kosovës, qenka luftënxitësi. Këta që duan të mos kritikohet assesi militarizmi intensiv i Serbisë, qenkan ata që dëshirojnë “paqe në botë”.

Diku nga mesi i gushtit në Shqipëri u kapën tre turistë të cilët kishin sulmuar me sprej neuroparalizues dy ushtarakë shqiptarë. Turistët, dy shtetas rusë e një shtetas ukrainas, kishin qenë duke fotografuar një uzinë të vjetër armatimi, kishin fotografuar edhe objekte të tjera ushtarake e infrastrukturore dhe pretendonin se këtë e bënin vetëm si “blogerë”. Mirëpo, ata u arrestuan nën akuzën e sulmit ndaj ushtarakëve shqiptarë e me pandehmën e spiunazhit. Në shumë media e në rrjetet sociale, për çudi, mbizotëroi mendimi se turistët qenë thjesht blogerë, se këto përrallat me spiunë i përkasin kohës së Luftës së Ftohtë, e se shteti shqiptar nuk ka çfarë fsheh, pasi të gjitha gjërat i ka në shesh, dhe është aq i dobët, saqë nuk ka përse të sulmohet nga askush. Pas këtyre pohimeve të përgjithshme ndihet se qëndron bindja “pacifiste” që Shqipëria nuk ka pse të përzihet në luftën që po ndodh në Ukrainë, e nuk ka pse të mbajë anë. Kjo bindje “pacifiste” tek të djathtët ushqehet prej një simpatie që Trump-i ka për Putinin, si dhe prej qëndrimeve ultrakonservatore e profetare të Putinit sa y përket çështjeve si të drejtat e grave ose të LGBT-ve, tek të majtët ushqehet nga një antiimperializëm i njëanshëm që sheh si problem vetëm Amerikën e asnjë vend tjetër, ndërsa te shumica e njerëzve ushqehet nga besimi se lufta në Ukrainë po shkakton inflacion e rritje çmimesh dhe se fajin për këtë e ka Ukraina, që nuk po dorëzohet, e jo Rusia që nuk po tërhiqet nga pushtimi…

Ky lloj pacifizmi ngjan me atë përrallën e gomarit, i cili teksa ujqit ia kafshonin prapanicën, lutej “bëje zot ëndërr!”. Çdo njeri që ka mendim objektiv e të ftohtë, e di shumë mirë se Serbia nuk shpenzon kot 1.5 miliard euro në vit për ushtrinë (thuajse tetë herë më shumë sesa Kosova e Shqipëria bashkë). Nuk i blen së koti armatimet më moderne ruse e kineze. Nuk i ndërton kot bazat në kufi me Kosovën. Por, frika nuk të lë të jesh objektiv. E kemi të freskët rastin e Ukrainës, ku për muaj me radhë Rusia mblodhi 100.000 trupa në afërsi të kufirit, e teksa SHBA-ja paralajmëronte se do të kishte pushtim, shumica e ukrainasve thoshin se nuk besonin që do të kishte luftë. Ky nuk është pacifizëm. Ky është “pacifizëm” nga frika, si puna e gomarit.

Edhe për punën e turistëve rusë, teksa mbahen nën arrestim, vetë ata po pohojnë se kanë pranuar para dhe porosi nga shërbimet sekrete ruse për të dërguar fotografi e informata mbi caqe të caktuara. Megjithatë, shumëkush këmbëngul se ata nuk janë spiunë, por janë thjesht blogerë. Gomarit ujku i ka kërcyer mbi shpinë, ndërsa ai thotë “ku janë gjurmët?”…

Në bindjen time, qasja do të duhej të ishte krejt tjetër. Së pari, duhet të konstatohet me seriozitet vërtetësia e thënies së strategut romak, Vegetiusit “Ai që dëshiron paqen, duhet të përgatitet për luftën”. E vetmja mënyrë që të rrisësh shanset për paqe, është të përgatitesh e të punosh sikur lufta të jetë te dera. Ka një bazë teorike-shkencore për këtë. Në vitin 1936 profesori amerikan, një prej etërve të sociologjisë moderne, Robert Merton, e shkroi tekstin me titull “Pasojat e paparashikuara të veprimit të qëllimtë shoqëror”. Në atë ese Merton-i i trajton pasojat e paqëllimta dhe krijon konceptin e “profecisë që përgënjeshtron veten”. Ai shkruan “Kur në sy të publikut parashikohen zhvillime të ardhshme shoqërore, këto parashikime shpesh nuk dalin të sakta pikërisht sepse vetë parashikimi ndërhyn në situatë si një element i ri, duke e ndryshuar rrjedhën fillestare të gjërave”. Si shembull Merton-i mori parashikimet e Marksit: “Predikimi socialist në shekullin XIX shkaktoi krijimin e organizatave të punëtorëve, të cilat morën përsipër negocimin kolektiv në të mirë të punëtorëve, gjë që ngadalësoi, për të mos thënë se eliminoi tërësisht zhvillimet që Marksi kishte parashikuar”. Pra, sipas teorisë së Merton-it, e cila sot është e gjithëpranuar, vetë parashikimi ndërhyn në situatë, rrit vetëdijësimin dhe zvogëlon gjasat që profecia të realizohet. Për shembull, nëse dikush bën profecinë se në një rrugë ku po kalojnë vetura me shpejtësi të madhe do të humbë jetën ndonjë fëmijë, vetë frika që krijohet te prindërit e fëmijëve do të bëjë që të kufizohet qasja e tyre në atë rrugë. Ndoshta profecia e rrëzon vetveten, por kjo vjen vetëm pasi që parashikimi ndërhyn në situatë.

E njëjta teori vlen edhe për rastet në fjalë. Nuk sigurohet paqja në Kosovë duke i mbyllur sytë ndaj fakteve për militarizimin e Serbisë, e cila po afrohet gjithnjë e më shumë me Rusinë dhe po pretendon asimetri në raport me Kosovën. Nuk garantohet siguria kombëtare e Shqipërisë duke i mbyllur veshët e duke thënë se nuk janë spiunë njerëzit të cilët edhe vetë e kanë pranuar se janë në komunikim me shërbimet ruse.

Lufta tashmë është një realitet në kontinentin europian. Kurrë në histori nuk ka pasur luftë në Europë, pa pasur luftë në Ballkan. Sigurisht, Shqipëria është në NATO dhe Kosova e ka NATO-n brenda saj, në formën e KFOR-it, mirëpo në lojën e nervave që po zhvillohet mes Amerikës, në një anë, dhe Rusisë e Kinës, në anën tjetër, një gjë është e sigurt: këto fuqi nuk do ta konsiderojnë opsionin nuklear përveçse krejt në fund. Kjo do të thotë se nuk do ta sulmojnë ballazi njëra-tjetrën. Ato do të mund të vendosin caqe në vende të treta, të konsideruara si aleatë të palës kundërshtare. Në të tilla raste si cak nuk përzgjidhen së pari aleatët e fortë, por aleatët më të dobët. Së dyti, goditjet fillestare nuk janë për të shkatërruar ose asgjësuar armikun, por për ta lodhur, për ta shpërqendruar e sidomos për t’ia ulur prestigjin e moralin palës tjetër.

Mjafton të shohim luftën në Ukrainë. Rusia nuk përzgjodhi ndonjë vend si Polonia ose vendet baltike, të cilat ishin në NATO, e as Finlandën apo Suedinë që nuk ishin në NATO, si cak të “operacionit special”. Ajo përzgjodhi hallkën më të dobët pro-atlantike në Europën Lindore. Ukraina ishte e dobësuar nga korrupsioni, që ishte ushqyer edhe nga Rusia për vite me radhë përmes oligarkëve të saj. Por, ishte e dobësuar edhe nga nxitja e problemeve etnike e religjioze në Ukrainë, prej shtetit rus e prej kishës ruse. Prandaj, Rusia, kur mori vendimin që t’ia tregojë dhëmbët Amerikës, e përzgjodhi vendin më të dobët të atij regjioni. Amerika u gjend në vështirësi, sepse nuk mund ta sulmonte drejtpërdrejt Rusinë, për shkak të rrezikut bërthamor. Por, me miliarda armatim modern, që po dërgohen në Ukrainë, po përpiqen ta ulin prestigjin dhe moralin e palës ruse.

Lufta nuk është më rajonale. Ajo ka vërshuar sferën e tregtisë, të financave dhe ekonomisë. Sanksionet i kanë ndërprerë zinxhirët e furnizimeve dhe kanë ndikuar në rritjen e inflacionit botërisht. Çdo mendim e çdo analizë ekonomike e gjeopolitike, në nivel nacional, sidomos për vendet që gjenden në Europën Lindore, nuk mund të jetë objektive nëse nuk i shoshit gjërat edhe nga perspektiva e luftës që e kemi te dera. E pacifizmi i vërtetë është të këmbëngulësh që Rusia të tërhiqet nga Ukraina, që Serbia ta njohë Kosovën, e që vendet, si Shqipëria e Kosova, dobësia e të cilave mund të lexohet si ftesë nga Irani e nga Rusia, të investojnë në forcimin e tyre institucional, por edhe ushtarak.


Spread the love


Leave a Reply