TABLO E SHKURTËR MBI MAQEDONINË E VERIUT

Spread the love

Shkruan Albulenë Halili

Maqedonia e Veriut është një shtet unitarist atipik.

Është një shtet de jure monoetnik, madje etnocentrik, i ndërtuar në një shoqëri de facto multietnike.

Problemet, apo të gjitha çështjet e hapura në Maqedoninë e Veriut janë të natyrës ontologjike, pra, kanë të bëjnë me vetë qenien e saj.

– E para, gjeneza e Maqedonisë së Veriut si shtet.

Maqedonia u krijua në vitin 1945, nga Tito, si shtet-tampon mes Shqipërisë dhe Bullgarisë nga njëra anë, dhe Serbisë e Greqisë nga ana tjetër, në një territor të kontestueshëm, për të siguruar një stabilitet gjeostrategjik dhe gjeopolitik rajonal.

Maqedonia qe njësi e Federatës jugosllave me status të republikës, pra, sipas kushtetutës së 1974, edhe me të drejtë shkëputjeje. Në vitin 1991, Maqedonia organizoi referendumin për pavarësi, të cilin e bojkotuan shqiptarët, të cilët pa vullnetin e tyre mbetën brenda kufijve të këtij shteti.

Ky fakt, e bën procesin e pavarësimit një proces jolegjitim. Për më tepër, në vitin 1992, shqiptarët organizuan vetë një referendum për autonomi territoriale dhe politike, ku 92% e pjesëmarrësve u deklaruan “për”. Ky referendum u injorua nga të gjithë aktorët, të vendit e ndërkombëtarë.

– Së dyti, filli i të gjitha problemeve, të cilat pengojnë mbarëvajtjen e këtij shteti, gjendet pikërisht në aktin më të lartë juridik të këtij shteti, që është kushtetuta.

Në preambulën e saj thuhet se shteti i takon popullit maqedonas dhe pjesëve të popujve të tjerë që jetojnë në këtë shtet, në mesin e të cilëve radhiten edhe shqiptarët. Pra, shqiptarët, janë kategori e nënrenditur kushtetuese. E njëjta vlen edhe për gjuhën shqipe, të cilës, si kushtetuta edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, i referohen me frazën “gjuhën të cilën e flasin më shumë se 20% e popullatës”.

Pas luftës së vitit 2001, me Marrëveshjen e Ohrit, e cila u nënshkrua me ndërmjetësimin ndërkombëtar, u bënë ca ndryshime kushtetuese, por nuk u krijuan mekanizmat të cilat do të siguronin jetësimin e tyre. Koncepti i shtetit vijon të jetë i paprekur, pra në shpërputhje me natyrën e shoqërisë që jeton në këtë shtet.

– Së treti, terri demografik.

Për shkak të natyrës së këtij shteti, numri i banorëve të etnive që jetojnë në Maqedoninë e Veriut përcakton gjithçka, duke nisur nga kushtetuta ku përcaktohet se kujt i përket sovraniteti, pra, pronësia mbi shtetin, të drejtat kolektive, përfaqësimi në institucione, ndarja territoriale, listat zgjedhore, përdorimi i gjuhës shqipe në territorin e shtetit, shpërndarja buxhetore nëpër rajone, e kështu me radhë.

Maqedonia e Veriut nuk e ka kryer procesin e regjistrimit të popullsisë që nga viti 2002. Maqedonasit vazhdojnë të sundojnë me politikat e bazuara nga të dhëna të vjetëruara. Trendet demografike ndryshojnë me ritëm të shpejtë, sidomos kur krahasojmë numrin në rritje të lindjeve te shqiptarët në raport me maqedonasit, apo edhe për shkak të migrimit masiv të të rinjve në vendet e Evropës Qendrore.

– Së fundmi, kontestet bilaterale të Maqedonisë së Veriut me të gjithë fqinjët, me përjashtim të shqiptarëve.

Mëdyshjet identitare dhe përpjekjet utopike për krijimin e një kombi të ri politik u ndeshën me interesat e të gjithë fqinjëve përreth: greke (për flamurin dhe emrin), bullgare (gjuhën dhe etnogjenezën), serbe (kishën), ndërkaq së brendshmi edhe me interesat e shqiptarëve të cilët jetojnë në këtë shtet, të cilët nuk pranojnë të bëhen pjesë e këtij konstruksioni të paqenë, pra e një kombi politik, ku ata do të ishin maqedonas me prejardhje shqiptare.

Mospërfillja e çështjeve të lartpërmendura mund të sjellë “mjellmat e zeza”, apo ato që në anglisht njihen si “black swans” për Maqedoninë e Veriut. Aktorët politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të organizuar kryesisht në formë partish politike, kanë qenë deri tani, kryesisht, prania e papranishme apo e keqja e domosdoshme në pushtetin e këtij shteti. Pa dashur të amnistoj asnjërën nga strukturat politike shqiptare deri tani, gjykoj se kjo ka ndodhur për disa arsye:

– së pari, për shkak se inferioriteti shqiptar është kushtetues;

– së dyti, për shkak të ndikimit të strukturave shtetërore maqedonase në përzgjedhjen e kuadrove udhëheqëse shqiptare;

– së treti, mungesa e përvojës institucionale e shqiptarëve, e determinuar nga rrethana të njohura historike; dhe së fundmi,

– përzgjedhja e kuadrove në bazë të kritereve të tjera, përpos atyre të meritorkracisë e kompetencës.

Këto arsye kanë bërë që pushtetizimi i individit të ecë në raport të zhdrejtë me pushtetizimin e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Sot, për shkak edhe të ndërrimit të rrethanave dhe arsimimit (Universiteti i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Universiteti i Tetovës, është themeluar në vitin 1994), shqiptarët po politizohen në kuptimin e njëmendët të fjalës, duke u bërë të vetëdijshëm për domosdonë e drejtësisë dhe statusit të barabartë kushtetues e shoqëror në këtë shtet. Ky politizim, ka filluar dalëngadalë të pasqyrohet edhe në politikëbërjen dhe ndërrimin e mendësisë shtetërore.

Ndonëse ky është një proces i gjatë, i cili do kohë, vullnet, mund, dhe mbi të gjitha, ndryshime thelbësore, në kuptimin e përshtatjes së rregullimit kushtetues, me realitetiin e shoqërisë që jeton në Maqedoninë e Veriut.  [rrugapress.al// ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply