Vija e kuqe

Spread the love

Vija e kuqe

Nga Slavoj Žižek

(Analiza e huazuar nga “Konica.al.” e korrigjuar dhe e plotësuar nga Bislim Elshani)

Javët e fundit, publiku perëndimor ka qenë i fiksuar me pyetjen “Çfarë po ndodh në mendjen e Putinit?” Ekspertët perëndimorë pyesin veten: a ia thonë njerëzit rreth tij gjithë të vërtetën? Është i sëmurë apo po çmendet? A mos e kemi katandisur aq keq, sa e vetmja zgjidhje do t’i mbetet një luftë e re botërore?

Ne duhet ta ndërpresim obsesionin tonë me vijën e kuqe, këtë kërkim të pafund për ekuilibrin e duhur midis mbështetjes për Ukrainën dhe shmangies së luftës totale. “Vija e kuqe” nuk është një fakt objektiv: vetë Putini po e rivizaton atë gjatë gjithë kohës dhe ne kontribuojmë në rivizatimin e tij me reagimet tona ndaj aktiviteteve të Rusisë. Një pyetje si “A mos e tejkaloi vijën e kuqe ruse shkëmbimi i të dhënave të SHBA me Ukrainën?” na bën të harrojmë gjënë më të rëndësishme: ishte vetë Rusia ajo që e tejkaloi kufirin, duke e sulmuar Ukrainën. Pra, në vend që ta perceptojmë veten si një grup që thjesht reagon ndaj Putinit, ne duhet ta kthejmë shikimin nga vetja: çfarë duam ne – “Perëndimi i lirë” në këtë çështje?

Ne duhet të analizojmë paqartësinë e mbështetjes sonë ndaj Ukrainës me po atë brutalitet të hapur me të cilin trajtojmë qëndrimin e Rusisë. Ne duhet të arrijmë përtej standardeve të dyfishta të aplikuara në vetë themelet e liberalizmit evropian. Të mos harrojmë se si në traditën liberale perëndimore, edhe kolonizimi shpesh justifikohej në termat e të drejtave të punëtorëve. John Locke, filozofi i madh i Iluminizmit dhe avokati i të drejtave të njeriut, i justifikonte kolonët e bardhë që ua rrëmbenin tokat amerikanëve indigjenë me një argument të çuditshëm që tingëllon si i majtë, përkatësisht, me argumentin kundër pronës së tepërt private. Premisa e tij ishte që një individi duhet t’i lejohet të zotërojë vetëm aq tokë sa është në gjendje ta përdorë në mënyrë produktive, dhe jo pjesë të mëdha tokash që nuk është në gjendje t’i përdorë (ndërsa më pas t’ua japë me qira të tjerëve). Në Amerikën e Veriut, siç e pa ai, indigjenët përdornin sipërfaqe të mëdha tokash kryesisht vetëm për gjueti, prandaj kolonët e bardhë që donin ta përdornin atë për bujqësi intensive kishin të drejtën ta rrëmbenin atë për të mirën e njerëzimit.

Në krizën e vazhdueshme në Ukrainë, të dyja palët i paraqesin veprimet e tyre si diçka që thjesht duhej të bënin: Perëndimi duhej të ndihmonte Ukrainën të qëndronte e lirë dhe e pavarur; Rusia u detyrua të ndërhynte ushtarakisht për të mbrojtur sigurinë e saj. Shembulli më i fundit: Ministria e Jashtme Ruse pretendon se Rusia do të “detyrohet të ndërmarrë hapa hakmarrës” nëse Finlanda bashkohet me NATO-n. Jo, në fakt nuk do të “detyrohet”, ashtu siç nuk qe “e detyruar” të sulmonte Ukrainën. Do të dukej si “një detyrim” vetëm po të pranoheshin një varg i tërë hipotezash ideologjike dhe gjeopolitike mbi të cilat bazohet politika e sotme ruse.

Këto supozime duhet të analizohen mirë. Shpesh dëgjohet se duhet të vendosim një vijë ndarjeje midis politikës së Putinit dhe kulturës së madhe ruse, por kjo vijë ndarjeje është shumë më poroze sesa mund të duket. Duhet hedhur poshtë me vendosmëri idenë se, pas përpjekjesh këmbëngulëse për shumë e shumë vite për të zgjidhur krizën ukrainase përmes negociatave, Rusia më në fund qe e detyruar që me çdo kusht ta sulmonte Ukrainën – askush nuk është i detyruar kurrë të sulmojë një vend tjetër. Rrënjët e problemit janë shumë më të thella; unë do t’i quaja ato metafizike.

Anatoli Chubais, babai i oligarkëve rusë (ishte ai që orkestroi privatizimin e shpejtë të Rusisë në 1992), tha në vitin 2004: “Kam rilexuar të gjithë Dostojevskin gjatë tre muajve të fundit. Dhe nuk ndjej asgjë tjetër veç një urrejtjeje pothuajse fizike për atë njeri. Ai është padyshim një gjeni, por ideja e tij për rusët si për njerëz të veçantë e të shenjtë, kulti i tij i vuajtjes dhe i zgjedhjeve të gabuara që u vë përpara personazheve të tij, më bëjnë të dëshiroj ta bëj copë-copë”. Po aq sa nuk e pëlqej Chubais-in për politikën e tij, mendoj se ai ka të drejtë sa i përket Dostojevskit, i cili ka ofruar shprehjen më të thellë të kundërshtimit midis Evropës dhe Rusisë: individualizmin kundrejt frymës kolektive, hedonizmin materialist kundrejt frymës së flijimit.

Rusia tani e paraqet pushtimin e saj si një hap të ri në luftën për dekolonizim, kundër globalizimit perëndimor. Në një shkrim të botuar në fillim të këtij muaji, Dmitry Medvedev, – ish-presidenti i Rusisë dhe tani zëvendës sekretari i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, – shkruante se “bota është në pritje të rënies së idesë së një bote amerikano-centriste” dhe lindjes së pakteve të reja ndërkombëtare të bazuara në kritere pragmatike (Natyrisht, këto “kritere pragmatike” nënkuptojnë mosrespektimin e të drejtave universale të njeriut.)

Pra, edhe ne duhet të caktojmë vija të kuqe, por në një mënyrë që do ta bënin të qartë solidaritetin tonë me vendet në zhvillim. Medvedev parashikon se, për shkak të luftës në Ukrainë, “në disa shtete mund të vijë deri tek uria për shkak të krizës ushqimore” – një cinizëm që të lë pa frymë. Këtë muaj rreth 25 milionë tonelata metrike drithërash po prishen e po shkojnë dëm nëpër anije dhe nëpër silose, pasi që porti është bllokuar nga flota detare ruse. “Programi botëror i ushqimit i OKB paralajmëron që, nëse nuk rihapen portet e Ukrainës jugore të mbyllura për shkak të luftës”, miliona njerëz në botë do të kërcënohen së shpejti nga rreziku i urisë, shkruan Njuzvik. Evropa tani premton të ndihmojë Ukrainën të transportojë grurin me hekurudhë dhe me kamionë – por kjo duket qartë se nuk mjafton. Duhet një hap më shumë: një kërkesë e qartë për hapjen e porteve për eksportin e drithërave, përfshirë dërgimin e anijeve ushtarake mbrojtëse për lundrim të sigurt. Nuk bëhet fjalë për Ukrainën, por për urinë e qindra miliona njerëzve në Afrikë dhe Azi. Këtu duhet tërhequr vija e kuqe.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha kohët e fundit: “Imagjinoni sikur lufta e Ukrainës po ndodh në Afrikë, ose në Lindjen e afërt. Imagjinoni sikur Ukraina të ishte Palestina. Imagjinoni sikur Rusia të ishte Amerika.” Ashtu siç pritej, krahasimi i konfliktit në Ukrainë me gjendjen e palestinezëve “ofendoi shumë izraelitë, të cilët besojnë se në këtë rast nuk ka ngjashmëri”, vuri në dukje Newsweek. “Për shembull, shumë theksojnë se Ukraina është një vend sovran e demokratik, ndërsa Palestinën nuk e konsiderojnë si shtet.” Sigurisht që Palestina nuk është shtet sepse Izraeli ia mohon të drejtën për të qenë shtet – ashtu si Rusia ia mohon këtë të drejtë Ukrainës. Sado të neveritshme që janë për mua vërejtjet e Lavrovit, më duhet ta përgëzoj për manipulimin mjeshtëror të së vërtetës.

Po, Perëndimi liberal është vërtet hipokrit, dhe standardet e tij të larta i zbaton në mënyrë shumë selektive. Por hipokrizi do të thotë të shkelësh standardet që i ke proklamuar vetë, duke u ekspozuar kësisoj ndaj kritikave përmbajtësore – kur kritikojmë Perëndimin liberal, ne i shfrytëzojmë pikërisht standardet në të cilat thirret. Ajo që ofron Rusia është një botë pa hipokrizi – sepse është një botë pa standarde etike globale, në të cilën praktikohet vetëm “respektimi” pragmatik i dallimeve. Ne e pamë se çfarë do të thotë kjo kur talebanët, sapo morën pushtetin në Afganistan, menjëherë gjetën gjuhën e përbashkët me Kinën. Kina e pranoi Afganistanin e ri, ndërsa talebanët do të injorojnë atë që Kina po ua bën ujgurëve – ky është, në thelb, ai farë globalizimi i ri i mbështetur nga Rusia. Prandaj e vetmja mënyrë për të mbrojtur atë që ia vlen të ruhet në traditën tonë liberale është këmbëngulja e pamëshirshme në karakterin e saj universal. Sapo të zbatojmë standarde të dyfishta, do të jemi “pragmatikë” si Rusia.

The Guardian, 23.05.2022.


Spread the love


Leave a Reply