Sfidat e BE-së për politikat antikrizë – përballë një recesioni të mundshëm

Spread the love


NGA AKADEMIK PROF ANASTAS ANGJELI 

ÇFARË PO NDODH?

Tri vitet e para të kësaj dekade ishin plot me sfida të papritura: pandemia, lufta midis Rusisë dhe Ukrainë, kriza e çmimeve të lëndëve të para, kriza e energjisë, kriza e inflacionit, zhvillim i vrullshëm i teknologjisë dhe IA, ndryshime në tregun e punës, këto të shoqëruara nga politika ekonomike dhe monetare të kundërta. Kësaj, së fundmi, i është shtuar dhe një front i ri konflikti, i hapur pas sulmit të Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor.

Dhe kjo, në një rajon që kushtëzon nivelin energjetik të të gjithë Europës. Më shumë se kaq ngjarje, në një kohë kaq të shkurtër, rrallë kanë ndodhur në historinë e njerëzimit, për pasojë s’ka as analiza të thelluara të mendimit ekonomik. Megjithatë, një angazhim gjithnjë e më i madh i qeverive dhe Bankave Qendrore në identifikimin e politikave ekonomike të përshtatshme në situatë të caktuara, ka qenë dhe mbetet prezent. Kjo ka bërë që nga njëra anë të kemi politika ekonomike të emetimit monetar dhe rritjes së borxhit publik (periudha e pandemisë) dhe nga ana tjetër politika të shtrëngimit monetar në funksion të luftës kundër inflacionit.

Siç theksojnë shumë ekonomistë “kalimi nga dushi i ngrohtë në atë të ftohtë” po bën të pamundur një parashikim real të potencialeve të zhvillimit. Jo me kot FMN dhe Bankat Qendrore Europiane po ndryshojnë çdo tre muaj parashikimet e tyre për ritme e rritjes në Europë dhe SHBA, pse jo edhe për ekonominë globale. Eurozona po kalon një ndalesë të rritjes që nga tremujori i katërt i 2022 dhe rikuperimi po vonon dhe nuk parashikohet edhe në vitin 2023. I dukshëm ngadalësimi i konsumit familjar, të cilat kanë filluar të ndjejnë peshën kryesore të rritjes së çmimeve.

Kjo gjë çoi në rritjen e normave të interesit, shtrëngimi i kushteve të kredisë që përkthehet jo vetëm në rritje të kostos së parave për familjet dhe bizneset, por edhe në një kujdes gjithnjë e më të madh të bankave në disbursimin e kredive. Industria po tërhiqet dhe po tregon shenja ngadalësimi në të gjithë Europën. Inflacioni në muajin gusht rezultoi i qëndrueshëm në 5.3% në terma trendi, por nuk pati rënie neto në çmimet e energjisë dhe ushqimit të freskët.

Në tetor, shkalla e papunësisë si mesatare e zonës ka mbetur e pandryshuar, por nuk ka pasur rritje të ndjeshme të papunësisë në krahasim me muajt paraardhës. Indeksi i përbërë i besimit ekonomik ra ndjeshëm në Francë dhe Gjermani, më pak në Itali, ndërsa në Spanjë është rritur. Megjithatë, Europa në përgjithësi nuk ka shifra regresioni, (me përjashtim të Gjermanisë me –0,5% për dy tremujorë rresht, që mbetet ekonomia më e fuqishme e BE-së) të gjitha vendet e tjera të zhvilluara europiane kanë një rritje shumë të ulët, që fillon nga 0,2% dhe mbaron në 2%.

Kjo, kryesisht, në ato vende, ekonomia e të cilave zë vetëm 7% të GDP-se europiane. Pavarësisht premtimeve të Bankës Qendrore Europiane, niveli i inflacionit parashikohet i lartë dhe shenja për uljen e normave të interesit gjatë vitit 2024 nuk janë shumë pozitive, sidomos për gjashtëmujorin e parë. E njëjta gjë u duk edhe në shifrat që vendet kryesore të eurozonës përdorën për të ndërtuar bilancet e vitit të të ardhshëm. Pra, perspektivat për eurozonën vazhdojnë të jenë të pafavorshme.

Të gjithë specialistët pranojnë që Europa do të hyjë në recesion dhe pavarësisht mohimit të vazhdushëm të guvernatores Christine Lagarde, shenjat nuk duket të jenë shumë pozitive. Megjithatë, parashikimi i fundit i Bankës Qendrore Evropiane për eurozonën është për një rikthim të rritjes tremujore në 0.1 për qind në tre muajt e fundit të këtij viti, 0.3 për qind në tremujorin e parë të 2024 dhe më pas një periudhë prej 0.4 për qind rritje. FMN-ja këtë javë parashikoi se rritja më e gjerë evropiane do të bënte një rikthim modest nga 1.3 për qind këtë vit në 1.5 për qind vitin e ardhshëm.

MËSIME NGA KRIZAT E SË KALUARËS

Për arsye simbolike, ose të thjeshta komoditeti, tri krizat kryesore ekonomike të epokës bashkëkohore mund të lidhen me një ngjarje që mund të datohet në një ditë të caktuar. E para është 24 tetori 1929, “e enjtja e zezë” e bursës së Wall Street, me një rënie të saj me minus 46.6%. Bota financiare ndali, filloi kriza më e madhe që njerëzimi kish parë deri atëherë dhe pasojë e saj ishin nazizmi dhe Lufta e Dytë Botërore.

Si model krize në mendimin tim modest nuk është përsëritur, pavarësisht se historianet e krahasojnë vazhdimisht me elemente të krizave moderne. Imazhi simbolik i shembjes së tetorit 1929, krahas atij (me sa duket më mitik se real) i financierëve që kryejnë vetëvrasje duke u hedhur nga maja e shumëkatësheve të NY, jepet nga radhët e gjata të të papunëve para zyrave të punës. Ajo mund të gjendet në fotografi të ndryshme të kohës, si dhe në një nga skenat hapëse të filmit “King Kong”, publikuar në kulmin e depresionit, në mars 1933.

Ngjarja e dytë ndodhi më 16 tetor 1973, kur shtetet arabe anëtare të OPEC (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës) njoftuan një rritje prej 70% të çmimit të naftës. Ngjarja ra në sy sepse ishte krejtësisht e papritur, por më e paharrueshme do të jetë rritja me mbi 120% të çmimit të fuçisë e vendosur në datën 23 dhjetor e në vijim. Të dyja ishin një hakmarrje ndaj vendeve perëndimore, që mbështetën Izraelin dhe kishin si pretekst politik luftën e katërt arabo-izraelite, që shpërtheu më 6 tetor.

Sot ky fenomen është i krahasushëm pjesërisht me gjendjen aktuale, por deri tashti çmimet e naftës kanë pasur një rritje logjike, në kushtet alogjike të situatës në Lindjen e Mesme. Nëse në tetor të 1973 Lufta e Ftohtë ndikoi në një stangflacion të gjatë, sot të panjohurat janë shumë më të mëdha. Le të shpresojmë që armëpushimi të mos sjellë makthe të së kaluarës. Për krizën e naftës të dimrit 1973-74, imazhi që bie në sy është ai i së dielës në rrugët e qyteteve europiane të zbrazura nga makinat me njerëzit që përdornin vetëm biçikletat, pasi përdorimi i makinave u ndalua ose u dekurajua për të ulur konsumin e karburantit.

Ngjarja e tretë është falimentimi i kompanisë financiare “Lehman Brothers”, i cili ndodhi të hënën më 15 shtator 2008. Megjithatë, kriza bankare ishte paralajmëruar në Evropë dhe në SHBA nga shenjat e qarta të një viti më parë, të cilat tashmë po preknin tregun e aksioneve.

Më në fund, sekuenca e parë disa herë në televizion e punonjësve të “Lehman Brothers”, që largoheshin me nxitim nga zyrat e tyre me kutitë në të cilat kishin mbledhur gjërat e domosdoshme duhet të jetë qartë e pranishme në kujtesën e të gjithëve. Ishte një krizë që na gjeneroi një krizë borxhesh ende të pashëruar dhe ende me risk për vendet që u prekën nga ajo në vitit 2011-2012.

KARAKTERISTIKAT E KËSAJ KRIZE DHE PARALELET ME KRIZAT E KALUARA. SI TË PËRBALLEMI?

Cilat mund të jenë karakteristikat e pritshme të kësaj krize? Si mund ta krahasojmë atë? Çfarë mund të bëjë BE për ta kapërcyer atë? Prandaj le të shohim historinë, të shkuarën, që të parashikojmë të ardhmen. Janë 5 tendencat globale për vitet e ardhshme, që Europa ka evidentuar për ekonominë e saj dhe që i ka vendosur në bazë të të gjithë programeve europiane për të ardhmen e afërt. Më konkretisht:

1-Pamja e parë është: “Një popullsi dhe një shoqëri më e vjetër, ku shtresa e mesme dalëngadalë po humb dominimin e saj dhe ku pabarazia po rritet me ritme shumë të shpejta”. (“Për të pasur një ekonomi të aftë për të mbështetur një shoqëri të plakur në ritmin që kemi në Evropë, duhet të kemi produktivitet shumë më të lartë”, – Draghi.

2-Pamja e dytë: “Një proces gjithmonë dhe më i brishtë i globalizimit që po udhëhiqet kryesisht nga ‘G3 ekonomik’ (ShBA, EU, Kina). Sipas Draghit, “Ekonomia evropiane ka humbur konkurrencën në 20 vitet e fundit, jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për Japoninë, Korenë e Jugut dhe natyrisht, Kinën. Në shumë, shumë fusha teknologjike, ne kemi humbur praninë, kemi humbur gjurmët”.

3-Pamja e tretë: “Një revolucion industrial(4.0) dhe teknologjik i paparë dhe shumë i paparashikuar”.

4-Pamja e katërt: “Një ndërthurje shumë e çuditshme midis zhvillimit ekologjik dhe energjive të rinovueshme nga njëra anë dhe një lufte shumë të egër për lëndët e para dhe burimet natyrore nga ana tjetër” (Ndryshimet klimatike dhe ekonomia e gjelbër).

5-Dhe se fundi, një nga pamjet që nuk arrijnë të fiksohen dhe përfaqësojnë: Forma të pushtetit që ndryshojnë, raporte forcash që transformojnë tregun dhe një multinacionalizëm, që vështirësisht integrohet. Më thjeshtë ndryshim, ndryshim, ndryshim. Natyrisht, çdo parashikim mund të përmbajë devijime dhe doza të mëdha gabimi. Ekonomistët ndryshe nga gjithë të tjerët kanë një element të pa ndryshueshëm vlerësimi që janë shifrat, prandaj përmes tyre dhe historisë mund të kuptojmë zhvillimet afatshkurtra.

Megjithatë, saktësia e shifrave të së ardhmes shpesh është e pasigurt dhe kështu “ku dominon ndryshimi, vdes statistika”. Përballë këtyre tendencave, BE, doli me një program ekonomik deri në vitin 2030, ku ofron disa rrugë të reja për zhvillimin e qëndrueshëm për ta bërë ekonominë e BE më konkurruese. Negociata për të aplikuar plotësisht marrëveshje tregtare edhe me vendet jashtë BE, duket se po bëhen domosdoshmëri. BE-ja, për të rifilluar një zhvillim të qëndrueshëm do t’i duhet të ketë një rritje mbi 1,2% GDPsë të eksporteve me SHBA, Japoninë, Indinë, Azinë dhe Kinën, Brazilin dhe Afrikën. Gjithashtu, ajo do të duhet të jetë në qendër të rrjetit më të dendur të marrëveshjeve tregtare në botë për nga madhësia siç janë Shtetet e Bashkuara, Japonia, India, Kanada etj..

Tashmë është e qartë se eksportet brenda vendeve të EU nuk janë zgjidhje për të dalë nga gjendja aktuale dhe zhvillimi do të jetë i fshehtë. Bashkimi Evropian, përtej kësaj, do të duhet të përballet me një seri çështjesh të rëndësishme politike. Katër zgjedhje do të jenë veçanërisht të rëndësishme dhe ato kanë të bëjnë me OBT-në, Kinën dhe Rusinë dhe Afrikën. Ja çfarë mund të pritet në këtë drejtim: Mund të presim një rifillim të negociatave me OBT, veçanërisht nëse raundi i Dohas përfundon në dekadën e ardhshme. Një nga prioritetet e BE do të ishte vendosja e një agjende të re, që përfshin çështjet që lidhen me globalizimin, si psh., konkurrenca, subvencionet dhe shërbimet shtetërore. Shumica e analistëve e identifikojnë Kinën si treg me potencialin më të madh të rritjes për Evropën. Kina shfaqet në krye të listës së vendeve me potencial të lartë për negociata dhe investime dypalëshe për shkak të barrierave të konsiderueshme që qëndrojnë në rrugë për hyrjen e kompanive të huaja në tregun kinez.

Krahas përpjekjeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të shumta tregtare, rifillimi i negociatave me Rusinë (në varësi të përfundimit të luftës në Ukrainë) dhe mbështetja e një zgjidhjeje të drejtë do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm drejt stabilizimit. Përtej interesave rreptësisht ekonomike, marrëdhënia me Rusinë do të fitojë rëndësi nga pikëpamja gjeopolitike për shkak të lidhjeve në elemente të veçanta për disa çështje energjetike dhe sfidat e modernizimit të ekonomisë ruse. Afrika mund të përfaqësojë një prioritet të rëndësishëm komerciale për Evropën.

Ngritja ekonomike e Afrikës Veriore dhe Sub-Sahariane mund çojnë Bashkimin Evropian për të përmbysur qasjen e tij drejt këtyre rajoneve: objektivat e zhvillimit dalëngadalë do t’u linin vendin interesave ekonomike të lidhura me aksesin në treg dhe integrimin ekonomik. Në këtë mënyrë deri në vitin 2030 do të ishte e mundur nisin negociatat dypalëshe ambicioze me Afrikën Sub-Sahariane, që synojnë shtetet shumë premtuese, përkatësisht Nigeria, Angola, Kenia dhe Republika Demokratike e Kongos. Nëse ky është vetëm plani strategjik i BE në globalizimin e saj ekonomik nuk duhet të harrojmë suksesin e politikave që kanë filluar të zbatohen sidomos pas pandemisë.

Më e rëndësishmja nga gjithë programet është “Next generation EU” ku arsimi, shkenca, shëndetësia dhe digjitalizimi janë shpresat kryesore të zhvillimit. Sa thamë më lart dhe mbi të gjitha duke marrë parasysh shpenzimet shtesë për rritjen dhe forcimin e NATOS, Bashkimi Evropian ka nevojë për një ringjallje të fortë ekonomike. Agjenda e përshkruar me lart parashikon një mjedis të ri rregullator, që favorizon investimet në kapitalin njerëzor dhe inkurajon risi në ekonominë prodhuese. Janë të nevojshme rrjete më efektive të sigurisë sociale për të mbështetur fleksibilitetin të tregut dhe për të luftuar pabarazinë në rritje.

Gjithashtu, BE-së do t’i duhet të forcojë dhe zgjerojë Eurozonën, të luftojë në të njëjtën kohë idetë dhe tendencat drejt copëtimit dhe dobësimit të tregut të brendshëm evropian. Tregu i vetëm për mallra dhe shërbime është larg të qenit i plotë për shkak të rezistencës nga interesat e vetjake të vendeve të caktuara dhe synimi për të ruajtur status quo-në nuk është në drejtim të zhvillimit. Ka një rritje në çekuilibër jo efektiv brenda Bashkimit Europian, sidomos midis ekonomive të bazuara kryesisht në shërbime dhe ekonomive industriale.

A do të jenë edhe në të ardhmen këta të fundit në gjendje të tërheqin më shumë vendet e tjera për t’i integruar dhe ato në një zinxhir prodhues, qoftë dhe bujqësor? BE po përpiqet me të gjitha forcat që teknologjitë bazë dixhitale dhe industriale, që po evoluojnë me shpejtësi, të nxitura edhe nga informacioni në kohë reale, të krijojnë bazën për një përhapje të platformave dhe mjete të tjera për të gjithë, kudo dhe për çdo qëllim. Falë këtyre projekteve do të fokusohemi, sa më parë dhe sa më shpejt, drejt një “shoqërie të dijes”(të gjithëdijshme).

Padyshim që në kushtet e sotme parashikimi i zhvillimeve të ardhshme nuk është i lehtë. Ndryshimet globale (gjeopolitike e gjeoekonomike) gjithnjë e më komplekse po çojnë në konkluzionin se: rritmi dhe thellësia e analizave, strategjia duhet të intensifikohen, dija duhet të rritet dhe vendimmarrja duhet të kushtëzohet nga ajo. Dhe kjo bëhet më e domosdoshme tani që “Pika e fillimit të këtij recesioni është goxha e lartë – nuk kemi pasur kurrë një papunësi kaq të ulët”. Prandaj….”mund të kemi një recesion, por ndoshta nuk do të jetë destabilizues. [Panorama]


Spread the love


Leave a Reply