Përgjegjësi e përbashkët për një të ardhme të përbashkët evropiane

Spread the love

Kolumne e përbashkët nga Tomáš Szunyog, Shef i Zyrës së BE-së/Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, si dhe Minca Benedejčič, Ambasadore e Republikës së Sllovenisë në Republikën e Kosovës, në lidhje me Samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Brdo, mbajtur më 6 tetor 2021.

Kolumne e përbashkët nga Tomáš Szunyog, Shef i Zyrës së BE-së/Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, si dhe Minca Benedejčič, Ambasadore e Republikës së Sllovenisë në Republikën e Kosovës, në lidhje me Samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Brdo, mbajtur më 6 tetor 2021.

Prishtinë, 6 tetor – Sot në Brdo pri Kranju në Slloveni, udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe Shteteve Anëtare të tij, si dhe homologët e tyre nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, janë mbledhur për të demonstruar angazhimin e tyre drejt ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë të përbashkët. Bashkimi Evropian, në Deklaratën e Brdos, riafirmoi mbështetjen e tij të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, si dhe përshëndeti angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në perspektivën evropiane, gjë që është në interesin tonë të përbashkët strategjik. Bashkimi Evropian rikonfirmoi angazhimin e tij ndaj procesit të zgjerimit, bazuar në reformat nga partnerët, si dhe respektimin e demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit. Ne ndajmë një histori dhe kulturë të përbashkët, ndërsa së bashku, jemi përgjegjës për një të ardhme të përbashkët të një Evrope të bashkuar. Prandaj, duhet ta vëmë në veprim vizionin: një vizion të së ardhmes të ndërtuar mbi paqe e prosperitet.

Bashkimi Evropian dëshiron të jetë motor ndryshimi pozitiv në të gjithë rajonin. Integrimi evropian ka vërtet fuqi transformuese, në kalitje të vlerave evropiane dhe në mbështetje të atyre reformave. Të shtyra dhe të mbështetura nga Bashkimi Evropian, reformat përmirësojnë qeverisjen politike dhe ekonomike, synojnë standardet më të larta të respektimit të sundimit të ligjit, promovimit të lirisë së medias, si dhe të veprimtarisë së shoqërisë civile. Mbështetja e Bashkimit Evropian është e lidhur fort me vlerat evropiane – vlera që shumica e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor i shohin si shumë të rëndësishme për jetesën dhe të ardhmen e tyre. Si Shtete Anëtare të ardhshme të Bashkimit Evropian, partnerët tanë në rajon janë pjesë e vizionit tonë për një Evropë më të fortë, më të gjelbër dhe më rezistente.

Si dëshmi e rëndësisë që Bashkimi Evropian ia atribuon rajonit dhe vetë Samitit, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi Kosovën javën e kaluar, si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor. Ajo donte personalisht të demonstronte interesat e përbashkëta strategjike të Bashkimit Evropian për Kosovën, si që të luante rol konstruktiv në përgatitje për Samitin.

Bashkimi Evropian ofron mbështetje të paparë financiare, e cila do të duhej të siguronte rritje më të qëndrueshme, të gjelbër, digjitale e të fokusuar tek njerëzit, në dobi të vetë rajonit si dhe Evropës në tërësi. Ne mbetemi të bindur e optimistë për efektet pozitive afatgjata të Planit Ekonomik dhe Investimeve, si dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Plani përcakton një pako investimesh të konsiderueshme, me mobilizimin e afro 30 miliardë eurosh për rajonin gjatë shtatë viteve të ardhshme, e cila përbëhet nga 9 miliardë euro në financimin e granteve, si dhe 20 miliardë euro në investime, të realizuara përmes Instrumentit të ri të Garancive për Ballkanin Perëndimor. Kjo pako pritet të rrisë konkurrueshmërinë e rajonit përmes transportit të qëndrueshëm dhe lidhjeve energjetike, të çlirojë potencialin e tij ekonomik dhe të zgjerojë hapësirën për bashkëpunim ekonomik dhe tregti rajonale. Përmes Planit Ekonomik dhe Investimeve, ne po punojmë së bashku në ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturave të qëndrueshme të transportit dhe energjisë, si dhe në ballafaqimin me transformimet e mëdha shoqërore të kohës sonë: tranzicioni i gjelbër si dhe digjitalizimi.

Ne jemi partneri më i madh tregtar i Kosovës, me Investimet e Huaja Direkte që arrijnë në 151.6 milionë euro në vitin 2020. Bashkimi Evropian sjell mundësi të konsiderueshme investimi në rajon, ndërsa i takon rajonit t’i përdorë ato mirë, duke shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik, si dhe duke krijuar një Treg të Përbashkët Rajonal bazuar në rregullat, shembujt dhe standardet e Bashkimit Evropian. Ky projekt ambicioz i integrimit ekonomik rajonal u dakordua nga Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Sofje, në nëntor të vitit 2020, si dhe pritet që jo vetëm të zhbllokojë potencialin ekonomik të të gjithë rajonit, si dhe ta bëjë Kosovën destinacion më tërheqës për investime, por edhe ta shtyjë Kosovën më afër BE-së. Jemi krenarë t’ju kujtojmë disa efekte të prekshme të mbështetjes së Bashkimit Evropian: Sapo kemi shënuar fillimin e epokës pa roaming në Ballkanin Perëndimor, që nga 1 korriku 2021. Lidhshmëria dhe mungesa e roamingut, si dhe projekte të ngjashme, kanë ndikim konkret në jetën e përditshme. Prandaj, mirëpresim edhe udhërrëfyesin për telefonatat roaming, i cili do të krijojë kushtet dhe të vendosë objektiva të qartë për uljen e kostove të roaming-ut midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Shembuj të tjerë janë edhe “Autostrada e Paqes në Kosovë”, e cila lidh Prishtinën me Nishin në Serbi, përfundimi i ndërtimit të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Prishtinë, apo edhe avancimi i hekurudhës që lidh Beogradin dhe Prishtinën.

Pandemia COVID-19 demonstroi përmasat në të cilat Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor duhet të punojnë së bashku për t’u ballafaquar me këto detyra që përbëjnë sfidën e gjeneratës. Bashkimi Evropian, së bashku me shtetet e tij anëtare, ka qëndruar pranë Ballkanit Perëndimor përgjatë gjithë pandemisë, me mbështetje shëndetësore dhe socio-ekonomike, që arrin një vlerë të paparë prej 3.3 miliardë eurosh për rajonin, deri më tani. Ballkani Perëndimor ka qenë përfituesi më i madh në mbarë botën i ndihmës së BE-së në lidhje me COVID-19, përfshirë vaksinat. Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare kanë siguruar 2,9 milionë doza vaksinash, përmes kanaleve të ndryshme, për Ballkanin Perëndimor, e edhe të tjera pritet të vijnë. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në lidhje me furnizimin me vaksina, si dhe do të mbështesë planet e vaksinimit të të gjithë partnerëve, për të ndihmuar në arritjen e shkallëve të vaksinimit që janë të ngjashme me mesataren e Bashkimit Evropian, deri në fund të vitit 2021.

Një sfidë tjetër që nuk duhet nënvlerësuar është ballafaqimi me dezinformimin. Gjatë pandemisë COVID-19, u bë edhe më e qartë se dezinformimi godet qytetarët, polarizon shoqëritë, sfidon vlerat demokratike dhe kërcënon jetën dhe sigurinë publike, përmes këshillave të rreme shëndetësore. Ne i qëndrojmë besnikë luftimit të këtij fenomeni, përmes financimit të studimeve; promovimit të vetëdijesimit për këtë çështje, si dhe investimit në edukim dhe aktivitete si punëtori për studentët dhe mësuesit në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Si përfundim, ne, si ambasadorë që shërbejmë në Kosovë, besojmë fuqimisht se përmes bashkëpunimit rajonal mund të forcohen lidhjet mes njerëzve, si dhe të çlirohet potenciali i plotë ekonomik. Përgjegjësia, udhëheqja dhe vizioni janë vendimtare, së bashku me pjesëmarrjen dhe përpjekjet e përbashkëta nga e gjithë shoqëria. Në këtë kontekst, dialogu dhe bashkëpunimi rajonal janë çelësi i ballafaqimit me vështirësitë e së kaluarës, si dhe trajtimit të çështjeve dypalëshe, duke përfshirë nevojën për të ecur më tutje në kornizën e Dialogut Beograd-Prishtinë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Shprehim kënaqësinë që është arritur tashmë një marrëveshje në lidhje me krizën e fundit mbi targat, e cila është duke u zbatuar.

Ballkani Perëndimor është në zemër të Evropës, i rrethuar gjeografikisht nga Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian. Fuqimisht besojmë se zhvillimi i qëndrueshëm, stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit janë në interesin jetik dhe strategjik të Bashkimit Evropian. E kuptojmë që vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerë të besueshëm, të qëndrueshëm e konstruktivë, të gatshëm të kontribuojnë në formësimin e vizionit pozitiv për të ardhmen e Evropës. [Koha ditore / ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply