Rusia, Bosnja dhe gabimet e Perëndimit

Spread the love

Rusia, Bosnja dhe gabimet e Perëndimit

Nga Shaban Murati

Përbën një rast të paprecedent në praktikën diplomatike ndërkombëtare, që asnjë kryetar shteti apo kryeministër i shteteve të Ballkanit nuk është takuar aq shpesh me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, se sa presidenti i një njësie administrative serbe të Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik. Në 23 maj 2023 presidenti Putin e ka thirrrur Dodikun në Kremlin për bisedime, në një kohë që Dodik ka qenë te Putini në Rusi në qershor dhe në shtator të vitit 2022. Jo vetëm në Ballkan, por as në Europë, në Azi dhe në botë nuk ka një kryetar shteti që të jetë takuar me presidentin rus tre herë brenda 10 muajve. Është e qartë se kjo frekuencë takimesh e carit të Rusisë me një zyrtar të vockël të një entiteti të vockël, që është pjesë e një shteti të vogël ballkanik, nuk vjen as nga dashuria e Putinit për ushtarin Dodik dhe as nga servilizmi filorus i Dodikut.

Shpjegimi kësaj çudie protokollare dhe vëmendje të posaçme qendron te nevoja e madhe aktuale e politikës dhe e strategjisë ruse në Ballkanin Perëndimor. Përderisa presidenti i Rusisë së Madhe denjon të takojë një zyrtar lokal serb nga Ballkani Perëndimor më shumë se çdo kryetar shteti tjetër, në një kohë që Putin ka një mijë halle mbi kokë nga dështimi i deritanishëm i agresionit ushtarak rus në Ukrainë, don të thotë që një plan i madh po gatuhet për rajon tonë. Shtetet ballkanike dhe diplomacia europiane duhet ta konsiderojnë thirrjen e Dodikut në Kremlin si një sinjal paralajmërues për lëvizje të reja negative ruse në Ballkanin Perëndimor. Duhet të tërheqë vëmendjen fati që të tre takimet e njëpasnjëshme brenda dhjetë muajve të presidentit Putin me ushtarin Dodik përkojnë me nisjen dhe zhvillimin e agresionit rus në Ukrainë.

Rusia po has në vështirësi, humbje dhe goditje të paparashikuara prej saj në territorin ukrainas të pushtuar nga trupat ruse. Në shumë drejtime agresioni rus i Ukrainës po ndjek fatin e agresionit rus në Afganistan, ku Kremlini dështoi me turp. Kremlini është i ndërgjegjshëm se pa ndihmën kolosale financiare dhe ushtarake të NATO-s, të BE dhe të Perëndimit, situata ushtarake për Rusinë në Ukrainë do të ishte shumë më e favorëshme. Në këto rrethana të vështira të agresionit në Ukrainë, Rusia vlerëson si nevojë urgjente strategjike të saj që t’i hapë NATO-s dhe BE telashe dhe tensioni të mëdha në një front të dytë siç është Ballkani Perëndimor. Detonatori rus Dodik thirret në Moskë pikërisht në zbatim të planeve të reja të presidentit rus për strategjinë e hakmarrjes dhe të kompensimit të dështimit ukrainas, duke provokuar konflikte në Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërisht në Bosnjë-Hercegovinë, ku është më e lehtë të shkaktosh një luftë të re të armatosur ndërnacionale.

Kur Milorad Dodik njoftoi se do të shkojë në 23 maj në Kremlin për të takuar presidentin Putin, ai deklaroi me mburrje se “me presidentin Putin unë do të bisedoj çeshtje të rëndësishme gjeopolitike”. Përtej anës komike të pretendimit dhe mburravecërisë tipike ballkanike të fryrjes sikur është presidenti i Amerikës apo i Kinës, duhet parë në këtë përkufizim tematik sinjali i misionit të posaçëm të destabilizimit gjeopolitik, që ka marrë përsipër nën komandën ruse presidenti i të ashtuquajturës “serpska republika”. Duhet marrë si sinjal i një rreziku lufte në Bosnje-Hercegovinë dhe në Ballkanin Perëndimor. Një paralajmërim të madh e bëri në 10 prill 2023 ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Jushçenko, në një intervistë me agjencinë boshnjake “FENA: ”Nëse Ukraina nuk e ndalon Rusinë, e ka rradhën Bosnja”.

Rusia duket po përgatitet të provokojë shpërthime të reja dhe shkallëzime destabilizimi fizik në Bosnjë-Hercegovinë. Pjesë e këtij skenari janë edhe pretekstet, që po kërkon në planin konkret diplomatik. Jo rastësisht në 15 maj 2023 zëvendësministri i jashtëm rus, Aleksandër Grushko, doli me deklaratën që “Rusia kundërshton kategorikisht hyrjen e Bosnje-Hercegovinës në NATO”. Është e habitëshme një deklaratë e tillë zyrtare ruse, në një kohë që nuk ka asnjë lëvizje të re, asnjë hap të ri dhe asnjë akt të ri, që të japë ndonjë shenjë të avancimit të Bosnje-Hercegovinës drejt anëtarësimit në NATO. Dihet nga të gjithë se e ashtuquajtura “serpska republika” e Dodikut është blloku i pakapërxyeshëm i çdo avancimi dhe anëtarësimi atlantik të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Pa konsensusin e “serpska republikës” Sarajeva nuk mund të hyjë kurrë në NATO. Dodik e ka deklaruar dhjetra herë se “serpska republika” nuk do të lejojë anëtarësimin e Bosnjë-Hercegovinës në NATO.

Atëhere përse zëvendës shefi i diplomacisë ruse ngren një alarm fals dhe kërcënon Bosnje-Hercegoviën për anëtarësimin e mundshëm në NATO? Alarmi fals i Moskës për anëtarësimin e Bosnjë-Hercegovins në NATO i intereson Kremlinit për të sajuar një pretekst për ndezjen e një konfikti të ri të armatosur dhe për ndërhyrjen e Rusisë me trupa direkt në Bosnje-Hercegovinë. Nuk duhet përjashtuar që një eventualitet të tillë Dodik dhe “serpska republika mund ta krijojnë duke i bërë thirrje Kremlinit për ndihmë ushtarake. Preteksti i rrezikut nga NATO-s si justifikim i agresionit, justifikim i përdorur nga Rusia për agresionin e saj ushtarak në Ukrainë, duket po përgatitet të përdoret edhe për Bosnjë-Hercegovninën. Ndaj po pompohet alarmi fals i anëtarësimit të Bosnje-Hercegovinës në NATO. Në këtë linjë në 18 mars 2023 ambasadori rus në Sarajevë e kërcënoi Bosnje- Hercegovinën se “Rusia do të reagojë nëse Bosnje-Hercegovina ndërmerr hapa drejt bashkimit me NATO-n dhe do ta konsiderojë këtë një akt armiqësor”.

Moska po shpik rrezikun e saj imagjinar të anëtarësimit të Sarajevës në NATO, sepse i duhet preteksti i një forme më dinake të ndërhyrjes në atë shtet dhe për ta hedhur atë shtet në luftë. Detonatori i hedhjes në erë të shtetit të Bosnje-Hercegovinës është kryefashisti Dodik dhe e ashtuquajtura “serpska republika”.

Vëmendje të veçantë meriton fakti që zëvendësminstri i jashtëm rus Grushko del për herë të parë me qendrimin se Rusia është edhe kundër anëtarësimit të Bosnje-Hercegovinës në BE. “Përpjekjet për ta tërhequr Bosnjë-Herecgovinën në BE dhe në NATO krijojnë rreziqe të reja në Ballkan dhe janë të papranueshme për Rusinë”-deklaroi numuri 2 i diplomacisë ruse. Qendrimi i ri i Moskës kundër anëtarësimit në BE është një zhvillim i ri agresiv i politikës ruse në Bosnje-Hercegovinë dhe në Ballkanin Perëndimor. Moska afishon kështu se është angazhuar për ndalimin e zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor dhe hap fazën e një përplasje të re gjeopolitike në rajon jo vetëm me NATO-n, por edhe me BE-në. Kjo duhet konsideruar një mesazh kërcënues jo vetëm në drejtim të Bosnje-Hercegovinës, por për te gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilët po presin para derës së hyrjes në BE. Duhet pasur parasysh se qendrimi i ri agresiv i Moskës kundër anëtarësimit ballkanoperendimor në BE vjen menjëherë pasi Bosnje-Hercegovina mori në dhjetor 2022 statusin e shtetit kandidat për në BE. Pesë nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor janë tani shtete kandidate për anëtarësim në BE. Rusia kërkon ta bllokojë këtë ecuri dhe e çfaq në fillim dhe publikisht për Bosnje-Hercegovinën, sepse atje e ka edhe ushtarin kamikaze të sabotimit të integrimit euroatlantik, Dodik, i cili ka deklaruar se “serpska republika” nuk ka nevojë për BE-në”.

Duke instrumentalizuar për këtë qëllim “serpska republikën” kundër integrimit euroatlantik, strategjia e Moskës synon më gjërë në planin rajonal, sepse përveç Bosnje-Hercegovinës, Serbia dhe “serpska republika” mund të provokojnë destabilizime antieuropiane edhe në Mal të Zi, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Fillimi i zjarrit rus në Ballkanin Perëndimor planifikohet me Bosnje-Hercegovinën. Për këtë Moskës i duhet dhe e jep një rol të rëndësishëm diversionist ballkanoperëndimor kryefashistit serb Dodik, i cili është gati që me urdhër të Kremlinit t’i verë zjarrin shtetit të Bosnje-Hercegovinës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor. Nuk qe e rastit që Dodik, sapo Rusia shpërtheu agresionin ushtarak në Ukrainë, jo vetëm e përkrahu agresionin rus, por nisi operacionin konkret juridiko-administrativ të prishjes së shtetit të Bosnje-Hercegovinës dhe të shkëputjes së “serpska republikës” nga shteti unik. Eshtë e qartë se një shtet disfunksional, ku entiteti separatist serb synon ta prishë shtetin e përbashkët, nuk mund të pranohet as në NATO dhe as në BE. Kjo është pikërisht strategjia ballkanike e Rusisë.

Presidenti rus Putin po luan shahun e tij strategjik në Ballkanin Perëndimor, duke përdorur detonatorin rus Dodik për të shpërthyer konflkte në rajon. Nuk e di se kur do të kullohet diplomacia europiane dhe perëndimore se dy detonatorët kryesorë dhe të vetëm të strategjisë ruse në Ballkanin Perëndimor janë të dy serbë, presidenti i Serbisë Vuçiç dhe presidenti i “serpska republikës” Dodik. Nuk është e qartë përse nuk i bën përshtypje diplomacisë së BE fakti tronditës që qysh nga nisja e agresionit ushtarak rus në Ukrainë president serb Vuçiç katër herë ka provokuar dhe kërcënuar me luftë Kosovën. Luftrat në Ballkanin Perëndimor i interesojnë vetëm Rusisë. Edhe veprimtaria separatiste dhe e ndezjes së konfliktit, që po ndjek Dodik dhe “serpska republika”, kanë në prapaskenë koordinimin dhe mbështetjen e fuqishme të Serbisë dhe të dyja bashkë i shërbejnë Rusisë. Në këtë optikë dhe në funksion të këtij misioni duhen parë dhe ”bisedimet e rëndësishme gjeopolitike” të Dodikut me presidentin rus Putin dhe roli tij i posaçem rus.

Këto elemente dhe zhvillime negative po çfaqen para syve të diplomacisë perëndimore. Ai stanjacion dhe disfunksionalitet që ndodh në Bosnje-Hercegovinë, ai agresivitet fashist i “serpska republikës” dhe krerëve të saj separatistë, që zgjasin prej 28 vitesh nga mbarimi i luftës në Bosnje dhe nga nënshkrimi i marrrëveshjes së Dejtonit, nuk përjashtojnë fajin dhe mëkatet e diplomacisë perëndimore. Ka një linjë tolerante të pashpjegueshme të diplomacisë perëndimore si ndaj presidentit ultranacionalist të Serbisë Vuçiç, ashtu dhe ndaj presidentit të të ashtuquajturës “serpska republika”.

Gabimi i parë është mungesa kohezionit diplomatik perëndimor dhe mungesa e vendosmërisë për ushtrimin e presionit mbi faktorët destabilizues ballkanikë si Vuçiç dhe Dodik. SHBA dhe Britania e Madhe e kanë shpallur non grata dhe e kanë nën sanksione Dodikun. Britania e Madhe ka vendosur nën sanksione edhe përfaqësuesen e “serpska republikës” në presidencën e shtetit, Zhelka Cvijanoviç. Por BE nuk ka vendosur sanksione për ta dhe i ka kursyer. BE dhe përfaqësues të lartë të saj kane qenë super tolerantë, madje disa si komisioneri i lartë për zgjerimin, hungarezi Varhelyi, kanë bërë pazare të fshehta antikushtetuese me Dodikun. Kryeministri hungarez Viktor Orban, i një shteti anëtar të BE dhe të NATO-s, në shtator 2022 i jep publikisht përkrahje direkte Dodikut për t’u zgjedhur president dhe të ashtuquajturën “serpska republika“ e cilëson “fqinjë nderi”, sikur ajo është shtet.

Indulgjencat dhe letargjia e e diplomacisë perëndimore kanë krijuar klimë inkurajuese për politikat destruktive dhe intransigjente nacionaliste të Vuçiçit dhe të Dodikut. Kjo vijë gabuar diplomatike perëndimore, që përdor si alibi tezën se me sjelljen tolerante ndaj Serbisë dhe ”serpska republikës” do të forcohen prirjet euroatlatike të tyre, jo vetëm nuk ka pasur efekt, por përkundrazi i ka shërbyer vetëm Rusisë dhe destabilizimit të gjendjes në Ballkanin Perëndimor. Kjo ka prodhuar situatën e padinjitetëshme për BE, kur presidenti serb Vuçiç po tallet çdo ditë me marrëveshjen europia të Ohrit të 18 marsit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe po i shkel me të dy këmbët nenet e saj dhe angazhimin ndërkombëtar për zbatimin e saj. Është për të ardhur keq që diplomacia europiane nuk ka nxjerrë mësime nga gabimet dhe mosveprimi i saj ndaj Serbisë agresore në luftrat jugosllave. Kjo politikë e gabuar europiane pati si pasojë që Rusia ka sot avantazhin të ketë në Ballkanin Perëndimor në shërbim të saj dy faktorë antiatlantikë dhe destabilizues si Serbia dhe “serpska republika”.

Ndaj toleranca dhe indulgjencat okulte diplomatike të BE dhe të NATO-s ndaj faktorit agresiv serb në Ballkanin Perëndimor mbeten një nga faqet më të errta të historisë moderne të diplomacisë perëndimore. [DITA/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply