Pavarësi me negociata pa fund

Spread the love

Pavarësi me negociata pa fund

15-vjetori duhet të jetë një tregues për qeverinë e Kosovës dhe opozitën se treni është duke ikur, ndërsa si klasë politike nuk kanë shumë kohë të mendohen. SHBA-ja, përkundër urimeve të zakonshme protokollare, në fakt haptazi po e mbështet politikën serbe në Ballkan për enklava serbe. Qeveritë e Kosovës në vitet që vijnë, pavarësisht kapaciteteve, kanë nevojë për një “Strategji të thellë” për të ekzistuar dhe parë më mirë gjatë dekadave. Ndryshe do të vazhdohet të vajtohet me lahutë kënga “Moj Kosovë, Kosova e shkretë” e rapsodit Syk Papleka.

Shkruan: Dr Selim IBRAIMI, Uashington

Kosova e festoi 15 vjetorin e pavarësisë. Pas vitit 2008-të u mendua se shtetndërtimi mori fund dhe Prishtina nuk do të rrezikohej nga Beogradi, nga serbët lokalë dhe nga shtete të treta. Përfaqësitë diplomatike të Kosovës vazhduan me kremtimin e festës së pavarësisë, pavarësisht se kryeministri Albin Kurti gjendet para dilemave të mëdha në karrierën e tij politike. Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se “ka pasur privilegjin dhe nderin të jetë pjesë e historisë së përbashkët, duke e parë Kosovën duke bërë hapa të mëdhenj gjatë 15 viteve të fundit”. Sipas tij “SHBA-ja është krenare për mbështetjen e hershme dhe të qëndrueshme dhe për partneritetin me popullin kosovar”. Megjithatë, përkundër fjalëve të mira nga ambasadori dhe telegrami nga Departamenti i Shtetit, Prishtina zyrtare është vënë nën presionin e SHBA-së dhe BE-së për të zbatuar themelimin e asociacionit serb dhe marrëveshjet e tjera që Serbia vetë nuk i ka ratifikuar dhe respektuar nga viti 2013-të. Realisht, kosovarët e festuan 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, por koha ka ndryshuar krahasuar me dekadën e parë të shek. 21, kur shpresohej se politikanët kosovarë do të mund ta rrumbullakonin projektin e pavarësisë me bisedimet e Vjenës dhe Planin e Ahtisarit. Kryeministri Kurti tha se “në 15 vjetorin e pavarësisë, Republika e Kosovës nuk ka qenë kurrë më e fortë: Një histori suksesi e vetëvendosjes, një fener i demokracisë në rajon, një model i përparimit ekonomik për të gjithë”.

Zgjidhje të vështira për qeverinë Kurti – 2

Frazat gjatë festave kombëtare nuk janë të mjaftueshme për shtetin e Kosovës që të jetë i aftë të mbrohet dhe të përballojë Serbinë. 15 vite pas Deklaratës së Pavarësisë, siç shihet nga proceset aktuale, projekti i tërësisë territoriale dhe i sovranitetit të Kosovës është kthyer në tavolinën euro-amerikane të bisedimeve, ku Kosova dhe Serbia, sipas Uashingtonit, duhet të bëjnë zgjidhje të vështira. Nga një këndvështrim neutral prej SHBA-së, mund të konstatojmë se partnerët strategjikë të Kosovës nuk janë të njëjtë. Për shembull, SHBA-ja ka shqetësime jo vetëm të jashtme me Kinën dhe konkurrentët e tjerë teknologjikë, por edhe probleme të brendshme të dallimeve sociale, racore dhe ideologjike dhe sigurisht se nuk është në gjendje të kënaqë të gjithë dëshirat e popujve të vegjël. Lobimi i fortë ose moslobimi në Departament të Shtetit dhe në Kongres, me të gjitha problemet aktuale, e vështirëson edhe më shumë vendimmarrjen e drejtë të Uashingtonit në punët e jashtme edhe ndaj Kosovës. Më tej, që nga viti 2008 njohjet ndërkombëtare për Kosovën janë pakësuar. Disa janë tërhequr për arsye të veprimeve të fuqishme të Serbisë në botën e jashtme dhe gabimeve të qeverive kosovare. Për qeveritë në Prishtinë duket se zvogëlimi i njohjeve ka qenë një shqetësim kryesor formal publik dhe i brendshëm, por në realitet është trajtuar tepër keq nga shteti dhe diplomacia kosovare.

“Bota serbe”- tërheqëse për Blinkenin dhe Cholletin

Në gjendjen aktuale, Prishtina zyrtare ka dy rrugë: të vazhdojë ta ndërtojë shtetësinë hap pas hapi dhe, e dyta, të izolohet nga tendencat e “botës serbe”, e cila po fuqizohet shumë nga jashtë dhe brenda Serbisë. Kur jemi tek partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, që sipas ekspertëve amerikanë vazhdojnë të bëjnë një “diplomaci të shëmtuar”, tregon shumë edhe telegrami nga Departamenti i Shtetit prej Sekretarit Antony Blinken, dërguar presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, ku thuhet: “Jam i kënaqur që dy vendet tona nënshkruan së fundmi një ‘Memorandum Mirëkuptimi’ për të krijuar pozicione ndërlidhëse për diplomatët serbë brenda Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Ky program unik jo vetëm që do të nxisë një kuptim më të mirë të synimeve dhe objektivave tona të politikës së jashtme përkatëse, por do të krijojë kanale të reja komunikimi dhe do të ndërtojë partneritete të qëndrueshme”. Se raporti i Kosovës me SHBA-në nuk është në gjendje të mirë, kohë më parë tregonte kabllogrami i ambasadorit të Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli, dërguar ministres së Jashtme kosovare, Donika Gërvallës, i cili i theksonte në hollësi marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së – bllokadës amerikane ndaj Kosovës në Uashington. Ky 15-vjetor duhet të jetë një tregues për qeverinë e Kosovës dhe opozitën se treni është duke ikur, ndërsa si klasë politike nuk kanë shumë kohë të mendohen se a duhet të jenë pjesë e sigurisë kolektive. Tani i afrohemi të a.q. ”Plani i zbatimit europian”, i cili ka të bëjë me marrëveshjen e mundshme serbo-kosovare. “Plani i zbatimit” do të kërkojë një vëzhgim serioz nëse marrëveshja serbo-kosovare do të nënshkruhet dhe do të nisë të implementohet. Nëse “Plani franko-gjerman” do të fillojë të japë rezultate deri në verë dhe ndonjë marrëveshje e paqes në mes palës kosovare dhe serbe do të nënshkruhet, atëherë duhet të shohim një fazë të përmirësimit të marrëdhënieve serbo-kosovare me të drejta dhe detyrime që dalin nga “Plani franko-gjerman”. Në të gjitha versionet, zbatimi mbetet një sfidë e re, e cila do të duhet të vëzhgohet nga jashtë, nga SHBA-ja. Sidoqoftë, pasi SHBA-ja për interesat e saj strategjike duket se është në anën e Serbisë, mbetet për t’u parë nëse procesi që del nga “Plani franko-gjerman” (Plani i zbatimit) do të reflektohet në të vërtetë në një paqe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ose ka për qëllim vetëm ta largojë Beogradin nga sfera ruse. Ajo që mbetet në interesin kombëtar dhe diplomatik për shqiptarët në Ballkan është mendimi se nëse SHBA-ja, përkundër urimeve të zakonshme protokollare, në fakt haptazi po mbështet politikën serbe në Ballkan për kantone ise enklava serbe. Pavarësisht këngëve patriotike dhe urimeve nga bota demokratike, që është një gjë e mirë për shtetin e ri, pozita e Kosovës përsëri mbetet e brishtë dhe jo e mirë në krahasim me favoret që SHBA-ja dhe BE-ja ia bëjnë Serbisë. Kosova, përkundër premtimeve në BE dhe në SHBA se pas 2008-ës do të mbrohej nga agresioni i fshehtë serb në veri, në të vërtetë nuk ndodhi. Ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë dhe shkeljet e sovranitetit në veri kanë qenë të përhershme, duke e bërë veriun e Kosovës hapësirë të re serbe për krimin e organizuar. Me një pozitë të brendshme dhe ndërkombëtare fragjile dhe pa një mbështetje serioze nga jashtë, qeverisë aktuale në Prishtinë nuk i mbetet shumë për të zgjedhur. Opsioni i vetëm është të zgjedhë një politikë e cila nuk është në kundërshtim të hapur me aleatët e dikurshëm dhe, paralelisht, t’i përshtatet atmosferës globale të konkurrencës së fuqive. Duhet thënë se kjo politikë deri më sot i ka munguar Kosovës. Që nga pavarësia, mungesa e strategjisë kombëtare është reflektuar në një politikë të jashtme pa orientim. Nuk është vonë që qeveria në Prishtinë (kur tani ka pranuar në parim “Planin franko-gjerman” dhe Uashingtoni po e mbështet formalisht qeverinë në gjetjen e modeleve të asociacionit dhe hyrjes në dialog), të aktivizohet me staf dhe burime tjera, sidomos në SHBA dhe në BE, për të ndryshuar

opinionin e jashtëm ndaj qeverisë dhe procesit të negociatave me Serbinë. Hapi i Prishtinës mund të jetë i vonuar, pasi Beogradi në këtë fushë ka punuar shumë pas vitit 2010-të, duke lobuar në Kongres dhe duke e forcuar diplomacinë serbe në D.C. Kur jemi në terrenin ndërkombëtar, Kancelari Gjerman, Olta Scholz, e sheh “Planin franko-gjerman” në kontekstin e një BE-je gjeopolitikisht më të fortë, të aftë për të zgjidhur konfliktet: “Shpresoj që Serbia dhe Kosova do ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike në interes të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë Europën”. Nga ana tjetër, çdo shkëputje, hap pas hapi, i Serbisë nga Rusia, do të ketë efekte negative në pozitën e Kosovës para dhe pas nënshkrimit të ndonjë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, sipas mediave, u ka dhënë dritën jeshile sanksioneve antiruse. Ato janë planifikuar të aktivizohen para verës dhe nga marsi, sipas mediave, do të vendoset një regjim vizash për qytetarët rusë. Më tej, që absurditeti të jetë edhe më i madh, gjatë takimit në Mynih të Gjermanisë në mes Sekretarit, Antony Blinken, dhe Presidentit serb, Vuçiq, Sekretari Amerikan Blinken çuditërisht e lavdëroi presidentin për ndihmën serbe ndaj Ukrainës! Ndërkaq, në raport me Kosovën, ka ndodhur një gjë pozitive: kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Senatit Amerikan, Bob Menendez (D,) është takuar me Kurtin po në Mynih. Senatori Mendenez i cili ka ndikim të madh në Kongres dhe në punën e Departamentit të Shtetit, bashkë me Britaninë e Madhe, njihen si kundërshtarë të acociacionit serb. Tani e tutje, fati i Kosovës është në duart e Fuqive të Mëdha, po megjithatë varet shumë se si do të sillet qeveria në Prishtinë bashkë me opozitën. Po qe se duan ta shohin Kosovën më afër BE-së dhe partnerëve tjerë, si qeveria dhe opozita kanë ende kohë të bëjnë më shumë rreth presionit për acociacionin serb dhe pozitës së Kosovës jashtë. Në të kundërtën, nëse do të dështojnë, festimet në vitet që vijnë do të jenë të përgjysmuara e me shtet të brishtë, që mund ta humb sovranitetin në disa pjesë të territorit.

Një strategji afatgjate në politikën e jashtme të Kosovës

Kosova në të gjitha versionet do të sprovohet edhe kësaj here, por me më pak miq dhe me negociata që nuk do të përfundojnë me apo pa asociacionin. Ndërkaq për politikën e jashtme amerikane në Ballkan, e cila mbështetet në pritjen se një ditë Serbia mund të bëhet demokratike dhe pro BE-së dhe SHBA-së dhe jashtë ndikimit ruso-kinez, kjo politikë amerikane duhet parë në faza se mos vallë pas lejimit të zgjerimit të “botës serbe” më vonë SHBA-ja do ta bëjë si nevojë formimin e shteteve etnike me ndryshime të reja kufitare. Deri në ciklet e tjera të gjeopolitikës, Kosova ka shumë punë për të bërë dhe për ta luftuar Serbinë me “soft power”, për ta detyruar që përgjithmonë ta pranojë realitetin e ri fqinjësor me kërkimfalje për krimet e luftës që nga shek. i 19-të.

Se a do të ndodhë ky proces, mbetet të shihet plani amerikan për largimin e Serbisë nga sfera ruse. Deri më sot, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Serbisë (1882), më pas gjatë Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene dhe gjatë RSFJ-së, kjo tërheqje serbe në tërësi nga Rusia cariste, BRSS-ja dhe Rusia e Putinit nuk ka ndodhur. Beogradi ka thithur fondet e Uashingtonit, ndërsa në realitet ka vazhduar politikat ultranacionaliste dhe të zgjerimit territorial.

Në fund, qeveritë kosovare në vitet që vijnë, pavarësisht kapaciteteve, kanë nevojë për një “Strategji të thellë” për të ekzistuar dhe parë më mirë gjatë dekadave. Ndryshe do të vazhdohet të vajtohet me dekada kënga me lahutë “Moj Kosovë, Kosova e shkretë” e rapsodit Syk Papleka.


Spread the love


Leave a Reply