Ukraina – vendi që vendos fatin e Rendit të Ri Botëror!

Spread the love

Ukraina – vendi që vendos fatin e Rendit të Ri Botëror!

Shkruan Agim Krasniqi.

Lufta në Ukrainë ka hyrë në javën e saj të katërt, dhe shikuar në rrethanat e gjeografisë politike, çështja e Ukrainës është çështje e mbijetesës së Rusisë, ndërsa nga ana tjetër në interesin e Perëndimit qëndron fakti i vazhdimit të përcaktimit të konditave të Rendit të Ri botëror, të çimentuara  në liberalizmin politik dhe ekonomik.

I

Përderisa pjesën më të madhe të gjysmës së dytë të shekullit XX, Bashkimi Sovjetik e ka pasur në kontroll Euro-Azinë, nga Gjermania Qendrore deri në Paqësor, në jug deri në Kaukaz dhe Hindu Kishu. Pasi Bashkimi Sovjetik u shpërbë, Rusia sot po lufton për pikëmbështetje në rajon, sepse sipas  pikëpamjeve ruse,  Ukraina është vendi në hollin e Kremlinit,  dhe në kushtet e armëve moderne, shtrirja e NATO-s në atë pjesë të Euro Azisë paraqitet si një trampolinë për kërcënimin e saj. Meqë Ukraina ishte rreshtuar me ShBA-të, duke iu larguar Federatës Ruse, rusët besojnë se Shtetet e Bashkuara janë një trup i huaj në territorin e Euro Azisë, dhe sipas formulës së tyre “pse një fuqi jo euro aziatike, do të duhej të sundonte Euro Azinë, ku ka një Kinë, Indi, Iran, madje edhe Rusi, Gjermani, e Francë”. Kështu që ngritja e sqeparit rus në këtë luftë, mund të jetë shumë më afatgjatë.
Tani për tani, ne nuk e dimë akoma se cilat janë qëllimet përfundimtare të Rusisë dhe nëse ato janë përmbushur me vetë njohjen e Republikave Popullore të Donetskut dhe Luhanskut, pushtimit ti Krimesë, apo pushtimin e plotë të Ukrainës. Krimea është një bazë jashtëzakonisht e rëndësishme për Rusinë, mirëpo tani ajo nuk ka rëndësi strategjike si e ka pasur në shekullin e 19-të, nuk e ka as Deti i Zi. Fakti që pjesa më e madhe e bregdetit të Detit të Zi mbahet nga NATO dhe sikur Ukraina të dominohet nga perëndimi, atëherë Rusia  nuk do të kishte asgjë nga përpjekjet për t’u bërë një fuqi rajonale. Ndërsa pjesët lindore të Ukrainës janë të pasura me burime dhe rrjedhimisht ajo cilësohet ndër vendet e para në botë për sa i përket burimeve natyrore – nga rafineritë e hekurit dhe çelikut te uji, çka nënkupton se Evropa në aspektin e gjeoekonomisë, nëse do t’i vinte nënë kontroll Ukrainën, do të zgjidhte problemin e saj të madh të mungesës së burimeve natyrore.
Përpjekjet e ndikimit rus janë paraqitur në tri drejtime: drejtë Azisë Qendrore, drejtë Kaukazit dhe patjetër drejtë Perëndimit, si dhe Baltikut dhe Evropës Lindore.
Nga ana tjetër, për ShBA-të, Ukraina dhe shtetet në Kaukaz, paraqesin një çështje të vërtetimit të besueshmërisë ndaj NATO-s dhe aleatëve të saj.

Burokratët dhe elita politike e Evropës,  të cilët  shpesh shohin ëndrra me sy hapur, nuk deshën apo  nuk e kuptuan rrezikun real të një Rusie revanshiste. As atëherë kur Rusia i pushtoi dy provinca të Gjeorgjisë në 2008; as kur Rusia ja u ndërpreu ëndrrat në Vilnius në 2013; as kur një vit më vonë pushtoi Donbasin dhe e aneksoi Krimenë. Problemi qëndron se, nga brenda, Evropa është inerte dhe duke qenë se akoma është në proces të riorganizimit, pas humbjes së perandorisë së saj, ajo po bënë përpjekje për të ripërtërirë imazhin e saj vendimmarrës në gjithë këtë agresivitet të rusëve. Mirëpo, lufta në Ukrainë, e sfidon një çështje, nëse Evropa paraqet një vullkan të shuar, apo është një vullkan pothuajse i fjetur. Thembra e Akilit për stabilitet,  mbetet statusi i pa zgjidhur i gjermanëve në sistemin evropian, sepse gjermanët ishin të përjashtuar nga sistemi perandorak i krijuar nga Evropa Atlantike.  Pikërisht Rusët me një konotacion të fortë gjeopolitik e ndërtuan, Nord Stream 1 dhe 2 dhe ku u njoh nga Gjermania,  e cila synonte të lidhej drejtpërdrejt me Rusinë. Kjo nga perëndimi shihej si përpjekje e krijimit të boshtit Moskë-Berlin. Nëse do të lejohej krijimi i këtij boshti, bazuar në disiplinën dhe kapitalin gjerman, nga njëra anë dhe nga burimet ruse, vlerat njerëzore dhe territori nga ana tjetër, atëherë vendet talasokratike, përfundimisht nuk kanë çfarë të kërkojnë në Evropë. Prandaj reagimi i parë amerikan ishte ndërprerja e tubacioneve të gazit në të gjitha mënyrat e mundshme, mbyllja e tyre ishte e nevojshme për ta penguar kërcënimin strategjik rus. Rusia nuk është e interesuar për ta pushtuar Evropën, por për ripërsëritjen e kontrollit të saj. Dhe kjo, sipas këndvështrimit rus, është një përpjekje e logjikshme për vendosjen e një sfere ndikimi minimal, që në thelb paraqet synimet për një masë mbrojtëse.

II

Ti kthehemi Ballkanit.
Në Gjeopolitikë konfliktet madhore përsëriten. Kur një luftë nuk e zgjidhë një çështje themelore gjeopolitike, kjo luftë ribëhet derisa çështja të zgjidhet përfundimisht.  Politika ruse për shekuj e ka synuar Ballkanin, dhe me radhë përmbushi aspiratat kombëtare të popujve ballkanik, jo vetëm të serbëve, por edhe i bullgarëve, malazezëve, rumunëve dhe grekëve, sepse Ballkani ndodhet në brendësi të Bosforit dhe Dardaneleve dhe kjo ishte pika kryesore strategjike e politikës së jashtme ruse. Në funksion të kësaj, Rusia copëtoi tokat tona dhe krijoi shtetet sllave ortodokse satelite ruse në Ballkan. Asimiloi shqiptarët ortodoks dhe i dëbuan shqiptarët e besimit islam  në Turqi. U bë kështu de fakto holokausti i parë mbi shqiptaret, e që do të vazhdojë tutje përgjatë dy shekujve të fundit në mënyrën më barbare nga serbët.  Rusët, në bashkëveprim me portën e Lartë serbët dhe të tjerët, miliona shqiptar i asimiluan në grek, sllav e turq.

Sot shqiptarët me pesë shtetësi në Ballkan dhe me shumë të tjera në botë, akoma nuk e kanë një  agjendë kombëtare të mirëfilltë, ndonëse të kufizuar me vetveten. Pak nga frika e nga gjykimi i ndërkombëtarëve, po aq edhe nga mungesa e vizionit dhe të lidershipit.
Janë shumë gjëra duke ndodhur në të njëjtën kohë në politik]ën globale dhe se situata do të bëhet edhe më interesante javët e ardhshme. Filozofia analitike na ka mësuar se ‘Koha’ në politikë është themel i suksesit. Pa ardhur koha, politika kot vepron, por kur të vije koha, politika duhet jetë e gatshme. Prandaj ne duhet shfrytëzuar  momentin e duhur për anëtarësim të Kosovës në NATO, në Bashkimin Evropian, në Këshillin e Evropës, në cilindo institucion që mund ta forcojë sigurinë e Kosovës. Tashmë Turqia dhe Kroacia e kanë përkrahur edhe publikisht idenë për anëtarësim të përshpejtuar të Kosovës në këto mekanizma. Pikërisht tani koha ka ardhur, dhe është momenti i duhur për të parë se çfarë po bën Kosova për të rritur anëtarësimin në institucionet euroatlantike.

Shqiptarët në përgjithësi nuk guxojnë t’ja lejojnë veti luksin që, protagonist të caktuar politik të ndjellin klimë anti-amerikane. Gjithashtu nuk guxojmë të lejomë luksin që mos të kemi miq të fuqishëm, sepse kemi armiq shumë të fuqishëm të cilët i kemi patur në gjithë historinë ton. Falë vendosmërisë absolute të politikës amerikane, ne sot kemi të kthyer pak a shumë identitetin tonë kombëtar. Prandaj ne shqiptarët kemi detyrim të madh ndaj politikës anglosanksone, e jo vetëm,  duke filluar nga Austro-Hungaria, Londra dhe ShBA-të, të cilët ekzistencën e kombit shqiptarë, e konsideronin dhe e konsiderojnë si një mundësi për një aleancë natyrale me Ne,  për politika të gjeografisë politike, strategjike, pa e përjashtuar edhe atë ekonomike.

III

Nga studiues dhe analistë politik, Rusia po  kalon në një fazë të patologjisë së vet, në të cilën ata po  kërkojnë përgjigje përtej kufijve të saj. Dhe shikuar nga ky prizëm, shumë vende po përpiqen të jenë neutrale dhe të japin angazhime të përgjithshme me fjalët e tyre të përgjithësuara. Të njëjtën gjë po e bënë edhe Serbia. Por në Ballkan, realisht, ekziston një ndarje e përpjekjeve për sferën e influencës dhe interesit midis Perëndimit, Rusisë dhe Kinës. Kina po kujdeset për interesat e saj në Lindjen e Largët. Për momentin, përveç ekonomikisht, nuk ka një depërtim të madh në Evropë, por kjo nuk do të thotë se “nesër” nuk do të ketë. Kina shpalli politikën neutrale si pozicion të saj, por gjithashtu ajo shihet si një fuqi antiamerikane, ashtu si është edhe Rusia.

Ndërlidhur me Ballkanin, një dokument të rëndësishëm që Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, në të cilën e kishte drejtuar DASH-it, Rusia kishte përcaktuar qartë se cilat janë tokat që NATO-ja nuk duhet të hyjë dhe nuk duhet të vendosë njësi dhe forca raketore me koka bërthamore në zonat e ish BRSS si Ukraina, Gjeorgjia, dhe Moldavia. Në këtë dokument nuk përmenden shtetet baltike dhe Ballkani. Kjo nënkupton që Ballkani nuk bënë pjesë në sferën e interesit rus. Rusia, e cila nëpërmjet vendeve me popullsi sllave, e kishte mbajtur flamurin e pansllavizmit në Ballkan, por ndikimet politike për vendosjen e një baraspeshe në Ballkan kanë ndikuar që Rusia dhe boshti sllavo-grek, dalë nga dalë të dobësohet dhe të zvogëlohet ndikimi i tyre në Ballkan.

Në këtë drejtim, Ukraina nuk është larg nesh, vetëm Rumania na ndan prej saj, dhe realisht lind pyetja se në sferën e kujt do të jetë Ballkani dhe hapësira post-jugosllave. Këtu shtrohet pyetja: cilat janë qëllimet e Rusisë në Ballkan në kontest të luftës në Ukrainë. Synimet e saj, a janë vetëm të pjesshme apo shtrihen më gjerë? Në dritën e ngjarjeve të sotme, kur raketat ruse po godasin apartamente e po vrasin civilë në Kiev, nuk përjashtohet mundësia që konfliktet e para të armatosura të fillojnë edhe në Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga veriu i Malit të Zi, Veriu i Kosovës, e duke e përfshirë në një luftë të re në tërësi Bosnjë dhe Hercegovinën.

A do të përdorë Rusia potencialet dhe kapacitetet e saj për destabilizimin e Ballkanit?

Përgjigja është: po! Dhe disa, madje edhe janë përdorë.

Vet fakti se ka demonstrata pro-ruse në Beograd dhe Mal të Zi, (në Shqipëri po kamuflohen nën petkun e kërkesave sociale, pavarësisht se një pjesë e demonstruesve janë të dirigjuar nga eshaloni i ashtuquajtur “i djathtë” të cilit i prijnë eksponent të caktuar antiamerikanë) dhe vende tjera të Evropës, duke ushqyer  propagandë në televizion dhe rrjetet sociale, ndikimi rus mund të themi se është prezent, madje fuqishëm.

Mirëpo shtrohet pyetja se, kur është momenti i përshtatshëm për destabilizinim e rajonit sipas direktivave ruse? Rusia do të përpiqet të ngrejë potencialin në Evropë me veprimet e saj të veçanta për të provokuar trazira, në Kroaci, Serbi, Mali i Zi, Maqedoninë Veriore, Kosovë Veriore apo edhe në Shqipëri, kudo që e ka ndikimin e saj. Në këtë mënyrë ata synojnë të devijojnë fokusin nga lufta në Ukrainë, sepse atje nuk po shkon siç e kishin të planifikuar.

 Ata do të përpiqen të përdorin aksione speciale për të ngritur rrjetin e tyre në Ballkan, mbetet të shihet. Qëllimi është për të provokuar trazira sociale për shkak të çmimeve të larta të naftës dhe shportës familjare. Territoret ideale janë ato për të cilat po flasim, territore kryesisht të paintegruara në BE dhe NATO si: Serbia, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina. Reflektimi për rajonin, në këtë kontekst, dëshmon “aksidenti” i  avionit pa pilot që goditi afër Zagrebit.

Se do të ketë një fazë kur vijat e frontit të luftës në Ukrainë do të stabilizohen, pikërisht atëherë mendohet se do të fillojnë bisedimet serioze nç mes palëve në konflikt, me qëllim të ndaljes së luftimeve dhe për ndarjet e sferës së interesit, dhe pikërisht atëherë të gjithë ata që kanë marr dhe marrin para dhe mbështetje nga Rusia, do të detyrohen të dalin në rrugë. Atëherë ekziston rreziku real, ndërkaq hë për hë, këto veprimi janë të përqendruara veçanërisht në Bosnjë Hercegovinë. Koha për zgjerim të gamës së veprimeve ruse është në ardhje, por shumë varet nga zhvillimet në Ukrainë.

Rusisë i mjafton që ata ta destabilizojnë një vend të NATO-s si Mali i Zi, Maqedoninë Veriore apo edhe Shqipërinë, dhe pastaj qëllimi i parë është përhapja e një konflikt të armatosur që do të përfshinte mercenarë, struktura të paraushtarakëve dhe ekstremistëve në të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë. Kështu, Ballkani Perëndimor është ideal për te hedhur vëmendjen e botës demokratike perëndimore. Kjo do t’i mundësonte  Rusisë ngritjen e  pozicionit të tyre negociator me palën e Ukrainës-Perëndimit, sepse e gjithë historia nuk ka të bëjë ekskluzivisht vetëm me Ukrainën, ajo është një histori de fakto midis Rusisë dhe Amerikës, domethënë Perëndimit dhe Rusisë.

A do të ketë kompromis strategjik mes Perëndimit dhe Rusisë, NATO-s-Rusisë, Amerikës dhe Rusisë, mbetet të shohim, por këtu ngre tezën se; Kur një luftë nuk e zgjidhë një çështje themelore gjeopolitike, kjo luftë ribëhet derisa çështja të zgjidhet përfundimisht? Dhe pikërisht këtu qëndron thembra e Akilit, dhe shtrohet pyetja. A do ti shkoj Perëndimi deri në fund zgjidhjes së çështjes ruse përfundimisht?

Kjo përgjigje do kohë!


Spread the love


Leave a Reply