Rrethi vicioz i imazhit politik të BE-së dhe Ballkani

Spread the love

Krijimi i Republikës së dytë shqiptare nuk ishte vullnet politik i shqiptarëve, por vetë kompromisi.
Shqiptarët u pajtuan me këtë kompromis që ju sugjerua nga partnerët tanë strategjik perendimor. Me këtë fakt duhet të pajtohet ndërkohë edhe Beogradi.

Shkruan: Dr Sadri RAMABAJA

Sprova e re e Kremlinit për zbarkim drejt Europës (për herë të katërt në historinë moderne), përmes fillimit të luftës në Ukrainë, ka shenjuar shkëputje pothuajse të plotë të Rusisë nga Europa dhe anasjelltas. Kjo situatë e re gjeopolitike ndërkohë ka vënë në lëvizje fuqitë rajonale, para së gjithash Turqinë dhe BE-në, për të shenjuar e garantuar pozicionim më të qartë në Europën Juglindore, që aktualisht njihet me nocionin politik turk – si Ballkan.

Javën që shkoi një pjesë të Ballkanit e vizitoi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Përveç tij, Siujdhesa e dikurshme Ilirike priti edhe mënorë (mysafirë) tjerë të rangjeve të larta diplomatike e shtetërore eurpiane e perendimore përgjithësisht. Në Prishtinë dhe Beograd zbarkoi treshja e BE-s e kryesuar nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, tok me këshilltarët për politikën e jashtme dhe të sigurisë të Francës dhe Gjermanisë, Emanuel Bone dhe Jens Plëtner [Jens Plötner]. Këta dy të fundit vijnë për herë të parë në cilësi të re diplomatike, me intencë që ta forconë pozicionin e BE-së së tepërmi të dëmtuar. Dyshja e këshilltarëve që vijnë nga Franca dhe Gjermania janë si dëshmia shtesë se BE-ja vazhdon të jetë e interesuar ta mbyllë kapitullin e hapur të raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve, respektivisht Kosovës dhe Serbisë, duke ju imponuar Beogradit me një qasje të re. Siç duket Berlini dhe Parisi, pas gadi dy viteve të vendnumrimit nga dyshja Borrel-Lajçak, në dritën e interesave gjeopolitike për rajonin pas luftës në Ukrainë, pretendon t’i jap fund trajtimit të Kosovës si “konflikt i ngrirë” dhe garës ruso-turke për rikthim në Ballkan.

Të kujtojmë se Josep Borrell-i që nga 1 dhjetori 2019 është në pozicionin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian. Paraprakisht ishte Ministër i Jashtëm i Spanjës. Ai është politikan katalanas. Për shkak të pozicionimit kundër interesave të popullit të vet, ai mbetet i padëshirueshëm në Katalonin e tij, disi ngjashëm siç ishte Sinan Hasani, ish politikani kosovar që u ngritë në piramidën e pushtetit në ish Jugosllavisë duke u shndërruar në portparoll të interesave serbe.
Borell nëse në fillim bënte përpjekje për të ruajtur një lloj simetrie, së fundmi, fare shqeto, është pozicionuar në mbrojtje të interesave serbe.
Ngjashëm po profilohej gjatë gjithë procesit të dialogut edhe përfaqësuesi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. 

Nuk ishte e rastësishme që të dy diplomatët e BE-s që ishin ngarkuar me dialogun Kosovë-Serbi, vinin nga dy shtete anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Në një analizë të Cameron Mailhot-it, të  publikuar në Washington Post , e të cilës i paraprinë një anketë e zhvilluar së fundmi, vihet në spikamë roli i jo i denjë i ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi.

Rezultatet e anketës flasin qartë se kosovarët sistematikisht nuk pajtohen me rolin e BE-së, si në terma relativë ashtu edhe në ata absolutë. Derisa 42 për qind e të anketuarve ishin të kënaqur me kontributin e BE-së për paqen dhe stabilitetin, 44 për qind ishin të pakënaqur. Kjo është në kontrast me mënyrën se si ata e shohin kontributin e NATO-s dhe OSBE-së – 94 për qind e të anketuarve ishin të kënaqur me përpjekjet e NATO-s, ndërsa 73 për qind ndiheshin të ngjashëm me përpjekjet e OSBE-së.

Vizita e javës që shkoi e treshes europiane mëton që ta korrigjojë këtë imazh të keq të BE-së.

Rrethi vicioz i imazhit politik jo të mirë të BE-së në raport me shqiptarët ka ardhur koha që të  mbyllet me njohjen e Republikës së Kosovës dhe pozicionim të qartë të Brukselit ndaj Serbisë.
Megjithatë ky intensifikim i aktivitetit diplomatik të Brukselit në Ballkan, vije edhe si rezultat i angazhimit në rritje të Rusisë për të provokuar frontin e dytë, në Ballkan, me idenë për të shpërqëndruar vëmendjen dhe angazhimin e Perendimit në Ukrainë. Me këtë ripozicionim dhe intensifikim angazhimesh  Brukseli dhe Perendimi përgjithësisht mëton të mbetet i përqëndruar që të ruajnë paqen dhe stabilitetin të paprekur nga influenca e luftës në Ukrainë. 

Perendimi tashmë e ka të qartë se lufta në Ukrainë mundet fare lehtë e shpejt të kalojë rubikonin e sferës së krizës së menaxhueshme në një luftë të pakontrollueshme, e me pasoja edhe për Europën dhe për botën, nëse ajo do të shtrihej edhe në Ballkan.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, ditë më parë gjatë vizitës që pati në Kremlin, për t’a dëshmuar besnikërinë serbe ndaj Putinit, i kujtoi Lavrovit se “Republika e Serbisë e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, nuk e harron vëllazërinë shekullore dhe se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk vendosi sanksione ndaj Federatës Ruse dhe nuk u bë pjesë e histerisë anti-ruse”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ministria që drejton Vulini.

Mesazhet që i janë përcjellë Aleksandar Vuçiq-it nga kjo vizitë pjesërisht i bëri të qarta vet presidenti serb përmes një deklarate që i dha mediave serbe një ditë para vizitës së treshes europiane në Prishtinë dhe Beograd. Ndërkaq shpërthimi I mllefit ndaj treshes europiane u shpërfaq në intervistën që i dha  Tanjug-ut pas takimit. Ai, jo pa arrogancë, tha se, “të premten në mbrëmje në bisedimet me negociatorët e Bashkimit Evropian në Beograd, ua kam pohuar në sy përfaqësuesve europianë se nuk do të ketë njohje të Kosovës”, transmeton agjencia e lajmeve Tanjug.

Më 24 gusht, media të ndryshme në Kroaci dhe rajon kishin publikuar lajmin se anëtari i Presidencës së BeH-së nga radhët e popullit serb, gjegjësisht lideri i Republikës Srpska, Milorad Dodik, paralajmëroi vizitën e tij në Moskë në shtator, si dhe një takim. me presidentin rus Vladimir Putin.
I pyetur nga mediat për axhendën e tij në Moskë, ai pohoi se do të bisedonte me Putinin për ndikimin e Perëndimit në Ballkan. Ndërkaq në qendër të bisedimeve do të jenë çështjet që kanë të bëjnë me energjisë dhe ekonomin, si dhe mbrojtjen e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila garanton mbijetesën e Republika Srpska-s.

Megjithatë, është e vështirë të thuhet se sa Kosova, Bosnja e Hercegovina, Republika Serbska dhe Ballkani në përgjithësi, janë tashmë shqetësimi kryesor i Rusisë dhe Putinit, tani kur ofenziva ukrainase për çlirimin e tokave të pushtuara po dëshmon sukseset e para. Në këto rrethana, kur Moska është plotësisht e fokusuar si ta përmbyllë luftën në Ukrainë dhe si të strukturoj e aranzhoj më së miri zhvendosjen e qendrës së gravitetit të interesave të saj nga Perëndimi në Lindje, hapja e një fronti të ri duket si një aventurë shtesë e papërballueshme.
Beogradi sa më shumë që afrohet D-line që i ka parashtruar delegacioni europian për pozicionim, do ta konstatojë më qartë se Evropa është shkëputur nga Rusia, po aq sa është shkëputur edhe Rusia nga Europa. Ky fakt flet qartë se Moska tashmë është pajtuar me situatën e re gjeopolitike. Serbia nuk mund të zhvendoset nga Europa Juglindore diku rrëzë Karpateve a Detit të Zi.
Serbia, po, në rrafshin e mendësisë politike, vazhdon të jetë krah Federatës Ruse, por gjeografikisht ajo mbetet pjesë e Europës, madje e rrethuar me shtete anëtare të NATOs. Nëse këtë fakt nuk e kishte të qartë më heret, ndërkohë, derisa në fillim të qershorit ju pamundësua vizita Ministrit të Jashtëm rus, Llavrov, në Beograd, e ka të qartë edhe këtë pozicion gjeopolitik.
I mbetet Beogradit të marrë vendimin përkatës strategjik për rirreshtimin e imponuar nga lufta në Ukrainë, po aq sa edhe për njohjen e realitetit të ri politik të krijuar pas kapitullimit të ushtrisë serbe më 10 qershor 1999. Ky kapitullim i ushtrisë serbe i hapi rrugë korrigjimit të pjesshëm të padrejtësisë që i ishte bër kombit shqiptar në fillim të shek. 20-të. Ndërkaq çdo ndryshim krijon fitues dhe humbës. 
 Lufta e UÇK-së kishte qëllimin e qartë politik: çlirimin e Kosovës nga kolonalizmi serb. Ky qëllim sublim i hapte rrugë idealit për bashkim kombëtar.
Planifikimi strategjik që kishin bërë ca breza veprimtarësh, që do të kurorëzohej me krijimin e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK/LPK — 1982). Si LPK-ja edhe UÇK-ja që doli nga ajo, ishin produkt i të menduarit largpamës dhe sistematik, i planifikimit strategjik dhe përzgjedhjes optimale të kohës për aksione politike e ushtarake dhe përcaktimit të udhëzimeve për realizimin e tyre racional. 
Ndërkaq krijimi i Republikës së dytë shqiptare nuk ishte vullnet politik i shqiptarëve.
Shqiptarët u pajtuan me këtë kompromis që ju sugjerua nga partnerët tanë strategjik perendimor. 
Me këtë fakt duhet të pajtohet ndërkohë edhe Beogradi.


Spread the love


Leave a Reply