Perspektivat e një “Mini-Shengeni” ballkanik

Spread the love

Nga Antonia Colibasanu

Në fundin e muajit korrik, udhëheqësit e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë shpallën një nismë të re bashkëpunimi për rajonin. I quajtur zyrtarisht projekti “Open Balkan”, dhe jo zyrtarisht një mini-Shengen, ai synon që të heqë kufizimet për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe tregtinë midis 3 vendeve deri në vitin 2023.

Përfitimet ekonomike të kësaj nisme, do të varen nga mënyra se si do të zbatohet projekti. Por ato do të jenë më pak të rëndësishme sesa vlera e tij simbolike. Për Ballkanin Perëndimor, pra për Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi, kjo është përgjigja e parë serioze politike ndaj Bashkimit Evropian që është duke e penguar përparimin e bisedimeve për anëtarësimin, sidomos që kur filloi pandemia e Covid-19 një vit më parë.

Megjithatë, jo të gjitha vendet në rajon e kanë përqafuar këtë projekt. Zyrtarët nga Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova, e shohin atë si të panevojshëm, gjë që nënvizon faktin se ndarjet mbeten pavarësisht përpjekjeve drejt integrimit. Megjithatë, udhëheqësit e 3 vendeve të përfshira në këtë nismë, duket se e cilësojnë “Open Balkan” si një rrugë më të mundshme drejt prosperitetit sesa anëtarësimi në BE.

Sidoqoftë, qeveritë në Ballkanin Perëndimor duhet të dalin së shpejti me një zgjidhje realiste për problemet e tyre në rritje, me synim shmangien e rishfaqjes së konflikteve dhe të ndarjeve që e kanë pllakosur prej kohësh rajonin.

Zhgënjimi me BE-në

Për të kuptuar rëndësinë politike të nismës “Open Balkan”, duhet të kuptojmë më së pari politikën e BE -së për rajonin. Në vitin 2020, Komisioni Evropian prezantoi një “metodologji të rishikuar të zgjerimit”, e cila supozohet të rrisë transparencën në procesin e negociatave për vendet kandidate, duke forcuar gjithashtu edhe monitorimin e gatishmërisë së tyre për t’u bashkuar me bllokun në hapa të ndryshëm të procesit.

Kjo do t’i japë mundësi vendeve anëtare të marrim një vendim më të informuar, nëse duhet të pranohen apo jo në union vendet kandidatët. Kjo lëvizje u prezantua në atë kohë si një mënyrë për të ndërtuar besimin e ndërsjelltë midis shteteve anëtare dhe shteteve kandidate, dhe u nxit nga sfidat e brendshme të BE-së të shkaktuara nga kriza ekonomike e vitit 2008.

Por në realitet, rezultoi të ishte një barrë shtesë që e komplikonte procesin e negociatave. Po ashtu ajo u politizua shumë, duke ia bërë të qartë vendeve kandidate se “lodhja e zgjerimit” e BE-së, po shndërrohej gjithnjë e më shumë në një pengesë të pakapërcyeshme.

Kjo është veçanërisht e vërtetë për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Kosovën dhe Bosnjën, vende që nuk kanë hyrë ende në bisedime zyrtare me BE-në për anëtarësimin, pavarësisht se e kanë kërkuar këtë gjë prej vitesh. Në vitin 2019, Franca bllokoi çeljen e negociatave midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke thënë se duheshin më shumë reforma nga të dyja vendet.

Në vitin 2020, Bullgaria bllokoi bisedimet me Maqedoninë e Veriut, duke refuzuar të miratojë të ashtuquajturën kuadër negociues, për shkak të një mosmarrëveshje në lidhje mbi lidhjet historike midis dy vendeve. Zgjedhjet parlamentare bullgare të këtij viti, luajtën një rol kyç në vendimin e Sofjes për të bllokuar bisedimet.

Në këto kushte procesi i ri i zgjerimit, e detyroi Ballkanin Perëndimor të rishqyrtojë qëndrimet e tij mbi anëtarësimin në union. Presioni mbi vendet e rajonit, është shtuar edhe nga pandemia. Në vitin 2020, rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor u tkurr me 3.4 për qind, rënia më serioze ekonomike e regjistruar në rajon.

Kjo situatë kërkon që këto vende të gjejnë dhe promovojnë zgjidhje lokale për problemet e tyre. Dhe heqja e barrierave për udhëtimet dhe biznesin rajonal përmes iniciativës “Open Balkan”, mund të jetë një hap në atë drejtim. Po ashtu ajo i tregon popullit të Ballkanit se udhëheqja e tyre politike, mund të marrë vendime edhe pa Brukselin.

Faktorët socio-ekonomikë

Pandemia ka goditur rëndë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, pjesërisht edhe për shkak të varësisë së tyre nga sektori i shërbimeve. Në Serbi, vend që ka ekonominë më të larmishme në rajon, ky sektor përbën 57 për qind të punësimit. Në Malin e Zi, që ka një industri të madhe të turizmit, ai punëson më shumë se 73 për qind të njerëzve.

Edhe në vendet e tjera, tregtia, shitja me pakicë me shumicë, turizmi dhe transporti që dominojnë sektorin e shërbimeve, punësojnë gati gjysmën e popullsisë aktive. Që nga nisja e pandemisë, Mali i Zi ka hyrë në një recesion të thellë, ndërsa Kosova pësoi tkurrjen e saj të parë ekonomike që kur shpalli pavarësinë në vitin 2008, pavarësisht rritjes së transfertave qeveritare dhe dërgesave të emigrantëve nga kosovarët jashtë vendit.

Në Maqedoninë e Veriut, ekonomia hyri në recesionin e saj më të thellë që nga koha e pavarësisë në vitin 1991. Ndërkohë ekonomia e Shqipërisë, e tronditur nga tërmet i fortë i vitit 2019, ka qëndruar relativisht e qëndrueshme, për shkak të rritjes para-pandemike të shpenzimeve publike, përfshirë rritjen e subvencioneve qeveritare.

Rimëkëmbja është bazuar tek projekti i rindërtimit pas tërmetit, si dhe shpresat për rritjen e konsumit të brendshëm. Në tërësi, kriza ka nxjerrë në pah një dobësi kryesore për këto ekonomi: varësinë e tyre nga kërkesa e jashtme, qoftë përmes turizmit apo tregtisë, ku që të dyja të cilat mbështeten shumë tek BE-ja.

Prandaj është e lehtë të kuptohet arsyeja pse anëtarësimi në BE, ka qenë sinonim i zhvillimit ekonomik dhe i stabilitetit për Ballkanin. Ndërsa vendet kandidate përfitojnë disa financime edhe para se të hapen negociatat e pranimit, ato do të marrin akoma më shumë fonde nëse pranohen në bllok.

Zgjedhje të vështira përpara

Anëtarësimi në BE, është ende një qëllim i deklaruar për vendet e Ballkanit, por entuziazmi në raport me këtë gjë varet nga mënyra se si publiku i sheh përparësitë e anëtarësimit. Ai është një proces i dhimbshëm që mund të durohet vetëm nëse përfitimet janë të garantuara. Por duke pasur parasysh sfidat me të cilat është ballafaquar BE që nga viti 2010, garancitë nuk janë shumë të mëdha.

Zakonisht, kur Ballkani beson se BE-ja nuk mund ta ndihmojë, ai i drejtohet partnerëve të tjerë për të mbushur boshllëkun:Rusisë, Kinës dhe SHBA-së. Por pandemia e Covid-19 i ka detyruar këto të fundit të përqendrohen tek problemet e tyre.

Nga ana tjetër, kjo ka ndikuar mbi mënyrën se si votuesit ballkanas i shohin bamirësit e tyre tradicionalë. Pra perceptimi publik për BE-në dhe fuqitë e tjera të jashtme, ka filluar gradualisht të ndryshojë. Sipas Gallup, vlerësimi për udhëheqjen e BE-së ka rënë në të gjithë rajonin (ndonëse mbetet ende në nivelin 50 për qind).

Interesant është fakti që SHBA-ja gëzon një popullaritet në rritje në Serbi, ndërsa normat e vlerësimit për Rusinë, partneri tradicional i Serbisë, kanë rënë. Në Kosovë, ka rënë vlerësimi për të gjitha fuqitë e jashtme, SHBA-në, Kinën, Gjermaninë dhe Rusinë.

Në Shqipëri, normat e vlerësimit publik për BE-në kanë rënë vazhdimisht gjatë 5 viteve të fundit, edhe pse janë ende mbi 70 për qind. Nevoja për t’u përqendruar tek rindërtimi nuk është vetëm një mundësi që vendi të ruajë stabilitetin; por është gjithashtu arsyeja pse është rritur mbështetja publike për qeverinë.

Kjo flet për një prirje më të madhe në mbarë rajonin, ku publiku kërkon gjithnjë e më shumë që udhëheqësit e tyre lokalë të ndërmarrin veprime dhe të rindërtojnë ekonominë kombëtare. Gjetja e zgjidhjeve për problemet aktuale të ekonomive tashmë të brishta nuk është e lehtë. Por qeveritë po përpiqen. Në rastin e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, krijimi i iniciativës “Open Balkan”, që premton një bashkëpunim më të mirë rajonal, pasqyron mosbesimin në rritje të publikut ndaj BE-së dhe premtimin e një zgjidhjeje të brendshme.

Meqë perspektivat e BE-së nuk janë më realiste, po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar që Ballkani Perëndimor të punojë së bashku drejt një qëllimi të përbashkët. BE-ja, ose të paktën perspektiva e anëtarësimit në BE, i mbajti ata të bashkuar. Por rajoni është i prirur për t’u copëzuar.

Në gjeopolitikë, 30 vjet nuk janë një kohë shumë e gjatë. Brezi që jetoi në Jugosllavi dhe mori pjesë në konfliktet e përgjakshme të viteve 1990, është ende gjallë. Disa janë nostalgjikë për jetën e tyre para luftës; të tjerët mbajnë mend vetëm dhimbjen e shkaktuara nga lufta.

Që ky rajon të jetë i qëndrueshëm, popullsia ka nevojë për shpresë për një jetë më të mirë, e cila përfshin një treg funksional të punës dhe rritje ekonomike. Shpresa që dha BE-ja ishte iluzore; ndërsa shpresa e dhënë nga autoritetet vendore, kombëtare duhet të jetë realiste. Përndryshe, tensionet do të rishfaqen, duke ndikuar në stabilitetin e rajonit dhe atë të Evropës.

Marrë me shkurtime nga “Geopolitical Futures”  [Bota.al/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply