Sanksionet ndaj Rusisë – gjunjëzojnë Gjermanin

Spread the love

Thellimi i luftës ekonomike në relacionin Rusi-Perendim, po promovon një botë të ngrirë, që do të etablohet si një realitet ogurzi. Ky realitet është produkt i gjymtimit moral në kontekstin e gjeopolitikës që kishte aplikuar Europa e pas Luftës së Ftohtë në raport me Rusinë.

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Prishtinë,  12 korrik – Gjermania të hënën që lamë pas (më 11 korrik), mbylli gazsjellësin Nord Stream 1. Gazësjellësi, pohojnë zyrtarët gjerman, vete në remontin e rregullt –  për mirëmbajtjeje të planifikuar 10-ditore. Por, a do të riaktivizohet sërish pas dhjetë ditëve, apo përmes ndalimit të rrjedhës së gazit rus në këtë tubacion Rusia do të hyjë në një fazë të re të luftës ekonomike, askush nuk mund të flasë me siguri të plotë.

Tubacioni Nord Stream 1 i sjell ekonomisë perendimore 55 miliardë metra kub/vit. Ka kohë që ai është shndërruar në një komponentë qensore të ndërvarësisë energjetike të Gjermanisë – zemrës së ekonomisë dhe shtetit industrial – prodhues të BE-së – pas Luftës ës Ftohtë.

Si i tillë ky tubacion ka bërë ekonominë gjermane pothuajse tërësisht të varur nga vullneti politik rus, duke rrezikuar edhe sigurinë gjermane, dhe si rrjedhojë edhe të Europës, nënvizon gjeopolitologu i njohur Peter Zeihan, në kolumnen e tij të së hënës, më 11 korrik 2022.

Si përgjigje ndaj agresionit rus kundër Ukrainës, Evropa e sanksionojë Rusinë me  masa të rrepta ekonomike, që për objektiv kishin dobësimin e rëndë të ekonomisë ruse dhe ndalimin e luftës.

Sanksionet pretendohej ta shpjenin Rusinë në izolim financiar, të cilin gjykohej nga politika perendimore, Rusia nuk do të mund ta përballojë në afat të gjatë.

Megjithatë, siç dëshmoi koha, sanksionet patën edhe efektet anësore, si rritjen e shpejtë të çmimeve të energjisë (dhe rrjedhimisht edhe të ardhurave nga eksportet ruse), duke goditur tej mase konsumatorët evropianë.

Për ekspertët e fushës, ishte e qartë, madje që me fillimin e sanksioneve, natyrisht duke marrë në konsiderat faktin se Evropa është shumë e varur nga burimet energjetike ruse, se duke ndaluar menjëherë importet e naftës dhe gazit nga Rusia, mbi të gjitha Gjermania, do të rrezikonte nevojat bazë të ekonomisë së saj.

Në një intervistë dhënë Agjencisë Gjermane të Lajmeve, Klaus Ernst, deputeti i Bundestagut pohoi se, Gjermania është e varur nga gazi rus dhe se asnjë vend tjetër nuk mund ta zëvendësojë atë sasi në afat të shkurtër: “Ne jemi plotësisht në duart e Rusisë. Sanksionet e energjisë nuk dëmtuan Rusinë, por Gjermaninë. Ndalimi i karburantit do të rrezikonte industrinë”. Ai theksoi gjithashtu se ndërprerjet e furnizimit me gaz mund të shkaktojnë “dëm të pariparueshëm për industrinë gjermane” dhe se qeveria duhet të rinovojë dialogun me Rusinë.

Por ky politikan kontravers, nuk është i vetëm në radhët e së majtës gjermane (Die Linke) që angazhohet hapur për korrigjimin e qëndrimeve të Gjermanisë në raport me luftën në Ukrainë dhe sanksionet e Perendimit ndaj Rusisë. Ish-kryetarja e fraksionit të partisë, Dr Sahra Wagenknecht, gjithashtu shkroi në Twitter: “Lufta ekonomike po na shkatërron ne, jo Rusinë! Hiqni sanksionet, merrni gazin Nord Stream 2 nëse duhet!”, raporton Handesblatt.

Së fundmi, e përditshmja amerikane  Bloomberg njoftoi se asnjë nga planet urgjente që ka sjellë Berlini zyrtar me qëllim parandalimin e krizës për shkak të mungesës së gazit rus nuk do të ketë sukses dhe se Gjermania do të përballet me një dimër të ftohtë dhe me probleme të mëdha ekonomike dhe sociale.

Thellimi i luftës ekonomike mes Rusisë dhe Europës rrjedhimisht, paralajmrojnë edhe ekspertët e fushës, do ta gjunjëzojnë Gjermaninë, respektivisht do ta paraliojë industrinë europiane. Prandaj, çmimi i një embargoje të plotë do të ishte një recesion i thellë në Evropë dhe një rritje e re e inflacionit.

Këmbanat e alarmit në këtë plan, ka ditë që bien sidomos në Gjermani.

Ndryshimi i imponuar i kursit gjeopolitik

Në këtë kontekst, duhet të kemi parasysh se lufta ekonomike mes Evropës dhe Rusisë po zhvillohet në tre nivele: tregjet e energjisë, sektori financiar dhe opinioni publik.

Rrethanat gjeopolitike në të cilat u gjend Gjermania në prag të shpërthimit të luftës në Ukrainë, si dhe vet përbërja e qeverisë, (Të Gjelbërtit dhe FDP-ja që kundërshtonin edhe gjatë fushatës dhe kundërshtojnë edhe tashti fuqishëm gazsjellësin Nord Stream 2)  i bëjnë propozimet e politikanit Klaus Ernst dhe bashkëmendimtarëve të tij,  absolutisht të pa realizueshme.  

Në frontin e energjisë, siç dëshmoi kjo periudhë e mbajtjes në jetë të sanksioneve, Rusia i mban tutje kartat atu. Sidoqoftë, sanksionet ndërkombëtare e kanë detyruar Rusinë të kërkoj tregje të reja, qoftë edhe nën çmimin botëror të naftës. Por, nëse Perendimi u dëshmua se është i gatshëm të heqë dorë nga nafta e gasi rus, vendet tjera, me theks ato të Azisë, shfrytëzuan momentin duke nënshkruar kontrata me Moskën për plane afatgjata dhe me çmim të ulët.

Sipas vlerësimeve të Bloomberg, suficiti i tregtisë së jashtme të Rusisë për periudhën janar-prill 2022 parashihej të ishte rreth 90 miliardë dollarë, rreth katër herë më i madh se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky trend vazhdoi edhe në muajt pasues, deri në prag të shkuarjes në remont të  gazsjellësin Nord Stream 1.

Në këtë luftë të re ekonomike, dihej se e vetmja rrugëdalje për Evropën është të zvogëlojë varësinë e saj nga Rusia. Ndryshimi i këtij kursi gjeopolitik për Gjermanin duket se do të jetë katastrofal. Ky është çmimi që po paguan ky brez jo vetëm i gjermanëve, për politikat që kishte promovuar Berlini që pas fundit të Luftës së Ftohtë.

Shumëkush gjykon sot se kemi të bëjmë me lajthitje të politikës gjermane. Kërkimfalja e shprehur kohë më parë nga presidenti aktual gjerman, ish kreu i BND-së, Frank-Walter Steinmeier, tek pranoi se ishte gabuar në vlerësimet e tij, nuk bën punë tashti.
 “Këmbëngulja ime për Nord Stream 2 ishte një gabim i qartë. Ne u qëndruam besnikë urave, të cilave Rusia nuk u besonte më, gjë për të cilat na kishin paralajmëruar partnerët tanë”, tha Steinmeier gjatë një konference për mediat më 5 prill, në Berlin.

Janë të paktë ata zëra që gjykojnë se në raportet Francë-Rusi dhe Gjermani-Rusi, të selitura pas Luftës së Ftohtë, nuk kemi të bëjmë me lajthitje të zakonshme politike, pra me lajthitje njerëzore në gjykimin politik, por më shumë kemi të bëjmë me rezonim të kalkuluar në rrafshin gjeopolitik.

Realiteti ogurzi Ante Portas

Në vitin 1995, antropologu amerikan Clifford Geertz kishte mbajtur një leksion në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë mbi natyrën e rendit ndërkombëtar pas Luftës së Ftohtë. Mendimet e tij habitën shumë nga të pranishmit në publik, shprehet politologu Dr Ivan Krastev në një analizë të publikuar në NZZ (Neuer Zuericher Zeitung – 09.07.2022,).

Ndryshe nga konsensusi i përgjithshëm se, konvergjenca – pra adoptimi i modeleve perëndimore dhe përhapja e vlerave perëndimore në botën joperëndimore – është forca dominuese e së tashmes, Geertz e pa të ardhmen të shënuar nga divergjencat dhe pluralizmi në rritje si në Lindje ashtu edhe në Perëndim.

Geertz në ligjëratën e tij saktësisht kishte parashikuar një botë të fiksuar pas identitetit në të cilën do të mbizotëronin “një valë ndarjesh të errëta dhe paqëndrueshmërie të çuditshme”.

Një botë që do të shqetësohet më pak për rivizatimin e kufijve midis shteteve sesa për rinegocimin e ndeshtrashave të padukshme në sferën e kulturorës, ekonomisë dhe politikës brenda shoqërisë. Për Geertz-in, fundi i Luftës së Ftohtë ishte i barabartë me fundin e kohezionit artificial të krijuar nga logjika e konfrontimit ideologjik midis Lindjes komuniste dhe Perëndimit liberal.
Tezat e tij për këtë lloj indiferentizmi të “botës liberale” në raport me ringjalljen e neofashizmit, u dëshmuan reale: boshnjakëve dhe shqiptarëve në Kosovë  ai indiferentizëm ju kushtoi me gjenocidin serb në sy të “botës së civilizuar”. Ndërhyrja e NATOs në Kosovë, prandaj jipte pak shpresë për një rikthim të mundshëm të moralit në politikë, ndërkaq pushtimi i Krimesë (2014) dhe heshtja e Perendimit, sikur vuri në sprovë sërish atë trend pozitiv të civilizimit tonë.

Divergjencat për të cilat flet Geertz,  në dy dekadat e fundit i përjetuam edhe në botën e demokracive liberale. Rikthimi i fashizmit modern në një varg demokracish të brishta (Hungari, Turqi, Poloni…), e madje edhe në ato mirë të etabluara;  marshi i “barabajt”  respektivisht i pasuesve të ish presidentit D.Trump në Kapitoll etj. etj., … e deri tek protestat e nacionalistëve vulgar maqedon me identitet të turbulluar, tashti së fundmi, janë dëshmi e thellimit të këtyre divergjencave dhe prologut të  një epoke të re të rendit politik, që Geertz me të drejt e cilëson si relaitet ogurzi.
Perdja e re e hekurt po pregaditet të ringritet sërish në skenën e hapur të Europës.  Ringritja e saj nuk duhet të na gjejë asesi në anën e gabuar. Ballkani sërish do të jetë fushë e interesimit gjeopolitik për që të dy palët.

Në dhjetë ditët e fundit, si asnjëherë ndoshta më parë, në botë janë mbajtur katër samite të mëdha dhe të rëndësishme ndërkombëtare. Ai i BRICS, G7, NATO dhe samiti i vendeve të Kaspikut. Ata janë dëshmitari më i mirë se bota po vete pashmangshëm drejt ndarjes së re dhe  konflikteve të reja të pritshme.

Megjithatë, çështja është shumë më e e ndërlikuar, sepse në lojë nuk është vetëm Gjermania dhe Evropa, por edhe e gjithë bota. Samiti i G7, dhe mbi të gjitha samiti i NATO-s në Madrid, konfirmoi se zhvillimet në rrafsh planetar kanë marrë rrugën e pakthyeshme.

Bota kështu po ndërgjegjësohet për ndryshimet e mëdha të pashmangshme globale që na presin.

Këtë trend po e shoqëron thellimi i luftës ekonomike në relacionin Rusi-Perendim, duke promovuar kështu për dekadën që jemi, një botë të ngrirë, që do të etablohet si një realitet ogurzi.

Ky realitet ogurzi do ta përligjë përshpejtimin e krijimit të një botë unike perëndimore – e udhëhequr nga komponenti anglo-amerikan.  Pjesa tjetër e botës duket se  do të udhëhiqet nga BRICS, pa jë lider shenjues, por duke u bazuar në ideologjinë që për bazë ka antiamerikanizmin.

Ky realitet është produkt i gjymtimit moral në kontekstin e gjeopolitikës që kishte aplikuar Europa e pas Luftës së Ftohtë në raport me Rusinë, që si brez, jemi të detyruar të mësohemi ta tejkalojmë me sa më pak dhimbje.


Spread the love


Leave a Reply