Ripozicionimi i qëndrimit të SHBA-ve ndaj Kosovës

Spread the love

Dhjetëditëshin e fundit e kanë karakterizuar katër ngjarje me peshë për Europën dhe natyrisht edhe për rrjdhën e zhvillimeve politike në Kosovë dhe rajon.

1.
Takimi i OSBE-së në Varshavë

Takimi i OSBE-së në Varshavë, respektivisht fillimi i tij, shenjon ripozicionimin e organizatës më të madhe ndërkombëtare të sigurisë. OSBE-ja aktualisht kryesohet nga Polonia. Për këtë takim Varshava me kohë kishte marrë qëndrimin e prerë: nuk duhej t’i jepte vizë ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov. Ky akt shënon jo vetëm ripoziconimin e vet Polonisë në raportet Perendim-Lindje, por si ngjarje dëshmon se, Rusia dhe Perëndimi tashmë janë barrikaduar përballë njëri-tjetrit dhe se Moska po kthehet tërësisht në Lindjen gjeopolitike.
A do ta shoqërojë Serbia Rusinë në këtë marsh gjeopolitik, mbetet të shihet në ditët në vijim? 
Nëse tashmë është e qartë se të gjitha strategjitë e hartuara dhe aplikuara nga ana e Shteteve të Bashkuara, “synonin të përdornin metodat e tyre për ta mbajtur Rusinë përballë Perëndimit dhe për ta bërë atë të varur prej 
tij,”[1] duke gjykuar se në një fazë të atyre proceseve, në çastin e duhur, ta vendosin Rusinë nën kontrollin e SHBA-ve përgjithmonë dhe nën rregullat e veta, kjo nuk mund të thuhet për Serbinë dhe pozicionimin definitiv të saj.
Megjithatë koha për ripozicionim të Serbisë po afrohet.

2.
Fjalimi i Presidentes së Komisionit Evropian

Fjalimi tronditës i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për konfiskimin e mundshëm të aseteve private dhe shtetërore ruse dhe dorëzimin e tyre në Ukrainë, si dhe për dëshirën për të krijuar një gjykatë speciale për krimet ruse në Ukrainë, bëri jehonë si një bombë me sahat në hapësirën politike dhe mediatike ruse.

3.
Vizita e Gabriel Escobar në Prishtinë

Vizita e të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Prishtinë dhe mesazhet që ai solli, qoftë në takimin zyrtar që kishte, qoftë përmes intervistës që i dha Radios Europa e Lirë (radio publike amerikane që financohet nga Kongresi i SHBA-ve), dëshmon për ripozicionim të qëndrimit të SHBAve ndaj Kosovës.

Në njërën prej pyetjeve të drejtpërdrejta të gazetares, e cila potencoi faktin se “Qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar tërësisht” planin Frëngo-Gjerman, megjithatë ajo ka pohuar se, ai plan, si i tillë, “përbën bazë të mirë për negociatat në të ardhmen”, nëdrkaq fokusi i Qeverisë së Kosovës, siç e përsëritë ajo, është që “njohja reciproke të jetë në qendër të marrëveshjes, derisa për Serbinë duket se është Asociacioni”. Çfarë duhet të ketë në qendër marrëveshja finale? Diplomati Gabriel Escobar përgjigjet shkurt dhe duke lënë mënjanë petkun diplomatik. “Në qendër duhet të jenë integrimet evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.”[2] 

Vazhdimi i përgjegjes së Eskobarit po në këtë pyetje, e bën edhe më të qartë arsyen përse ka ndodhur ky ripozicionim amerikan. 
 
Strategjia amerikane e aplikuar në raport me Rusinë, duket qartë, nuk vlenë edhe për Serbinë. Nëse SHBA-të dhe Perendimi, pajtohen me faktin e kthimit të Rusisë tërësisht në “Lindjen gjeopolitike”, këtë fakt nuk e pranojnë dot ende për Serbinë. Prandaj, duket se janë përcaktuar që Asociacionin për komunat me shumicë serbe ta përdorin urgjent si karrotën më të mirë të mundshme për Serbinë!
 Shih për këtë Eskobar nuk ngurron ta bëjë publik mesazhin që ua kishte përcjellë zyrtarëve të lartë të Republikës sonë gjatë kësaj “vizite pune rutinore”. 
Duket se pala amerikane, ka përmbysur rendin e temave që do të duhej të përfshiheshin në këtë fazë fnale të dialogut. Uashingtoni insiston që pala kosovare të bindet që “fillimisht të nisin me urgjencë diskutimet për normalizim” ndërkaq “deri në prill veçse t’i kemi të nisura diskutimet për Asociacionin”[3]. 
 Mund të tingëlloj ky mesazh si ultimatum, por me këtë gjuhë janë mësuar të flasin Perenditë, prandaj ajo duhet të kuptohet qartë. Këtë stil komunikimi të perendimve me vartësit e tyre sikur e bën edhe më të qartë fjalia në vazhdim:

“Më duhet të jem i qartë, ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë…”[4]
Mesazhi i fundit hedhë dritë edhe për arsyet reale përse dy drejtuesit e dy partive tona opozitare (PDK-së dhe LDK-së) kishin vajtur gjatë nëntorit në Uashington dhe kishin zgjatur vizitën për një javë të plotë.

A ishte ky qëndrimi i Presidentit Biden i shprehur në letrën që ai ia dërgoi vitin që lamë pas, konkretisht më 21 prill 2021 [5], presidentes së Republikës, Vjosa Osmani?

Në njërin nga paragrafët e letrës atbotë prsidenti amerikan Joe Biden, potenconte taksativisht: 
 “SHBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”.[6]
Është e qartë, pozicioni amerikan rreth përfundimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ka pësuar ndryshime, duke ju përafruar pozicionit frëng, që është më i afërt me atë serb. Bashkë pretendojnë t’i japin sërish “kohën e duhur” Serbisë për rishikim të politikave të saj ndaj Kosovës.

Ky ndryshim i madhë i qëndrimit politik të SHBA-ve ndaj Kosovës ka të bëjë, përveç me pragmatizmin politik tipik amerikan, edhe me qëndrimin e opozitës sonë dhe një pjese të mirë të të ashtuquajturës shoqëri civile në Prishtinë në raport me Asociacionin.

Në krejt këtë ripozicionim, është me rëndësi të jashtëzakonshme që plani frëngo-gjerman, natyrisht i tumirur nga amerikanët, tek flet për “marrëveshjet me karakter obligativ të Brukselit (fjala është para së gjithash për atë të prillit 2013 dhe gushtit të 2015-ës për Asociacionin, që më pas Parlamenti i pat ratifikuar me urgjencë të paparë!), i lë hapësirë palës kosovare për akomodim të modeleve egzistuese europiane! 
Nëdrkaq duke siguruar Kosovën, tok me Ballkanin Perendimor si tërësi, se mbetet “pjesë të komunitetit transatlantik”, Eskobar-i sikur betonon gjendjen reale politike që është një lloj relativizimi i“ndarjeve të brendshme” të mundshme që parasheh plani frëngo-gjerman në raport me vetëqeverisjen rajonale dhe pozicionin e minoritetit serb në Republikën tonë. “Ju, thjesht, nuk jeni pjesë e strukturave formale, por, në çdo mënyrë, ju konsiderojmë si partnerë të rëndësishëm dhe si anëtarë produktivë të komunitetit.”[7]

Përballja gjithësesi do të jetë ndryshe nga ajo e Nolit me falangat e Zogut në dhjetorin e 1924-ës. Fundja, jemi në kohë tjera. 
Partneriteti strategjik yni me SHBA-të, sidoqoftë, do të ruhet e kultivohet; është ekzistencial rrjedhimisht nuk do të vihet asesi në pikëpyetje.
A mjafton ky garancion që Kosova mos të rrëshqas drejt modelit të Bosnjës? Vështirë! Prandaj është momenti i fundit që t’i rikthehemi sërish vetëvetes duke mobilizuar forcat krijuese, pa cenuar interesat e partnerëve tanë.

4.
Aplikimi i natyrshëm i Kosovës për aderim në BE

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që u nënshkrua solemnisht sot në Prishitnë nga krerët e institucioneve të Republikës sonë, e që do t’ia dorëzojhet Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Pragë, është përgjigje e përkushtimit të qeverisë dhe popullit tonë për të qenë pjesë integrale Familjes Europiane, të cilës de fakto i takojmë, por edhe pjesë e Aleancës Transatlantike edhe në rrafshin formal.

Kjo marrëveshje duhet shikuar ashtu si edhe është: produkt iaspiratave të popullit tonë për kthim në civilizimin tonë, po aq sa edhe vullnet politik për funksionalizimin e Republikës si gjakim brezash —  si shtet të së drejtës, ku do të garantohen liritë e qytetarëve, barazia dhe drejtësia, që janë bazamenti i kryevlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Europian.

Ky akt për Republikën tonë dhe qytetarët e saj, duke qenë në përputhje edhe me planin frëngo-gjerman që do t’jua lehtësojë pesëshes së BE-së të cilat nuk na ka njohur ede, të na njohin, e bën këtë veprim të krerëve të Republikës sot të cilësohet me plot gohjën si historik.
__________________________

  1. https://www.geopolitika.news/analize/pukotine-unutar-zapadnog-saveznistva-ratoborni-macron-pred-bidenom-stajao-podvijena-repa/
  2. https://www.evropaelire.org/a/gabriel-escobar-intervista-veriu-asociacioni-/32174891.html
  3. Po aty
  4. Po aty
  5. https://demokracia.com/kjo-eshte-letra-e-plote-qe-biden-ia-dergoi-osmanit/
  6. https://www.evropaelire.org/a/gabriel-escobar-intervista-veriu-asociacioni-/32174891.html
  7. Po aty


Spread the love


Leave a Reply