Pas së ashtuquajturës ‘përplasje fetare’

Spread the love

Trazirat e ditëve të fundit në Mal të Zi e kanë rritur shqetësimin te fqinji ynë. Përpjekjet për destabilizimin e tij shfaqen herë pas here me ngjyra të ndryshme.

Nga Leonidha Mërtiri

Për t’i mbyllur çdo shteg anëtarësimit të këtij vendi në NATO, gjetja e rrugëve për rrëzimin e qeverisë vendase, sikurse është parë, kanë qenë më të dëshiruarat. Siç theksonte këto ditë Drejtori i Qendrës për Politikat e Sigurisë në Pragë, Serbia “është terreni i sigurt për agjencitë e inteligjencës ruse, të përdorura për destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Këtu e kishte burimin dhe tentativa e dështuar e pesë viteve më parë për përmbysjen e qeverisë së Podgoricës.

Ja çfarë synonte dhe tani fronëzimi i Mitropolitit të ri të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije e ku priftërinjtë në manastirin e Cetinjës, qendër e njohur kjo kulturore dhe historike e Malit të Zi, e trashën më shumë zërin, teksa këndonin këngën e njohur “Jeçam Zhela”, me dëshirën, siç thuhet në të, të kthimit të ushtrisë serbe në Kosovë. Ky fronëzim është i qartë. Qëllimet e errëta të tij shihen nga malazezët si përpjekje për cenimin e sovranitetit të Malit të Zi, një formë e pushtimit të këtij të fundit nga Serbia, humbje të identitetit kombëtar të kësaj republike. Një kthim në 103 vite më parë kur Serbia rrëmbeu pavarësinë e Malit të Zi. Projekti për “Serbinë e Madhe”, me sa duket, vazhdon të jetë një ëndërr që rri zgjuar. E shfaqur kjo fare hapur nga ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, më pak se dy muaj më parë, kur pohon se “detyrë e këtij brezi politikanësh është të krijojë botën serbe dhe t’i bashkojë serbët kudo që jetojnë”. Pra, e njëjta strategji e Sllobodan Millosheviçit, për realizimin e së cilës kërkohen të gjitha rrugët.

Pesëmbëdhjetë vite më parë, në vitin 2006, Mali i Zi u shkëput nga Federata Serbo-Malazeze, duke shpallur pavarësinë e vet dhe shqiptarët që banojnë aty ishin plotësisht në krahun e kësaj pavarësie.

Por, si gozhdë e fortë mbeti Kisha Ortodokse Serbe, ku Kisha Malazeze u ruajt nën sqetullën e saj, duke mos iu dhënë autoqefalia. Ish-Mitropoliti serb, Amfilohije, njihej si ushqyes i zellshëm i konflikteve në Mal të Zi, si dhe i qëndrimeve antishqiptare. Sikurse kemi vënë në dukje edhe në një shkrim mbi zgjedhjet e mëparshme parlamentare të 30 gushtit të vitit të kaluar, mendohej se influenca e tij te serbët ishte kaq e madhe, sa mbahej edhe si arkitekt i koalicionit të sotëm qeverisës “Për ardhmërinë e Malit të Zi”. Kujtdo i kujtohen ditët e para të kësaj qeverie. Pa u ulur mirë në karriget ministrore, qeveria e Kryeministrit serb, Zdravko Krivokapiç, i paraqiti Parlamentit aktin “Për Liritë Fetare”, ku Kisha Ortodokse Serbe shpërblehej si kontribuuese e devotshme për fitoren e qeveritarëve të sotëm, zëdhënës të Beogradit. Në këtë mënyrë, ndryshimi i këtij ligji i siguronte Kishës Serbe, edhe pse me qendër në Beograd, të drejtën e pronësisë të jo pak kishave dhe manastireve.

Marrëdhëniet e qeverisë së mëparshme me Kishën Ortodokse Serbe jo rrallë kanë qenë të tensionuara. Miratimi i Ligjit për Liritë Fetare nga ana e saj, në vitin 2019, sipas kësaj Kishe, i merreshin manastiret dhe kishat. Ndaj, edhe në Kuvendin e mëparshëm, kreu i Frontit Demokratik, proserb, partneri më i madh sot në koalicionin qeverisës, nga vjen edhe Kryeministri Zdravko Krivokapiç, atëherë në opozitë, kërcënoi se ishin të gatshëm “të nxirrnin armët e fshehura”. Këto tensione, të cilat dalin nga skutat vazhdimisht, nuk mund të injorohen apo të mbeten thjesht në deklarata copy-paste të krerëve të politikës malazeze, që vetëm përçajnë dhe nuk i afrojnë njerëzit. Në këtë mënyrë, dashur pa dashur, ndihmohet agravimi i situatës në vend, i cili mbetet qëllimi final, dallimet në shoqërinë malazeze, ku 30 për qind e përbëjnë serbët, bëhen më të mëdha. Mali i Zi, sikurse thamë, është vend anëtar i NATOs dhe në rrugën për pranimin e tij në Bashkimin Europian. Si i tillë, ai kërkon më shumë vëmendje përballë agresionit serb.

Nga ana tjetër, nuk mund të anashkalohet apo, akoma më keq, të mbyllen sytë para mbështetjes ruse ndaj Serbisë, e cila është tepër e njohur. Kështu, tensionet do të nxiten dhe gëlojnë duke u shkallëzuar më tej, në vend që të qetësohen dhe, për rrjedhojë, prestigji i NATOs apo i strukturave të BE-së të zbehen përkundrejt situatave të tilla, por dhe paqëndrueshmëria e stabilitetit të rajonit tonë të rritet. Mungesa gjithashtu e një vizioni të qartë për zgjerimin e BE-së, i inkurajon më tej këto dukuri. [Panorama.al/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply