Serbia i luan syrin NATO-s… (dhe NATO e darovit me revizionimin e historisë)

Spread the love

Serbia i luan syrin NATO-s… (dhe NATO e darovit me revizionimin e historisë)

Nga Shaban Murati

Surealizmi duket se nuk ka lindur në artet figurative, por në diplomaci, sepse nëse në artet figurative tashmë i përket arkivit të rrymave artistike, në diplomaci është aktiv dhe sot e kësaj dite.

Nuk mund të përkufizohet ndryshe veçse si surealist reagimi hiperbolik entuziast i disa qarqeve diplomatike atlantike për njoftimin se Serbia ka pranuar të zhvillojë në territorin e saj manovra të përbashkëta ushtarake me forcat e NATO-s në 16-30 qershor 2023, të koduara “Platinum wolf”. Urime të ngrohta i shkuan me këtë rast presidentit serb nga shumë nivele të diplomacisë atlantike. Gazeta ruse “Kommersant” shkruante në 9 prill se “konfirmimi zyrtar nga Beogradi për zhvillimin e manovrave ushtatake me NATO-n jehoi si sensacion”.

Por a është vërtetë hapi i qeverisë serbe për të zhvilluar manovra ushtarake me forcat e dhjetë shteteve të NATO-s në teritorin e e Serbisë një sensacion sa që meritonte një ekstazë atlantike?

E vetmja, që ka interesin real të fryhet ky hap i saj është Serbia dhe presidenti Vuçiç, të cilët janë në ankth që disa shenja “properëndimore” të Beogradit të merren në disa kryeqytete atlantike si dëshmi e dashurisë së re ndaj Perëndimit. Në fakt është thjesht një shkelje syri nga Serbia në drejtim të NATO-s, sepse e din që diplomacia e disa shteteve atlantike është kthyer në moshën e pubertetit diplomatik dhe e merr për dashuri çdo shenjë apo sinjal të kriptuar, që vjen nga Serbia.

Si fllim duhet sqaruar se manovrat e përbashkëta “Platinum wolf” të forcave të NATO-s bashkë me forcat serbe janë zhvlluar çdo vit në Serbi nga viti 2014 e deri në vitin 2021, kur qenë të fundit. Pra nuk janë zhvillim i ri. Në vitin 2022 pas nisjes së agresionit ushtarak rus në Ukrainë, qeveria serbe ndëmori moratoriumin me të cilin pezullonte çdo manovër të përbashkët ushtarake me shtetet e huaja në territorin e saj. Moratoriumi u ndërmor për të mos vënë në pozitë të vështirë Rusinë, me të cilën Serbia zhvillon rregullisht çdo vit disa lloje manovrash të përbashkëta në territorin serb. Duke mos patur sy e faqe të organizonte me Rusinë agresore manovra, qeveria serbe për koperturë i anuloi me të gjitha shtetet e huaja.

Tani në 5 prill ministri serb i mbrojtjes Milosh Vuçeviç u justifikua se manovrat e përbashkëta me shtetet e NATO-s do të zhvillohen për shkak të përmbushjes së detyrimeve, që ka Serbia për pjesëmarrjen në misionet paqëruajtëse shumëkombëshe. Sipas ministrit, moratoriumi i pezullimit të manovrave të përbashkëta me shtetet e huaja në territorin e Serbisë vazhdon të jetë në fuqi, dhe Serbia nuk heq dorë nga kursi i neutralitetit ushtarak.

Serbia me këtë hap i luan syrin diplomacisë atlantike sikur po bën një gjest flirtimi me NATO-n. Pasi është tallur dhe i ka përplasur derën gjatë mbi një vit Perëndimit, duke refuzuar sanksionet antiruse të BE, tani Beogradi me një akt shtirës bën sikur po afrohet me Perëndimin.

Ajo, që Serbia nuk e thotë dhe që as diplomacia atlantike nuk po e thotë, është se me çfarë çmimi e ka paguar diplomacia perëndimore këtë luajtje syri të Serbisë, që po i serviret publikut si shenjë dashurie serbe për NATO-n. Është e dhimbshme ta konstatosh se gjest i ri i dashurisë së rreme të presidentit serb ndaj NATO-s erdhi pas disa lëshimeve substanciale, që i janë bërë Serbisë në këto katër muajt e parë të këtij viti nga diplomacia perëndimore.

Se sa falso është gjesti dashuror i Vuçiçit për NATO-n, mjafton që të kujtohet se në 24 mars 2023 presidenti serb dhe qeveria serbe organizuan me pompë të madhe zyrtare “Ditën Anti NATO”, ku Vuçiç sulmoi egërsisht NATO-n dhe iu drejtua NATO-s për vitin 1999: ”Kush ju dha ju të drejtën të vrisni fëmijtë tanë?”. Kjo shprehje urrejtje antiatlantike ishte një ditë pasi këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit Derek Chollet të njoftonte në Twetterin e tij se Serbia do të zhvillojë manovra të përbashkëta ushtarake me NATO-n. Presidenti serb dhe qeveria serbe pritën dy javë sa të largoheshin tymrat e urrejtjes zyrtare dhe kombëtare antiatlantike dhe e njoftuan vendimin në 5 prill për manovrat e përbashkëta me NATO-n.

Shqipëria është anëtare e NATO-s, por ca gjëra duhen thënë me emrin e tyre të vërtetë. Diplomacia atlantike në muajt e fundit i ka bërë presidentit serb lëshime të mëdha, të cilat nuk shkojnë në favor të interesave të kombit shqiptar.

Lëshimet janë bërë në dy drejtime. Së pari, lidhur me deviacionin në qendrimet ndaj dialogut Serbi-Kosovë, ku konstatohet një tolerancë e pajustifikueshme ndaj intrasigjencës koloniale serbe. Së dyti, në narrativën e re historike të habitëshme të diplomacisë atlantike lidhur me përcaktimet dhe karakterin e ngjarjeve të vitit 1999, për rolin dhe ndërhyrjen humanitare të NATO-s kundër Serbisë për të ndalur gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë.

Përsa i përket lëshimeve atlantike për temën Serbi-Kosovë, politologu serb Dragomir Angjelkoviç, duke shpjeguar motivet qeveritare të rinisjes së manovrave të përbashkëta ushtarake me NATO-n, theksonte në 9 prill se “Presidenti Vuçiç i dërgon amerikanëve sinjal për gatishmërinë të avancojë bashkëpunimin në sferën e integrimit euroatlantik, nëse Beogradi merr një variant sa më të pranueshëm për Serbinë lidhur me Kosovën”.

Në interpretimin diplomatik kjo don të thotë se diplomacia atlantike i ka bërë këto modifkime të qendrimeve të saj në këtë temë, përderisa presidenti serb e ndërmori në 5 prill gjestin teatral të luajtjes së syrit për penxheret e NATO-s, duke lejuar manovrat e përbashkëta.

Në datën 7 prill presidenti Vuçiç bëri një deklaratë të re interesante lidhur me kuadrin në të cilin po zvillohet zbatimi i marrëveshjes së BE në Ohër të datës 18 mars për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Presidenti serb zbuloi dy elemente të reja, që tregojnë se prapa kuintave diplomatike disa qarqe perëndimore po i kap amnezia për qendrimet e tyre të mëparshme për të drejtat e shtetit të pavarur të Kosovës, si dhe një valë e re e befasishme filoserbizmi.

Elementi i parë nga deklaratat e presidentit serb: “Serbia do të zbatojë disa pjesë të planit europian për normalizimin Beograd-Prishtinë, por disa pjesë të këtij plani ajo nuk planifikon t’i zbatojë, dhe unë ua kam thënë këtë të gjithë politikanëve perëndimorë”.

Askush nga zëdhënësit e BE dhe të ndonjë kryeqyteti atlantik nuk u ndje të reagonte për këtë shuplake presidenciale serbe ndaj qeverive perëndimore dhe për këtë shkelje flagrante nga presidenti serb të angazhimeve dhe të detyrimeve të marrëveshjes europiane të pranuar prej tij në 18 mars 2023 . Nivelet më të larta të diplomacisë atlantike kishin dhënë garanci solemne para gjithë botës se marrëveshja e normalizimit të marrëdhënive Serbi-Kosovë, pavarësisht se nuk ishte firmosur nga Vuçiçi, ka karakter dhe forcë detyruese. Ku është kjo “forcë detyruese” tani dhe si lejohet Serbia të tallet me garancitë solemne të diplomacisë atlantike se marrëveshja e 18 marsit do të zbatohet një më një?.

Elementi i dytë, që zbulon presidenti serb, mund të cilësohet tronditës. “SHBA dhe Gjermania e kanë interpretuar në fillim si njohje angazhimin për marrëveshjen legalisht detyruese të normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën, por tani ata e kanë revizionuar këtë qendrim. Ky është një lajm i mirë”.

Revizionimi i qendrimit atlantik, që e ka entusiazmuar presidentin serb, është heqja dorë e BE dhe e diplomacisë perëndimore nga kushti kryesor i njohjes reciproke si prioriteti numur 1 i normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo përbën një tërheqje nga formula e drejtë e presidentit amerikan Bajden për qendërzimin e dialogut Serbi-Kosovë në njohjen reciproke. Pra shënon një kalim gradual te qendrimi serb i normalizimit midis metropolit dhe provincës. Asnjë zyrë qeveritare apo diplomatike perëndimore nuk e përgënjeshtroi presidentin serb lidhur me revizionimin e politikave perëndimore për çeshtjen e njohjes reciproke me Kosovën.

Është e dhimbëshme të konstatosh se përveç revizionimit të qendrimeve aktuale për objektivin e normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, Beogradi po shpërblehet me revizionimin e narrativës historike mbi ngjarjet e vitit 1999, kur NATO u detyrua të ndërmarrë ndërhyrjen e saj humanitare në Serbi kundër agresionit kriminal serb në Kosovë. Diplomacia atlantike po adopton disa interpretime dhe rishikime të historisë së vitit 1999, që po afrohen me deformimet historike të Serbisë dhe të Rusisë gjatë 24 viteve për ato ngjarje.

Në datën 5 prill gazeta serbe “Blic” dhe shumë portale serbe shpërndanë një tezë të re diplomatiko-mediatike europiane se nëse Gjykata speciale e Hagës dënon ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi si kriminel lufte, atëhere rezulton se NATO ka bashkëpunuar me një kriminel lufte dhe më një organizatë kriminale si UÇK. Dhe shtypi serb shtron me dinakëri tezën “A është procesi kundër Thaçit një proces kundër NATO-s?

Sipas mediave serbe, dënimi i Thaçit “ka një domethënie historike”. Dilet kështu te synimi i përdorimit të një instrumenti juridik si Gjkyata Speciale për të përmbysur narrativën historike të ndërhyrjes së NATO-s dhe luftën e drejtë

çlirimtare të UÇK dhe të popullit të Kosovës në vitin 1999. Pa qenë diplomat e kupton se në kësisoj prapaskenash të proceseve juridike të tipit të Gjykatës Speciale nuk përjashtohet ndonjë implikim me origjinë perëndimore.

Nuk duhet habitur shumë për këto gropa thithëse në detin e turbullt të diplomacisë. Terreni diplomatik perëndimor prej disa muajsh gëlon nga teza dhe pikëpamje të errta, që jetësojnë një deformim të historisë së vitit 1999. Nuk dolën rastësisht tani disa qendrime për kërkesë falje ndaj shtetit agresor, Serbisë, për ndërhyrjen e NATO-s në 1999. Nuk dolën rastësisht tani disa thirrje perëndimore drejtuar popullit serb që të mos harrojë viktimat e ndërhyrjes së NATO-s.

Për të kuptuar tragjizmin e këtij revizionimi aktual të histories, mjafton ta krahasosh me qendrimet perëndimore mbi luftën e dytë botërore. Nuk pati pas luftës së dytë botërore kërkesa diplomatike perëndimore për t’i kërkuar falje popullit të Gjermanisë së mundur. Nuk pati as thirrje drejtuar populit gjerman që të mos harronte qindra mijra viktimat e bombardimeve apo shkatërrimet masive të shtëpiave dhe të qyteteve gjermane. Në Gjyqin e famshëm të Nurembergut u dërguan ministrat e Hitlerit dhe jo komandantët e forcave aleate Ajzenhauer dhe Zhukov, dhe as krerët e formacioneve partizane të lirisë të Francës, të Polonisë, të Danimarkës, etj. që luftuan përkrah forcave aleate për çlirimin e vendeve të tyre.

Çudia e sotme e diplomacisë europiane është se pas luftës në Kosovë shteti i mundur dhe agresor Serbia po trajtohet dhe po shpërblehet si viktimë, dhe ministri i informacionit i Millosheviçit kriminel, Aleksandër Vuçiç, në vend të procedohej në një Nuremberg, po gëzon statusin e presidentit më të favorizuar në Ballkan nga diplomacia europiane.

Është ironi historike që diplomacia perëndimore po e merr si shprehje dashurie luajtjen e syrit, që po i bën presidenti serb me manovrat e përbashkëta ushtarake. Është një autosugjestion i pakuptueshëm për një diplomaci kaq me përvojë, e cila me kaq lehtësi të bëjë lëshime historike e diplomatike si shpërblim për Serbinë për një gjest teatral, që nuk ka asnjë vlerë dhe që nuk shënon ndonjë kthesë reale të saj në drejtim të NATO-s dhe Perëndimit.

Serbia mbetet aleati strategjik e Rusisë dhe Moska i ka veshur presidentit serb këmishën e forces. Fjalia e sekretarit të shtypit të presidentit Putin, Dmitri Peskov, në 6 prill se “ne do të ndjekim me vëmendje manovrat e përbashkëta të Serbisë me NATO-n” nuk shpreh asnjë shqetësim. Të gjitha mediat ruse, që u morën me këtë lajm, nuk shprehën ndonjë shqetësim se “mos ikën Serbia te NATO”, por vetëm e justifikonin se Vuçiç ka qenë i detyruar ta bëjë atë hap. Media ruse “ruskline.ru” në 5 prill skruante: “Gjendja e sotme e Serbisë, e rrethuar nga blloku i NATO-s dhe varësia kritike e saj nga bashkëpunimi ekonomik me Perëndimin, e detyrojnë udhëheqjen serbe të ndëmarrë një hap të tillë të detyruar, krejtësisht jopopullor”.

Çmimi i lartë dhe disa herë antihistorik, me të cilin diplomacia atlantike, po darovit Serbinë bishtluajtur të Vuçiçit, paraqet një zhvillim negativ, i cili duhet ndjekur me seriozitet të madh nga qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë. Dy shtetet shqiptare nuk duhet të vihen para gjendjes së faktit të kryer të revizionimit të qendrimeve diplomatike dhe historike të disa shteteve të Perëndimit.

Gjestet falso dashurore të Serbisë ndaj NATO-s nuk duhet të errësojnë logjikën shtetërore dhe diplomatike të dy shteteve shqiptare, të Shqipërisë si anëtare e NATO-s, dhe të Kosovës, që ka kërkuar anëtarësimin me procedurë të përshpejtuar në NATO. [DITA/ISHGJ]

_____________________________


Spread the love


Leave a Reply