Epoka e kalimit nga uniteti nacionalist në atë të civilizimit

Spread the love

Epoka e kalimit nga uniteti nacionalist në atë të civilizimit

Nga Dr Gurakuç Kuçi

Etnia, kombi, shteti

Fjala “nation, nationalism”, në shqip nënkupton “komb, kombëtarizëm”, por e njëjta fjalë në gjuhën shqipe shqipërohet edhe si “nacionalizëm”. Fjala “komb apo nation” por edhe i konceptit “sovranitet” dhe koncepteve tjera të ndërlidhura kanë rrjedhë në kohën e Luftës Tetëdhjetëvjeçare ndërmjet Spanjës dhe Holandës (1568-1648) dhe Luftës Tridhjetëvjeçare (1618-1648) ndërmjet kombeve katolike dhe protestante në Evropë. Në këtë periudhë e shkroi edhe Hugo Grotius veprën e tij “De iure belli ac pacis” (1625) (Mbi ligjin e luftës dhe të paqes).

Janë dy grupe të dijetarëve të cilët thonë se nacionalizmi apo kombëtarizmi është koncept primordialist apo perenialist, pra që ka ekzistuar që nga fillimi gjenetikisht dhe historikisht dhe grupi i dytë që thonë se nacionalizmi është modern. Në të vërtet, kombëtarizmi është i ri dhe nuk duhet të përzihet me termin shtet.

Shteti është një aparat i cili në mënyrë efektive bënë kontrollin dhe administrimin mbi një territor të caktuar dhe shteti krijohet nga kombi. Shteti mund të jetë multietnik por jo edhe kombi sepse kombi ka një unitet vlerash dhe përjashtueshmëri. Shtetet në parim janë krijuar për të ruajtur kombin, mirëpo më kohë shtetet kanë filluar që të bëhen aparate të cilat tentojnë jo më të ruajnë vlerat e kombit, por të ndryshojnë ato për interesa të caktuara dhe shumë herë të gabuara.

Shkencëtarët janë të ndarë mbi atë se fillet e nacionalizmit janë në kohën e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së apo në kohën e Revolucionit Francez.

Por, kombi nuk do të mund të krijohej pa ekzistuar së pari etnia e para etnisë fisi dhe familja, këto shkallë zhvillimi janë urat lidhëse të krijimit të identitetit të përbashkët ky hyjnë kultura, zakonet, prejardhja, këngët, historia, religjioni, etj.

Krijimi i kombeve ishte zhvillimi i karakterit unik apo etno-nacionalizmi dhe nga etno-nacionalizmi drejt kombit-shtet.

Civilizimi apo kombi

Kundër kombit kanë qenë shumë dijetarë, një nga të parët ishte Volteri, por në fushën e gjeopolitikës dhe civilizimit ishte Arnold Tojnbi. Ai thotë se “Ideali i demokracisë sonë moderne perëndimore ka qenë të zbatohet në politikën praktike intuita e krishterë e vëllazërimit të të gjithë njerëzimit, por politika praktike që ky ideal i ri demokratik i gjetur në veprim në botën perëndimore nuk ishte universale dhe humanitar, por ishte fisnore dhe militante. (Toynbee, 1934, 9)

Rreth vitit 1875, dy institucionet kryesore ‘industrializmi’ dhe ‘nacionalizmi’ po punonin së bashku për të krijuar Fuqitë e Mëdha. Pas vitit 1875 ata filluan të punojnë në drejtime të kundërta — industrializimi duke rritur shkallën e operacioneve të tij përtej busullës së më të mëdhenjve të Fuqive të Mëdha dhe duke ndjekur rrugën e tij drejt një game të gjerë botërore, ndërsa nacionalizmi duke shkuar poshtë filloi të ngulit [nacionalizmi] një vetëdije të veçantë në popuj të një kalibri kaq të vogël sa ata ishin të paaftë jo vetëm për formimin e Fuqive të Mëdha, por edhe për krijimin e shteteve të vogla të cilat posedonin pavarësinë e plotë politike, ekonomike dhe kulturore në termat e Fuqive të Mëdha. (Toynbee, 1934, 14)

Andaj jo më kot, Davutogllu i kategorizon shtetet në katër lloje:

  1. Supershtetet;
  2. Shtetet e mëdha;
  3. Fuqitë zonale;
  4. Shtetet e vegjël. (Davutogllu, 2010, 104)

Në anën tjetër, civilizimi në kuptimin politik dhe modern, është paraqitja e tërësisë së kombeve të cilat kanë religjion, kulturë, prejardhje, zakone, gjuhë, interesa, ideologji, gjeopolitikë dhe virtyte të tjera të përbashkëta apo të përafërta. Në këtë gamë pjesën më të madhe e zë religjioni si një përafërim por jo si një unitet përjashtues.

Tojnbi këtë e shpreh nëpërmjet një variabli: ‘fushë e kuptueshme studimi’ (intellegible field of study). (Toynbee, 1934, 22)

Këtë fushë të kuptueshme duhet ta krijojmë edhe ne shqiptarët ndërmjet veti.

Një studiues tjetër i civilizimit thoshte: “Aftësia e një shoqërie të mbroj veten në nivelin ushtarak, është e varur nga aftësia e saj për të mbrojtur rendin politik në nivelin politik, pasurinë në nivelin ekonomik, marrëdhëniet në nivel të shoqërisë, mirëkuptimin në nivel të intelektualizmit, dhe sigurinë fizike në nivel të religjionit”. (Quigley, 1979, 119-120)

Gjeopolitika dhe civilizimi

Në këtë kuadër është krijuar edhe gjeopolitika. Dy mjediset kryesore gjeografike për gjeopolitikën janë bregdetari dhe kontinentali.  Janë tri teori kryesorë të cilat tentojnë të shpjegojnë rëndësinë e gjeografisë, teoria e heartlandit apo zemra e tokës nga Mackinderi, teoria e Rimlandit apo e brigjeve nga Spajkmani dhe teoria e ajrit Reneri, pa e anashkaluar as teorinë e detit nga Mahan e cila për kolonizatorët e hershëm ishte shumë e rëndësishme por që sot imponohet nga ajo e brigjeve, tokës dhe ajrit e që ndoshta në të ardhmen e afërt do kemi edhe teorinë e hapësirës.

Shtrirja Gjeopolitike
Makinder (toka/heartland)Spajkman (deti/rimland)Rener (ajri)
Lumi Volga në RusiBregdetin EvropianEuro-Azia që përfshinë Rusinë, Siberinë, Turkmenistanin dhe Kinën Perëndimore
Lumi Yangtze në KinëLindjen e Mesme me thatësirat arabe 
Malet Himalaje në NepalTokën e shirave aziatike 
Oqeani Arktik  

“Kush e sundon Evropën Lindore, sundon zemrën e botës (Heartlands). Kush e sundon zemrën e botës, i sundon ishujt botëror. Ai që sundon ishujt botëror, sundon botën”. (Mackinder, 1919, 106)

Makinderi me këtë fjali, të cilën edhe vet ai e citon në librin e tij thotë se ka dalë nga goja e një skllavi të një gjenerali romak gjatë kthimit nga një triumf.

Spajkmani thoshte: “Kush e kontrollon Rimlandin, e sundon Euro-Azinë, kush e sundon Euro-Azinë kontrollon fatin e botës”. (Spykman, 1944, 43)

Brezinski, Coheni, Kagani, Davutoglu, Huntingtoni dhe autorë të tjerë janë ata të cilët me kohë e kanë kuptuar rëndësinë e gjeografisë dhe civilizimit, ku mund të ndodhin “Shakullimat gjeopolitike” duke u shprehur me variablin e Brezezinskit

Kombet duke qenë të paaftë të ruajnë sovranitetin dhe paqen kanë shikuar mundësitë e bashkëpunimit në terma përbashkues, të tilla si BE-ja dhe SHBA-ja të cilat përfaqësojnë një unitet civilizues, ideologjik dhe gjeopolitik, Rusia me BRSS-në por që dështoi ideologjikisht që të krijoj një unitet dhe zonë të sigurisë sikur perëndimi, Kina e cila është duke e bërë këtë suksesshëm. Sot politika kryesore ndërkombëtare është duke u bërë në vendet kryesisht Aziatike nëpërmjet koalicioneve ashtu sikur dikur që bëheshin në Evropë para Luftës së Dytë Botërore.

Turqia në anën tjetër është duke tentuar që të bëhet një aktor udhëheqës i një pjese të islamit në dimensionin gjeopolitik, civilizues dhe ideologjik. Të njëjtën gjë është duke synuar edhe Irani e Arabia Saudite. Bashkëpunimet në këtë zonë aziatike dhe euro-aziatike janë të ngjashme me koalicionet dikur të perëndimit me Rusinë në shekujt XVIII-XX.

Pra, shtetet janë duke krijuar koalicione në virtyte të përbashkëta dhe të ngjashme me atë që ka bërë perëndimi. Nacionalizmi nuk është më thirrja e këtij uniteti por është civilizimi dhe të gjitha në kuptimin politik të ruajtjes dhe shtrirjes së interesave.

Për të argumentuar forcën e civilizimit që përfshin në vete kultura, zakone, sekte dhe shumë virtyte tjera po citojmë Kisinxherin dhe Stalinin:

Kisinxheri thoshte se: “Hendeku kulturor ndërmjet udhëheqësve amerikanë dhe sovjetikë kontribuoi në lindjen e Luftës së Ftohtë. Negociatorët amerikanë vepronin sikur mjaftonte të recitonin të drejtat e tyre juridike dhe morale, për të pasur rezultatet e dëshiruara. Kurse Stalini kishte nevojë për arsye shumë më bindëse për të ndryshuar kursin e tij. Kur Trumani foli për ‘Rregullin e Artë’, dëgjuesit amerikanë e morën këtë për fjalë dhe besonin vërtet në një qeveri botërore, të drejtuar me norma juridike. Për Stalinin, fjalët e Ruzveltit ishin pa kuptim, në mos llafazanëri mashtruese. Rendi i ri ndërkombëtar që ai kishte në kokë ishte pansllavizmi, i përforcuar nga ideologjia komuniste. Komunisti disident jugosllav Milovan Gjillas kujton një bisedë, në të cilën Stalini kishte thënë: ‘Në qoftë se sllavët qëndrojnë të bashkuar dhe ruajnë solidaritetin, asnjëri nuk do tua luaj dot as gishtin në të ardhmen. As edhe gishtin! Përsëriti ai [Stalini], duke theksuar mendimin e tij me gishtin tregues të ngritur në ajër. (Djilas, 1967, 90)’” (Kissinger, 1999, 438)

Natyralizimi me një civilizim

Nga i gjithë shpjegimi më lartë kuptojmë se Ballkani është pjesë e gjitha këtyre teorive dhe shakullinave gjeopolitike.

Duke qenë pjesë e Evropës Juglindore bëjmë pjesë edhe në shtrirjet e gjeopolitikave të fuqive të mëdha, të perëndimit, Rusisë me pansllavizmin dhe të Kinës nëpërmjet Belt and Road Initiative.

Sot ekzistenca e pavarur e një shteti në kuptimin klasik është e pamundur, andaj bashkimi me një grup të fuqishëm është pashmangshmëri. Zona e Ballkanit Perëndimor dominohet nga fuqia e perëndimit, përderisa shqiptarët e kanë absorbuar interesin perëndimor edhe si interes i tyre për shkak të sundimeve të kaluara mizore nga sllavët dhe perandori të mëhershme. Bashkëpunimin me perëndimin shqiptarët nuk e kuptojnë si sundim por si aleancë natyrale. Zona e Ballkanit Perëndimor është një zonë e rëndësishme politike për shkak të afërsisë së saj me bregdetin, një zonë ku zë pjesë fillimi apo kufiri, varet nga nisja dhe zemra e tokës.

Konkluzione

Kombëtarizimi sot është një thirrje e cila në shumë zona ka plotësuar nevojat e veta dhe është thirrje e cila vlerësohet për punët e brendshme të shteteve në ruajtjen e ndershmërisë dhe ekzistencës si komb, mirëpo në ruajtjen e shtetit dhe sigurisë e gjitha ka kaluar tek koncepti i civilizimit apo bashkimit dhe natyralizimit me një civilizim që në shumë raste nuk paraqet njëjtësimin në religjion por në interesa dhe natyralizim politik.

Ballkani Perëndimor një zonë me shumë divergjenca, ka zgjedhur natyralizimin me civilizimin perëndimor si një fushë mirëkuptimi.

Shqiptarët mbajnë flamurtarizmin në këtë natyralizim me civilizimin perëndimor nga Ballkani Perëndimor, mirëpo duke qenë se shqiptarët nuk janë duke ndërtuar një politikë të fortë, janë duke lejuar që diplomaci të shteteve tjera të ua marrë dëshirën dhe vendin në civilizimin perëndimor dhe duke i bërë periferikë në politika rajonale.

Kategorizimet e shteteve të cilat i bënë Davutoglu janë të rëndësishme për shqiptarët. Shtetet e vogla në hapësirat e ngushta ku konfrontohen planifikimet strategjike me një diplomaci elastike dhe dinamike mund të shtyjnë përpara interesat e tyre. Kjo ka rëndësi për shtetet shqiptare pasi nuk duhet të lejojnë që fuqi zonale të bëhet një armik i shqiptarëve. Shtetet, sa më poshtë në kategoritë e Davutogllut të renditen, duhet që të marrin parasysh më shumë balanca, e që njëkohësisht duhet të kenë më shumë njerëz të mençur në diplomaci.

Në këtë bosht përplasjesh është edhe Ballkani Perëndimor, luftërat potenciale me armë apo diplomaci do të bëhen që kush më shumë po shtrinë forcën e sigurisë dhe natyralizimin e vet se sa krijimi i aleancave klasike realiste.

Referencat:

  • Davutogllu, A. (2010). Thellësia Strategjike. Logos-A.
  • Djilas, M. (1967). Doubts. Conversation with Stalin (p. 90). Australia: Penguin Books
  • Kissinger, H. (1999). Diplomacia. Tiranë, Shqipëri: Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve
  • Mackinder, H. J. (1919). The Freedom of Nations. Democratic Ideals and Reality (p. 106). London, UK: The London School of Economics and Political Science.
  • Quigley, C. (1979). Groups, Societies, and Civilizations. The Evolution of Civilization (pp. 119–120). Indianapolis, USA: Liberty Press.
  • Spykman, N. J., & Nicholl, H. R. (1944). Geography of the Peace.
  • Toynbee, A. J. (1934). The Relativity of Historical Thought. A Study of History (Vol. I). London, UK: Oxford University Press.

Spread the love


Leave a Reply