Rikthimi i Perendimit në vitin 1948:  Modeli i Austrisë për Ukrainën?

Spread the love

Moska i dërgon NATO-s propozimin për garanci sigurie. Sipas AFP, propozimi do të diskutohet fillimisht nga ministrat e mbrojtjes dhe ka mundësi që të miratohet në samitin e ardhshëm të NATO-s në Madrid, në qershor.
Çka ka të bëjë Ukraina dhe “ultimatumi” rus me Kosovën?

Shkruan: Dr Sadri RAMABAJA

Ultimatumi rus

Javën që lamë pas Rusia u ka dërguar ShBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Francës një të ashtuquajtur draft “Marrëveshje për garantimin e sigurisë së Rusisë dhe vendeve anëtare të NATO-s”.

Në fakt kjo “draft-marrëveshje” ishte një listë me një varg kërkesash ultimative që “Ivani i Tmerrshëm” i riinkarnuar në personin e Vladimir Putinit, i përcjellë Perendimit.

Në këtë dokument që ka publikuar Ministria e Jashtme ruse të premten e kaluar ,përveç tjerash, përmban kërkesën që Moska i ka parashtruar edhe publikisht NATOS, që ajo të heq dorë nga pranimi i Ukrainës dhe zgjerimi I saj me shtetet tjera post-sovjetike në aleancën ushtarake.
Përveç kësaj, Moska po kërkon që NATO të tërheqë çfardo projektimi politiko-ushtarak për zgjerimin dhe ta kthejë infrastrukturën e saj ushtarake në nivelin e 1997-ës.

Rusia gjithashtu kërkoi që Shtetet e Bashkuara të mos krijojnë baza ushtarake në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në vendet jo anëtare të NATO-s, si dhe të mos bashkëpunojnë me ato vende.
Ndërkaq ajo që ofron Moska si barazpeshë ndaj kërkesave që ka parashtruar, është heqja dorë nga stacionimi i raketave të veta me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi që mund të arrijnë objektivat në zonën e NATO-s, me kusht që aleanca të mos vendosë armë të tilla në shtetet e Evropës Lindore e Qendrore prej nga mund të arrijnë Rusin.
Për më tepër, sipas kërkesave ruse, të dyja palët duhet të marrin përsipër të negociojnë një zonë brenda së cilës manovrat me trupa të madhësisë së brigadës — rreth 5000 ushtarë — janë të ndaluara.

Ndërkohë nga Brukseli është konfirmuar pranimi i propozimit nga ana e selisë së paktit ushtarak. Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg, tha se NATO pret që Rusia t’i marrë seriozisht shqetësimet për sjelljen e Moskës në raport me Ukrainën dhe ultimatumin e parashtruar.
NATO dhe SHBA hodhën poshtë menjëherë thelbin e kërkesave ruse, që kanë të bëjnë me Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Ukraina është e lirë, si çdo vend tjetër, të vendosë në mënyrë të pavarur për aleancat që dëshiron, u shpreh Jens Stoltenberg qartë e pa ekuivoe.

Më poshtë po sjellë pjesët më të rëndësishme të dokumentit që Moska i dorëzoi Uashingtonit. Siç pohoi ndihmësi i Presidentit rus, Yuri Ushakov, pala ruse ka përcaktuar edhe afatin e diskutimit për këtë dokument (14 janarin e vitit të ardhshëm). Duket se kjo duhet të jetë arsyeja pse dokumenti u bë publik.
Secili lexues i vëmendshëm e me njohje modeste të historisë politike dhe marrëdhënieve mes Perendimit dhe Rusisë, dokumenti përmban elemente klasike të ultimatumeve.

Këtë bindje e përforcon deklarata e zyrtarit rus Sergei Ryabkov, e bërë tashmë publike, që potencon se ky dokument nuk është një “meny” nga e cila Shtetet e Bashkuara do të zgjedhin çfarë përgjigjesh duan të japin, por ajo përbën një paketë të vetme e hartuar mbi parimin “merre ose lëre”, duke pohuar edhe afatin e kadimit të “ultimatumit” (14.1.2022).

Dokumenti, në fakt një draft i përbërë nga 9 pika (nene), dhe titullohet si: Marrëveshja për Masat e Sigurisë së Federatës Ruse dhe shteteve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe mund të gjendet në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Jashtme Ruse.

“Federata Ruse dhe shtetet anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), në vijim të referuara si “Pala”,

Duke riafirmuar angazhimin e tyre për përmirësimin e marrëdhënieve dhe thellimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, janë të vendosur të parandalojnë aktivitetin e rrezikshëm ushtarak dhe në këtë mënyrë të zvogëlojnë mundësinë e incidenteve ndërmjet forcave të tyre të armatosura, kanë rënë dakord si më poshtë:

Neni 1
Palët në marrëdhëniet e tyre do të udhëhiqen nga parimet e bashkëpunimit, sigurisë së barabartë dhe të pandashme. Ata nuk do ta forcojnë sigurinë e tyre individualisht, brenda organizatave ndërkombëtare, aleancave ushtarake apo koalicioneve në dëm të sigurisë së palëve të tjera.

Neni 2
Për të zgjidhur çështjet dhe problemet, palët do të përdorin mekanizmat e konsultimeve urgjente dypalëshe ose shumëpalëshe, duke përfshirë Këshillin NATO-Rusi. …

Mes palëve do të vendosen linja telefonike emergjente.

Neni 3
Palët rikonfirmojnë se nuk e konsiderojnë njëra-tjetrën si kundërshtarë.

Palët do të mbajnë dialog dhe ndërveprim për përmirësimin e mekanizmave të parandalimit të incidenteve në dhe mbi det të hapur (kryesisht në rajonet e Balltikut dhe Detit të Zi).

Neni 4
Federata Ruse dhe të gjitha palët që ishin anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut deri më 27 maj 1997 nuk do të vendosin forca dhe armë ushtarake në territorin e asnjë shteti në Evropë, përveç atyre të vendosura atje deri më 27 maj 1997.

Neni 5
Palët nuk do të vendosin raketa tokë-ajër me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi në zonat që i lejojnë ato të arrijnë në territoret e Palëve të tjera.

Neni 6
Të gjithë anëtarët e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut marrin përsipër të përmbahen nga çdo zgjerim i mëtejshëm i NATO-s, duke përfshirë pranimin e Ukrainës si dhe vendeve të tjera.

Neni 7
Palët që janë anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut nuk do të kryejnë asnjë aktivitet ushtarak në territorin e Ukrainës, si dhe në vendet e tjera në Evropën Lindore, Kaukazin e Jugut dhe Azinë Qendrore.

Neni 8
Për të përjashtuar incidentet, Federata Ruse dhe palët që janë anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut nuk do të kryejnë stërvitje ushtarake ose aktivitete të tjera ushtarake mbi nivelin e brigadës në zonën e gjerësisë dhe konfigurimit të rënë dakord në secilën anë të kufirit midis Rusisë. Federata dhe shtetet e saj ushtarake. palët që janë anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Neni 9
Kjo Marrëveshje nuk do të ndikojë dhe nuk do të interpretohet se ndikon në përgjegjësinë kryesore të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.[1]

Pavarësisht se dokumenti ka përmbajtjen e një ultimatumi, ai nuk do të trajtohet si i tillë nga Uashingtoni. Prandaj ai de fakto duhet lexuar si një platformë politike ruse për negociata me Uashingtonin. Këtë e dëshmon edhe njoftimi i djeshëm i palës amerikane se javën e ardhshme do t’ia paraqesë Moskës propozimin e saj për zhvillimin e negociatave (me gjasë pas konsultimeve me aleatët evropianë).

Moska e ka të qartë se Perëndimi nuk ka gjasa t’i pranojë kërkesat e saj ultimative. Por, sidoqoftë, “qëllimi i nismës është të paktën të sigurojë mosmarrëveshje mes partnerëve perëndimorë — dhe në fund të zbatojë një pjesë sa më të madhe të kërkesave për të kapërcyer status quo-në, e cila është e paqëndrueshme nga pikëpamja ruse.”[2]

Por derisa Uashingtoni pritet të konsultohet me aleatët, Moskës “i mungojnë aleatët ndërkombëtar të Bashkimit Sovjetik, boshti tërheqës ideologjik dhe uqia ushtarake.”[3]

Pavarësisht këtij fakti notar, Moska po insiston më fort për të ruajtur tutje influencën e saj në Ukrainë dhe në ish satelitët e saj në Lindje dhe Juglindje të Europës.

Marrëdhëniet Rusi-Perëndim arrijnë pikën kritike

Përderisa dokumenti i palës ruse shpreh qartë pozicion maksimal të Moskës, duke lënë të kuptohet se ata janë të gatshëm të negociojë rreth parashtresave në fjalë, ndërkohë mediat ruse komentojnë se, NATO-ja po vendos qartë kursin në drejtimin e kundërt.
E përjavshmja prestigjioze gjermane “Der Spegel” gjatë fundjavës raportoi se, aleanca ushtarake perëndimore po planifikon të forcojë “praninë e saj të zgjeruar të frontit” në Evropën Lindore dhe të shtojë forcat në krahun jugor. Kjo duket të jetë arsyeja përse gjykohet se njësitë luftarake të dislokuara më parë në shtetet baltike (2017), duhet të vendosen në Rumani dhe Bullgari në një të ardhme të afërt. Krejt kjo duhet të ketë për qëllim që NATO të zgjeronte praninë në Detin e Zi, duke krijuar kështu mundësi më reale për ndërhyrje më të përshpejtuar në Ukrainën jugore, tepër të rëndësishme strategjike në rast të një lufte ruso-ukrainase.

Sipas AFP, propozimi tani do të diskutohet fillimisht nga ministrat e mbrojtjes dhe paskërka mundësi që të miratohet në samitin e ardhshëm të NATO-s në Madrid, në qershor.

Ndërkohë gazeta më e madhe gjermane bulevardeske “Bild” publikoi “sekrete” të reja nga

shërbimet e intelegjencies së shteteve perëndimore në lidhje me planifikimin e supozuar rus të operacioneve në një luftë kundër Ukrainës. Shih për këtë, spekulohet aty, preludi mund të jetë një operacion zbarkimi pranë Odesës dhe një dislokim parashutistësh në urat Dnipro në Ukrainën jugore për të parandaluar mundësinë për furnizimet e NATO-s për Ukrainën nga deti.
Gazeta citon një ushtarak perëndimor të paidentifikuar, sipas t cilit, nëse Moska merr vendimin për të pushtuar Ukrainën, nuk pritet “asnjë masë gjysmake”.

Një tjetër e përditshme konservtore gjermane — Die Welt, sjellë një shkrim të gazetarit të njohur Jacques Schuster, në të cilin ai pohon se, vendet e NATO-s dhe BE-së në përballje me Rusinë bazohen ekskluzivisht në masa të ashpra, kryesisht ekonomike dhe neglizhojnë të njohin nevojën e Federatës Ruse për të garantuar sigurinë e saj.

Die Welt beson se vendet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke ndjekur një politikë presioni të vazhdueshëm ndaj Rusisë, po injorojnë rregullin e dytë të Luftës së Ftohtë, i cili siguronte respekt të pakushtëzuar për nevojat e sigurisë së armikut.

“Edhe presidentë të tillë amerikan si Harry Truman, Dwight Eisenhower dhe Ronald Reagan — skifterë të fortë amerikanë — ishin të gatshëm të merrnin parasysh interesat e BRSS për të siguruar sigurinë e shtetit në një shkallë ose në një tjetër. Nuk ka asnjë shenjë për këtë sot. “[4]
Tani thonë se është e pamundur t’i diktosh një shteti kaq të pavarur si Ukraina, nëse do të anëtarësohet në NATO apo jo”, konkludon autori i analizës në fjalë.

Die Welt na kujton shembullin e Austrisë, e cila në vitin 1955 u bë një shtet sovran vetëm duke promovuar neutralitetin e saj, por edhe Finlandën e pasluftës, e cila edhe pse ndoqi një drejtim properëndimor, respektoi me përpikëri dispozitat e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihma e ndërsjellë të arritur me BRSS në vitin 1948. Sipas marrëveshjes, Helsinki njihte interesat e veçanta strategjike të BRSS dhe ishte i detyruar të ruante neutralitetin.

Më tej, në analizën e saj, e përditshmja gjermane Die Welt, kujton se “Shtetet e Bashkuara” nën Presidentin John F. Kennedy ndaluan vendosjen e raketave (sovjetike) në Kubë dhe i kërkuan Bashkimit Sovjetik të respektonte të drejtat e SHBA-ve për të garantuar sigurinë në hemisferën e saj, gjë që Uashingtoni sot ia mohon Rusinë. “Ishulli i Fidel Kastros — i njëjti shtet i pavarur si Ukraina — nuk kishte zgjidhje”, duke na rikthyer në kulmin e Luftës së Ftohtë.
Kështu një lagje e mediave gjermane tashmë i bien kambanave se si “Perëndimi po injoron të drejtën e Rusisë për të garantuar sigurinë e saj” në rastin e Ukrainës.

Një lagje tjetër e mediave amerikane dhe evropiane vazhdojnë të ashpërsojnë retorikën anti-ruse pas “ultimatumit” rus ndaj Uashingtonit; ato kërkojnë me ngulmë refuzimin e negociatave dhe vendosjen e sanksioneve jashtëzakonisht të rrepta kundër Moskës.

Në rast se Pentagoni dhe NATO në konsultim me BE-në(para së gjithash me Berlinin dhe Parisin) marrin në konsideratë interesat afatgjata të Perendimit, duket se një pjesë e kërkesave të palës ruse do të mirren në konsideratë meqë nuk konsiderohen të vështira për t’u përmbushur. Në këtë rast, e qartë, Ukraina dhe Gjeorgjia do të humbnin të drejtën për t’u anëtarësuar në NATO.

Përgjegjia amerikane tok me propozimin e pritshëm (hartuar larg vëmendjes së opinionit) pritet të arrijë në Moskë javën e ardhshme.
Marrëdhëniet Rusi-Perëndim tashmë po arrijnë drejt pikës kritike. Nëse kalohet kjo masë kritike, nuk ka kthim prapa.

Si ndërlidhet Ukraina me Veriun e Kosovës?

Ndërkaq portali i njohur anglez neweurope.eu konfliktin e Ukrainës e ndërlidhë me interesat serbe në veriun e Kosovës. Sipas këtij portali të njohur “derisa administrata Biden është e fokusuar në Ukrainë, një skenar i ngjashëm po shpaloset në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës.”[5] Në një analizë të publikuar ndërkohë potencohet se për dy dekada rresht Rusia dhe Serbia kanë zgjeruar shumë bashkëpunimin në lëmin ushtarak. Serbia, pohohet tutje në analizën në fjalë, ka dyfishuar buxhetin e mbrojtjes gjatë tre viteve të fundit, duke kaluar shumën prej 1.5 miliardë dollarë.
Konkluzioni logjik: Serbia pavarësisht se vazhdon ta promovojë “Open Ballkn-in” ajo de fakto po përgatitet për luftë.

Disi pavenerueshëm e pa bërbujën e zakonshme, më 14 dhjetor në Bruksel u mbajt takimi i trembëdhjetë i Konferencës së anëtarësimit ministror me Serbinë. Kjo ishte Konferenca e dytë ndërqeveritare që kur Këshilli miratoi procedurën e rishikuar të zgjerimit.

Në kumtesën e lëshuar pas këtij takimi pune potencohet se “ndaj përparimit të Serbisë në zbatimin e kritereve për pranim do të vazhdojmë të jemi kritikë dhe fokusi thelbësor i kësaj kritike do të jetë ndihma dhe monitorimi i çuarjes përpara të negociatave me Kosovën, sepse ky është vetë kuptimi i negociatave. Progresi në kapitujt mbi sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën në përputhje me kornizën negociuese, do të mbetet vendimtar dhe do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave të anëtarësimit.”

Kështu njofton, përveç tjerash, portali consilium.europa.eu

Risjellja e togfjaëshit “negociatave me Kosovën” duket të jetë rishikim i thellë i pozicionit të Brukselit në raport me vetveten dhe qëndrimin e shumicës absolute të shteteve anëtare të BE-së që kanë njohur pavarsinë e Kosovës.

Elitat tona, jo vetëm ato të politikës, por edhe bota akademike, në këtë ripozicionim gjeopolitik dhe ofensivës ruse me objektiv edhe Ballkanin, do të duhej të ishin më unison, duke u ngritur mbi interesat pesonale e grupore, e në dobi të interesit nacional. Pozicionimi I qartë Perendimor nuk duhet konsideruar si flirt “me anën e fortë aktuale”. Tashti kur nga Shtëpinë e Bardhë është larguar Donald Trump, nuk duhet ushqyer gjatë kënaqësinë që na jep ndryshimi që sjell ardhja e demokratëve në krye me Joe Biden-in. Përkundërazi, këtë periudhë duhet shfrytëzuar për integrim brendakombëtar, deri edhe në integrimin e plotë të sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë.

Rusia kalon në pozicionin e ofensivës strategjike

Me strategjinë e re të saj Moska ka shkaktuar tronditje tektonike në Perëndim. Madje meqë nga fundi i Luftës së Ftohtë, Perëndimi ka qenë gjithmonë ai që ka diktuar dinamikën dhe ka pasur iniciativën strategjike, ndërkaq Rusia ka reaguar duke vepruar në mbrojtje strategjike.

Lufta speciale po zhvillohet krahas manovrave ushtarake dhe dislokimit ët mijra trupave ruse buzë kufirit me Ukrainën. Kanali shtetëror rus Rossiya 1, më i ndjekuri në vend, në lajmet kryesore (më 20 dhjetor), iu drejtua publikut me një mesazh të qartë nga moderatorja.
“Shtetet e Bashkuara, duhet të heqin dorë nga hegjemonia e saj, ajo hegjemoni ka përfunduar. O do të tërhiqen vullnetarisht ose do ta bëjmë ne me forcë. Rusia nuk garanton më për mbijetesën e Ukrainës, të paktën si shtet i pavarur. Ndoshta jemi vërtet afër luftës me NATO”.[6]

Rusia, tashmë e din që sanksionet do të pasojnë. Ndërkaq edhe mundsitë reale të Ukrainës për rezistencë të mirëfilltë vlerësohen si të mefshta. Çështja ndërlikohet edhe më shumë meqë të gjithë e kanë të qartë se Moska nuk po bën bllof. Shih për këtë, draft-marrëveshja ruse e shpallur publikisht javën e kaluar që ka të bëjë me çështjen e sigurisë së ndërsjellë strategjike midis Perëndimit dhe Rusisë, mbetet në qendër të vëmendjes së politikës botërore dhe medias.

Arroganca ruse ndërkohë është përshkallëzuar. Diplomati rus Ryabkov, duke komentuar deklaratën e djeshme të ministrit të Jashtëm të BE-së, Josep Borrell, për nevojën e pjesëmarrjes së detyrueshme të BE-së në diskutimet për garancitë e sigurisë, shpjegoi se Rusia niset nga premisa se, kontaktet për garancitë e sigurisë duhet të zhvillohen në një format dypalësh me Shtetet e Bashkuara.

“Kemi marrë shënim, do t’i hedhim një sy”, pohon Ryabakov si Zeusi nga Olimpi. “Unë konfirmoj atë që thamë javën e kaluar: ne sugjerojmë që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të zhvillojnë negociata dypalëshe për këtë temë. Sa i përket formateve të tjera, dëshirat e figurave të caktuara, përfaqësuesve të strukturave të caktuara, sigurisht që i marrim parasysh, por kjo nuk do të thotë se ndryshojmë qëndrim. Ne vazhdojmë të flasim në favor të procesit të negociatave dypalëshe me Uashingtonin”.
E qartë, Rusia pretendon të rikthehet në tavolinën e bisedimeve direkte me SHBA-të.

Në këtë pozicion, as SHBA-ja dhe aleatët nuk do t’i japin Rusisë veton mbi ambiciet e Ukrainës për t’u bashkuar një ditë NATO-s dhe BE-së. Kjo u theksua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas një takimi që zhvilloi të mërkurën e kaluar me ministrat e jashtëm të aleancës në Riga të Letonisë.

“Vetëm Ukraina dhe 30 aleatët e NATO-s vendosin se kur Ukraina do të jetë gati t’i bashkohet NATO-s. Rusia nuk ka të drejtën e vetos, dhe as ndonjë zë mbi këtë çështje.
Ajo s’ka të drejtë të krijojë një sferë ndikimi, përmes përpjekjes për të kontrolluar fqinjët e saj”- theksoi ai.

Përfundim

Duke pasur parasysh dronë e evropianëve për një luftë të nxehtë, mundësia që Perendimi ta stopoj invazionin rus në Ukrainë duket fare të pamundura. Tashmë SHBA-të dhe Britania e Madhe e kanë bërë të qartë se, në rast të shpërthimit të luftës, ata nuk do të dërgojnë trupa për të mbështetur Ukrainën. Pjesa tjetër e Perednimit, as që bëhet fjalë për rirreshtim ushtarak pro Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë synojnë t’i përgjigjen agresionit rus në Ukrainë kryesisht përmes sanksioneve të ashpra ekonomike, që do të përfshinin jo vetëm zyrtarët rusë, por edhe sektorët kryesorë të ekonomisë ruse, duke përfshirë bankat që operojnë jo vetëm në Rusi, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian. [7] Gjithashtu po shqyrtohet mundësia e përdorimit të një “bombë nukleare” ekonomike, duke e përjashtuar Rusinë nga sistemi “Swift”, me të cilin akt do të parandalohej çdo transaksion pagese të huaj.

Tashti kur Rusia kaloi nga pozicioni i mbrojtjes strategjike në atë të ofensivës strategjike, ka hedhur dritë të qartë edhe për pozicionimin e saj sa i përket Ballkanit. Ky pozicionim rus, duket se ka shkaktuar nervozizëm në Perendim. Mjafton ky fakt që manovrat ruso-serbe edhe lidhur me projektin e Ballkanit të hapur të lexohen qartë nga diplomacia jonë (e të dy republikave tona). Projekti Ballkani i hapur ka gjasa reale që t’i shërbejë Beogradit për të vënë në gjumë Perendimin rreth planit të saj për të kaluar në ofenzivën strategjike si në Bosnjë ashtu edhe në Kosovë.

Sidoqoftë, edhe kjo e keqe, ka një të mirë. Pak ditë pas këtyre deklaratave që sinjalizonin marshin ushtarak rus në start, në media vijnë paralajmrime për rikthimin e mundshëm të Perendimit në vitin 1948, duke konsideruar modelin e neutralitetit të Austrisë për Ukrainën si hap racional, por edhe angazhimin e shtuar rreth Ballkanit. Mbrojtja e Evropës dhe Ballkanit rikthehet në krye të axhendës së NATO-s.

______________________________________

1.  https://www.geopolitika.news/analize/z-meter-ruski-ultimatum-sad-u-i-americki-odgovor/

2.  https://www.cicero.de/ukraine-putin-nato-washington-donbass?etcc_cmp=211222_1734&etcc_med=Push

3.  Ian Bremmer, Superfuqia, Tiranë 2021, f. 21

4.  https://www.welt.de/debatte/plus235700712/Ukraine-Krise-Der-Westen-muss-Putins-Aengste-ernst-nehmen.html

5.  https://www.neweurope.eu/article/conflict-in-ukraine-and-kosovo-are-connected/

6. https://shekulli.com.al/kanali-shteteror-rus-hegjemonia-amerikane-ka-perfunduar-nuk-garantojme-me-per-pavaresine-e-ukraines/?fbclid=IwAR0FbTaOt1wfm3VvlVWlSgxWHxZ66YHQckTFs_D9qKr0fX5UAAtEU2yLa7o 

7. https://www.geopolitika.news/analize/m-stefanov-na-istoku-europe-ponovno-ce-se-krvavo-ratovati/


Spread the love


Leave a Reply