Të njohësh armikun dhe të njohësh veten

Spread the love

Të njohësh armikun dhe të njohësh veten

“Të njohësh armikun dhe të njohësh veten, në 100 beteja kurrë nuk do të jesh në rrezik. Kur nuk njeh armikun, por njeh vetëm veten, shanset e tua për të fituar ose humbur janë të barabarta. Nëse nuk njeh as armikun e as veten, është e sigurt se do humbësh çdo betejë”. [Sun Tzu]

Nga Dritan Goxhaj / Tiranë

Përpjekja e fundit e furishme e NATO-s për të armatosur Ukrainën me armë dhe teknologji të sajën ushtarake, është diçka jo për të qeshur, por për t’u shqetësuar. Jo për faktin se po armatos Ukrainën, por për faktin se duke tentuar të armatosë Ukrainën, ajo po demilitarizon vetveten.

Ndaj edhe vendimet e fundit politike të udhëheqësve të vendeve të NATO-s më sjellin në mend thënien e kryeministrit francez gjatë Luftës së Parë Botërore , Zhorzh Klemanso (Georges Clemenceau): “Lufta është një çështje shumë e rëndësëshme për t’ua lënë në dorë ushtarakëvë”.

Dhe kur politika e konsideron luftën si një çështje vetëm të sajën, ashtu si po ndodh tashti me gjithë Perëndimin, vijmë te rëndësia e njohjes së vetes dhe njohjes së armikut.

Për këtë strategu ushtarak Sun Tzu ka shkruar në librin e tij Arti i Luftës :
“Të njohësh armikun dhe të njohësh veten, në 100 beteja kurrë nuk do të jesh në rrezik. Kur nuk njeh armikun, por njeh vetëm veten, shanset e tua për të fituar ose humbur janë të barabarta. Nëse nuk njeh as armikun e as veten, është e sigurt se do humbësh çdo betejë”.

Dhe vërtetë tentativa e fundit e politikës perendimore për të armatosur Ukrainën me mjetet e saj, me idenë se me këto armë do të arrijnë të mundin ushtrinë ruse, të jep përshtypjen se kjo politikë është në nivelin për të cilin flet paragrafi i fundit i thënies së Sun Tzu-s “Nëse nuk njeh as armikun e as veten, është e sigurt se do humbësh çdo betejë”.

Për të qënë më realë le të shqyrtojmë më konkretisht fuqinë ushtarake të gatshme për luftë të këtyre dy forcave, të NATO-s dhe të Rusisë.

Dhe kjo gjëndet e plotë në këtë adresë:  https://www.globalfirepower.com

Në vijim disa aspekte specifikisht të lidhura me luftimet dhe llojin e armëve që po përdoren masivisht gjatë luftës në Ukrainë.

Sipas kësaj faqeje, NATO posedon në total:

336,690 forca të gatshme për luftë (pa llogaritur këtu rezervat që janë diku te 125,000);

1,515 tanke të gatshme për luftë;

1,082 bateri artilerie tokësore.

Ndërsa Rusia posedon në total:

838,500 forca të gatshme për luftë (pa llogaritur rezervat që janë 250,000);

9,315 tanke të gatshme për luftë;

10,609 bateri artilerie tokësore.

Ashtu siç shihet, bazuar mbi këtë raport forcash, sado që NATO të përpiqet të armatosë Ukrainën, nuk ka gjasa ta mundë Rusinë ashtu siç pretendojnë disa politikanë perendimorë, të cilët duket qartazi që as që e kanë haberin e ushtrisë.

Për këtë do të duhej vetëm të hidhnin një sy pas në histoinë ushtarake moderne. Dhe pikërisht në Luftën e Gjirit në vitin 1991, në atë që njihet si Operacioni “Stuhia e Shkretëtirës”, i udhëhequr nga Amerika në të cilin mori pjesë gjithë NATO kundër ushtrisë irakene.

Në atë kohë Iraku kishte në fushën e betejës në total 650,000 forca. Ndërsa rusët kanë sot në fushën e betejes në Ukrainë rreth 695,000 forca, nga të cilat 150 mijë forca i përkisnin ushtrisë ruse prej fillimit të operacionit ushtarak, 120 mijë forca i përkisnin dy republikave separatise Donbas dhe Luhansk, plus
300 mijë forca të mobilizuara në shtator 2022, plus 50 mijë forca paramilitare, plus 75 mijë forca vullnetare. Pra një shifër me një sasi prej 45 mijë forcash më shumë sesa posedonte ushtria irakene në fillim të operacionit “Stuhia e Shkretëtirës”.

Për të mundur forcat irakene, Amerika në koalicion me NATO-n dhe disa vende të tjerë, angazhuan në total 950,000 forca, nga të cilat 700 mijë i përkisnin Amerikës dhe NATO-s dhe 250 mijë të tjera aleatëve të saj, por që nuk ishin pjesë e NATO-s. Dhe të mos harrojmë që Amerikës iu deshën plot 9 muaj për të arritur të grumbullonte dhe poziciononte këtë forcë. Duhet të llogarisim këtu që gjerësia e frontit që duhej të sulmonte Amerika me koalicionin e saj ishte vetëm 240 km, d.m.th. 5 herë më e vogël sesa fronti prej 1200 km në të cilin shtrihet sot ushtria ruse në Ukrainë, duke mbajtur nën kontrollin e saj një teritor prej 87,000 km2.

Sot nuk po shihet asnjë angazhim për mbledhje dhe përqëndrim forcash nga ana e NATO-s dhe Amerikës, as edhe në atë që në qershor të 2022 u konsiderua si Fronti Lindor, ku sipas vendimit të NATO-s, do të duhej që brenda shtatorit 2022 të përqëndroheshin 300 mijë forca në gjithë pjesën e kufirit të Evropës me Ukrainën. Deri me tashti, vetem 120 mijë forca janë pozicionuar

Ndërsa Ukraina vetë posedon një sasi forcash të barabartë me sasinë e forcave ruse në Ukrainë, por me një ndryshim të madh, pasi forcat ukrainase nuk posedojnë fuqinë materiale dhe logjistike ushtarake që posedonjnë forcat ruse, plus as mbështetje dhe mbulim ajror dhe me artileri.

Ndaj dhënia nga ana e NATO-s e 100 apo edhe e 300 tankeve nuk do të sillte asnjë ndryshim në fushën e betejës dhe as në mbarëvajtjen e kësaj lufte, as për Ukrainën e as për vetë NATO-n, përkundrazi ajo do të sjellë rënie të kapaciteteve ushtarake të NATO-s dhe dobësim të fuqisë së saj mbrojtëse, pasi edhe me këto forca dhe mjete që ajo ka tashti, nuk ka fuqi ushtarake sulmuese për një kundërshtar si Rusia.

Dhe me anë të këtij veprimi politik të papërgjegjshëm, Perëndimi po i vjen në ndihmë Putinit dhe Rusisë, që me një gurë të vrasë dy zogj, njëkohësisht të arrijë jo vetëm demilitarizimin e Ukrainës, por edhe të NATO-s, dhe në fund të kësaj lufte, me një NATO të dobësuar ushtarakisht për shkak të vendimeve të gabuara dhe idiote politike të udhëheqësve të saj politikë, do të vihej në pikëpyetje të madhe “raison d’etre” (arsyeja e ekzistencës) së vetë NATO-s.

[Dritan Goxhaj, 3 shkurt 2023]


Spread the love


Leave a Reply