Rusia përjashton luftën totale në Evropë, por jo edhe pushtimin e Ukrainës

Spread the love

Negociatat po vazhdojnë të ushqejnë shpresën për parandalimin e luftës në Ukrainë. Këshilli NATO-Rusi po takohet gjithashtu për herë të parë pas më shumë se dy vjetësh. Bëhet fjalë për sigurinë e Evropës.

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Zëvendësministri i Jashtëm dhe kryenegociatori rus me Shtetet e Bashkuara për sigurinë e ndërsjellë strategjike Sergei Ryabkov, të mërkurën që lamë pas, duke folur në Klubin Ndërkombëtar të Debatit, Valdai, shprehu besimin e tij se lufta totale në Evropë apo kudo tjetër tani është e pamundur.

Ai siguron popujt e Europës se nuk do të kemi të bëjmë asesi me luftë totale, por lë në heshtje mundësinë e luftrave lokale që parashihte në doktrinën e tij Gerasimov, kur bënte fjalë për mbrojtjen dhe sigurimin e interesave jetike ruse.

Ryabkov si për ta vënë në gjumë Perendimin, pohoj me këtë rast se, Rusia nuk po planifikuaka të ndërmarrë asnjë veprim agresiv kundër vendeve të tjera, përfshirë Ukrainën, ndërkaq marshin ushtarak të mijëra trupave ruse (127.000) drejt kufijve të Ukrainës, e cilëson si “lëvizje të rregullta ushtarake në territorin e saj”. [1]

Por ky zyrtar i larët rus nuk harron të kujtoj me këtë rast se, parandalimi i aderimit të Ukrainës në NATO mbetet në qendër të interesave të sigurisë së Rusisë dhe se Moska do të bëjë gjithçka që është e mundur brenda diplomacisë për të “përmbysur këtë situatë”, citon RIA Novosti të ketë thënë Ryabkov. Ky është pikërisht qëllimi i propozimit që Moska i bëri Uashingtonit në Gjenevë javën e kaluar, vazhdon ai.

Ryabkov theksoi se Moska ende nuk ka marrë përgjigje me shkrim për pyetjet e saj për garancitë e sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO, por se pret që dialogu të vazhdojë.

Por me këtë rast ai nuk ngurroj ta shpreh padurimin rus në raport me sjelljet e Perendimit, duke futur në mes rreshtash, në deklaratën e tij, ngjyresat e një lloj ultimatumi të nënkuptueshëm.

“Ne nuk jemi gati të presim pafundësisht, nuk jemi gati të zhytemi në trazirat e zakonshme diplomatike dhe burokratike, se cilat formate janë optimale për këtë. Ne kemi nevojë për një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe të kuptueshme, me shkrim”, tha një diplomat i lartë rus.

Ai shtoi se Rusia ka nevojë për garanci ligjore detyruese se Ukraina dhe Gjeorgjia nuk do të bëhen anëtarë të NATO-s.

Këto deklarata të Zëvendësministrit të Jashtëm dhe kryenegociatorit rus me Shtetet e Bashkuara për sigurinë e ndërsjellë strategjike, Sergei Ryabkov, duket se janë ngjizur në thellësi të shekujve edhe si rezultat i përvojës historike ruse.

Mediat perëndimore i cilësojnë veprimet e Putinit kundër Ukrainës “një tringëllimë e pamend earmëve”, shkruante britanikja The Spectator javën e kaluar. Autori i tekstit, Tim Marshall, thekson se arsyet e grumbullimit të forcave ruse janë produkt i frikës dhe kujtimeve të luftërave të përjetuara në të kaluarën. Në mendjen ruse, shkruan ai, sulmet shekullore të përgjakshme ndaj vendit të tyre nga Perëndimi, nuk mund të fshihen nga disa dekada paqësore.[2]

Kur Vladimir Putin-i e pat cilësuar rënien e Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit”, ai de fakto kishte paralajmruar objektivin strategjik për korrigjimin e pritshëm të atij dështimi. Tim Marshall pohon se Putini mund të mos jetë i interesuar të rikrijojë perandorinë sovjetike, e cila u shemb saktësisht 30 vjet më parë, por ai beson se Putini dëshiron të kompensojë humbjet që Rusia ka pësuar që nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe të zgjerojë sferën e saj të ndikimit, duke ndërtuar një zonë tampon rreth Federatës Ruse.

Këtë projekt ambicioz Putini po e realizon hap pas hapi. Pushtimi i Krimesë (2014) ishte hapi i parë më i rëndësishëm që i parapriu lëvizjes së ushtrisë në dhjetorin e vitit që lamë pas.

A jemi në prag të një rikorigjimi të pjesshëm të asaj “katastrofe gjeopolitike të shekullit” që pësoi ish BRSS-ja në përfundim të Luftës ës Ftohtë? Gjasat janë se po. Pasi tanket ruse do të “hyjnë në Kiev brenda një dite”, thotë një bashkëpunëtor i lartë i institutit britanik, gjë që mund të ndodhë në rast lufte, “në aspektin politik, ngjarja do të shkaktojë shumë zhurmë dhe dënime, por nuk priten tërmete të mëdha”. [Po aty]

Rusia aktualisht ka rreth 127,000 trupa në kufirin me Ukrainën, sipas Intelegjencës ushtarake ukrainase dhe burimeve perëndimore. Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë vlerësuar se Kremlini ka hartuar plane për një operacion ushtarak që përfshin deri në 175,000 trupa që mund të fillojë në javët e ardhshme.

Krejt çfarë pritet si reagim nga Perendimi pas një aksioni të tillë blic rus, janë ca masa në lëmin e ekonomisë. Le të kujtojmë se me rastin e pushtimit të Krimesë, Rusia qe përjashtuar nga G8 dhe nga pjesëmarrja në Këshillin e Evropës. Kaq! Këto masa të ashpra “nuk ia vlenin asnjë kokërr rërë nga plazhet e Krimesë”, shprehet Tim Marshall në analizën e tij në fjalë.

Me interes të posaçm për ne është pohimi i Tim Marshallit se, Putini besohet të ketë qenë një nga skifterët e politikës së jashtme gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, duke e bindur presidentin e atëhershëm rus Boris Jelcin të dërgonte një kolonë automjetesh të blinduara në aeroportin e Prishtinës përpara se të arrinin forcat e NATO-s. Kjo ishte një pikë kthese, beson autori, dhe aleanca e NATO-s mori një sinjal: “Kufiri është këtu, nuk ka më tej”. [Po aty]

Duket se edhe vizita e amabasadorit rus në kazermën serbe afër kufirit në veriun e Kosovës në shtatorin e kaluar, i rikujtoi Perednimit po të njejtin sinjal, që nënkupton gjakimin e Moskës dhe Beogradit për bartjen e kufirit tek Ura e Ibrit. 

Rusët në këtë betejë për korrigjimin e “katastrofës gjeopolitike” duan ta sigurojnë një qeveri pro-Moskës jo vetëm në Ukrainë, siç e siguruan një qeveri të kësaj natyre në Podgoricë përmes klerofashizmit serb (2020), por të tilla t’i mbajnë tutje si në Banjallukë edhe në Beograd.

Prandaj, ngjashëm, siç kishte vepruar Putini, kur grushti i shtetit ndodhi në Ukrainë, duke inicuar një kryengritje në Donbas dhe duke aneksuar ndërkohë Krimenë, ai po pretendon të reprizojë ngjarjet e Donbasit në Bosnjë, në Veriun e Kosovës dhe Sangjak, por edhe për ndarjen de fakto dhe de jure të Bosnjës e Hercegovinës (aneksimin e Republikës Srbska — Serbisë), mundësisht duke u akorduar në tavolinën e diplomacive, pa dhënë shkas për nj luftë totale në Europë!

Kolegu i Tim Marshall-it përtej Atlantikut, Alexander Markovsky, një këshilltar i lartë në Qendrën e Londrës për Kërkime Politike, i cili pikërëndesë të studimeve të tij ka sigurinë kombëtare, energjinë, rreziqet dhe çështje të tjera të politikave publike, në American Thinker shkruan se, pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe Paktit të Varshavës, NATO shkeli një marrëveshje gojore midis Sekretarit të Shtetit, James Baker dhe Ministrit të Jashtëm rus Eduard Shevardnadze dhe filloi një zgjerim në shkallë të gjerë në lindje. [3]

Në këtë tekst relativisht të gjatë, ka diçka me shumë interes për të rikujtuar sot — pikërisht paralajmrimi pothuajse profetik i George Kennan-it . Në këtë analizë ai kujton se më 5 shkurt 1997, George Kennan, një diplomat amerikan dhe autor i koncepteve dhe politikave të “mirëmbajtjes së Luftës së Ftohtë”, paralajmëroi në New York Times për rreziqet e një politike të zgjerimit të NATOs:

“… Zgjerimi i NATO-s do të jetë gabimi më fatal i politikës amerikane gjatë periudhës së pas Luftës së Ftohtë… Një vendim i tillë mund të pritet të forcojë tendencat nacionaliste, antiperëndimore dhe militariste në opinionin publik rus; do të ketë pasoja negative për zhvillimin e demokracisë në Rusi, do të ringjallë atmosferën e Luftës së Ftohtë në marrëdhëniet Lindje-Perëndim dhe do ta shtyjë politikën e jashtme të Rusisë në drejtime që nuk na pëlqejnë.”

Pse rikujtohen teza të kësaj natyre tashti, kur kanë rifilluar bisedimet e nivelit të lartë mes Moskës e Uashingtonit dhe kur ushtria ruse është dislokuar pranë kufijve të Ukrainës dhe pret sinjalin për marrsh drejt Kievit?
Veprohet kështu meqë diplomacia ka dhënë tashmë sinjale për qëndrimin e tërhequr të Perendimit në rast aneksimi të Ukrainës nga ana e Federatës Ruse, apo për faktin se Perendimi nuk është në unison për një agjendë të qartë veprimi…?

Ngjarjet aktuale burojnë nga ky gabim “fatal”, thuhet në tekstin në fjalë dhe shtohet se Rusia e sotme është në gjendje t’i japë fund kësaj dhe se Putini ka vënë vijën e kuqe në të gjithë Ukrainën.

Ky është fundja edhe arsyetimi i Kremlinit.

Sidoqoftë, këto kalkulime analitike që publikohen në shtypin konservator (opozitar) në Uashington apo në Londër dhe jo vetëm, sikur sinjalizojnë për mundësinë reale të një marrëveshjeje të gjakuar nga që të dy qendrat — Uashingtoni dhe Moska. Këto tone sikur paralajmrojnë marrëveshjen për një lloj stabiliteti strategjik, qoftë edhe në dëm të Ukrainës. 

Mënyra dhe vet përmbajtja që ibën mbulimit nga pozicione krejt të kundërta të bisedimeve SHBA-Rusi në mediat ndërkombëtare, nga pozicione krejt të kundërta, duket të jetë treguesi më i mirë që dëshmon se diplomacia ende funksionon dhe koha për ta hedhur atë në koshin e plehrave nuk ka ardhur ende.

Perëndimi i sheh bisedimet kryesisht si një rrugë për de-përshkallëzimin e situatës jo vetëm rreth Ukrainës, ndërkohë që refuzon kërkesat e Rusisë për garanci sigurie për zgjerimin e NATO-s, për kufizime për vendosjen e raketave sulmuese në vendet fqinje me Rusinë dhe përgjithësisht reduktimin e infrastrukturës ushtarake të SHBA-së dhe NATO-s në Evropën Lindore. deri në nivelet e vitit 1997.

Nga ana tjetër, Rusia i sheh bisedimet në radhë të parë si negociata për këto garanci sigurie, ndërsa situata rreth Ukrainës është e rendit të dytë. Ajo duket se ia ka arritur objektivit të parë: rikthimit në tavolinën e diplomacisë si superfuqi e ringjallur.

Të gjitha vlerësimet realiste mbi gjendjen në Europën Lindore e atë Juglindore, flasin në favor të tezës se anëtarësimi në NATO për Ukrainën ose Gjeorgjinë nuk është në fare në agjendën e Perendimit. As SHBA dhe as Evropa nuk futen dot në një luftë të re për Ukrainën apo Gjeorgjinë, duke pasur parasysh se Rusia itrajton si vende që i përkasin zonës së influencës ruse dhe rrjedhimisht hyjnë në perimetrin e interesit jetik rus.

Strategjikisht, potencon politologu Gerhard Simon, ligjërues në Universitetin e Këlnit, Putini dëshiron të krijojë “një lloj toke të askujt” pikërisht në Ukrainën lindore. Kjo mund të minojë sovranitetin e Ukrainës dhe të ketë një levë për të destabilizuar përgjithmonë vendin.[4]

Kjo përplasje mes Perednimit dhe Rusisë gjithësesi na rikthen në epokën e filleve të Luftës së Ftohtë, kur po rikthehej në përdorim ushtarako-politik nocioni “sferë ndikimi” midis BRSS dhe Gjermanisë në Evropën Lindore, por edhe tek traktatet e para që përmendin termin “sferë ndikimi”, të nënshkruara midis Britanisë dhe Gjermanisë për ndarjen e Gjirit të Guinesë në vitet 1880.

A do të shpërbëhet tutje Ukraina dhe territoret e saj lindore do t’i aneksohen Rusisë? A do të ketë sanksione nga Perendimi kundër Rusisë pas operacioneve luftarake ushtarake? Apo ka gjasa të arrihen ujdi të pranueshme mes Perendimit e Rusisë, natyrisht qoftë edhe me çmimin që të dëmtohet Ukraina? Këto janë pyetje të cilave diplomacia sot nuk mund t’ju jap shpjegime definitive. Sidoqoftë, ajo, pra diplomacia, po vazhdon të dëshmohet si preventivë e domosdoshme kundër luftës.
__________________________________________

1. https://www.geopolitika.news/vijesti/rjabkov-nece-biti-totalnog-rata-u-europi/

2. https://www.spectator.co.uk/article/putin-s-ukraine-aggression-is-a-sign-of-weakness

3. https://www.americanthinker.com/articles/2021/12/ukraine_nato_and_the_most_fateful_error_of_american_policy.html.

4. https://www.deutschlandfunk.de/ukraine-konflikt-die-diplomatie-ist-in-der-falle-100.html


Spread the love


Leave a Reply