Realiteti i dyzuar i Kosovës dhe fenomeni i vetëmashtrimit politik

Spread the love

Realiteti i dyzuar i Kosovës dhe fenomeni i vetëmashtrimit politik

Shkruan: Dr Sadri Ramabaja*

Të shtunën që lamë pas Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve — Shkup promovoi përmbledhjen në dy vëllime të dokumenteve analitike të Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë të periudhës 1980–1987/88.

Botuesi ka një konkluzë me interes që e ka sjellë në parathënien e vëllimit të dytë. Meqë pata nderin të isha njëri nga redaktorët e këtij vëllimi më ra në sy menjëherë dhe po e sjell me kënaqësi të dyfishtë: “Nga leximi i vëmendshëm i këtij materiali voluminoz ne kuptojmë se shqiptarët në ish Jugosllavi kanë jetuar në dy realitete shoqërore-politike: Në njërin realitet — ku gjithëçka dukej në shikim të parë se funksiononte mbarë e mirë, por që mungonte liria e plotë dhe dinjteti i njerëzve të barabartë dhe një realitet tjetër — ku po përgatitej terreni për të përmbysur realitetin e parë. (…) Viti 1981 u bë kufiri që përkufizonte fushat e këtyre dy realiteteve.

Mbrëmë TV7 solli një dokumentar që, vite më parë (natyrisht pas çlirimit të Kosovës), kishte pregaditur RTK për ngjarjet e vitit 1981. Si në këtë dokumentar edhe në një vistër prononcimesh publike, vazhdojmë të kemi dy linja të qëndrimit rreth asaj se kush ishin organizatorët e mirëfilltë, respektivisht shtytësit qenësor të shpërthimit të uraganit të rinisë kosovare në pranverën e vitit 1981. Linja e parë, ajo që i përkiste realitetit të parë të potecuar më lartë, tutje mbron tezën se demonstratat ishin të inspiruara nga Beogradi dhe Moska (UDB & KGB).

Linja e dytë i përket kriptoelitës që kishte selitur mendimin se, qytetarëve shqiptarë në ish Jugosllavi nuk i mungonte liria e lëvizjes, por atyre u mungonte shumë më shumë, ajo esencialia: vetë Liria. Popullit shqiptar sado kompakt e autokton që ishte në trojet e veta, hapësira jetësore i ishte coptuar e ndarë mes tri republikave sllave, ndërkaq Krahinës Autonome të Kosovës së cunguar i mohohej e drejta për vetëvendosje, madje edhe për vetëvendosje të brendshme, rrjedhimisht i mungonte liria kombëtare.

Kjo mungesë mund të ezaurohej vetëm përmes organizimit klandestin deri në një kryengritje të armatosur.

Rryma e dytë e realitetit shqiptarë atëbotë veproi në këtë linjë deri me krijimin e UÇK-së. Natyrisht nuk e pati të lehtë, por rruga që kishte përzgjedhur i garantoi Kosovës lirinë.

Në dokumentarin në fjalë, por as edhe në “studimet” e pinjollëve të pushtetarëve — kolaboratorë, nuk shtrohet asnjëherë çështja esenciale: cili do të ishte fati i Kosovës sot, në rast se nuk do të kishim atë shpërthim vullkanik të pranverës së vitit 1981 dhe gjithë atë lumë grupesh e organizatash ilegale, që më 17 janar 1982 qenë bashkuar në kuadër të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, si një organizatë politiko-ushtarake që themeloi më pas, më 17 nëntor 1993, UÇK-në?

Një mik imi në vitin 2017 pat shtruar këtë tezë në formë pyetjeje:

“Supozojmë sikur nuk do të ishte viti 1981, çfarë rrjedha tjera do të kishte në Kosovë dhe në mbarë Jugosllavinë?”

Një tezë e shtruar drejt dhe qartë.

Le të supozojmë për një çast se nuk do të kishte demonstrata në pranverën e vitit 1981.

Tutje, le të përpiqemi ta shikojmë shoqërinë kosovare pa ilegalen e viteve ‘70-ta e 80-ta dhe rrjedhën e saj të mundshme në kapërcyell të shek. XX.

Fati i Kosovës, sipas këtij kërndvështrimi, do të ishte në duart e legalistëve (nuk po them kolaboratorëve). Jam shumë i bindur se marsi i vitit 1989, kur qe pezulluar autonomia edhe formalisht, do të ishte edhe më i afërt. UÇK nuk do të kishte fare! (Le të kujtojmë një fakt: shumica e ish drejtuesve dhe komandantëve të saj ishin ish të burgosur politikë). Ne sot, si shumicë, do të ishim nëpër shtetet e Perendimit. Një pakicë shqiptare, e shndërruar në qytetarë lojal, në mos tërësisht e asimiluar, po, mund të ishte në detin serb.

Këtë fakt, nuk e kanë guximin qytetarë ta thonë ideologët e titizmit të fshehur ose jo nën petkun e LDK-së.

Në librin tim me titullin sinjifikativ LIRIA PA HERONJ kam shtruar këtë çështje të përmbledhur në tri teza:

1. A ishin pesë-gjashtë vitet e para të ekzistencës së LDK-së (1989–1995), që jo rrallë cilësohen si “vite të arta” të saj, produkt i iluzioneve politike, utopisë dhe fantazisë, apo kishim të bënim me një platformë politike, që është e ndërlidhur me “skemat piramidale të Rugovës, që kishin si mision mashtrimin e vetëmashtrimin politik, për të cilat flet Arbër Xhaferi në një nga esetë e tij të njohura.

2. Akti i ngritjes së këtyre “skemave piramidale të Rugovës”, këtij mashtrimi e vetëmashtrimi politik, a kishin një lloj ndërvarëtsie me poshtrimin si mision dhe si akt politik?

3. Cili ishte fenomeni LDK? Ose ta shtrojmë më konkretisht këtë tezë: Si mbijetoi ajo në pesë vitet pasuese (1995–99) dhe si e pse u rikthye pas çlirimit të Kosovës.

Sa më shpejt studjuesit e shkencave humane — politologët, historianët, sociologët… i zbërtthejnë këto teza, duke shpjeguar arsyet përse ndodhi dhe vazhdon të bëjë jetë aktive mashtrimi politik, respektivisht ngatërrimi i realitetit politik me atë imagjinar, aq më shpejtë do të pushojë ambienti ynë politik të prodhojë skema vetëmashtrimi, që rezultuan me kosto të larta, madje edhe pas çlirimit të Kosovës, nëse marrim në konsideratë produktin e marrëveshjes së Vjenës (falja e trashëgimisë sonë kulturore — kishave të ritit ortodoks – Serbisë); marrëveshja e prillit 2913 dhe ajo e gushtit 2015; demarkimi i vijës kufitare me Malin e Zi….

Nëse brezi i fundit i atij “realiteti paralel” që zumë në gojë më lart, po shkonë në histori [biologjia e bën punën e vetë], ka ardhur koha që rikëndellja e mendimit publik dhe gjykimi shkencor për ngjarjet e pranverës së 1981-ës t’ia zënë vendin gjykimit irracional që prodhoi ai brez utopistësh e vetëmashtruesish.

Profesori i Universitetit të Kembrixhit, Herbert Butterffield, teksa shkruan për fenomenet historike, që i janë nënshtruar modeleve logjike të analizës, siç janë lëvizjet politike të kësaj natyre të demonstratave të pranverës së vitit 1981 dhe gjithë lëvizjes ilegale që parapërgaditi terrenin dhe krijoi UÇK-në, si proces me ndikim të theksuar politik për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës, thekson se, “prapa konflikteve domethënëse të njeërzimit qëndron një lloj SHTRËNGIMI I JASHTËZAKONSHËM. Këtë lloj shtrëngimi nuk e vënë re bashkëkohësit, ose, më keq, ata e mohojnë atë, duke mos i njohur as edhe autenticitetin e tij”.

Dokumentari i riprodhuar në fjalë i RTK-së, për fat të keq, ka të bëjë pikërisht me këtë kategorinë e “realitetit të parë” të qytetarëve tanë që edhe sot vazhdojnë të mendojnë se në dekadën e “lulëzimit të autonomisë” gjithëçka ishte mirë, por ishin demonstratta e 1981-ës ato që përmbysën çdo gjë. Përsëritja e kësaj teze edhe tashti, dy dekada pas lirisë, përveç se merrë karakter propagandistik banal, lë shije të hidhur për vetë nivelin e gjykimit tonë shkencor të munguar.

Demonstratat e vitit 1981 tashmë kanë marrë statusin e shënjuesit të epokës, ngjashëm me vetë produktin e tyre — UÇK-në. Prandaj ato, si për nga plotnia e formës, ashtu edhe për nga përmbajtja, mbesin si njëra nga kryeveprat e mendimit politik shqiptar me vulën e autenticitetit.


Spread the love


Leave a Reply