Pse po dështon politika evropiane e Macronit?

Spread the love

Pse po dështon politika evropiane e Macronit?

Nga Shahin Vallée, Foreign Policy

Mundësia për një hap të guximshëm në integrimin evropian është ndoshta më e favorshme sot se sa ka qenë ndonjëherë që nga rënia e Murit të Berlinit.

Franca ka rizgjedhur Emmanuel Macronin, ndoshta presidentin e saj më pro-evropian ndonjëherë. Pas 16 vitesh Merkelizëm, Gjermania tani udhëhiqet nga një koalicion që është zotuar ta kthejë Evropën në një shtet federal.  Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Danimarka menjëherë i dha fund përjashtimit nga politika e përbashkët e mbrojtjes e Bashkimit Evropian.

Dhe Polonia, dikur një renegat evropian, e ka kuptuar  më qartë se kurrë se çfarë mund të humbasë nga dobësimi i Evropës. Rrethanat gjeopolitike janë veçanërisht të favorshme për ndryshime të thella.

Kriza e COVID-19 ia ka bërë të qartë Evropës varësinë e saj ekonomike ndërkombëtare dhe nevojën për solidaritet; lufta e agresionit në Ukrainë po krijon një ndjenjë uniteti që nuk është përjetuar që nga kriza e euros; dhe frika në rritje për Shtetet e Bashkuara që lëvizin drejt një presidenti tjetër të ngjashëm me Trumpin, më në fund po i zgjojnë evropianët me realitetin e hidhur të tyre.

Megjithatë, pavarësisht nga kjo situatë e frikshme, Evropa duket se është lënë në harresë. BE-ja nuk e ka kaluar plotësisht largimin e Mbretërisë së Bashkuar dhe nuk ka krijuar një marrëdhënie të re me Londrën; ajo mbetet e ndarë mbi shtrirjen dhe shpejtësinë e zgjerimit të saj; dhe është ende e pasigurt nëse ndërhyrja e guximshme fiskale gjatë krizës së COVID-19 ishte hapi i parë i markës evropiane të federalizmit fiskal apo nëse ishte i vetmi.

Brukseli është ende duke luftuar me Hungarinë për shkeljen e të drejtave, duke u përballur me paqëndrueshmërinë në Ballkan, dhe më e rëndësishmja, ai mbetet i ngarkuar nga traktatet evropiane që janë një pengesë për hartimin e qasjeve të përbashkëta në fusha kritike si energjia, shëndetësia, politika fiskale, dhe mbrojtja.

Macroni ngjalli audiencën me retorikë pro-evropiane gjatë mandatit të tij të parë, por kjo ende nuk është përkthyer në suksese të mëdha konkrete politike. Pas presidencës gjashtëmujore të Francës me rotacion të BE-së dhe ndërsa Macroni po fillon një mandat të ri në detyrë, ia vlen të pyesim: çfarë shpjegon hendekun midis agjendës ambicioze evropiane të Macron dhe faktit që shumica e përpjekjeve gjatë mandatit të tij të parë dështuan?

Realiteti është se ka një problem me metodën e Macronit. Fjalimet e tij madhështore kanë tronditur qartë liderët e tjerë evropianë nga mohimi dhe vetëkënaqësia e tyre, por ata kanë dështuar sistematikisht të krijojnë një koalicion për të vepruar.

Hendeku midis retorikës dhe veprimit të Macronit ishte më i dukshëm në takimin e fundit të liderëve të BE-së në qershor, i cili i dha fund presidencës së rradhës së Francës me BE-në.

Në të vërtetë, lutja e tij për një integrim më të thellë u shpërfill, thirrja e tij për të krijuar një Komunitet Politik Europian mezi u diskutua dhe shpresat e tij për të diskutuar rreth një konventë të mundshme për të reformuar traktatet evropiane ishin aq larg nga axhendat e liderëve të tjerë, saqë u hoq plotësisht nga rendi i ditës.


Axhenda e tij e eurozonës, e nisur në qershor 2018 me bujë, u shemb disa ditë më vonë nga Mário Centeno, ministri i atëhershëm i financave i Portugalisë dhe presidenti i Eurogrupit, dhe më pas Këshilli Evropian i dha vulën.

Me të, u zhdukën shpresat për një buxhet të zonës së euros për të stabilizuar më mirë monedhën e përbashkët dhe për të forcuar arkitekturën e saj. Asgjë nuk ka ndyshuar në arkitekturën jo të plotë të zonës së euros që atëherë.

Refuzimi i tij i në vitin 2019 për hapjen e bisedimeve të pranimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, kur ai bëri thirrje në mënyrë të njëanshme dhe me vonesë për një kornizë të re zgjerimi, jo vetëm që irritoi pjesën më të madhe të Evropës, por duhej të përmbysej tërësisht në vitin 2022 përballë paqëndrueshmërisë në rritje.

Deklarata e tij provokuese e vitit 2019 se NATO-ja ishte “vjetëruar” nuk mundësoi asnjë hap drejt krijimit të arkitekturës së re të sigurisë evropiane që ai kërkoi. Dhe artikulli i Financial Times që Macroni shkroi me kryeministrin italian Mario Draghi në dhjetor 2021 duke bërë thirrje për një formë të re të qeverisjes ekonomike të BE-së nuk u diskutua as në Samitin e Versajës në mars dhe deri më tani nuk është beë asnjë propozim për reforma të rregullave fiskale evropiane.

Lutja e Macronit për një konferencë mbi të ardhmen e Evropës, të cilën ai e projektoi gjatë fushatës zgjedhore evropiane në 2019, si një platformë nisëse për reforma të thella institucionale, u hodh poshtë shpejt nga Parlamenti Evropian dhe përpjekja e tij e guximshme për ta ringjallur atë gjatë  një fjalimi në Strasburg u has me një rezistencë të ashpër.

Gjatë atij fjalimi, Macroni gjithashtu foli për një Komunitet të ri Politik Evropian për të lejuar Evropën të zgjerohet me shtetet e reja anëtare dhe të thellojë integrimin e saj me ato ekzistuese – duke pranuar se kjo do të kërkonte një rishikim të plotë të traktateve të BE-së.

Pas një fjalimi kaq ambicioz, është e vështirë të imagjinohet një përgjigje më katastrofike. Ditën që ai foli për diçka të tillë, një koalicion prej 13 shtetesh anëtare të kryesuar nga Suedia doli kundër duke theksuar se konferenca nuk ishte krijuar kurrë për të arritur reforma institucionale dhe të traktateve.

Brenda pak ditësh, Macroni arriti të përballet me kundërshtimin e rreth 19 nga 27 vende. Me këtë disfatë, Evropa e gjen veten pa një axhendë reale për të forcuar arkitekturën e saj dhe pa një plan real për të forcuar angazhimin ndaj fqinjësisë së saj.

Arsyeja e dështimeve të tilla është se politika evropiane e Macron vuan nga tre të këqija themelore: ajo është e paqartë, e njëanshme dhe egoiste.

Është e paqartë sepse Franca mbetet thelbësisht e paqartë në lidhje me aspektet kritike të vizionit të saj evropian. Ndërsa Gjermania deklaron se dëshiron të ndërtojë bërthamën e një shteti federal për BE-në, Macron duket se beson se shqiptimi i fjalës “federal” është shumë i kushtueshëm në vend dhe shumë idealist jashtë vendit.

Por Franca rrallëherë ka theksuar nëse është e përgatitur të braktisë të drejtën e vetos në fusha me interes kritik si politika e jashtme apo mbrojtja, dhe nëse është e gatshme të transferojë autoritetin ekzekutiv në Komisionin Europian dhe të zgjerojë kompetencat e Parlamentit.

Refuzimi i Macronit ndaj procesit Spitzenkandidat në 2019-në të cilin presidenti i komisionit do të caktohej nga partia politike fituese e zgjedhjeve europiane, duke siguruar shikueshmëri dhe legjitimitet më të fortë- çimentoi me të drejtë ose në mënyrë të gabuar ndjenjën se vizioni evropian i Macronit ishte thjesht një tjetër markë e Gaulizmit.

Në të vërtetë, qeveria e tij, shërbimet e tij diplomatike dhe shoqëritë civile në mënyrë kritike në të gjithë Evropën mund të jenë një përforcues i natyrshëm i pikëpamjeve të tij, por që shumë shpesh janë lënë nën hijen e tij.

Dhe qasja e tij rrallëherë është të ndërtojë koalicione, të organizuara rreth qëllimeve të përbashkëta.

Pas një mandati të parë të mbushur me ambicie të zhgënjyera evropiane, Macron ende nuk ka arritur të realizojë një teori të ndryshimit që kombinon guximin me ndërtimin e konsensusit.

Ajo që është ndoshta më e habitshme është se disa herë që Macron veproi kolektivisht, ai ishte jashtëzakonisht i suksesshëm: koalicioni që ai ndihmoi në ndërtimin (kundër Gjermanisë) në Sibiu në 2019 mundësoi lëvizjen e Europës drejt neutralitetit të karbonit dhe marrëveshja që ai nënshkroi në 2020 së bashku me tetë shtetet e tjera anëtare (kundër Gjermanisë) që kërkonin një përgjigje të përbashkët fiskale ndaj krizës COVID-19 çuan në planin e rimëkëmbjes së BE-së prej 750 miliardë eurosh (826 miliardë dollarë).

Së fundmi, qasja e Macron ndaj BE-së shpesh është egoiste dhe mund të ngatërrohet shumë lehtë me një përpjekje napoleonike për të ribërë imazhin e Europës dhe për të rikthyer interesin e Francës.

Kjo është ndoshta më e dukshme në fushën e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes, ku ambicia e guximshme e Macron për një Europë sovrane perceptohet si një përpjekje e një fuqie në rënie për të shfrytëzuar fuqinë dhe madhësinë e Europës për të mbështetur ndikimin e saj në zhdukje të politikës së jashtme.

Është e habitshme që, pas një mandati të parë të mbushur me ambicie të zhgënjyera europiane, Macron ende nuk ka arritur në një teori ndryshimi që kombinon guximin me ndërtimin e konsensusit.

Kjo çon në izolim në rritje dhe e detyron Francën të maskojë dështimet si suksese dhe të vazhdojë të përshkruajë takime në tapetin e kuq, siç është takimi i ardhshëm i krerëve të shteteve europiane në tetor, si një hap i vërtetë drejt një komuniteti të vërtetë politik europian, kur takimi nuk ka një axhendë të vërtetë, qëllim ose produktivitet.

Ndërsa Macron padyshim mbetet lideri europian me pikëpamjen më të qartë për të ardhmen e Europës dhe reformat e nevojshme, paaftësia e tij për të arritur ndonjë prej tyre e lë Europën thellësisht të cenueshme dhe pa drejtim.

Rreziku i vërtetë tani është se në mungesë të një axhende për integrimin politik, lufta në kufirin e Evropës, kostoja ekonomike e sanksioneve dhe kostoja e tranzicionit të kërkuar energjetik do ta shndërrojnë momentin aktual nga një mundësi në një burim përçarjeje.

Për të shmangur këtë rezultat, Berlini duhet të dalë nga gjendja në të cilën ndodhet dhe të vërë në praktikë ambicien e traktatit të koalicionit duke bërë një thirrje të fortë për europianizimin e politikës energjetike dhe për të qartësuar kushtet e tij për ndërtimin e një arkitekture dhe kapaciteti të ri të sigurisë evropiane.

Politika europiane e Francës duhet të jetë më e qartë, më e durueshme dhe më pak egoiste.

Franca duhet të lerë menjëanë paqartësinë e saj në lidhje me llojin e reformave institucionale që kërkon, edhe nëse duhen një brez për t’u materializuar. Ajo gjithashtu duhet t’i japë fund madhështisë dhe  përpjekjeve të saj europiane  sepse ka prova të qarta se sa herë që Macron shpenzon kohën dhe energjinë për të ndërtuar koalicione të gjera dhe të ndryshme transnacionale, ai dhe Evropa kanë sukses. [abcnews.al/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply