UKRAINA, MAKTHI I EVROPËS E TMERRI I RUSISË

Spread the love

UKRAINA, MAKTHI I EVROPËS E TMERRI I RUSISË

Nga Xhafer SHATRI

Blickrieg e Putinit në Ukrainë nuk po shkon ashtu siç e kishte planifikuar ai; ukrainasit nuk po i tuten armatës ruse, po qendrojnë dhe, siç po shihet, kjo do të jete nje lufte e gjatë, kryesisht nje lufte rraskapitëse gjysmëguerile e organizuar dhe e udhehequr nga Shtatmadhoria. Agresioni i ri, Rusisë do t’i kushtoje shume…, gati si pushtimi i dikurshem i Afganistanit.

Iluzionet e Putinit më së miri i shperfaqi, gabimisht, me 27 shkurt, agjencia shtetërore e lajmeve “Ria novosti“, kur publikoi shkrimin e përgatitur paraprakisht të Pjoter Akropovit, përmes te cilit shpallej fitorja e Rusisë mbi Ukrainën.
Në artikull pershkruhej poshtrimi që kishte pësuar Rusia pas shpalljes së Ukrainës shtet i pavarur dhe përgëzohej Putini që çështjen e zgjidhjes se Ukrainës nuk ua kishte lënë gjeneratave të ardhshme, por e kreu vet, duke e bërë një shtet te pavarur 40 milionësh e me siperfaqe prej 600’000 km katror, pjese te “Botës ruse“.1

Teksti u tërhoq menjehere, por ishte tepër vonë, sepse veç e kishte marre dhenë.

Ashqiqare, zhgënjimi i Putinit është i shumëfishtë;

së pari, u bind se nuk ka një ushtri të mirorganizuar, të trajnuar dhe të motivuar;

së dyti, e pa me sytë e tij se ukrainasit nuk do “ta presin pushtimin rus me lule“;

së treti, BE-ja, ani se e infilturar keq nga politikanë që Moska i kishte korruptuar me vite, nuk reagoi për “operacionin special“ mefshtë si për aneksimin e territoreve të Gjeorgjisë apo aneksimin e Krimes dhe Donbasit;

së katërti, furnizimi i ekonomive perendimore me gaz e naftën ruse, pas agresionit në Ukrainë, nuk doli të jetë jetik, sepse BE-ja sidomos, jo vetëm u zgjua nga gjumi, por u mobilizua e u bashkua si rrallëherë, kundër Putinit e ne mbeshtetje të Ukrainës duke aplikuar sanksione dërrmuese për ekonomine e Rusisë;

se pesti, mbështjeta nderkombetare për vendosjen e një rendi të ri botëror, bipolare ose shumëpolare, à la Putinçe, doli të jetë zero me hiç…

Këtë e shpërfaqi votimi masiv i Rezolutës kundër pushtimit të Ukrainës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku Rusia doli e zhveshur cullak dhe krejt e vetmuar.

                                                                        *          *          *

Gjithsesi qëndrimin e civilizimit perendimor më së miri e kristalizoi, në 6 pikat e tij, kryeministri anglez, Boris Jonson:

1. Mobilizimi i një koalicioni ndërkombëtar për Ukrainën;

2. Të përkrahet Ukraina në përpjekjet për vetë-mbrojtje;

3. Të rritet presioni ekonomik ndaj regjimit të Putinit;

4. Të parandalohet normalizimi i asaj se çka është duke bërë Rusia në Ukrainë;

5. Të ndiqen rrugët diplomatike për de-eskalim, por vetëm në bazë të pjesëmarrjes së plotë të qeverisë legjitime në Ukrainë;

6. Të fillohet një fushatë e shpejtë për fuqizimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në gjithë regjionin euro-atlantik.

Ne zallahinë e lajmeve dhe analizave për agresionin rus në Ukrainë është me rëndësi të dijmë se çka mendojnë analistët eminentë, dija dhe fjala e të cilëve ka thellësi e peshë.


Henri Kisinxher, doajeni i lagjes së analistëve, i jep përparesi dialogut. Nuk është çudi për një kryemjeshtër të negociatave e të kompromiseve si ai. Por ajo që ky këmbëngulë është se Ukraina nuk guxon te heqë dorë nga Krimeja. Dhe ky është thelbi i analizes së tij në “Washington post”.


Yuval Noah Harari, historiani e shkrimtari i njohur izraelit në “The Guardian“shprehet kështu:

“Ende pa u bërë një javë nga fillimi i luftës, po del gjithnjë e më besueshëm se V. Putin po shkon drejt disfatës historike. Ai mund t’i fitojë të gjitha betejat, po megjithatë do ta humbë luftën. Ëndrra e Putinit për rivendosjen e Perandorisë Ruse mbeshtetet në rrenën se Ukraina nuk është komb, se ukrainasit nuk janë popull i mirëfilltë dhe se banorët e Kijevit, të Harkovit e te Lavovit mezi presin që t’i sundojë Moskva. Kjo është një rrenë e madhe, Ukraina është një komb me nje histori më shumë se njëmijë vjeçare dhe se Kijevi ishte metropol i madh në kohën kur Moskva, nuk ishte madje as fshat…”

Francis Fukuyama: “Gjatë javës së kaluar, rusët i shumëfishuan justifikimet, njërin më qesharak se tjetrin. Sipas tyre Ukraina ishte një shtet fashist dhe neo-nazist… Aty po kryhej një gjenocid kundër popullsisë rusisht-folëse të Donbasit, apo më tej akoma, se ishte duke u përgatitur një operacion i gjerë ushtarak kundër Rusisë. Këto argumente pushtimi (i Ukraines) i demaskoi deri në palcë.”

Çuditerisht, por kurrsesi rastësisht, politikologu i famshem i Stanfordit nga Ukraina del te Republikanët e Amerikes:

“Nëse agresioni i Putinit kundër Ukrainës ka sukses dhe nëse Partia Republikane e ndjek Trump-in në admirimin që ai ka për aktet dhe veprimet e diktatorit rus, atëherë ajo do i këpusë të gjitha lidhjet me vlerat kryesore të demokracisë amerikane.

Kjo do të konsolidonte kthesën autoritare që mori kjo parti dhe do të qe vazhdimi i linjës së sulmeve të 6 janarit 2021 kundër Kapitolit. Dhe duke pasur parasysh rëndësinë që kanë Shtetet e Bashkuara për ruajtjen e rendit liberal botëror, ky do të ishte një ogur shumë i keq për botën e lirë në tërësi.“2

Andrej Kozirjev, ish-minister i Punëve të Jashme i Rusisë:

– “ 20 vitet e fundit Putini ka jetuar me bindjen se Ukraina, në rastin më të mirë, duhet te jetë një shtet satelit. Sheshi i Majdanit, me 2014 e bindi se kjo është e pamundur; prandaj duhej përdorë ushtrinë për t’ia arritur ketij qellimi;

– Kremlini 20 vitet e fundit është përpjekur ta modernizojë ushtrinë. Pjesa më e madhe e këtij buxheti është vjedhur dhe është harxhuar në mega-jahte në Qipro. Por si këshilltar ushtarak, nuk mund t’ia thuash ketë kryetarit, kështu që në vend të kësaj i kanë treguar rrena;

– Elitat sunduese ne Rusi, i kanë besuar propagandës së vet se presidenti Joe Bajden është mentalisht i paaftë. Gjithashtu kanë menduar se BE-ja është e dobët dhe se sanksionet e vitit 2014 nuk patën ndonje ndikim. Pastaj edhe tërheqja e amerikaneve nga Afganistani ia forcuan keto bindje Putinit;

– Nese besoni se keto që u përmendën janë të verteta dhe se qëllimi juaj është t’ia ktheni lavdine Rusisë cariste, atëherë del te jetë i logjikshëm invazioni në Ukrainë…“3

Wesli Klark:

“Ka 22 vjet që presidenti Putin po përpiqet ta ringjallë Bashkimin Sovjetik. Kjo do të thotë: t’i kthejë nën kontrollin e Rusisë Ukrainën, Moldavinë, Gruzinë, Lituaninë, Letoninë, Estoninë; t’i nenshtroje Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë dhe, në një mënyrë ta forcojë Serbinë. Pra, ky është recepti për rikthimin e rendit botëror, të pas Luftës se Ftohtë, ku sërish do të dominonte Rusia. Në anën tjetër ajo nuk ka se çka të ofrojë, sepse nuk ka ekonomi reale, pos resurseve energjetike…

Krejt kjo përbën një anakronizëm historik, por edhe rrit rreziqet e një konflikti të madh.“ [4]

Komentatori i njohur i The New York Times, Thomas Friedman, për agresionin e Rusisë në Ukrainë,  i parashikon tre skenarë të mundshëm:

a. Katastrofë e plote, në rast se lufta gjeneralizohet dhe kthehet edhe në luftë bërthamore;

b. Kompromis i pistë; në rast se gjunjëzohet Ukraina dhe pranon t’i merret Donbasi e Krimeja, ndersa Perendimi e pranon gjunjëzimin dhe, për më keq, ia heqë sanksionet Rusisë;

c. Shpëtimi: në rast se ngritet populli rus dhe e rrëzon Putinin nga pushteti… [5]

Në pikepamjen time analizën më largpamëse e ka bëre Januzs Bugajski;

Në shkrimin “ Një strategji për ta mundur imperializmin e Rusisë“, ndër të tjera, ai shkruan:

“Qeveritë perendimore kanë tentuar politika të ndryshme defansive për ta frenuar ekspansionizmin e Moskes. Por, dështimet e tyre e kanë forcuar perceptimin e Kremlinit, sipas të cilit Perendimi definitivisht nuk ka vullnet për t’iu kundervënë Rusisë agresive. E vetmja strategji e prekshme për ta shungulluar besimin e tepruar te Putinit në vetveten, është koncentrimi (perendimor) në të ardhmen e vetë Rusisë. Një qasje e tillë ka nevojë për nje synim dhe metodologji të qartë. Qëllimi i fundit është t’i kunderktheje ofensivat neoimperiale të Rusisë, duke i ndihmuar qytetarët e saj ta transformojnë shtetin në një federatë të vërtetë, e cila i pranon fqinjtë e saj si shtete të pavarura që mund të vendosin vetë për marrëveshjet dhe aleancat ndërkombëtare.

Meqe ky “skenar transformimi“ është gjithnjë e më i pasigurt, per shkak të rezistencës së Kremlinit ndaj çdo reforme politike, planifikuesit amerikanë duhet të përgatisin një opsion tjetër  – “skenarin e prishjes“. Pasi që federalizmi dhe pluralizmi nuk do të arrijnë të konkretizohen, në një kontekst të rrezbitjes ekonomike dhe të embargos paralizuese financiare, rrugët e separatizmave (brenda Rusisë vetë) do të fitojnë terren.

                                                            *          *          *

Është në interesin e sigurisë nacionale të SHBA-se ta ndihmojë Rusinë të federalizohet, ose të shkallmohet, të decentralizohet ose të dezintegrohet…“6

Shumë analistë serbë dhe jo vetem, e pranojnë se agresioni rus në Ukrainë i ka dëmtuar rendë interesat strategjike të Serbisë. Kjo ia ka ndalur turrin Vuçiqit që, nën mjegullën e Open Ballkan-it, kishte për synim ta aneksojë pa ndonjë telashe të madhe Malin e Zi, ta ndajë Kosovën dhe ta shpartallojë Bosnjë e Hercegovinën.

Pushtetarët e cucërruar e të përçarë shqiptarë kanë një rast e fat historik që, përmes një koordinimi serioz ndërshtetror, të imponohen jo vetëm si faktor vendimtar, por edhe të bëhen digë e patejkalueshme përballë strategjise dhe synimeve agresive e pansllaviste të Moskës e të Beogradit në Ballkan.

_____________________

1. http://www.nspm.rs/…/putin-je-izgleda-ocekivao-da-ce…

2. https://lapsi.al/…/francis-fukuyama-historia-e-botes…/

3. https://www.tportal.hr/…/bivsi-sef-ruske-diplomacije…

4. VOA, 10 mars 2022

5. https://balkans.aljazeera.net/…/new-york-times-tri…

6. https://istraga.ba/janusz-bugajskis-washington-view-a…/


Spread the love


Leave a Reply