“Stërvitjet e NATO përtej kakofonisë politike”

Spread the love

GJENERAL PIRO AHMETAJ

Sigurisht e kam ndjekur me interes të shtuar, konfirmimin e nisjes së stërvitjes së NATO-s “Steadfast Defender 2024”, e cila do të zgjasë deri në maj 2024. Në kapacitetin e “Ekspertit për Sigurinë Kombëtare, Rajonin dhe NATOn”, në vijim po paraqes një përmbledhje me mesazhet gjeostrategjike si dhe kakofoninë politike rreth kësaj ngjarje madhore për historinë e Aleancës:

Së pari, qëllimi ose mesazhi gjeopolitik i stërvitjes “SD-2024” është të testojë, kompaktësojë dhe përmirësojë fuqinë ushtarake të NATO-s për të shkruar (deterrence), përballur dhe mposhtur sulmet e armiqve potencial ndaj tërësisë territoriale të 31 vendeve anëtare, si dhe ndaj interesave kritike të Aleancës-Transatlantike! Ndërsa qëllimi dhe mesazhi strategjik i “Steadfast Defender 2024” është të demonstrojë fuqinë e pamposhtur ushtarake, përfshi aftësitë manovruese të NATO-s për të dislokuar me shpejtësi forcat nga Amerika e Veriut dhe 29 vendet Europiane si dhe të përmirësojë ndërveprueshmërinë e trupave në fushëbetejë nën moton “Të bashkuar mbetemi të pathyeshëm”. Po ashtu, objektivi/ mesazhi operacional i kësaj stërvitje “Të certifikojë ekzekutimin e planeve të mbrojtjes që NATO ka përgatitur/planizuar në tri dekadat e fundit”. Edhe pse në deklaratën e komandantit suprem të NATO-s, njëherësh edhe i Forcave Amerikane në Europë, gjeneral me 4 yje, Christopher Cavoli, ndoshta për “kujdes diplomatik” nuk përmendet Rusina – Putiniste, por nënvizoi se: “Kjo stërvitje do të zhvillohet mbi një skenar të simuluar të konfliktit në zhvillim me një kundërshtar të afërt, duke iu përgjigjur kështu një sulmi nga armiqtë potencialë”. Ndërsa, duhet thënë se mbas sulmit neo-nazist ndaj sovranitetit të Ukrainës, nuk ka mbetur më asnjë sekret që në planet strategjike të NATO-s, Rusia – Putiniste është (vetë) identifikuar si “kërcënimin serioz ndaj rendit global të sigurisë, ndaj integritetit territorial të 31 anëtarëve si dhe ndaj interesave gjeopolitike të Aleancës Euroatlantike”. Më konkretisht, në “Steadfast Defender 20243 do të angazhohen qindra njësi luftimi dhe ato të mbështetjes nga 31 vendet anëtare të NATO-s, përfshi Suedinë (që pret vetëm nënshkrimin e Ankarasë). Qendra e gravitetit të kësaj stërvitjeje do të jenë vendet Baltike si dhe ato të vijës parë, të cilat shihen më të rrezikuara nga një sulm ushtarak i Rusisë, ndërsa peshën kyçe për mbështetjen do e mbajë Gjermania dhe vendet në skajet e aleancës si Norvegjia dhe Rumania. Në këtë stërvitje do të angazhohen “rreth 90,000 trupa; mbi 50 asete strategjike detare, përfshi aeroplanmbajtëse, fregata, destrojerë etj., mbi 80 kapacitete ajrore si F-35 etj., avionë luftarakë nga USA, UK, Norvegji, Finlanda, Spanja, Polonia, Hungaria, helikopterë luftimi dhe dronë; të paktën 1,100 automjete luftarake, duke përfshirë 166 tanke, 417 transportues të blinduar (APCs) si dhe 533 automjete luftimi të këmbësorisë (IFVs) etj.”! Në përmbledhje të sa më sipër, mund të themi se “Steadfast Defender 20243 është një mesazh i fortë jo vetëm i forcës së kohezionit të vendeve anëtare dhe i vendosmërisë së Aleancës: “Për të mbështetur pa asnjë kompromis Ukrainën martire deri në fitoren e saj ndaj Rusisë, por edhe një demonstrim i fuqisë së pamposhtur ushtarake në mbrojtje të tërësinë territoriale të 31 vendeve anëtare si dhe interesave gjeopolitike të Aleancës Transatlantike (SHBA/NATO/UK)”.

Së dyti, me gjithë sasinë e konsiderueshme të trupave dhe mjeteve, numrin e vendeve pjesëmarrëse dhe shtrirja gjeografike, stërvitja “Steadfast Defender 2024” nuk është më e madhja e zhvilluar nga NATO pas viteve ‘90 (Luftës së Ftohtë). Për shkak edhe të së vërtetës, na duhet të zgjojmë memorien strategjike që: “Stërvitja më e madhe në historinë e Aleancës së pas viteve 90 mbetet ‘Reforger – 1988 me 125,000 trupa”, e cila i parapriu (ndoshta për koncidencë…), të parës luftë fitimtare të NATO-s, pra fushatës ajrore për çlirimin e Kosovës në gjashtëmujorin e parë të vitit 1999! Duke marrë shkas nga ky fakt, shtoj se stërvitjet dhe aktivitetet e mëdha të NATO-s, në rrafshin rajonal, apo kombëtar qofshin, nuk planifikohen apo zhvillohen kurrsesi mbi interesat e politikës së ditës. Pra, nuk zhvillohen as për të mbajtur “me demonstrime ushtarake” një grupim politik (parti) në qeverisje, as për të dhuruar (me fuqinë e ekspozimit të armëve) rotacion politik të pushtetit; as për të arrestuar zyrtare të korruptuar (siç turfullonte në prill 2021 avokat Ngjela!), si dhe as për të ushqyer tallavanë gjeopolitike të opinionistëve të gjithëditur në 31 vendet e NATO-s. Kështu, si një “ndër dëshmitarët modestë të planifikimit strategjik në SHAPE/NATO” mund të konfirmoj se: “Stërvitjet e mëdha të NATO-s planizohen dhe zhvillohen vetëm mbi bazën e peshimit strategjik të rreziqeve potenciale si dhe të nevojës për zhvillimin e respektivisht aftësive operacionale për të përmbushur misionin e mbrojtjes kolektive (artikulli 5)”. E thënë edhe më drejtpërdrejtë, “Steadfast Defender 2024” nuk ka asnjë lidhje me ndonjë konspiracion global; as me fushatën e Presidentit Biden apo rivalit Trump në USA; as me zgjedhjet apo me ndonjë agjendë të protagonistëve politik në 31 vendet anëtare të NATO-s. Kjo pasi, kolegët e planifikimit në Komandën Supreme të NATO-s (SHAPE), i ndërtojnë skenarët e stërvitjes: “Vetëm për mbrojtjen kolektive nga kërcënimet ndaj tërësisë territoriale të NATO-s” dhe për asnjë arsye nuk mund të ndërhyjnë në problemet e brendshme të vendeve anëtare! Gjithsesi, na duhet ta përmendim se “Steadfast Defender 2024” është stërvitje ushtarake kryesisht e trupave amerikane, kanadeze si dhe 29 vendeve europiane të NATO-s. Nga ana tjetër, është fakt i mirënjohur që të gjitha vendet NATO-s, përfshi RSH i vetëshpallin SHBA-të partnere strategjikë! Kjo, pasi përtej “propagandës elektorale”, kur vjen fjala për SHBA, të gjitha qeveritë europiane e pranojnë që: “SHBA-të mbajnë peshë kritike për sigurinë, ndërsa forcimi i lidhjeve transatlantike mbetet me rëndësi jetike për NATO-n”!

Së treti, sjellim në vëmendjen strategjike që me përjashtim të Serbisë, në këtë stërvitje marrin pjesë, Sllovenia, Kroacia, Mal i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut etj.. Prandaj duke e parë në planin rajonal, kjo stërvitje do të shërbejë ndoshta “jo vetëm rastësisht” si demonstrim i fuqisë së pakonkurrueshme të SHBA/NATO ndaj ambicieve dhe kërcënimeve gjeopolitike të Kremlinit edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe vendet e Europës Juglindore. Prandaj, kjo stërvitje do të shërbejë edhe si mesazh i fuqisë ushtarake të SHBA/NATO, drejtuar Beogradit: “Për të mos vijuar të keqpërdorohet për interesat e Moskës në rajon, të mos e armatosë deri në dhëmbë Serbinë (me Mig29, raketa dhe së fundmi me Drone Rus); të mos frymëzojë radikalet e tipit Dodik në Bosnje si dhe grupet kriminale në Veriun e Kosovës etj..

E thënë edhe më shkurt: “Serbia të mos kërcënojë meagresion ushtarak ndaj tërësinë territoriale të Kosovës; status-quonë gjeopolitike si dhe investimin e USA/NATO për paqen, stabilitetin dhe axhendën Euroatltantike të Rajonit të Ballkanit Perëndimor”! E thënë në dimensionin operacional, kjo stërvitje do të shërbejë edhe si konfirmim i mesazhit konstant që SHBA dhe NATO, i kanë përcjellë Serbisë prej qershorit 1999: “Një agresion ushtarak kundër sovranitetit të Kosovës, do të konsiderohet edhe si sulm ndaj trupave të KFOR-it/NATO-s”! Prandaj, shpresoj që kjo stërvitje të shërbejë edhe si një mesazh për vendet e Ballkanit, në mënyrë që paqen dhe stabilitetin afatgjatë: “Të mos e bazojnë përjetësisht as si dhuratame prezencën dhe aktivitetet madhore të NATO-s”, por do u duhet ta parakushtëzojnë me zhvillimin e Masave të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Beogradi Zyrtar “të imponohet” se:(1) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake sulmuese (si Mig -29, raketa Pantsir-S, helikopterë, tanke dhe drone ruse) deri në nivelin që të mos kërcënojë integritetin territorial të asnjë nga vendet (përfshi Republikën e Kosovës);(2); si dhe nuk do të vendos instalime dhe aktivitete ushtarake (20 km distancë ajrore dhe 5 tokësorë), në kufijtë shtetërore mes vendeve ndërkufitare. Më tej këto kushte me peshë duhen të monitorohen nga NATO që mbetet faktor kritik për paqen dhe integrimin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, prezenca e KFOR, “Steadfast Defender 2024” si dhe dhjetëra aktivitete të NATO-s në Rajon, janë arsye më shumë për vendet e Ballkanit, në mënyrë që paqja të mos keqpërdoret as kërcënohet nga Moska apo axhendat elektorale të udhëheqësve lokale. Gjithsesi shpresoj/a që edhe kjo stërvitje t’ju shërbejë elitave mendjehapura, jo vetëm në Beograd si “mesazh mirëbesimi reciprok” për të punuar kundër rikthimit te errësira e urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore mes popujve. Prandaj besoj fortë, se jo lufta, por mirëbesimi, paqja dhe axhenda e integrimit në NATO/BE mbeten misioni i vetëm i ardhmërisë së Serbisë si dhe 5 vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Së katërti, në planin kombëtar, RSH në 15 vite si vend anëtar (2009 – 2024), ka konsoliduar ndjeshëm standardet e planifikimit, kapacitetet operacionale dhe kulturën bashkëpunimit me NATO-n. Kjo për vetë faktin se me qindra ushtarakë/e kanë shërbyer në Shtabet e NATO-s si dhe me mijëra (për të mos thënë 100 % e personelit aktiv) kanë kontribuar në operacionet e saj në Afganistan, Bosnjë, Irak, Kosovë, Mali, etj. Prandaj, jam shumë i sigurt, që FARSH/ do të demonstrojnë profesionalizëm elitar në këtë stërvitje, duke përmirësuar edhe aftësitë e planifikimit, drejtimit si dhe ato luftarake(veçanërisht Tokësore & Detare pasi kapacitetet e luftimit ajror kanë kosto përtej mundësive reale të RSH). Përfshi jo vetëm këtë ngjarje madhore të NATO-s dhe përtej kakofonisë së politikës së ditës, e përsëris fort se edhe: “Kjo stërvitje, nuk ka asnjë lidhje as me delirete (mbi) Pushtetit; as me delekuencën e opozitës (vulëhumbur) dhe as me sekserët e oligarkëve që hedhin valle rreth e tepsisë së qeverisë për të privatizuar (përfshi edhe dashurinë dhe besnikërinë për atdheun) çështjet e sigurisë kombëtare, interesat gjeopolitike si dhe partneritetin strategjik me SHBA dhe NATO-n”. E thëne më drejtpërdrejtë, “Steadfast Defender 2024” nuk ka si të ketë lidhje me: “pluralizmin fasadë, me deformimet e demokracisë nga fuqia e (mbi) pushtetit dhe as me populizmin bollshevik”. Por edhe më qartë: “Nuk ka asnjë lidhje me deliret e qeverisë për të vijuar kalërimin e sigurt të shqiptarëve edhe në mandatin e katërt, por as me mjerimin e opozitës, e cila që prej humbjes turpëruese të 25 prillit 2021, vijon të luftojë me vetveten, jo për rotacionin demokratik të pushtetit, por për vulën, bravat, karriget dhe ofiqet e opozitës zyrtare”. Ndërsa përtej humorit:

“Kjo stërvitje sigurisht nuk ka asnjë lidhje me oshilacionet vetëdiskretituese (50 milionë euro ndihmë ushtarake për FS Kosovës) të mavro-gjeneralit/kryetarit të ushtrisë së vdekur”, si dhetë një grushti egocentrikësh të sëmurë, që për interesa cinike në mos perverse: “po u rrotullojnë thikën deri në palcë vlerave të së djathtës moderne në Shqipëri”!

Në shtesë, ndërsa 32 vjet pluralizëm politik dhe 15 vite anëtarësim në NATO, stërvitja “Steadfast Defender 2024” etj., ngjarje madhore të NATO-s, janë eksperiencë me mesazhe të gjeopolitike ndaj Tiranës: “Për të forcuar qasjen gjithëpërfshirëse, kohezionin e kombit si dhe konsensusin e gjerë në adresimin e interesave kombëtare; forcuar partneritetin strategjik me SHBA/NATO-n, duke rikthyer pluralizmin si dhe besimin e shqiptarëve në vlerat perëndimore dhe demokracitë funksionale”. Thënë këto, dëshiroj ta ritheksoj, se “Steadfast Defender 2024” etj., janë ngjarje madhore të fuqisë së partneritetit strategjik me SHBA/ NATO, të cilat “mbartin mesazhe me peshë kombëtare, që mbi të gjitha tejkalojnë interesat e çdo partie politike, të një apo disa mandate qeverisjesh, apo përtej çdo protagonist politik sado i mbipushtetshëm të jetë”. Thënë sa më sipër, shpreh konsideratat ndaj Shtabit të SHAPE, Belgjikë si dhe Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, për mesazhet e forta gjeopolitike në mbrojtjen e tërësisë territoriale, si dhe interesave të Aleancës Transatlantike (përfshi të RSH). Gjithashtu, do t’i këshilloja përfaqësuesit politikë dhe shtetërorë të Tiranës zyrtare që mesazhet e stërvitjes “Steadfast Defender 2024” apo aktivitete të ngjashme të NATO-s, kurrsesi të mos i adresojnë me kakofoni bolshevike, por si përgjegjësi e lartë shtetërore jo vetëm për mbrojtjen e interesave kombëtare, por edhe për promovimin e peshës konstruktive që mban Shqipëria në stabilitetin demokratik dhe agjendën e integrimit euroatlantik të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Së fundmi, duke shprehur nderimin për përkushtimin shembullor dhe sakrificat sublime për paqen, ju uroj përzemërsisht suksese ushtarakëve të Shqipërisë dhe të 31 vendeve të tjera pjesëmarrëse jo vetëm në këtë stërvitje. Me këtë rast rikonfirmoj se mbetem ushtar i atdheut, për të kontribuar me përulësi në mbrojtjen e interesave kombëtare si, dhe forcimin e partneritetit strategjik me USA/NATO-n!


Spread the love


Leave a Reply