Shkretëtira e diplomacisë – transferimi në zonë paqeje

Spread the love

Dialogu sipas frymës së rezolutës së OKB-së (2010) është dëmtuar rëndë gjatë viteve 2017–2020, për çka edhe qe rrëzuar qeveria Kurti 1. Që atëherë nuk ka pasur negociata serioze.
Takimi i 18 gushtit shenon kthesën e duhur në këtë plan.

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Epiteti i Tacitit për Romën perandorake, të cilën historiani romak e vendos në gojën e një prijësi britanik: “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant” — [Ata krijojnë një shkretëtirë dhe e quajnë paqe!] i përgjigjet shumë gjendjes së krijuar në veriun e Kosovës për mbi dy dekada.
Kjo gjendje nuk u stis për një ditë. Ajo zë fill që në Konferencën e Rambujesë, për të vazhduar pastaj me vendimin për vendosjen e KFOR-it francez pikërisht në atë pjesë dhe për të ecur tutje pastaj me skenarin që pasoi me mbytjen e dy fëmijëve në ujërat e lumit Ibër (2004).

Inskenimi i një “kryengritjeje” të stilit haxhiqamilist, do të krijonte alibinë për ndarjen e veriut.

Skenarët tjerë që u aplikuan më pas, janë më publik, rrjedhimisht më të njohur.

Insistimi i Brukselit më pas që, në emër të krijimit të paqes së qëndrueshme ta zbresë dialogun nga ai i nivelit që e obligonte Rezoluta e OKB-së [2010] për normalizimin e raporteve mes Serbisë e Kosoëvs, në atë për ndarje të veriut, duke promovuar këtë akt me eufemizmin “shkëbim territoresh” [2016–2018] flet shumë për degradimin që pësoi procesi.

Kjo kornizë e dialogut proklamohej si e vetmja rrugë që do t’i jap fund konfliktit dhe për të sjellë paqen nën siglën perandorake Pax Europa, konform aspiratave dhe ndjesisë për misionin e saj perandorak.

Për fat të keq, një pjesë e mirë e opozitës, edhe sot e kësaj dite, punon në dobi të rikthimit të momentumit për realizimin e këtij skenari.

***

Serbia është produkt i përplasjeve gjeopolitke mes bllokut gjerman dhe atij rus gjatë shek. XIX-të për influencë afatgjatë në Europën Juglindore. Ajo u krijau në pjesën më të madhe në hapësirën shqiptare dhe pjesërisht në atë rumune e hungareze. Si rrjedhojë brenda kufijve të shtetit të ri serb (1878) qenë grumbulluar etni të ndryshme, të cilat më parë kishin jetuar në kuadër të shteteve a perandorive tjera. Ndërkaq imponimi që ju bë nga vendimet e konferencave europiane për të jetuar “nën çatinë” e Jugosllavisë, jo vetëm të popujve të përkatësisë sllave, por edhe shqiptarëve, rumunëve, hungarezëve, gjermanëve, italinaëve… në një moment kritik të historisë, do ta shnëdrrojë Jugosllavinë në arenë lufte (1992–1999). Tashmë dihet për gjenocidin që ushtroi Beogradi ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve (në Kosovë) gjatë dekadës së fundit të shekullit 20-të.

Në një Europë që ka probleme të theksuara brenda, në pritje të pozicionimit të ri të Gjermanisë dhe Francës pas luftës shtatë mujore në Ukrainë, pas përmbysjes së plotë të projektit gjermano-frëng për afrim me Rusinë, ndërkohë kur Polonia, Ballkani dhe shtetet nordike të BE-së, e konsiderojnë veten palë në konfliktin me Ukrainën, mundësia e shkërmoçjes së BE-së bëhet skenarë gjithnjë e më i besueshëm. Ky skenar mbetet edhe lajtmotiv i Putinit sot, duke besuar tutje se zgjatja e luftës në Ukrainë do të përmbyllet me fitoren ruse, që do t’i shërbejë këtij skenari, e me këtë edhe rikthimit të Federatës Ruse si fuqi botërore.

Serbia nuk njeh realitetin e krijuar në Kosovë pas kapitullimit të saj [ 9 qershor 1999 në Kumanovë], pikërisht aty ku kishte zhvilluar dhe fituar betejën e parë dhe më të përgjakshme për pushtimin e Kosovës. Ajo shpreson shumë në ndryshimet e raporteve të fuqive të mëdha, respektivisht pret momentin historik të përshtatshëm për ripushtimin e Kosovës. Zatën nuk ka se si shpjegohet ndryshe ngritja e më se 48 bazave ushtarake e të xhandërmërisë së saj gjatë gjithë vijës kufitare me Kosovën. [28 nga këto baza i përkasin forcave të armatosura të ushtrisë serbe, nderkaq 20 tjerat janë pjesë e organikes se xhandarmarisë serbe.]

Serbia kishte kaluar pa u ndëshkuar nga Europa pasi kishte ushtruar gjenocidin e parë (pastrimin etnik) të Toplicës. Duket se pushtimi i zonës ballore të Shqipërisë, në Verilindjen e saj, ishte tumirë nga fuqitë e kohës. Nuk është i rastësishëm teksti i raportit të zotit G.F.Gould për Markezin e Salisbury-t, që po e sjellë të plotë këtu më poshtë.

“Si një hap paraprak në drejtim të organizimit të rregullt administrativ të territoreve që i janë dhënë kohët e fundit, Qeveria Serbe ka parashikuar hartimin e një liste ku do të renditen fshatrat e përfshirë në secilën nga të katërta provincat, mes të cilave ndahen këto fshatra.
Sipas kësaj liste, janë 248 fshatra në krahinën e Nishit, 189 në atë të Pirotit, i njejti numër në atë të Vranjës dhe 372 në atë të Toplicës, ose të gjithë bashkë 998 fshatra në të katra provincat e sipër-përmendura.” [1]

***

Askush nga diplomatët perendimor të brezi aktual, në asnjë takim, qoftë në Bruksel a në kryeqendrat politike gjetkë, nuk e zënë në gojë sot këtë tragjedi.
Në një takim në Bruksel, kryeministri i Republikës z. A.Kurti, tek potencoi këtë fakt, duke e cilësuar si gjenocid të parë të kryer nga Serbia mbi shqiptarët, reagimi nga Serbia ishte histerik. Ndërkaq kishte ca nga diplomatët perendimor më serioz që pyesnin se sa ka të bëjë ky pohim me realitetin historik. Ata kur merrnin përgjegjen me referenca nga vet burimet europiane të kohës, rrudhnin krahët e ulnin kokën. E pranonin si fakt dhe mjaftoheshin me kaq.

Po gjenocidi i dytë mbi shqiptarët në Kosovë, që për një pjesë të tyre që ishin zhendosur nga këto krahina shqiptare, de fakto ishte i dyti me radhë, e tok me të kolonizimi i Kosovës për 87 vjet me radhë, si trajtohet nga historiografia dhe politika e diplomacia serbe?
Si e drejtë historike! Një falsifikim banal i hstorisë, si edhe “faktet” me të cilat manipulon A.Vuçiqi dhe ia kishte arritur ta vë në lajthitje ndërkohë ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Robert Hill [Kristofer Hill] lidhur me gjoja kufizimin që kanë trupat e Njësive Speciale të Policisë sonë për ndërhyrje në veri.

Kristofer Hilli e ka të qartë gjenocidin e tretë serb mbi shqiptarët, meqë ai ishte prezent para dhe gjatë luftës (1998/990. Qytetarëve të Kosovës më shumë ju kujtohet portreti i tij nga vizitat e punës në selinë e Shtabit të UÇK-së në Kleçkë; por edhe ai kur kishte nxjerrë Ibrahim Rugovën nga “kështjella” e tij dhe po e shetiste nëpër fshatrat-gërmadhë të Malishevës, me shpresë se do të bindej pala shqiptare për farë statusi të autonomisë brenda Serbisë!

Zoti Hill, sikur ka harruar se tani jemi në vitin 2022!

***

Të gjitha këto fakte historike dhe ngjarje rrënqethëse kanë lidhje direkte sot me çështjet e sigurisë kombëtare, dhe ndikojnë mbi paqen dhe luftën jo vetëm në Kosovë, po edhe në në Evropë.

Filozofi slloven Slavoj Žižek [Drejtor i Institutit Ndërkombëtar Birkbeck për Shkenca Humane në Universitetin e Londrës] në koleksionin e tij të fundit që i përket kolonave me titullin “Çrregullimi në Parajsë — Raporte nga kaosi tokësor” e që u botua nga wbg Theiss, [2] potencon se “një nga krizat e fundit në veri të Kosovës erdhi dhe shkoi shpejt, sepse askush nuk donte që ajo të përshkallëzohej. Por do të rikthehet, sepse Rusia po manovron nën hijen e Ballkanit për të nxitur pikërisht tensionet që e bënë të mundur.”[3]

Qeveria e Kosovës, siç dihet tashmë, provoi të vendosë reciprocitetin politik edhe në çështjen e targave dhe dokumenteve të identitetit. Ajo kishte njoftuar se do t’i obligonte serbët që jetojnë në veri të Kosovës (meqë serbët e enklavave në jug respektojnë reaitetin në këtë sferë), të ndërrojnë targat e tyre serbe me targa regjionale. Por serbët protestuan, ata vendosën postblloqe në dy pika kufitare, madje pati edhe të shtëna në drejtim të policisë dhe të plagosur. Masat u shtynë për një muaj me kërkesën e Ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Ndërkohë pasoi takimi i 18 gushtit.

Ishte e qartë se ky takim do të shenonte kthesën e pritur, duke i dhënë  orjentim të ri dialogut.
Strategjia që përdori kryeministri i Kosovës  duke  ndërvepruar me aleatët tanë të natyrshëm, por edhe duke përmbysur tezat serbe që për objektiv kishin dhe kanë zvarritjen e dialogut, duket se ka dhënë rezultatet e para.
Më 24 gusht Qeveria e Kosovës bëri publik draftdokumentin prej gjashtë pikave në të cilat pasqyrohet këndvështrimi i palës kosovare lidhur me kornizën e përgjithshme të marrëveshjes finale me Serbinë.

Dialogu sipas frymës së rezolutës së OKB-së (2010) është dëmtuar rëndë gjatë viteve
2017–2020, për çka edhe qe rrëzuar qeveria Kurti 1. Siç deklaron Bodo Weber, me të drejtë, “që atëherë nuk ka pasur negociata serioze, të cilat duhet të iniciohen nga nivelet më të larta të qeverive në Evropë dhe SHBA.”[4]

Rikthimi i plotë i diplomacisë ameriakne tok me rikthimin e Qeverisë Kurti 2, në këtë dialog e forcon pozicionin tonë, duke e shndërruar Kosovën në palë të barabartë. Ndërkaq lufta në Ukrainë — kjo mysymje e tretë e zbarkimit rus në Europë, meqë paralajmron përmbysje tektonike të interesave gjeopolitike të shumë palëve, e bën pozicionin tonë edhe më të fortë.

Kjo përplasje e re për territor (targat janë vetëm pretekst serb) do të ishte një histori thjesht rajonale, shprehet me të drejtë filozofi slloven Slavoj Žižek, po të mos ishte dinamika gjeopolitike e luftës dhe agresioni rus ndaj Ukrainës.[5]

Ky fakt dëshmohet qartë nga deklarata e Vladimir Dukanoviqit, një deputet çetnik pro rus nga Partia Progresive Serbe, i cili përmblodhi arsyetimin e Rusisë për pushtimin e veriut të Kosovës fare shqeto:
“Serbia mund të detyrohet të marrë pjesë në ‘denazifikimin’ e Ballkanit”.[6]

Por, a është e gatshme diplomacia perendimore të ushtrojë trysninë e duhur ndaj Beogradit për arritjen e një marrëveshje qoftë edhe të përkohëshme të targave në ditët në vijim, që do t’i jipte kohë marrëveshjes finale në vitin pasues?

Deklarata e ambasadorit amerikan Kristofer Hill në Beograd dhe kjo e studjuesit gjerman me ndikim në qarqet diplomatike, Bodo Veber, për Europën e Lirë, më bën skeptik.

Bodo Weber sërish sinjalizon për kompromisin e diplomacisë perendimore në raport me Beogradin. Ai bën të ditur se diplomacia perendimore është në kërkim të një zgjidhjeje kompromisi për çështjen e targave e që do të shërbejë si shtegdalje nga situata e krijuar.
“Në zgjidhje kalimtare është e vetmja rrugëdalje e mundshme në këtë moment”[7], thotë ai. Dhe këtë qëndrim ai e arsyeton kështu:

“…sepse, çështjet e regjimit kufitar ndikojnë drejtpërdrejt në çështjen e statusit, kështu që një zgjidhje e përhershme e kësaj çështjeje dypalëshe do të kërkonte negociata serioze për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Dhe, aktualisht, jemi shumë larg nga negociatat e tilla”.[8]

***

Diplomacia perendimore në Konferencën e Rambujesë krijoi “zonën e ngrirë” në veriun e Kosovës, atë shkretëtirë të saj të cilës i shkon Epiteti i Tacitit për Romën. A do t’ia arrijë ta transferoj ky brez i diplomatëve të perendimit , veriun e Kosovës e me këtë edhe Republikën në tërësi, në zonë paqeje, është çështje që do ta shohim në javët në vijim. Nëse ia arrinë, me këtë akt ajo, jo vetëm që do të korrigjonte historinë në raport me shqiptarët, por edhe do të kontribuonte ndjeshëm edhe në përmbylljen më të shpejtë të luftës në Ukrainë.

Në këtë plan vendimtar mbetet pozicionimi ynë, strategjia që do të ndjekim  për funksionalizimin e Republikës në të gjitha nivelet.

______________

1 Bejtullah Destani, Muhaxhirët, Prishtinë 2019, f. 268

2 Project Syndicate, 2022, www.project-syndicate.org. Versioni gjerman: dotz

3 https://www.tagesspiegel.de/politik/kniefall-vor-dem-starken-mann-die-schoengeredete-vergewaltigung/28609898.html

4 https: //www.evropaelire.org/a/kompromis-targat-dokumentet-serbe-/32001276.html

5 https://www.tagesspiegel.de/politik/kniefall-vor-dem-starken-mann-die-schoengeredete-vergewaltigung/28609898.htm

6 Po aty

7 https://www.evropaelire.org/a/kompromis-targat-dokumentet-serbe-/32001276.html

8 Po aty


Spread the love


Leave a Reply