Rikthimi i thellësisë strategjike

Spread the love

Rikthimi i thellësisë strategjike

Gjatë vitit 1904, kur u përleshën dy perandoritë, ajo ruse dhe japoneze, gjeografi Mackinder po atë vit shkroi se “strumbullari mbi të cilin mbështetet fati i gjeopolitikës botërore është “Heartland-i”. Ku është vendi ku sot gjendet Ukraina – një shtet që historikisht ka qenë një si një “tampon zonë”. Fati historik i kombeve ndonjëherë është i vendosur nga pozicioni gjeografik. Dhe, këtu Ukraina dhe shumë shtete të tjera janë të destinuara të balancojnë mes Fuqive të Mëdha ose, më e keqja, të shkatërrohen. Shqiptarët në Ballkan janë bashkuar me botën demokratike, që po e kundërshton Rusinë në Ukrainë. Megjithatë, buxhetet kombëtare për shpenzime ushtarake janë të vogla në krahasim me Serbinë.

Dr. Selim IBRAIMI, Uashington

Ndonjëherë tragjeditë globale i ofrojnë njerëzit dhe kombet. Një muaj qëkur Rusia e sulmoi Ukrainën, derisa prisja të merrja ekspreson e porositur në “Starbucks”, aty filloi një bashkëbisedim me një grua e cila dukej se ishte rreth 70 vjeç. Ajo më pyeti për origjinën. Nuk vonoi shumë dhe ajo tregoi se e ka prejardhjen prej një familjeje emigrantësh nga Levivi (Lviv) i Ukrainës. Kureshtja se ajo vinte nga Ukraina dhe ndoshta ka mjaft për të treguar vazhdoi më tej, duke e pyetur rreth viteve të largimit të paraardhësve të saj dhe shkaqeve. Familja e Lindës kishte një histori të gjatë lufte, duke iu shpëtuar tragjedive dhe duke u larguar nga atdheu, familja dhe miqtë. Ajo tha se në fillim të vitit 1912, stërgjyshi i saj u largua nga Ukraina drejt SHBA-së për t’i shpëtuar rekrutimit të ushtrisë së carit rus, Nikollai II. Përsëri, disa nga anëtarët e familjes së saj, para Revolucionit Bolshevik u detyruan ta lënë vendin për shkak të luftës qytetare. Dhe, më pas, në vitin 1941, edhe të tjerë u larguan për ta shpëtuar veten prej gjermanëve. Por, jo të gjithë ishin me fat të emigronin në SHBA: disa vazhduan të jetojnë nën regjimin e Stalinit dhe të pasardhësve sovjetikë. Me fillimin e luftës në Ukrainë ajo tha se ishte në kontakt të vazhdueshëm me anëtarët e familjes së mbetur në Lviv, një lidhje familjare e ruajtur me dekada. Në bisedë e sipër ajo tha se “qyteti i Levivit ka bunkerë dhe tunele të ndërtuara gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB) dhe mund të përdoren për t’u mbrojtur nga bombat ruse”. Këtë të dhënë e kishte dëgjuar nga bisedat që zhvillonte ajo me anëtarët e familjes në Leviv, një qytet i bombarduar disa herë kohëve të fundit nga rusët.

Në këtë kohë të vështirë për të gjithë nuk kemi se çka të themi më shumë. Dhe, nuk e kam menduar kurrë se pas tre dekadave, lufta në Ukrainë përsëri do të më kthejë tek Mackinderi, Spajkmeni, Mahani, Kjelleni, Hashuoferi, Splengeri etj etj. Kur u shpartallua BRSS-ja dhe kur Gorvaçovi dhe Jelcini u bënë figura të parëndësishme në Rusi, mendova se këto botime nuk do të zënë vend në shek. XXI, porse do t’i takonin historisë së shek. XIX dhe XX.

Sidoqoftë, kjo është një luftë që është hapur në frontin e ri lindor, e cila po zhvillohet në një botë kur të gjithë menduan se paqja do të jetë e qëndrueshme me dekada. Dhe, ja që nuk ndodhi! Parashikimet e kahershme të strategjistëve u bënë realitet, me jehonën në sfond të krismave që dëgjohen në fushat pjellore të Ukrainës. Po të njëjtat krisma sot përsëri dëgjohen në të dy anët e lumit Dnjepër.

Gruri dhe elbi ukrainas tashmë është dëmtuar nga Rusia. Askush nuk ishte i sigurt deri në fund të muajit shkurt të 2022-ës se Moska një ditë do t’u kthehej ose jo politikave të vjetra leniniste-staliniste të shkatërrimit të popullit ukrainas, me një rrethim ushtarak të qyteteve për të shtuar vuajtjet e banorëve të uritur. Për më shumë, duhet pranuar se, në shumë mënyra, Ukraina është një krizë e Luftës së Ftohtë, e mbetur në mes Fuqive të Mëdha, që dolën fituese nga LDB-ja dhe e ndikuar nga vendimet e Konferencës së Teheranit (1943).

Siç dihet, sulmi rus mbi Ukrainën i ndryshoi sjelljet e shteteve të Europës, të Ballkanit Perëndimor, të SHBA-së, të Turqisë dhe lirisht mund të themi se po bëhet një presion i fortë që të ndërrohet rendi liberal me në krye SHBA-në. Aktualisht, që nga koha e Luftës së Ftohtë, SHBA-ja tani përballet me një konflikt me dy fuqi të tjera deri diku të mëdha: Rusinë bërthamore të Putinit dhe Kinën e Xi -Jin pingut. Nga ana tjetër, përkundër pritjeve të mëdha se Rusia me agresionin mbi Ukrainën do të arrijë të pushtojë vendin për ca ditë, kjo gjë nuk ndodhi. Nga dështimi në strategji, Moska zyrtare filloi me shkatërrimin e qyteteve dhe sulmeve në objektet civile, njëjtë siç bëri në Çeçeni, Siri dhe, dikur, në Afganistan (1979-1989).

Në këtë konflikt të ri të dekadës, Uashingtoni zyrtar do të preferonte të fokusohej në trajtimin e ndikimit global të Pekinit, në vend që të hynte në një krizë të hapur nga Moska, e cila na kujton gjithnjë raportet e Fuqive të Mëdha para Luftës së Parë Botërore, kur Gjermania dhe Rusia u përleshën në betejat e përgjakshme në lindje të Europës.

Jehona dhe reminishenca e Konferencës së Teheranit dhe Postdamit

Një rregull i vendosur në Versajë u rrënua shpejt me pushtimin e Polonisë nga Gjermania, në shtator të vitit 1939. Nuk pritej në atë kohë që përsëri Gjermania e Hitlerit dhe BRSS-ja e Stalinit të ndesheshin pas tre dekadave në betejën e përgjakshme të Stalingradit. Paqja e ftohtë ndërmjet Ruzveltit, Çerçilit dhe Stalinit, e kuvenduar që më herët në Postdam, u manifestua në Jaltë me ndarjen e botës e cila shpërtheu në vitin 1948-49 me Krizën e Berlinit dhe ndërtimin e Murit të Berlinit në vitin 1961.

Tre dekada më pas, BRSS-ja u shpartallua duke u “ringjallur” me ardhjen në pushtet të presidentit Vlladimir Putin, i cili duke i shfrytëzuar metodat e vjetra të zbulimit, shpalljes luftë të kundërshtarëve dhe përdorimin e armatimit rus, e ngriti Rusinë në një shkallë të kundërshtimeve me fqinjët, Britaninë e Madhe dhe SHBA-në.

Zgjerimi i NATO-s me anëtarë nga ish blloku i Varshavës dhe përpjekjet për vendosjen e një kufiri të ri ndarës ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë në Ukrainë, nuk janë gjë tjetër, veçse një ndarje re e botës, ku nga njëra anë janë rreshtuar shtetet demokratike, ndërsa në anën tjetër janë ato autokratike. Përkundër rreshtimeve të reja, asgjë nuk ka ndryshuar rreth qëndrimeve të Fuqive të Mëdha se ku duhet të jetë vendi i Ukrainës në çështjet botërore, në raport me Rusinë, BE-në dhe reflektimin e luftës në Ballkan.

Gjatë vitit 1904, kur u përleshën dy perandoritë, ajo ruse dhe japoneze, gjeografi Mackinder po atë vit shkroi se “strumbullari mbi të cilin mbështetet fati i gjeopolitikës botërore është “Heartland-i”. Ku është vendi ku sot gjendet Ukraina – një shtet që historikisht ka qenë një si një “tampon zonë”. Fati historik i kombeve ndonjëherë është i vendosur nga pozicioni gjeografik. Dhe, këtu Ukraina dhe shumë shtete të tjera janë të destinuara të balancojnë mes Fuqive të Mëdha ose, më e keqja, të shkatërrohen. Mackinder-i më tej e parashikoi LDB-në dhe Luftën e Ftohtë. Drama gjeopolitike nuk përfundoi me humbjen e Gjermanisë në LPB. As Republika e Vajmarit nuk arriti ta shpëtojë Europën dhe me këtë dështuan një pas një të gjitha shtetet e Europës së post-Versajës. Ndërkaq Gjermania më tej, me konceptin e vjetër të hapësirës dhe territorit, arriti ta pushtojë pothuajse gjithë Europën, e që përfundoi me një luftë të përgjithshme dhe humbje të mëdha njerëzore.

Aleancat e ardhshme në Europën Qendrore dhe Ballkanin Perëndimor

Këtë luftë duhet parandaluar të shtrihet më tej. Fatin e kanë në dorë demokracitë e reja dhe të vjetrat. Fati i Europës Qendrore, por edhe i BE-së bashkë me Ballkanin, qëndron në ruajtjen e koalicionit antrus. Në sferën globale, SHBA-ja është kontrolluesi i “ishujve”, ndërsa në zemër me Ukrainën, po qe se do të vazhdojë të qëndrojë e bashkuar dhe jashtë pazareve të ndarjeve, pozicioni amerikan do të forcohet dhe Rusia do të pësojë rënie. Nëse Ukraina në të ardhmen do të ketë pozicion neutral ose e ndarë në dy pjesë, përsëri SHBA-ja në dekadat që vijnë do të jetë fuqi botërore dhe kryesore në Europë. Këtu pa dyshim rol kryesorë do të luajnë Polonia, Turqia dhe Shqipëria, bashkë me shtetet satelite, si Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

Marrë në përgjithësi, SHBA-ja dhe aleatët e saj qëndrojnë në zemër të kontinentit euro-aziatik, e disa në periferi të “ishujve”. Ky pozicion gjeografik paraqet një epërsi për demokracitë e vjetra dhe të rejat, por edhe një gjendje konflikti të përhershëm të Fuqive të Mëdha qoftë në raport me Ukrainën dhe shtetet që janë gjeografikisht rreth kontinenteve.

Për sa i përket rajonit të Ballkanit dhe reagimeve qeveritare, vetëm Serbia ka vazhduar të jetë në anën e kundërt të historisë, ta mbështesë Rusinë dhe, çuditërisht, kjo po kalon lehtë para syve të BE-së dhe SHBA-së. Serbia po trajtohet si fëmijë dhe po ky fëmijë i lazdruar mund të jetë një barut i thatë për “proxy” konflikte tani dhe në të ardhmen. Kur jemi tek e ardhmja e Europës dhe e shqiptarëve në Ballkan, nga teoritë e lartpërmendura mund të jetë përafërsisht e parashikueshme se ku do të jetë Ukraina, popujt e rajonit dhe si SHBA-ja, bashkë me forcat tjera rajonale, do të rigrupohen pas një marrëveshje me Rusinë.

Shqiptarët në Ballkan janë bashkuar me botën demokratike, që po e kundërshton Rusinë në Ukrainë. Megjithatë, buxhetet kombëtare për shpenzime ushtarake janë të vogla në krahasim me Serbinë. Vetëm një anëtarësim i shpejtë në NATO i shteteve jashtë aleancës do ta forconte krahun jugor të saj, duke ia mbyllur të gjitha hyrje-daljet Rusisë. Veçse këtu kemi një dilemë të përhershme: nëse izolimi i tërësishëm i Rusisë do të ishte në dobi të paqes apo ndarjes së Europës në blloqe të reja? Deri atëherë të shpresojmë për ndryshim të regjimit në Rusi dhe kthim të një Rusie me të vërtetë të lirë. Me ndërrimet e mundshme në Rusi apo jo, do të duhet që edhe klasa politike shqiptare në Ballkan të përgatitet për të gjitha sfidat. Në fund, gjithnjë e më shumë po shtohen zërat se në rast të përdorimit të armëve kimike nga Rusia, a duhet të intervenojë NATO-ja në Ukrainë. Kjo quhet si “vija e kuqe” për Moskën, të cilën ajo nuk duhet ta shkelë. Ndërkaq për koalicionin global antirus mbetet që t’i mbajë premtimet dhe t’i qëndrojë afër Ukrainës dhe të tjerëve. Nëse armët kimike, biologjike dhe, së fundi, kërcënimet me armë bërthamore, do të përdoren nga ushtria ruse, SHBA-ja dhe shtetet e koalicionit kundër Rusisë të veprojnë tani para se të jetë vonë. Dhe, që një ditë Linda e moshuar ta vizitojë vendlindjen e të parëve, ashtu siç kishte dëshirë ta vizitonte Lvivin këtë vit, por ëndrra u ndërpre nga raketat e ushtrisë së Putinit.


Spread the love


Leave a Reply