Provokacioni serb me Rezolutën 1244

Spread the love

Pse guximi i Vuçiqit është guxim rus? Mirënjohje Gjermanisë!

Nga Shaban Murati

Në 11 dhjetor ministrja e jashtëme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, iu përgjigj brenda ditës me një deklaratë të ashpër kërkesës së presidentit serb Vuçiç në 11 dhjetor, që Serbia të lejohet të vendosë forcat e saj ushtarake dhe policore në Kosovë.  Shefja e diplomacisë gjermane e hodhi poshtë në mënyrë kategorike kërkesën absurde të Serbisë, duke e cilësuar “krejtësisht të papranueshme”.

QËndrimi i drejtë dhe i vendosur parimor i ministres së jashtëme të Gjermanisë, shtetit më të fuqishëm të BE dhe të Europës, ishte një goditje e fortë ndaj Serbisë dhe udhëheqjes së saj militariste dhe i dogji shumë Beogradit.

Kryeministrja antishqiptare e Serbisë, Ana Bernabiç, sulmoi ministren e jashtme gjermane për qendrimin parimor gjerman, duke e mbrojtur veten me argumentin shvejkian se Serbia e mbështet kërkesën në rezolutën 1244 të OKB, dhe refuzimi i kërkesës për futjen e forcave ushtarake serbe në Kosovë qenka “nivel i papranueshëm i absurdit”.

Natyrisht diplomacia gjermane dhe Ministria e Jashtëme e Gjermanise e njohin dhe e kuptojnë rezolutën 1244 të KS të OKB dhe gjithë dosjen e dokumentave  ndërkombëtare dhe europiane për Kosovën shumë herë më mirë se sa ministrat dhe nënpunësit e Millosheviçit, që drejtojnë Serbinë e sotme.

Thjesht për kujtesë, Gjermania ka qenë një nga shtetet pjesëmarrëse të grupit G-8, që miratoi paraprakisht projekt-rezolutën 1244 në mbledhjen e ministrave të jashtëm të 8 vendeve në 8 qershor 1999, të zhvilluar në Këln. Gjermania ka qenë anëtare e “Grupit të Konktaktit për Kosovën”,  që patën vendosur parimet e zgjidhjes së statusit të Kosovës, të firmosura edhe nga ministri i jashtëm rus Lavrov, se Kosova nuk do të bashkohet me një shtet tjetër apo me një pjesë të një shteti tjetër, pra që Kosova nuk do të bashkohet më me Serbinë.

Ndaj dhe qendrimi i ministres së jashtëme gjermane Baerbock, që hodhi poshtë si të papranueshme kërkesën provokative të Serbisë për të dërguar forca ushtarake dhe policore në Kosovë, është një qendrim që bazohet në njohjen e thellë me kompetecë profesionale të rezolutës 1244 të OKB për Kosovën.

Për këdo që e ka lexuar qoftë edhe njëherë rezolutën 1244 e din se ajo nuk e përmend në asnjë rresht dhe në asnjë germë Serbinë. Rezoluta 1244 nuk i takon fare Serbisë, sepse ajo u hartua për  nje shtet tjetër, RFJ, i cili pushoi së ekzistuari në vitin 2006, kur Serbia u njoh ndërkombëtarisht si shtet i ri.

Referenca frekuente, që presidenti i Serbisë dhe qeveria e Serbisë po i bëjnë rezolutës 1244 për të justifikuar kërkesën e dërgimit të forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, është një referencë e stisur dhe false. Neni 6 i aneksit 2 të rezolutës 1244 flet për se mundësitë  e dakorduara me Këshillin e Sigurimit të kthimit të një personeli jugosllav dhe serb, ku fjala “serb” përcakton etninë dhe jo një shtet.

Kaq flagrant dhe mashtrues është rivendikimi i presidentit Vuçiç dhe i qeverisë së Serbisë për rezolutën 1244 si jusiifikim i provokacionit të futjes së forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, sa që edhe ish-presidenti i Serbisë Boris Tadiç u detyrua të pranojë publikisht se argumentimi i qeverisë së tanishme serbe me rezolutën 1244 është një mashtrim.

Në një intervistë me median serbe “Vreme” në datën 9 dhjetor 2022, kur presidenti serb dhe kryeministrja Bernabiç dolën për herë të parë me provokimin se do të dërgojnë forca ushtarake në Kosovë, Tadiç, qe ka qenë tetë vjet president i Serbisë, deklaroi se “kryeministrja Ana Bemabiç dhe drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë e Kosovës” në qeverinë serbe po mashtrojnë opinionin publik mbi mundësinë e kthimit të forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë”.

Ish-presidenti serb Tadiç thekson se rezoluta 1244 nuk parashikon praninë e ushtrisë dhe të policisë serbe në veri apo në ndonjë vend tjetër të Kosovës. Tadiç iu referua direkt rezolutës, duke saktësuar se “Rezoluta 1244 e OKB, në aneksin 2, pika 6, nuk përmend ushtrinë serbe, por personelin jugosllav dhe serb”.

Pra, një nga figurat kryesore të politikës serbe, ish-presidenti i Serbisë dhe tani kryetar i Partisë Socialdemokrate, Boris Tadiç, pranon dhe e deklaron publikisht të vërtetën se rezoluta 1244 e OKB nuk ka lidhje me pretendimin e presidentit aktual serb dhe të qeverisë serbe për të dërguar trupa në Kosove. Refuzimi dhe hedhja poshtë nga  ministrja e jashtëme e Gjermanisë bazohen në të vërtetën që rezoluta 1244 e OKB nuk ka lidhje dhe as mund të shërbejë si justifikim për rivendikimin absurd qeveritar serb.

Në një situatë të tillë me shantazhe ushtarake dhe provokime të reja lufte nga Serbia kundër Kosovës, aktualizohen si prioritare çeshtjet e reflektimit dhe të hapave e masave të politikës së jashtëme dhe të diplomacisë së Shqipërisë përballë këtyre zhvillimeve tepër të rrezikëshme për Kosovën, për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar.

Presidenti serb Vuçiç ndërmori një provokacion shumë të rrezikshëm në datën 9 dhjetor kur shpalli se do t’i drejtojë KFOR-it kërkesën që të lejojë vendosjen e 1000 forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Është hera e parë që nga viti 1999 i dëbimit i Serbisë nga Kosova dhe i çlirimit të Kosovës nga forcat e NATO-s që një president i Serbisë kërkon t’i fusë forcat ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Pra është hera e parë që Serbia shpall se do ta ripushtojë Kosovën me forcë ushtarake, me luftë.

Shqipëria zyrtare nuk e kuptoi seriozitetin e kërcënimit të ri agresiv ushtarak të Serbisë kundër Kosovës për futjen e njëmijë forcave ushtarake dhe policore. Reagimet e Shqipërisë zyrtare kishin intonacionin e një shteti të largët si Burundi, që bën thirrje për dialog.

Sepse Shqipëria nuk guxoi të dënojë Serbinë për provokacionin e ri të rrezikshëm, dhe të kundërshtonte me forcë rivendikimin e Serbisë për të ripushtuar Kosoven me forca ushtarake. Shqipëria nuk guxoi t’i drejtojë gishtin e dënimit presidentit Vuçiç, i cili si dorë millosheviçiane e shovinizmit serb ka kërcënuar me luftë Kosovën katër herë brenda një viti dhe tani guxoi të shpallë dërgimin e trupave ushtarake në Kosove. Iu muar goja edhe opozitës shqiptare, e cila nuk dënoi kokretisht provokacionin e ri serb të dërgimit të njëmijë forcave ushtarake me pretekstin e rezolutës 1244.

Nuk e dënuan këtë provokacion konkret ushtarak as ojq-të proqeveritare dhe as ndonjë ojq opozitare me plis diplomatik.

Nga Shqipëria nuk e kuptuan apo nuk deshën ta kuptojnë se presidenti serb dhe Serbia po kërkonin ripushtimin e Kosovës, kurse Tirana rrekej me tautollogjitë e vakëta duke u marrë me banditët dhe kriminelët e shërbimit sekret serb, që po krijojnë trazirat në Veriun e Kosovës me bllokada, plumba dhe bomba. Në Veriun e Kosovës po lufton qeveria dhe shteti serb kundër Kosovës. Serbia po ndez sherret, që të nisë luftën e re në Ballkan për llogari të Rusisë. Kjo shpjegon guximin e çmendur të Vuçiçit, që e pranoi edhe vetë në 11 dhjetor se NATO nuk do të lejojë trupat serbe të hyjnë në Kosovë, e megjithatë ai kërcënon me dërgimin e trupave.

E kam shkruar edhe herë të tjera se guximi i presidentit serb është guxim rus dhe është Moska që po e nxit drejt luftës. Jo rastësisht pak ditë më parë kompania ushtarake ruse e rekrutimit të mercenarëve “Wagner”, që drejtohet nga shërbimi sekret ushtarak rus GRU, hapi në 7 dhjetor në Beograd me lejen e qeverise serbe zyrën e re të rekrutimit të mercenarëve. Mediat ndërkombëtare kanë njoftuar se njësitet e para të mercenarëve ruse të veshur nga qeveria serbe me uniforma të xhandarmërisë serbe janë dislokuar në kufijtë e Kosovës.

Moska doli menjëherë në mbështetje të rivendikimit të presidentit serb për të dërguar forca ushtarake dhe policore në Kosovë. Gazeta qeveritare ruse “Pravda” në datën 12 dhjetor, me titullin luftarak “O sot o kurrë: Vuçiçi duhet të mbrojë serbët në Kosovë”, shkruan: “Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duhet të dërgojë në Kosovë ushtrinë për të mbrojtur serbët. Përndryshe shqiptarët do të ndërmarrin një operacion të ngjashëm me operacionin “Stuhia”, që kroatët e ndërmorën kundër Krajinës serbe”.

Nuk doli në Tiranë një zë qeveritar apo opozitar që të hidhte poshtë rivendikimin e presidentit serb për ripushtimin e Kosovës si gjoja të bazuar te rezoluta 1244. Nuk bëri ndonjë zyrtar në Tirane as atë që bëri ish-presidenti i Serbisë Boris Tadiç dhe që e cituam me sipër.

Është rasti dhe vendi për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik mbi një qendrim të çuditshëm të qeverive dhe të diplomacisë së Shqipërisë, të cilët kurrë nuk kanë përgënjeshtruar dhe as dënuar pretendimet absurde të Serbisë dhe të Rusisë për Rezolutën 1244.  Edhe ripushtimin e Kosovës, që po tenton tani Vuçiçi, po e justifikon me referencën e rreme te rezoluta 1244.

Kam dekada që iu sugjeroj qeverive dhe diplomacive të Shqipërisë dhe të Kosovës se duhet të veprojnë në arenën ndërkombëtare diplomatike dhe mediatike për të hedhur poshtë të pavërtetën e përhapur çdo ditë nga Serbia dhe nga Rusia se gjoja Rezoluta 1244 e njeh Kosovën si pjesë të Serbisë. Kam theksuar vazhdimisht se Rezoluta 1244 është rezolutë e vdekur tashmë, cila nuk i takon fare Serbisë, por i takon historisë së diplomacisë.

Së pari, Rezoluta 1244 nuk e përmend në asnjë rresht dhe nen të saj emrin “Serbi”. Referenca e rezolutës për një farë sovraniteti të shtetit “RFJ”, është për një shtet tjetër që nuk ekziston më, kurse Serbia është shtet i ri i krijuar në vitin 2006.

Së dyti, në bazë të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 15 dhjetorit të vitit 2004 Serbisë nuk i takon asnjë e drejtë, asnjë referencë dhe asnjë pretendim për OKB dhe për rezolutat e saj, për kohën kur Serbia nuk ka qenë anëtare e OKB. Serbia është pranuar anëtare e OKB në fund të vitit 2000. Me këtë argument juridik Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë hodhi poshtë në vitin 2004 padinë e Serbisë kundër SHBA, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe vendeve perëndimore për gjoja agresionin e NATO-s në 1999. Serbia nuk ka qenë anëtare e OKB kur është miratuar rezoluta 1244 në 10 qershor 1999. Kështu që Serbia nuk ka asnjë të drejtë të pretendojë se rezoluta 1244 i takon asaj.

Së treti, Serbia dhe Rusia e dinë fare mirë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik 2010 me kërkesë të OKB shpalli verdiktin se pavarësia e Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244. Tribunali më i lartë ndërkombëtar i drejtësisë sanksionoi të drejtën e pavarësisë së Kosovës si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare. Serbia dhe Rusia janë të detyruar të respektojnë vendimin e këtij tribunali të OKB. Me njohjen e pavarësisë e Kosovës nga Tribunali më i lartë juridik i OKB ka marrë fund çdo vlerë juridike dhe reference e rezolutës 1244.

Së katërti, Serbia është larguar nga Kosova me vullnetin e saj në bazë të marrëveshjes së Kumanovës, të cilën e ka nënshkruar qeveria serbe. Pra sipas ligjit ndërkombëtar, Serbia është larguar nga Kosova në bazë të një marrëveshje ndërkombëtare të firmosur prej saj.

Së pesti, Serbia është larguar me vullnetin e saj nga Kosova dhe i tërhoqi forcat ushtarake, policore, kufitare, administrative nga kufijtë aktualë të Kosovës. Kufijtë administrativë të Kosovës u shndërruan automatikisht në kufij shtetërorë midis dy shteteve, sipas praktikës dhe parimit të pranuar ndërkombëtarisht që kufijtë e shteteve të reja, që dolën nga ish Jugosllavia, do të ndërtoheshin mbi kufijtë administrativë, që ata kanë pasur në kohën e federatës. Ndaj është i pabazuar juridikisht qëndrimi i presidentit serb për ndryshimin e kufijve dhe për shkeljen e tyre me trupa ushtarake serbe.

Shqipëria dhe Kosova duhet t’i jenë mirënjohëse ministres së jashtëme gjermane Annalena Baerbock dhe Gjermanisë, që i tregojnë vendin Serbisë. Mirënjohje për Gjermaninë që vendos barrikadën e saj të pathyeshme përballë provokimit të rrezikshëm luftësjellës të Serbisë.

Mirënjohje për Gjermaninë dhe për kancelaren e saj të hekurt Angela Merkel, e cila qe barrikada e vetme që ndaloi me vendosmëri të ashtuquajturin shkëmbim të territoreve ose më saktë copëzimin e ri të Kosovës.  Është një kontribut historik gjerman për Kosovën dhe për kombin shqiptar përballë një plani të errët ndërkombëtar për coptimin e Kosovës, plan që bëri bashkë Serbinë, Rusinë, Francën, lobin filoserb në qeverinë e presidentit Trump, fatkeqsisht ishte bashkuar për turpin tonë kombëtar qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Kosovës.

Gjermania e shpëtoi Kosovën. Përballë kësaj të vërtete historike kuptohet se sa të mjera janë rrahagjokset mejhaneske të disa klounëve të vegjël të cirkut politik të Tiranës, që i kanë mbushur mendjen vetes se ata janë trimat që ndaluan planin e shkëmbimit të territoreve(!).

Unë nuk mund të kuptoj se si pas këtij akti të ri lufte të presidentit serb Vuçiç për ripushtimin ushtarak të Kosovës, Tirana zyrtare mund të vazhdojë të rrijë nën ombrellën e çarë serbe me emrin  “Ballkan i hapur”. Në 11 dhjetor babai i “Ballkanit të hapur” presidenti Vuçiç sulmoi ish-kancelaren gjermane Merkel dhe lëshoi thirrjen e tij të re: “Perëndimit nuk duhet t’i besojmë”. Natyrisht sipas tij duhet t’i besohet Rusisë, drejt të cilës çon edhe “Ballkanin e hapur”, që në një formë apo tjetër kushtëzon pjesëmarrësit e projektit serb të përkrahin ambicjet koloniale të Serbisë ndaj Kosovës.

Këtu nuk ka më miopi diplomatike dhe politike, por është fenomeni, që mallkonte Naim Frashëri në kohën e tij: “popo, mos u qoftë thënë…”. [DITA/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply