Sovraniteti i Kosovës, themel i Ballkanit demokratik

Spread the love

Sovraniteti i Kosovës, themel i Ballkanit demokratik

Kur dështon arsyeja universale, përfundimisht i hapet rruga arsyes instrumentale dhe përfundojmë në një terren ku nuk ka më të mirë e të ligj, të drejtë e të padrejtë, as nuanca në mes tyre, por vetëm moralizime të pasinqerta, pafuqi dhe dhunë.

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë

Viti 2023 ka qenë vit i vështirë për dialogun Kosovë- Serbi. Përballë presionit ndërkombëtar, Kosova vendosi të tregohet konstruktive dhe të shfaqë gatishmëri për ta nënshkruar propozimin franko-gjerman, por Serbia vazhdoi ta luajë lojën e rrugaçit. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, menjëherë pas takimit në Bruksel, tha se nuk do ta nënshkruante kurrë atë platformë, sepse “i dhemb dora”. Megjithatë, Bashkimi Europian tha se marrëveshja është e vlefshme dhe u pranua nga palët, pavarësisht se nuk u nënshkrua.

Por, më vonë, gjatë vitit, pala serbe vazhdimisht e shkeli atë marrëveshje, verbalisht, e, së fundmi, në mënyrë flagrante, edhe brutalisht, duke rrëmbyer policët e Kosovës brenda në territorin kosovar, duke çuar disa herë ushtrinë në kufi për të kërcënuar, por edhe duke strehuar e furnizuar çetat e terroristëve çetnikë që sulmuan policinë e Kosovës në 25 shtator. Bashkimi Europian, nga i cili Ballkani Perëndimor pret që të mësojë parimet e demokracisë e të qytetërimit perëndimor, në vend që ta dënonte sjelljen destruktive e kriminale të Serbisë, vendosi të dënojë Kosovën me masa shtrënguese. Por, sa më shumë që tolerohet i padrejti që ka qëlluar paksa më i madh e më i fortë, sa më shumë që i përdridhet krahu shtetit që shihet si më i vogël, aq më shumë forcohet padrejtësia dhe shkatërrohen parimet.

Në vitin 2000, në Francë u publikua një film që shkaktoi shumë skandal aty e gjetiu në botë – filmi “Baise-moi” i regjisoreve Virginie Despentes dhe Coralie Trinh-Thi. Në një nga skenat e para të filmit ndodh një përdhunim. Dy vajza të reja, të varfra, narkomane, e që hera-herës edhe prostituojnë për ta mbajtur vetveten gjallë, kapen në një parking nga tre burra, të cilët i përdhunojnë. Njëra nga vajzat reziston sa mundet fizikisht e verbalisht. Ndërsa tjetra – rreth së cilës sillet filmi – qëndron pasive, nuk kundërshton dhe e pëson dhunimin thuajse pa lëvizur e pa folur. Kur kriminelët largohen, shoqja që rezistoi e pyet shoqen që nuk rezistoi për arsyen e pasivitetit të vet. “S’kam ç’bëj, unë nuk pata fuqi që t´i ndaloj përdhunuesit.” – është përgjigjja e papritur e vajzës – që me sinqeritet çarmatosës shpall para publikut që sheh filmin moskontrollin absolut të trupit të saj. Ky dorëzim trishtues, kjo greminë desubjektivimi, ku flaket njeriu i pafuqishëm, ndodh në një botë “të rrugës”. Në një botë ku qytetërimi dështon të mbërrijë me aparatet që shpërndajnë edukim, drejtësi apo mirëqenie. Çka mund të bënte ajo vajzë e mjerë, përpos të pranonte pafuqinë e saj përballë dhunuesve muskulozë në ato rrugë ku ligji mungon e ku e drejta e të fortit është e padiskutueshme.

Protagonistja e filmit, teksa pranon zhveshjen e vet totale prej sovranitetit, pranon, në një farë mënyre, edhe daljen përfundimtare prej komunitetit shoqëror. E dhunuar, ajo vetë nis të bëhet dhunuese dhe hyn në një qerthull të pandërprerë brutaliteti, ku praktikisht secilin problem e zgjidhin përmes vrasjes. Vret për të marrë para, vret dikë që e ofendon me fyerje raciste, vret këdo që e kërcënon e kë i pret rrugën, por në fund edhe atë e vrasin.

Secilit kjo mund t’i ngjajë pak me “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit, ku Dimitri e pyet Rakitinin “Çka do të ndodhë me njerëzit nëse nuk ekziston Zoti dhe jeta e përjetshme?”, ndërsa Rakitini i përgjigjet: “Atëherë gjithçka është e lejueshme”. Pra, kur “vdes Zoti”, shpërndarësi i kuptimit e i të drejtës universale, në pikëpamjen konservatore, vdes ai që ndalon e që sanksionon, pra gjithçka bëhet e lejueshme dhe pason kaosi e dhuna. Tek filmi për të cilin folëm nuk “vdes Zoti”, në kuptimin teologjik të fjalës, por vdes besimi në drejtësi e në të drejtë, në momentin kur detyrohesh të pranosh se nuk ke më sovranitet as mbi trupin tënd dhe se nuk i thua dot jo as përdhunuesit. Pra, në momentin kur ndodh dorëzimi përballë më të fortit, këtu fillon të bëhet “gjithçka e lejueshme” e të pasojë kaosi e vetëshkatërrimi.

A nxjerrim dot prej këtij filmi ndonjë analogji me Kosovën? A nuk duket ndonjëherë sikur Kosovës vazhdimisht po i thuhet se nuk mund të thotë Jo, se duhet të dorëzohet ngaqë është e vogël dhe e pafuqishme. Se është vetëm një shtet prej një milion e gjysmë banorësh dhe nuk mund të ndryshojë projektet e taktikat e shteteve të mëdha, për të cilat nuk ka fort rëndësi integriteti trupor i Kosovës? Duket sikur Kosova nuk është në gjendje ta ndalojë askënd prej penetrimit jokonsensual të trupit të saj me turlifarë misionesh, gjykatash speciale, korporatash, privatizimesh për dy lekë, mediash të zotëruara nga njerëz me interesa të dyshimta, mafiash, ojq-sh jotransparente, që përfaqësojnë agjendat e kushedikujt, bandash terroriste etj.

Ka njerëz që thonë se viktima e përdhunimit mund të jetë fajtore, sepse vetë e ndjell përdhunuesin, duke mos u veshur si duhet ose duke dalë natën, duke u sjellë jo sipas normave dominuese etj. Unë jam tërësisht kundër këtij qëndrimi. Për mua viktima në asnjë rrethanë nuk ka faj dhe përdhunimi është gjithmonë faj i përdhunuesit. Nuk e pranoj dot as qëndrimin analogjik për Kosovën, sipas të cilit vetë Kosova, si vajzat në film, e ka “provokuar” ose “ndjellë” çdo “dhunim” së jashtmi të sovranitetit të saj fillestar, me rrugaçëritë e kurvëritë e veta, korrupsionin, krimin e brendshëm etj. Jo, vogëlsia, pafuqia, problemet që mund të ketë një vend, të trashëguara ose të krijuara për faj të dikujt, nuk mund të përbëjnë argument për të mbështetur agresorët.

Por, nëse në Kosovë do të triumfonte logjika që i jep çdo të drejtë të fortit dhe asnjë të drejtë të dobëtit, duke “vrarë Zot”, apo duke vrarë pretendimin universal të së drejtës për sovranitetit – atëherë i bie që, për të vazhduar me Dostojevksin, Kosova s’do të mbetej gjë tjetër veçse një vend Raskolnikov, një shoqëri Raskolnikovësh. Ç’është Raskolnikovi? Një student i zhgënjyer, i cili kur kupton se pretendimet universale të qytetërimit, idealet për të cilat ai lexon nëpër libra, shkelen e përbuzen aq shumë në përditshmërinë e tij, vendos që t’i braktisë tërësisht ato, vendos të relativizojë gjithçka, të justifikojë gjithçka, përfshi edhe krimin e tij. Kur dështon arsyeja universale, përfundimisht i hapet rruga arsyes instrumentale dhe përfundojmë në një terren ku nuk ka më të mirë e të ligj, të drejtë e të padrejtë, as nuanca në mes tyre, por vetëm moralizime të pasinqerta, pafuqi dhe dhunë.

Kosova nuk mund të lejojë triumfin e një logjike të tillë. Kosova, sado e vogël, duhet të këmbëngulë në sovranitetin e vet dhe në drejtësinë universale. Vetë pranimi i pafuqisë, mosprotestimi ndaj dhunimit të sovranitetit kushtetues, territorial, demokratik të Kosovës, madje justifikimi i tipit “s’kemi ç’i bëjmë” ose i tipit “kështu e meritojmë”, i hap rrugë perspektivës së Kosovës së Raskolnikovëve apo Kosovës që ndjek rrugën e personazhes kryesore të filmit “Baise-moi”. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se po të mos respektohet dhe po të mos lejohet të punojë një qeveri, e cila synon rritjen e sovranitetit, të demokracisë dhe të drejtësisë, siç është qeveria e Vetëvendosjes dhe e Albin Kurtit, atëherë Kosova rrezikon të rikthehet sërish në vorbullën e korrupsionit dhe të padrejtësisë. Nëse qeveritarëve të Kosovës nuk u lejohet të jenë idealistë, meqenëse Kosova na qenka shtet i vogël, atëherë përfundimi është i qartë – Kosovës i lejohen vetëm qeveritarë si të

dikurshmit, që thonë gjithnjë po ndaj ndërkombëtarëve dhe që janë vjedhës e dhunues të popullit të vet.

Hannah Arendt, tek reflektimet e saja për dhunën, thotë diçka për këtë: “Ajo çka e bën njeriun qenie politike është fakulteti i tij për të vepruar. I jep atij mundësinë që të bashkohet me të ngjashmit e tij, të veprojë së bashku dhe të mëtojë qëllime e sipërmarrje që nuk do të hynin kurrë në mendjen e tij, aq më pak në dëshirat e zemrës së tij, po të mos e kishte këtë dhunti…”

Filozofja gjermano-hebreje konfirmon një parim të lashtë së paku 25 shekuj. Që në kohën e filozofëve të parë në Greqinë e lashtë (pra, s’ka nevojë të përdorim klishetë e Mazllovit) bëhej ndarja midis dy formave të jetës: zoe – jeta e thjeshtuar në riprodhim e në funksione biologjike, shqetësim i së cilës është thjesht të ngrënët, të pirët, të riprodhuarit dhe mundësimi i të gjitha këtyre sa më shpesh e sa më gjatë (pra të grumbulluarit); dhe bios – jeta brenda bashkësisë politike, jeta me sovranitet e me fakultete të veprimit. Zoe gëzojnë kafshët dhe njerëzit pa të drejta, ndërsa Bios vetë qytetarët të cilët në demokraci i karakterizon angazhimi në secilën vendimmarrje, si detyrë, ndërsa në aristokraci i karakterizon angazhimi vetëm në rolet e përcaktuara prej hierarkisë sociale të parapërcaktuar. Ndërkaq, për skllevërit pak ndryshim ka nëse është demokraci apo aristokraci.

Hannah Arendt tregon se askush nuk ka nevojë të bjerë pre e dëshpërimit, duke theksuar se fakulteti i veprimit njerëzor, që bën bashkë të ngjashmit, është rruga drejt jetës me sovranitet e drejtësi. Dorëzimi, heqja dorë prej kërkesës për sovranitet, në radhë të parë, të mos harrojmë, favorizon dhunuesin. Dorëzimi është veçse konfirmimi i parë i parimit xhunglor “i forti bën të drejtën”.

Ata që besojnë se vetëm i forti ka të drejtë, nuk mund të zhvillojnë kurrë ndonjë shtet, drejtësi, qytetërim ose kulturë post-mesjetare. Dhe, do të shihen gjithnjë me përbuzje prej të tjerëve, si servilë, të prapambetur dhe pa dinjitet. Sepse nuk ka nevojë as për shtet e institucione, as për parlament e as për drejtësi, për ta konstatuar “të drejtën e më të fortit”, d.m.th. për të thënë shteti X, korporata Y ose personi Z janë më të mëdhenj, më të pasur, më të fuqishëm se shteti A, korporata B apo personi C, pra këta të fundit ta ulin kokën e ta pranojnë fatin e tyre. Kjo është logjika e filmave me kauboj, logjika e xhunglës, por jo logjika e qytetërimit.

Në qytetërim e në demokraci drejtësia themelohet si e verbër (pra, si joselektive dhe jo specifikuese), domethënë si një sistem i cili e kufizon pikërisht të fuqishmin, shtetin e fuqishëm, korporatën e fuqishme, personin e fuqishëm, pra e kufizon fenomenin e “bullyizmit” në të gjitha format e veta.

Kosova, me qeverinë Kurti, është aktualisht i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor i cili ka shënuar rritje në indekset e demokracisë, lirisë së fjalës, sundimit të ligjit. Është vendi me kriminalitet më të ulët në rajon, njëkohësisht edhe vendi me më shumë të drejta për minoritetet. Është një vend ku po punohet me përkushtim të madh për zhvillim ekonomik e teknologjik dhe rishpërndarje sociale. Këto Kosova nuk po i bën për të kënaqur kërkesat e ndërkombëtarëve, por në radhë të parë sepse populli i saj beson ende te demokracia, beson ende se drejtësia është e mundshme. Por, asnjëra nga këto arritje të Kosovës nuk janë të parrezikuara nëse Kosovës i bëhet presion që ta pranojë “bullyingun” dhe të nënshtrohet përballë padrejtësive.

Dy sulme të dhunshme kanë ndodhur sivjet në Kosovë, të dyja në Zveçan. I pari në 29 maj, ku ndërkombëtarët e KFOR-it vendosën të mos e lejojnë policinë e Kosovës të veprojë, por u vunë vetë në barrikadë përballë elementëve të dhunshëm me përgatitje policoro-ushtarake të dërguar nga Serbia. Taktika që KFOR-i ndoqi ishte pasiviteti, duke mos kundërsulmuar përballë brutalitetit dhe kështu brutaliteti fitoi, ushtarët përfunduan të plagosur rëndë, ndërsa Vuçiqi u forcua. Sulmi i dytë ndodhi në 25 shtator. Kësaj radhe të infiltruarit kishin armatim të rëndë sa për dy batalione, kishin

makina të blinduara dhe specialistë të përgatitur ushtarakisht. Kësaj radhe ndërhyrja iu la në dorë policisë së Kosovës, e cila vendosi të mos qëndrojë pasive, por të veprojë për neutralizimin e sulmuesve. Rezultati ishte minimizim i dhunës me zero viktima ose civilë të plagosur, por njëkohësisht edhe zmbrapsje e sjelljeve destabilizuese të politikave destruktive serbe. Krahasimi mes këtyre dy sulmeve flet qartë. Një Kosovë e aftë që t´i thotë JO dhunuesve serbë, siç bëri në 25 shtator, është një themel për një rajon të qëndrueshëm e demokratik. Një Kosovë e përkulur që thotë gjithmonë PO është forcim i shovinizmit dhe i mafias në Beograd, por edhe në kryeqytete të tjera ballkanike.


Spread the love


Leave a Reply