“Rusia duhet dekolonizuar”, analiza e Bugajskit në DITA: Takimi i 23 korrikut në Pragë dhe “skenari jugosllav”

Spread the love

Rusia duhet dekolonizuar”, analiza e Bugajskit në DITA: Takimi i 23 korrikut në Pragë dhe “skenari jugosllav”

Nga  Janusz Bugajski

Një tubim i rëndësishëm i mbajtur në Pragë më 23 korrik nga aktivistët për pavarësi kombëtare prej Rusisë vuri në dukje dobësinë e Federatës Ruse. Forumi i Kombeve të Lira në Rusi bëri bashkë folës nga mbi njëzet kombe dhe rajone të ndryshme që kërkojnë pavarësinë prej shtetit të dështuar rus, përfshi Buriatët, Bashkirët, Tatarët, Çeçenët, Siberianët, Novgorodianët dhe Lindorët e Largët.

Për shekuj me radhë, pavarësisht ideologjisë, politikat e Moskës kanë qenë thelbësisht imperialiste. Presidenti Vladimir Putin ka deklaruar se shtetet jo sovrane janë koloni, duke përfshirë këtu republikat dhe rajonet e shumta të Rusisë. Pushtimi masiv i Ukrainës tregoi se Kremlini nuk i respekton kufijtë ndërkombëtarë të fqinjëve apo ndonjë prej traktateve ndërkombëtare që ndrydh ambiciet e tij. Sidoqoftë, kjo nënkupton se kufijtë ndërkombëtarë dhe të brendshëm të Rusisë tashmë janë, gjithashtu, të diskutueshëm.

Në librin tim të sapobotuar, Failed State: A Guide to Russia’s Rupture  (Shteti i dështuar: Udhëzues i shpërbërjes së Rusisë, sjell dëshmi se Federata Ruse nuk ka arritur të transformohet në një shtet kombëtar, një shtet civil, apo qoftë edhe në një shtet të qëndrueshëm perandorak. Dobësitë e shumta të Rusisë po thellohen nga një sërë faktorësh, duke përfshirë varësinë nga eksportet e karburanteve fosile, ekonominë në tkurrje me perspektivë të ulët rritjeje, si dhe intensifikimin e trazirave rajonale dhe etnike. Pushtimi i mirëfilltë i Ukrainës nga Rusia ka përshpejtuar procesin e shpërbërjes së shtetit, pasi ka dështuar të përmbushë qëllimet e Kremlinit dhe ka rezultuar në viktima të konsiderueshme në ushtri dhe në sanksione ndërkombëtare, që po e dëmtojnë atë gjithnjë e më shumë.

Ndonëse Kushtetuta e Rusisë e vitit 1993 e përkufizon vendin si federatë, në realitet ai është një ngrehinë e centralizuar neo-perandorake. Shteti artificial po i afrohet fundit të një cikli regjimi, në të cilin status quo politike po bëhet gjithnjë e më e lëkundur. Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, vendi nuk ka qenë përballë një numër krizash të njëkohshme kaq të mëdha, ku përfshihen paaftësia e qeverisë për të siguruar zhvillim ekonomik, rritja pabarazisë midis Moskës dhe rajoneve të tjera, thellimi i mosbesimit ndaj qeverisjes së Moskës dhe humbja e mundshme ushtarake në Ukrainë.

Federata Ruse është përballë një paradoksi ekzistencial. Pa pluralizëm politik, reforma ekonomike dhe autonomi rajonale, struktura federale do të bëhet gjithnjë e më pak e menaxhueshme. Megjithatë, edhe nëse reformat demokratike do të ndërmerreshin, disa prej rajoneve mund ta përdorin këtë mundësi për t’u shkëputur. Nëse reforma është sistematike, shanset për konflikte të dhunshme mund të zvogëlohen, ndërkohë, në rast se reformat bllokohen për një kohë të pacaktuar, mundësia e konflikteve të dhunshme do rritej ndjeshëm. Skenarë të ndryshëm të brendshëm do ta çonin vendin drejt copëtimit, si intensifikimi i luftës për pushtet brenda elitës, përshkallëzimi i konflikteve midis Kremlinit dhe qeverive rajonale, apo një rënie e kontrollit qendror në mjaft pjesë të vendit.

Lëvizjet drejt mëvetësisë të ndonjë prej 22 republikave etnike ka të ngjarë të provokojnë kërkesa për vetëvendosje edhe në mesin e disa rajoneve me shumicë etnike ruse. Kjo do ta dobësonte qendrën ndjeshëm dhe do t’i zvogëlonte gjasat për vijimësinë e një shteti autokratik.

Për qartësi, në fillim të viteve 1990, kur Bashkimi Sovjetik filloi të shpërbëhej, 40% e rajoneve me shumicë dominuese etnike ruse bënë presion për autonomi të shtuar, madje shkuan drejt (kërkesës për) sovranitet të ngjashëm me atë të republikave etnike. Lëvizjet separatiste shpesh fillojnë me kërkesa për decentralizim ekonomik dhe, më pas, përshkallëzohen, si përgjigje ndaj veprimtarisë së qeverisë qendrore dhe aspiratave të shtuara të elitës dhe popullit.

Mbijetesa e regjimit nën sundimin e Putinit dhe pajtimi i popullit me të bazohet në një politikë të jashtme agresive, revizionizëm territorial, militarizëm dhe propagandë antiperëndimore. Një vonesë ose ngecje e gjatë në Ukrainë, çfarë do të thotë edhe viktima të konsiderueshme, do të ngjallë kundërshtinë ndaj politikave të Putinit; do të nxisë luftën për pushtet për zëvendësimin e tij; dhe do të stimulojë revolta popullore kundër një lidershipi të diskredituar. Sipas agjencive perëndimore të inteligjencës, mbi 75,000 trupa ruse janë vrarë ose janë bërë paaftë, deri më tani, në Ukrainë.

Kërkesat etnike dhe rajonale do të nxiten nga grumbullimi i pakënaqësisë, prej rritjes së thellë të nivelit të varfërisë, rënies së subvencioneve financiare federale, përkeqësimit të infrastrukturës lokale, mungesës së mbrojtjes së mjedisit, kolapsit në shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe korrupsionit zyrtar galopant. Kështu Moska do të perceptohet, gjithnjë e më shumë, si metropoli i shfytëzimit kolonial.

Pjesa më e madhe e Federatës Ruse mund të përballet me “skenarin jugosllav” në shkallë të gjerë, me luftë të drejtpërdrejtë midis qendrës dhe disa prej republikave dhe rajoneve. Moska mund të imitojë Serbinë e viteve 1990 dhe të mobilizojë rusët etnikë që të krijojnë rajone etnikisht homogjene ndër republikat rebele, ndërsa popullsia jo-ruse vritet e terrorizohet. Por kjo nuk do të ndalojë shpërbërjen e shtetit.

Ndërsa Rusia po shkon drejt krizës, NATO është, po ashtu, përballë një sfide urgjente për menaxhimin e ndikimit rajonal të trazirave brenda Rusisë, prej rënies ekonomike dhe humbjes së mundshme ushtarake në Ukrainë. Teksa Rusia merr rrugën drejt shpërbërjes, NATO-s do i duhet të njohë sovranitetin e republikave dhe rajoneve që duan të shkëputen prej saj, të zhvillojnë lidhjet me shtetet që do formohen dhe të koordinohet ngushtë me të gjitha vendet fqinje të Rusisë, nga Finlanda në Japoni, të cilat do të preken drejtpërdrejt nga trazirat e brenda saj. [DITA] 


Spread the love


Leave a Reply