SYNIMI STRATEGJIK I SERBISË ISHTE DHE MBETI: NDARJA E KOSOVËS

Spread the love

SYNIMI STRATEGJIK I SERBISË ISHTE DHE MBETI: NDARJA E KOSOVËS

Shkruan: Xhafer SHATRI

1. Hapi i parë, shpallja dhe themelimi i “Zajednicës“

Këtë analizë atipike po e nis jo nga fillimi, por nga fundi.

Acarimi i gjendjes në Veri të Kosovës, është pjesë e një skenari të mirëmenduar e të mirorganizuar në Beograd. Ndërkaq roli i institucioneve të Kosovës është ai i zjarrfikësve që përballen me piromanë profesionistë që jetojnë me shkrepse në dorë.

Prej që u hoq nga tavolina çështja e ndarjes së Kosovës, Vuçiqi ka pasur vetëm një qëllim, sabotimin dhe zhagitjen e bisedimeve me ndërmjetësues ngeali që kurrë nuk u bëhet vonë. Taktika ishte e qartë: të priten ditë më të mira me shpresë se një konstelacion tjetër gjeopolitik do t’i hapë Serbisë perspektiva të reja.

Mirëpo tutorit të Vuçiqit i ngutej. Ai e sulmoi Ukrainën dhe kështu i nxorri cullak edhe synimet jo vetëm të Rusisë por dhe Serbisë: rritjen e territoreve në dëm të shteteve që kishin fituar pavarësinë në procesin e zhgjymtyrimit të Bashkimit Sovjetik dhe të Jugosllavisë. Që në fakt ishin: Rusi, gjegjësisht Serbi e Madhe.

Për të qenë i saktë, nuk i ngutej vetëm Putinit e Vuçiqit por edhe Baidenit e Perëndimit: duhej konsoliduar shpejt e me çdo kusht botën dhe civilizimin perëndimor nga dëmet kolosale që kishte krijuar një anarkist e egoman par excellence me emrin Donald Trump. Sjellja prej tugjari e shtetari të dyshimtë të këtij të fundit, kishte ndihmuar fuqizimin gjeometrik të Kinës me të gjitha rreziqet që përfaqëson kjo superfuqi e dytë globale, por edhe sjelljen pa teklif e prej kusari të Putinit karshi fqinjve të tij.

Prandaj duhej konsoliduar Perëndimin dhe vlerat e civilizimin që ky përfaqëson, pavarësisht kundërthënieve dhe interesave të ndryshme mes Amerikës dhe Evropës Perëndimore. Në këtë konsolidim bënte e bën pjesë edhe paqetimi i Ballkanit, me Kosovën si qendër tektonike të tij.

Plani i Sholz-it dhe Makron-it, është pjesë e kësaj përpjekjeje, prandaj mbeshtetet publikisht nga Amerika. Ky plan, anise nuk dihen të gjitha detajet, ia prishë hesapet Serbisë, sepse mëton zgjidhjen njëherë e mirë të konfliktit shqiptaro-serb që, realisht, po zgjat qe më shumë se 1000 vjetë, e kjo do të thotë pavarësimi i plotë dhe, faktikisht, njohja nga Serbia e sovranitetit dhe kufijve të Kosovës.

Ky plan nuk mund të minohej ndryshe, pos duke i vënë flakën Veriut të Kosovës. Natyrisht se ky diversion i Beogradit i dëmton substancialisht interesat e qytetarëve të Kosovës me kombësi serbe, por ky është shëmbull shkollor se në luftë për territore, shpeshherë, njerëzit dhe jetët e tyre nuk kanë as vlerën e bubrrecave.

Në këtë hallakamë, Vuçiqi mëton krijimin e ngutshëm të Zajednicës me kompetenca të plota ekzekutive, në mënyrë që, kur të vijnë ditë më të mira, ky territor i Kosovës të aneksohet nga Serbia. Ndërkohë Serbia do të vazhdonte me negociata për statusin eksterritorial të kishave, si mënyrë përfide për copëzimin dhe defaktorizimin e plotë të Kosovës…

Prandaj çështja e targave etj., ishte dhe është vetëm pretekst. Edhe po të mos problematizohej fare çeshtja e targave, Serbia e kishte në plan të krijojë krizë serioze në Veri të Kosovës me qëllim që Plani Shcolz-Makron, te dështonte, ose ai të ndryshohej substancialisht në favor të Serbisë.

Nga burime të besueshme del se, Vuçiqi kishte përgatitur një skenar të rrezikshëm dhe të detajuar: në nëntor të këtij viti, Serbët, në Veri të Kosovës do të organizonin protesta masive për të kërkuar themelimin e “Zajednicës“, pas acarimit të gjendjes ata do të dilnin masivisht nga institucionet e Kosovës…, me ashpërsimin e gjendjes, përfshirë këtu edhe vrasjen e qytetarëve serbë nga vetë shërbimet serbe, Rakiqi dhe Radoiçiqi me shokë do ta themelonin menjëherë “Bashkësinë e komunave serbe“ dhe do t’i zgjidhnin organet e saj, sipas dokumenteve që i kishin nënshkruar më 2013 dhe 2015 Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, me homologët e tyre serbë.

Në kuadër të “Zajednicës“ do të formohej menjëherë edhe policia e saj, me uniforma të përgatitura paraprakisht. Kjo do të ndodhte edhe me administratën përcjellëse, organet e drejtësisë, doganën, agjencinë tatimore, postën etj.

Të gjitha këto do të pushtoheshin në valën e parë, menjëherë pas zaptimit të stacioneve të policisë.

2. SERBIA, KUR NUK ARRIJTI TA GJUNJËZOJË KOSOVËN, U PËRCAKTUA 
    PËR NDARJEN E SAJ

Pasi deshtuan të gjitha përpjekjet për ndryshimin e strukturës etnike qoftë përmes aksioneve të vazhdueshme ndëshkimore dhe masakrash masive, shpërnguljeve të dhunshme dhe diskriminimit deri në permasa të apart’heidit; elitat serbe u përcaktuan vendosmërisht për ndarjen e Kosovës.

Për herë të parë, me këtë projekt u paraqit shkrimtari i madh serb, Dobrica Qosiq, ne vitin e kahershëm 1968. Qysh atëherë dihej se kjo ide nuk ishte vetëm e “babait të nacionalizmit serb“, por edhe e Akademisë së Shkencave dhe Kishës Ortdokse Serbe (KOS).

Gjatë viteve ’90, në procesin e shpartallimit të përgjakshëm të Jugosllavisë, ndarja e Kosoves si projekti i elitave serbe mori formë konkrete përmes propozimeve të Qosiqit që u parashtroi, disa herë radhazi, Fuqive të Mëdha, po edhe medieve të njohur ndërkombëtare… Por edhe në studime multidisiplinare siç është ai i Krstiqit, Radovanoviqit, Batakoviqit etj.

Në substancë sipas këtyre studimeve delte se Serbisë duhej t’i takonte prej 70% deri në 30% të territorit të Kosovës.

Vija kufitare nuk ishte një vijë e drejtë, por i ngjanjte më shumë vizatimit të një shpute ariu mbi hartën e Kosovës… Ta zëmë, Manastiri i Deçanit dhe Patriarkana e Pejës, sipas këtyre projekteve, detyrimisht duhej t’i takonin Malit të Zi, ndërkaq një pjesë e mirë e Kosovës lindore, Shtërpca deri edhe Prizreni do t’i takonin Serbisë… Për Prishtinën këta rrobaqepës të hartave kishin vendosur të jetë distrikt mikst me një administratë të përbashkët…, diçka si Bijelina apo Mostari në BeH…

Në prag të Luftës së fundit, 1997-1998, projekti i ndarjes u bë definitivisht projekt i shtetit serb si zgjidhje radikale e çështjes së Kosovës. Shtatmadhoria e Serbisë (dhe Malit të Zi) këtë Projekt e quajti “Patkoi“, që do të thotë se forcat Serbe do ta zbraznin Kosovës, siç edhe e zbrazën dhe pastaj do të negocionin me projekte të imtësuara. Sipas të cilave pjesa e luanit do t’i takonte Serbise, ndërsa Kosovës disa delta në të cilat shqiptarët nuk do të mund të mbijetonin kurrë.

Pasi e humbi Luftën, në vitin 1999, Serbia e ndryshoi fjalorin por jo qëllimin. Kjo u pasqyrua përmes projektit të N. Qoviqit, asokohe drejtori i Zyrës së Serbisë për Kosovën dhe Zoran Gjingjiqit, kryeministër i Serbisë… Sipas tij: “Zgjidhjet e mira për Kosovën janë harxhuar deri në vitin 1999. Neve na kanë mbetur zgjidhjet e këqija. Ajo që është më së pakut e keqe, është ndarja e Kosovës…“

Në mars të vitit 2004 shpërthyen trazira të mëdha në Kosovë, u vranë shumë njerëz, shqiptarë e serbë dhe u dogjën shumë kisha ortodokse. Ishte hera e parë në historinë e Kosovës që shqiptarët digjnin në këtë farë feje objektet e kultit. Më vonë, nga shumë burime u konstatua se këto trazira i kishin organizuar shërbimet sekrete serbe, të cilat ishin ndihmuar nga pjesëtarët e SHIK-ut dhe G2, të që të dyja sruktura që i udhëhiqte kreu i PDK-së.

Ky ishte akti deciziv që ndarjen e Kosovës e legalizoi edhe ndërkombëtarisht, sepse kishte edhe miq të sinqertë të Kosovës që erdhën në përfundim se, pas këtyre ngjarjeve, ndarja e Kosovës qenkesh e paevitueshme.

Shqiptarët nuk kanë dëshirë të flasin për këto ngjarje të turpshme, e aq më pak të shkruajnë për to, ani se janë të vetëdijshëm se këto trazira janë ndër aktet me të rrezikshme antishqiptare në historinë tonë.

Këto ngjarje e kanë shtyer shpalljen e pavarësisë dhe i kanë krijuar Serbisë të gjitha kushtet e mundshme që atë që e kishte humbur në luftë ta fitonte në tavolinë pa e derdhë asnjë pikë gjak…

Një përgjegjësi të madhe historike për këto ngjarje dhe për shumë çka tjetër që ka ndodhur para dhe pas tyre në Kosovë, ka edhe shteti shqiptar. Sepse këto struktura që u vunë në shërbim të Serbisë, realisht ishin pjellë e tij.

3. ELITAT POLITIKE TË KOSOVËS DHE NEGOCIATAT ME SERBINË

Kosova doli nga Lufta pa institucione dhe pa struktura elementare për t’u përballur me gjendjen që krijon përfundimi i një qëndrese të gjatë e lufte tèe tmershme. Për pasojë, një popull i vogël, i djegur e i vrarë, sundohej nga 4 qeveri: UNMIK-u, Qeveria e Bukoshit, Qeveria e Thaçit dhe qeveria e Angjelkoviqit.

Kjo krejtanarki, të shumtën, ishte për shkak të shpartallimit të elitave të Kosovës, të institucioneve të saj, në radhë të parë.

Serbia kishte punuar shumë dhe gjatë që, edhe pas intervenimit të Natos, të krijonte kaos në Kosovë, sepse vetëm përmes mjegullës së kaosit brendashqiptar, ajo do të mund ta shpëtonte më lehtë atë që mund të shpëtohej pas kapitullimit në Kumanovë.

Në ato rrethana të turbullta, që krijon ardhja e Lirisë së munguar me shekuj, Kosova, kishte nevojë jetike për një zë të përbashkët, për një unitet minimal për çështjet më themelore që nënkupton fjala mbijetesë:

a. një platformë e përbashkët përfaqësimi përballë atyre që na kishin ndihmuar të çlirohemi;

b. një platformë e përbashkët për të ardhmen e Kosovës;

c. një platformë, gjithsesi e përbashkët, për përballjen me Serbinë në rrethana të reja…

Në mungesë të kësaj vetëdijeje elementare, në vend sundonte një kakofoni e padurueshme që shurdhonte dhe torturonte çdo mendje me këmbë në tokë.

Veç Serbisë, kjo gjendje i shkonte përshtati edhe një morie ndërkombëtarësh që përlanin e shkrryenin çdo gjë që u dilte përpara në tokën e djegur të një populli që nuk kishte jo vetëm kulm mbi kokë, por as brekë për t’u mlu.

Duke pasur përvojën e Luftës në Bosnje e Hercegovinë dhe komunikimin me të huajt atje, Serbia e zhbiriloi shpejt e gjithanshëm administratën ndërkombëtare në Kosovë, kështu që arrijti të organizojë brenda saj një strukturë informative, që ia mundësonte të marrë, si kafenë në tabak, çdo të dhënë të nevojshme për korpusin shqiptar dhe t’i përdorë ato kundër Kosovës.

Falë kësaj veprimtarie të gjithanshme, Serbia arrijti të ruajë strukturat e saja në Veri të Kosovës dhe të krijojë aty një territor ku nuk kishte as rend, as ligj, as zot.

Për më keq, falë moskokëçarjes se liderëve të Kosovës, strukturat serbe, përmes vrasjeve e dhunës sistematike, i ndoqën shumicën e popullsisë shqiptare nga Veriu i vendit. Çka është edhe më zi, në kohën kur Kosova kishte Kuvend, kryetar dhe qeveri, Serbia ua blente publikisht tokat dhe shtëpitë shqiptarëve.

Të gjithë e dimë, ani se nuk na pëlqen të pranojmë, se do të mjaftonte një qëndrim i përbashkët i subjekteve politike të Kosovës, që Bernard Kouchnerit, asokohe guvernator i Kosovës, t’i shkojnë në zyrë me një kërkesë ultime:

“Nëse brenda një muaji nuk vëni rend e ligj në Veri të Kosovës dhe nuk shkatërroni çdo strukturë dhe përpjekje që cënon integritetin territorial të Kosovës, ne do t’ju bojkotojmë kolektivisht, edhe ma zi se që e kemi bojkotuar Millosheviqin!“

Jam krejt i sigurt se do të mjaftonte vetëm kjo “sakrificë“ e liderëve tanë dhe integriteti territorial i Kosovës dhe kufijtë e saj kurrë më nuk do të viheshin në pikëpyetje.

Me çfarë moskokëçarjeje janë sjellur liderët e Kosovës asokohe me vendin tonë, më se miri e tregon rasti i Timorit Lindor. Ky vend i largët u çlirua, poashtu si edhe Kosova, më 1999, dhe, poashtu, falë Perëndimit. Ndërkaq, ky vend e shpalli Pavarësinë dhe u njoh ndërkombëtarisht, në vitin 2002, ndërsa Kosova, që më gjithçka ishte një shekull para këtij vendi, 6 vjet më vonë.

Dihet botërisht se procesi i pavarësimit të Kosovës zgjati aq shumë, parasegjithash për shkak se Hashim Thaçi, publikisht pengoi të ndodhte kjo, para se ai të bëhej kryeministër. Ndërkohë që i humbte zgjedhjet njërën pas tjetrës.

Sidoqoftë, duhej lidhur lëmezat disi kësaj çështjeje, prandaj nën udhëheqjen e Ahtisarit u organizuan negociatat e Vjenës. Këto negociata ishin pasqyrim i gjendjes së krijuar në Kosovë.

Presioni ndërkombëtar ishte i madh, ndërsa delegacioni i Kosovës i shpërndarë dhe i brishtë. Sidoqoftë, më 2 shkurt 2007, Ahtisari ua dorëzoi Planin (Pakon) e tij Këshillit të Sigurimit, BE-së, Kosovës dhe Serbisë. Kjo e fundit, për shkaqe që dihen, e shpalli këtë dokument armiqësor, edhe pse gjatë gjithë bisedimeve kishte luftuar vendosmërisht për çdo fjalë, për çdo pikë dhe për çdo presje.

Plani kishte të mirat e tij, sepse përmbante konturet e një shteti të ri, por ai kishte edhe elemente të rrezikshme bosnjëzimi që pasqyronin, më qartë se askund tjetër, pasojat katastrofike të ngjarjeve të turpshme të vitit 2004.

Se sa ishte në nivel delegacioni i Kosovës në negociatat e Vjenës e tregojnë dy shëmbuj konkretë:

– Veton Surroi pjesëtar i delegacionit dhe, padyshim, njeriu me i përgatitur për bisedime të tilla, shumë vjet më vonë e tha publikisht se “Delegacioni nuk e kishte kryer detyrën e tij karrshi Kosovës“;

– Një javë pasi e dorëzoi Ahtisari Planin e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e shqetësuar se përmes Pakos së Ahtisarit rrezikohej integriteti territorial i vendit, organizoi demonstrata masive në Prishtinë, ku morën pjesë disa dhjetëra mijëra protestues. Dy prej tyre u vranë.

Një vit më vonë, më 17 shkurt 2008, Kuvendi e shpalli Kosovën shtet sovran e të pavarur.

4. SHANTAZHI ME GJYKATËN SPECIALE IA HAPI UDHËN NDARJES SË
    KOSOVËS


Në vitin 2010 ndodhën dy ngjarje që do të kenë ndikim substancial në fatin e Kosovës:


1. Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, organ i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, shpalli vendimin se;

“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.“

Nga 14 gjyqtarë 10 kishin votuar pro këtij vendimi.

Vendimi ishte historik dhe kishte peshë të veçantë edhe për faktin se kërkesën për të pasur mendimin e GJND-së nuk e kishte bërë Kosova, por Serbia!

2. Më 16 dhjetor 2010, Këshilli i Evropës u njoftua me përmbajtjen e Raportit të Dick Marty-t, lidhur “me trafikun me organe të qenieve njerëzore gjatë Luftës në Kosovë“.

(Për të qenë i qartë me lexuesit e kësaj analize, jo vetëm për të dëshmuar koherencën, po e rrëfej këtë detaj: Dy orë pasi lajmi e mori dhenë, më thirri Abraham Zysiadis, gazetar i njohur zvicëran, dhe më ftoi të jem në platonë e Televizionit frankofon, në lajmet e mesditës, për të shprehur pikëpamjet lidhur me këtë Raport. Asokohe, në substancë, deklarova: “Raportin nuk e kam lexuar, sepse ai është publikuar sot, por për sa i përket akuzës kryesore për gjoja trafiqe organesh, kjo është një sajesë e rrezikshme e Serbisë, dhe ka qëllim parësor ndarjen e Kosovës…“).

Ndërkaq, kryepersonazhi i Raportit e kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se do ta ndiqte penalisht autorin e Raportit.

Më 10 shtator 2010, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e “miratoi rezolutën e Serbisë që u bashkësponsorizua nga Bashkimi Evropian, e cila e mbështet rolin kryesor të BE-së në ndërmjetësimin ndërmjet Serbisë dhe udhëheqësve shqiptarë të Kosovës…“

Bisedimet me BE-në si “lehtësuese“ filluan më 2011. Gjatë këtyre bisedimeve “teknike“ që zgjatën 9 vjetë, janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje, jo pak prej të cilave kanë mbetur në letër.

Zgjedhjet e 6 majit 2012 në Serbi, sollën në pushtet Aleksandar Vuçiqin, i cili me kohën u bë sundues absolut në Beograd. Aty e tutje, vozhdi i gjatë e mori edhe shkopin e dirigjentit në bisedimet për të ardhmen e Kosovës.

Edhe ky ashtu si Gjingjiqi, ishte i vetëdijshëm se pa u zgjidhur çështja e Kosovës, Serbia nuk do të mundë të rimëkëmbej kurrë.

Në fillim, koncepti i Vuçiqit (që, realisht, ishte i elitave serbe, pavarësisht përkatësive partiake) kishte synim që, nëse gjatë negociatave nuk mund ta impononte ndarjen e Kosovës, atëherë, nga katër komunat e banuara me shumicë serbe, në veri të Kosovës, të krijohej bërthama e një entiteti, që një ditë, në rrethana më të favorshme gjeopolitike, Serbia do të mundë ta aneksonte.

Kjo u arrit me Marrëveshjen e 19 prillit 2013, të cilën e nënshkruan kryeministrat Thaçi e Daçiq. Marrëveshja ka 15 pika dhe përsaktëson bazat themelore të autotomisë për këto 4 komuna.

Për të qenë i saktë, kjo Marrëveshje pati edhe të mirat e saj, sepse i “integroi“ në sistemin e Kosovës disa prej strukturave paralele të Serbisë në këto komuna dhe cyti pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e Kosoves.. Megjithatë pikat më të rrezikshme ishin: kompetencat ekzekutive e sidomos ato për planifikimin urban e rural.

Më 27 qërshor 2013, Kuvendi i Kosovës e ratifikoi Marrëveshjen. 84 deputetë votuan për, 3 ishin kundër dhe 1 abstenoi.

Ratifikimi u bë në rrethana të jashtëzakonshme për shkak të protestave masive të Lëvizjes Vetëvendosje kundër “Zajednicës“.

Për shkak të dilemave dhe pakënaqësive që krijoi kjo Marrëveshje mbeti pezull më shumë se dy vjet. Kur flasim për kundërshtimin kam parasysh droen kolektive të shqiptarëve nga rreziku i cënimit të kufijve, sepse Serbia nuk i fshihte e nuk i fsheh as sot pretendimet e saj për ndarjen e Kosovës.

Përndryshe asnjë subjekt politik dhe asnjë personalitet me peshë në Kosovë nuk shpërfaqnin as dje, e as sot, ndonjë tendencë diskriminimi, në çfarëdo fushe qoftë, ndaj serbëve të Kosovës. Keqeverisja është tjetër muhabet, sepse ajo i godet të gjithë.

Ndërkohë, Beogradi ndërmori të gjitha masat e mundshme organizative, diplomatike e financiare që Marrëveshja e vitit 2013 të mos mbetej në letër. Dhe kësaj ia arriti, me Marrëveshjen për “Parimet e Përgjithshme të Asociacionit të Komunave Serbe“, të cilën, më 25 gusht 2015, e nënshkruan kryeministrat Aleksandër Vuçiq e Isa Mustafa.

Kjo Marrëveshje, që e shqyente Kosovën nga brenda, shkaktoi trazira masive, të cilat i organizoi opozita e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. Përkundër kësaj Thaçi e Mustafa u përpoqën që edhe kjo Marrëveshje, me çdo kusht të ratifikohej nga Kuvendi i Kosovës. Këmbëngulja e pushtetarëve e solli Kosovën në prag të luftës qytetare, prandaj presidentja Jahjaga u detyrua t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për të pasur mendimin e saj lidhur me këtë çështje jetike.

Në aktgjykimin e datës 15 dhjetor 2015, Gjykata konstatoi se, përmes kësaj marrëveshjeje, Kushtetuta e Kosovës ishte shkelur hiç më pak se 23 herë.

Në aktgjykim, veç të tjerash, thuhet se, në disa pika të Marrëveshjes, raportet e Asociacionit me Qeverinë qendrore vendosen në pozicion të barabartë, horizontal, dhe, kështu, Kosova kthehet në shtet më shumë se konfederal.

Pavarësisht se një pikë e Marrëveshjes saktëson se kjo duhet të jetë në përputhje me germën e Kushtetutës, megjithatë kjo nuk e amniston Isa Mustafën, i cili me një rast, i mbështetur me shpatulla për muri, deklaroi publikisht se ai e kishte nënshkruar një Marrëveshje të tillë, sepse nuk është ekspert.

Ashtu si sot edhe atëherë për të gjithë ishte e qartë se, kjo Marrëveshje, ishte shkruar e ishte nënshkruar me pëlqimin e plotë dhe në prezencën e Hashim Thaçit. Por ajo që nuk dihej (nga shumëkush) as atëherë e as sot, ishte fakti se Hashim Thaçi dhe, jo vetëm ai, duke negociuar me Serbinë në fakt nuk negocionin vetëm për fatin e Kosovës, por sidomos për fatin e tyre. Jo rastësisht, 2 javë para se të nënshkruhej Marrëveshja për krijimin e entitetit serb në Kosovë, me këmbënguljen e jashtëzakonshme të Thaçit me shokë, më 15 gusht 2015, ishte themeluar Gjykata Speciale.

Për Isa Mustafën nuk dihej saktësisht se a më shumë ishte disiplinuar përmes dosjeve të Thaçit apo të Vuçiqit apo nga të dyjat bashkë. Duke e njohur mirë personalisht, e di se ai pa një zor të madh kurrë nuk do ta nënshkruante një dokument të tillë, që në fakt është tradhti e pafalshme. Sepse këtë dokument ai nuk e nënshkroi në emër të vetin, por në emër të Kosovës dhe të çdonjërit prej nesh.

Përfundimisht, Marrëveshja e vitit 2015, ua vuri kapakun negociatave në Bruksel, të cilat paria e Kosovës i quante “bisedime“. E “bisedimet“ ani se quheshin teknike, ato ishin kryekëput politike dhe në to Kosova ishte humbësi i madh, sepse gati përmes çdo marrëveshjeje vihej në pikëpyetje statusi dhe sovraniteti i saj. Këto negociata dëmtuan rëndë edhe çështjen e njohjeve, sepse krijuan bindjen se, përkundër vendimit të GJND-së, statusi i Kosovës, megjithatë mbetej pezull, dhe për të domosdo duhej të negociohet me Serbinë.

Në fakt kjo ishte një lojë përfide e Serbisë, e cila kishte mbështjetje serioze të “lehtësuesve“ të BE-së, konkretisht Mogherinit, e cila, bashkë me Vuçiqin, po i rrëknenin djallëzisht “bisedimet“ drejt negocitave për ndarjen e Kosovës.

Kur jemi këtu duhet duhet saktësuar se, njerëzit tanë, madje edhe të shquar mes tyre, ndarjen e identifikojnë ose si “korrigjim të kufive“, ose si “shkëmbim të territoreve“.

Kjo, thënë më se buti, është naive, sepse Kosova mund të shkëmbejë territorin që e ka dhe që e kontrollon, e jo territorin që ia kanë marrë me atë që nuk e kontrollon.

5. SI U HAP SHTEGU PËR COPËTIMIN E KOSOVËS?

1. Kur u nënshkrua Marrëveshja për funksionalizimin e Asociacionit, më 2015, Tomislav Nikoliq, kryetari i Serbisë deklaroi se tash e kemi edhe një Republika Srpska në Kosovë… Sipas Vuk Draskoviq, kjo deklaratë ua hapi sytë shqiptarëve dhe filluan ta kundërshtojnë kolektivisht.

Ndërkaq, Vuçiq, kur flet për negociatat me përfaqësuesit e Kosovës, është edhe më konkret:

“Më 2010 u mor vendimi katastrofik, kur ne i jemi drejtuar me letër Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ta pyetur se a është shpallja e Pavarësisë së Kosovës ilegale apo jo, dhe morëm përgjigjen se vendimi nuk ishte ilegal. Po të ishin shqiptarët të mençur, në Këshillin e Sigurimit etj, do t’i përmbaheshin vetëm këtij vendimi, e jo në atë që i zura dhe i munda lehtë, si Plani i Ahtisaarit e çdo gjë tjetër, (në atë rast) ne do ta kishim shumë më vështirë”

Pikërisht anashkalimi nga ana e pushtetarëve të Kosovës i këtij themeldokumenti dëshmon rrëknimin e negociatave me Serbinë drejt dështimit të pashmangëshëm. Sepse Kosovën, që nuk i ka as 11’000 km katror, Marrëveshjet për Zajednicën e bëjnë vend me dy kryetarë, me dy parlamente, me dy qeveri, me dy sisteme të ndryshme të sigurisë, të drejtësisë, të shëndetësisë, të arsimit etj…

Çka është më e rënda dhe më e papranueshmja, sipas këtyre marrëveshjeve, Prishtina do të qeveriste me shqiptarët dhe disa minoritete, ndërsa Zajednica me serbët. E me këtë të fundit do të udhëhiqte Beogradi.

Se çka do të thotë Zajednica për Kosovën e ka shpjeguar qartë, veç të tjerësh, edhe analisti i njohur amerikan, Janusz BUGAJSKI. Ja çka tha ky, para dhjetë ditësh, për Albanianpost:

“Kosova duhet të fokusohet në decentralizimin dhe vendimmarrjen lokale për të menaxhuar çështjet komunale. Plus, grupi i plotë i të drejtave kolektive etnike në gjuhë, arsim, kulturë, simbolikë dhe rituale fetare është i rëndësishëm për serbët dhe kombësitë e tjera në Kosovë. Megjithatë, krijimi i çdo organi administrativ me bazë etnike ose fetare brenda vendit është një “recetë” për mosmarrëveshje, konflikte dhe manipulime të huaja nga Serbia dhe Rusia.

BE-ja dhe SHBA-ja do të ishin të marrë të vendosnin një tjetër bombë me sahat në Kosovë pas gabimit që bënë duke krijuar entitete me bazë etnike në Bosnje-Hercegovinë …“

2.  Kur flasim për këtë temë përvëluese nuk mund të flitet për mosdije, mungesë përgjegjësie etj. të udhëheqësve të Kosovës asokohe, Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Se këtë zezonë ata, ashiqare, e kanë bërë, sepse duhet të jenë shantazhuar me dosje. E them këtë, duke qenë larg çdo mendësie bardh-zi, pasi që, për çdo mendje të shëndoshë, nuk mund të ketë shpjegim tjetër.

Për Thaçin dihej se shantazhohej me dosje që i ishin dorëzuar apo që pritej t’i dorëzoheshin Gjykatës Speciale, ndërsa për Isa Mustafën do ta tregojë koha.

Natyrisht se përgjegjësia bie edhe mbi krejt grupin negociator, që po heshtin si peshqit, sepse asnjëri prej tyre deri sot nuk dha shpjegime për shkaqet dhe rrethanat në të cilat kufijtë dhe sovraniteti i Kosovës u nxorën në pazar si të ishin plaçkë lufte.

Se sa të rëndësishme ishin dhe vazhdojnë të jenë për Serbinë marrëveshjet Thaçi-Daçiq dhe Mustafa-Vuçiq e tregon fakti se Serbia, sot më shumë se asnjëherë tjetër, po këmbëngul që me çdo kusht dhe menjëherë të themelohet Asociacioni. Në këtë këmbëngulje ajo ka mbështetjen e plotë të fuqive perëndimore, në radhë të parë të SHBA-së.

3. Nga tërësia e debatit që është shpërfaqur në Serbi lidhur me këtë temë, del se strategjia e udhëheqjes serbe ishte dhe mbeti që, si hap i parë, të krijohet në Kosovë, të paktën, një etnitet serb, përmes të cilit në hartën e sovranitetit të saj të hapet një hulli që, më vonë, me kohën të kthehet në kufi shtetëror.

Mirëpo Serbisë i ngutej, ajo donte që sa më shpejtë dhe me çdo kusht ta vërë kufirin me shqiptarët dhe njëherë e përgjithmonë. Epërësia e parë ishte se njeriun kryesor të Kosovës, Hashim Thaçin, në një mënyrë, Serbia e kishte në dorë, sepse kishte dosje për të dhe përmes tyre e disiplinoi gradualisht derisa e bëri pulë. Pazari duhet të ketë qenë i thjeshtë: “nëse merresh vesh me ne do t’i shpëtosh burgut, nëse jo, atëherë, këto dosje ne do t’i çojmë atje ku duhet, në Hagë…“

Kjo u dëshmua kur, më vonë, filluan negociatat për copëtimin e Kosovës, dhe në tavolinë, krahas hartave dhe gërsherëve, ishte edhe karrota për abolimin e dyanshëm të krimeve.

Në anën tjetër, rrethanat gjeopolitike kishin ndryshuar rrënjësisht e në favor të Serbisë: Amerikën e udhëhiqte një kryetar aksidental që nuk kishte as njohuritë elementare për politikën e jashtme, BE ishte dobësuar dukshëm pas largimit të Britanisë, Rusia i aneksoi Krimenë, Luganskin e Donbasin dhe Perëndimi nuk e lëvizi as gishtin, as gjuhën…

Në këto rrethana, për të qenë e suksesshme në copëtimin e Kosovës, Serbia kishte nevojë ta shtrijë ndikimin e saj te udhëheqja e Shqipërisë. Kjo ishte një strategji e vjetër, të cilën elitat serbe nuk e kanë fshehur asnjëherë, të paktën tash 60 vjet e këtej. Pa hyrë në numrimin e shkaqeve po ndalem te synimi: përmes bisedimeve të drejtpërdrejta me Shqipërinë, Serbia shpresonte dhe vazhdon të shpresojë se e ndanë Kosovën më lehtë, merr më shumë territor dhe e zgjidh problemin me shqiptarët njëherë e përgjithmonë pa pasur nevojë ta njohë Kosovën. Në anën tjetër kjo do të kapërdihej shumë më lehtë nga opinioni serb.

4. Pikërisht për këtë qëllim, Vuçiqi iu afrua Edi Ramës. Rrugët që çuan deri te bashkëpunimi mes tyre nuk dihen krejt, por ajo që dihet është se një kontribut madhor në këtë drejtim ka dhënë Toni Bler, ish-kryeministri britanik, personalitet që gëzonte autoritet ikonik në Kosovë dhe te shqiptarët për shkak të angazhimit të tij maksimal në bombardimin dhe defaktorizimin e Serbisë.

Në vitin 2013, menjëherë pas zgjedhjeve në Shqipëri, Toni Bler u emërua kryekëshilltar i kryeministrit Rama.

Më 19. 06. 2014, Bler u ftua në Beograd dhe takoi A. Vuçiqin. Duhet theksuar se në vitin 2000, Gjykata e Qarkut në Beograd, për shkak të rolit të tij në bombardimin e Serbisë, e kishte dënuar Tony Bler me 80 vjet burg!

Pas takimit Vuçiq deklaroi se ky ishte një rast shumë i mirë për Serbinë!

Burime të besueshme pohojnë se takimin Rama-Vuçiq, që u mbajt në Beograd, më 10 nëntor 2014, ku kryeministri shqiptar e tha atë fjalinë e “famshme“: “Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm rajonal dhe evropian…“ ishte organizuar me detaje nga Toni Bler dhe ekipi i tij.

Në vitin 2015, Toni Bler u bë zyrtarisht këshilltar edhe i kryeministrit serb, Aleksander Vuçiq.

Se çka ka ndodhur ndërkohë, do ta shpjegojë historia një ditë kur nuk do të jemi ne, por faktet flasin se, më 14 tetor 2016, në Nish u mbajt një forum biznesor ku merrnin pjesë mbi 300 ndërmarrës të të dyja vendeve. Njëkohësisht u mbajt një takim kokë më kokë, mes Ramës dhe Vuçiqit. Ky i fundit atë ditë deklaroi:

“Shqiptarët dhe serbët janë dy popujt më të mëdhenj në Ballkan dhe nuk duhet të lejojnë që marrëdhëniet e tyre në të ardhmen t’ua rregullojnë të tjerët.“

Njohësit e historisë e dijnë se të njëjtat fjalë i fliste, kudo që i jipej rasti, edhe Nikolla Pashiqi, këtu e një shekull më parë. Që ndryshe do të thotë: Lërini të qetë ujkun dhe qëngjin që t’i sheshojnë punët e tyre…

Ky takim, që shënoi kthesën e madhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë, ishte përgatitur gjatë dhe mirë nga rrethi më i ngushtë i të dy kryeministrave. Për këtë flet një detaj interesant: Dy javë më parë, konkretisht më 2 tetor 2016, kryetari Thaçi e kishte emëruar Bedri Islamin, këshilltar të jashtëm. Në fakt B. Islami ishte dërguar aty nga Edi Rama.

E përmend këtë rast, sepse flet shumë dhe flet vetë: më 1998, kur Kosova po digjej flakë, shteti shqiptar e eliminoi udhëheqjen autentike të LPK-së Emrush Xhemajlin, Ali Ahmetin, Muhamet Kelmendin, Gafurr Elshanin dhe vuri në krye të LPK-së, Bedri Islamin. Falë këtij të fundit, Hashim Thaçi me shokë u bënë drejtues të UÇK-së. Këtu e tutje lufta për çlirimin e Kosovës u kthye në luftë për pushtet dhe me rreziqe serioze për konfrontime brendashqiptare.

5. Bisedimet e fshehta për ndarjen e Kosovës u intensifikuan pasi Thaçi u zgjodh kryetar i Kosovës (7 prill 2016). Për t’ia arritur kësaj ai kishte përdorë të gjitha mjetet e mundshme: shantazhin me dosje, paratë, premtimet me poste etj. Këtë “trofe“ Thaçit ia mundësoi Lidhje Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjen e Thaçit për kryetar, e kontestoi fuqishëm opozita në krye me Lëvizjen Vetëvendosje, aktivistët e të cilës e penguan jo pa sukses inaugurimin e tij.

Ishte bërë një vit pas themelimit të Gjykatës Speciale, dhe Thaçi nisi ta kuptojë se ia kishte vënë vetës litarin në qafë. Prandaj u përpoq, qe disi, ta sheshojë fatin e vet. Kjo nuk mund të bëhej ndryshe pos duke krijuar kaos gjithandej në Kosovë.

Në rrethana të çuditshme, më 5 gusht 2016, Kuvendi i Kosovës sulmohet me minahedhës. 20 ditë më vonë për këtë akt terrorist policia arrestoi 6 aktivistë të LVV, mes tyre Astrit Deharin. (Më vonë, Gjykata të arretuarit i shpalli të pafajshëm.)

Më 5 nëntor 2016 u mbyt mizorisht në burg Astrit Dehari. Të gjitha veprimet, deklaratat, informatat e dezinformatat realisht dilnin nga kabinetit i Thaçit. Çdo gjë që bëhej kishte një qëllim: me e kallë Kosovën, me e shpallë LVV të jashtëligjshme dhe pastaj me i zgjidhë njëherë e mirë dhe njëkohësisht çështjet me Serbinë dhe me Gjykatën Speciale.

Por Thaçi nuk ia arrijti këtij qëllimi, sepse Kurti nuk ra në kurthë, nuk organizoi manifestime publike, u mjaftua vetëm me denoncime verbale.

Pas disa muajsh u provua edhe skenari tjetër, por për qëllime të njëjta, me dosjen e shpifur “Syri i Popullit“… Edhe kjo përpjekje dështoi. Dështoi keq.

Më 9 shtator 2017, përmes koalicionesh të habitshme e të papritura, duke shkelur çdo parimësi, Ramush Haradinaj u zgjodh kryeministër i Kosovës.

Njëri prej kushteve të Hashim Thaçit për krijimin e koalicionit ishte që jo qeveria, por kryetari i shtetit do t’i udhëhiqte bisedimet me Serbinë.

Këtë shkelje të Kushtetutës, më vonë, Haradinaj e arsyetoi me një fjali modeste: “…jam tërhequr nga dialogu, sepse nuk jam specialist i dialogut. I di të metat e mia…“


Spread the love


Leave a Reply