Zelensky duhet ta kuptojë se kjo që po ndodh nuk është film, por realitet

Spread the love

 Zelensky duhet ta kuptojë se kjo që po ndodh nuk është film, por realitet

Nga Dritan Goxhaj

Sot Ukraina ka adoptuar një strategji të formuluar dhe ngritur nga Izraeli pas luftës së tyre me Hezbollah në 2006 në Liban. Ajo konsiston në: Nëse nuk mund të fitosh një luftë të vërtetë, fito një luftë imagjinare.

Dhe realisht sot me mbështetjen edhe të mediave perendimore të “pa-anshme”, Ukraina po bën vetëm një luftë mediatike dhe ka arritur ta fitojë këtë luftë mediatike, edhe për faktin se pala tjetër në konflikt nuk po merret fare me këtë luftë, në të cilën ka arritur edhe një fitore imagjinare ndaj forcave ruse në Ukrainë.

Ukraina tashti është përqëndruar pothuajse në një luftë në sferën elektronike/kibernetike/abstrakte të ndikimit, në vend të sferës reale objektive të betejës fizike dhe luftës së drejpërdrejtë. Me pak fjalë, po bëjnë gjithçka që është e mundur që të heqin vëmendjen nga ngjarjet reale dhe rezultati i luftimeve në fushëbetejë. Luftime këto të cilat në Nivelin Operacional po zhvillohen në katër fronte. Le t’i shohim një nga një secilin front për të kuptuar më së miri gjëndjen e kësaj fushate ushtarake në terren.

Fronti i parë

Ky front ka qënë aktiv që prej viti 2014 në rajonet e Luhanskut dhe të Donbasit. Që në fillim të këtyre luftimeve forcat ukrainase kanë ndërtuar një brez të fortifikuar me vëndstrehime e bunkere që përfshin një zonë të madhe në të dy këto rajone. Kjo linjë e fortifikuar e cila njihet formalisht si Linja e Kontrollit, ndërsa jo formalisht njihet si Linja Zhelenski, për nder të presidentit ukrainas i cili e zgjeroi këtë linjë. Në këto dy rajone, në dhe rreth kësaj linje, ushtria ukrainase kishte grumbulluar para fillimit të operacionit ushtarak rus 125,000 forca të armatosura të saj, dhe 125,000 rezervistë.

Në total 250,000 forca, ku 80,000 prej tyre janë forcat më të mira që Ukraina ka, dhe të barrikaduara brënda kësaj linje të bunkerizuar që i përngjet Linjës Zigfrid. Ndërsa kundërshtari në këtë front të dy këtyre rajoneve, kishte para fillimit të operacionit 55,000 forca, që i përkisnin forcave të Autoriteteve të Luhanskut dhe Donbasit. Këtyre forcave iu shtuan edhe 20,000 forca ruse si pjesë e operacionit, si dhe 75,000 rezervistë, që i përkasin mobilizimit që autoritetet e këtyre dy rajoneve separatistë bënë me fillimin e operacioneve. Pra në total 130,000 forca. Pra raporti i forcave në fillim të operacioneve luftarake në Frontin e Parë  ishte  1 me 1.9 në favor të Ukrainës.

Duke qënë se ky rajon ka qënë rajon lufte që nga viti 2014, këto forca që ndodheshin këtu i kishin të gjitha furnizimet e mundshme për një operacion në shkallë të gjërë, plus shumica e trupave që marrin pjesë në këtë operacion rus janë trupa që kanë një eksperiencë 8 vjeçare lufte.

Dhe si pasojë ky front ka bërë përparime të mëdha duke arritur që të çajë linjën e fortifikuar dhe brezin e trupave ukrainase në dy drejtime. Drejtimi i parë në zonën veri-lindore në Republikën separatist të Luhanskut, ndërsa i dyti në zonën jug-perëndimore të Republikës separatiste të Donbasit. Drejtimi i parë, ka arritur që të marrë nën kontroll 93% të të gjithë territorit në të cilin shtrihet Republika separatiste e Luhanskut, ndërsa drejtimi i dytë ka marrë nën kontroll vetëm 56% të territorit në të cilin shtrihet Republika separatiste e Donbasit, por ky drejtim ka arritur që të çajë drejt qytetit port të Mariupolit, në Detin Azov, duke e marrë nën kontroll 95% të këtij qyteti, duke u bashkuar me forcat ruse që erdhën nga Krimeja dhe duke luftuar kundër forcave ukrainase që kishin nën kontroll qytetin dhe që i përkisnin forcave neo-nazizste të inkorporuara në ushtrinë ukrainase nga presidenti Zhelenski, të njohura si Regjimenti Azov.

Në momentin që forcat e këtij fronti në drejtimin e parë do arrijnë që të marrin nën kontroll gjithë  territorin e Republikës separatiste të Luhanskut, atëherë këto do arrijnë të vendosin kontakt të plotë dhe të sigurtë me forcat ruse që po zhvillojnë luftime në Frontin e Tretë dhe kështu të dyja sëbashku do mund të fusin nën rrethim të plotë komplet forcat ukrainase që ndodhen brënda dhe rreth linjës së fortifikuar ukrainase.

Fronti i dytë

Ky front nisi nga Krimeja dhe për momentin është fronti që ka realizuar arritjet më të mëdha dhe më sinjifikative në pesë drejtime kryesore. Në këtë front para fillimit të operacioneve ushtarakë, ukrainasit kishin përqëndruar rreth 45,000 forca ushtarake plus 20,000 rezervistë.

Në total 65,000 forca, të cilat nuk kanë eksperiencë lufte si ato në Frontin e Parë. Ndërsa rusët këtu sulmuan vetëm me 17,000 forca. Pra raporti i forcave në fillim të operacioneve ushtarake në Frontin e Dytë ishte 1 me 3.8 në favor të Ukrainës. Por në ndryshim me forcat ukrainase në këtë front, ato ruse janë eksperte të luftës, pasi këto forca në madhësinë e një divizioni, janë të gjitha forca që kanë marrë pjesë me dy ose tre ture në luftën në Siri. Edhe gjenerali që i udhëheq këto forca, Mikhail Stepanoviç Zuska, ka udhëhequr operacionet ushtarakë rusë për dy vjet në Siri. Plus i gjithë ky divizion i përket Forcave të mekanizuara të ushtrisë ruse, të cialt përbëjnë thelbin e doktrinës ushtarake konvecionale ruse.

Duke qënë të gjitha forca të mekanizuara, këto lëvizin me shpejtësi dhe falë eksperiencës së luftës në Siri kanë mësuar që të mos angazhojnë forcat armike për një kohë të gjatë nëse hasin rezistencë, por t’i anashkalojnë ato dhe t’i marrin krahët, ose t’i godasin nga një drejtim tjetër. Duke ndjekur këtë lloj taktike të manovrimit të shpejtë dhe të vazhdueshëm, jo vetëm që kanë mbajtur të ulët numrin e humbjeve por kanë arritur që të përparojnë në pesë drejtime:

Drejtimi i parë në veri-perëndim, në drejtim të qyteteve Kherson dhe Nikolajev. Drejtimi i dytë drejt veriut, drejt qytetit Energodar dhe marrjes së centralit bërthamor në këtë qytet. Drejtimi i tretë veri-veri lindje, drejt qyteteve Tokmak dhe Zaporozhje. Drejtimi i katërt në veri-lindje, në drejtim të Republikës separatiste të Donbasit. Drejtimi i pestë në lindje, drejt qyteteve Melitopol, Bërdansk dhe Mariupol.

Duke i mbajtur këto trupa gjithë kohës në lëvizje dhe duke e zhvendosur gjatë gjithë kohës qëndrën e gravitetit, ky front ka arritur të vërë në kontroll të sigurt të gjithë këto qytete, me përjashtim të Nikolajevit të cilin po e mbajnë nën sulm të vazhdueshëm nga disa drejtime por pa tentuar akoma të hyjnë në qytet.

Në këtë mënyrë, ky front po i mban trupat ukrainase gjatë gjithë kohës nën presion dhe me përdorimin e këtyre taktikave të përfeksionuara gjatë luftës në Siri, nuk po i lejojnë dhe as po iu japin mundësi forcave ukrainase që të përqëndrohen dhe të arrijnë të grumbullojnë forca për të dhënë një kundërgoditje të rëndësishme në asnjë nga drejtimet e lartpërmendura dhe as të arrijnë që të çojnë përforcime në Frontin e Lindjes. Tashmë ky front ka arritur të bashkojë trupat me ato të Frontit të Parë në qytetin e Mariupolit si dhe kanë filluar të përparojnë drejt Linjës së fortifikuar duke i dalë nga mbrapa në anën jug-perëndimore të saj.

Ky front i dytë duke gjykuar mbi numrin e pakët të forcave të hedhura në operacion të jep përshtypjen se ka pasur për qëllim vetëm të mbajë të angazhuara trupat ukrainase të vendosura në jug për të mos lejuar që të shkojnë në ndihmë të trupave në lindje. Por eksperianca e gjeneralit që i drejton këto trupa dhe iniciativa e tij, duket se kanë dalë jashtë planit fillestar të caktuar nga Kremlini dhe kanë arritur suksese të pallogaritur më parë, dhe për të cilët tashti Shtabi i Përgjithëshëm i Ushtrisë Ruse duhet të mendojë seriozisht, për t’i mbajtur këto rezultate. Kjo duhet të jetë edhe një nga arsyet pse po tërheqin trupa nga Fronti i Katërt që është Kievi dhe po i zhvendosin një pjesë të tyre në Frontin e Dytë.

Fronti i tretë

Ky front është ai që ka shtrirjen më të madhe. Dhe shtrihet nga qytetet Ҫhernikov, Kharkiv në drejtim të Sumi dhe shkon në drejtim të Republikës separatiste të Luhanskut. Ky front paraqet përqëndrimin më të madh të forcave në gjithë këtë oepracion luftarak rus kundër Ukrainës. Këtu Ushtria ukrainase kishte përqëndruar para fillimit të operacionit një sasi prej 150,000 forcash. Ndërsa rusët kanë sulmuar më një sasi prej 133,000 forcash. Pra raporti i forcave në fillim të operacioneve ushtarakë në Frontin e Tretë ishte  pothuajse i barabartë 1 me 1.1.

Ky front ësht fronti që ka pasur edhe problemet më të mëdha dhe që ka ecur edhe shumë më ngadalë. Faktorët mund të jenë të ndryshëm, që nga paaftësia e gjeneralëve, nga mungesa e koordinimit midis komandave të divizioneve, si dhe nga moskoordinimi i mirë i logjistikës. Gjatë javës së parë ky front paraqitej më i pasuksesshmi, por me kalimin e javëve, si duket me ndërhyrjen e Shtabit të Përgjithëshëm, aty situate ka ndryshuar dhe ky front ka filluar të ecë ngadalë duke arritur të marrë territore në drejtim të jug-lindjes  drejt Republikës separatist të Luhanskut me qëllim për të arritur bashkimin e forcave të këtij fronti me ato të Frontit të parë, për të realizuar kështu rrethimin e plotë të forcave ukrainase të stacionuara në linjën e fortifikuar në dy rajonet separatiste.

Një drejtim tjetër përparimi që ky front ka parë javën e fundit, është ai në drejtim të Perëndimit, me synimin për të arritur në qytetin Potlava. Marrja e këtij qyteti, i cili për rusët ka vlerë historike, pasi aty në 8 Korrik të 1709, Perandoria Ruse e Pjetrit të I, arriti të thyejë sulmin/fushatën e parë europiane kundër Rusisë të udhëhequr nga Karli i XII i Suedisë. Ndërsa për Ukrainasit paraqet një rëndësi strategjike, pasi aty kryqëzohen të gjitha rrugët automobilistike dhe ato hekurudhore që vijnë nga Kievi në drejtim të Lindjes. Pavarësisht përparimeve në javën e fundit, rusët nuk po tentojnë të hyjnë në qytetet e lartpërmendura, por kanë arritur që t’i anashkalojnë ato, duke lënë kështu shumë xhepa të ndryshëm me forca ukrainase të cilat po zhvillojnë sulme të ndryshëm ndaj forcave ruse që janë në avancim. Por siduket tashmë Shtabi i Përgjithëshëm i Ushtrisë Ruse ka vendosur që t’i kushtojë vëmendje edhe këtyre xhepave të vegjël, duke marrë forca nga Fronti i Katërt dhe duke i futur në luftim në Frontin e Tretë, me qëllim bërjen e pastrimit të këtyre xhepave dhe sigurimin e terrenit dhe lëvizjes së logjistikës për forcat që po përparojnë në dy drejtimet e këtij fronti.

Fronti i katërt

Ky është edhe fronti i fundit dhe është drejtuar nga Kievi.  Ky front ka marrë edhe vëmendjen më të madhe deri tashti, si mediatikisht por edhe nga ana e aleatëve perëndimorë. Këtu para fillimit të operacioneve ushtarakë, forcat ukrainase kishin përqëndruar rreth 55,000 forca ushtarake, rreth 95 mijë forca rezerviste dhe rreth 6000 vullnetarë të huaj. Në total 156,000 forca, ndërsa rusët dërguan drejt Kievit vetëm 30,000 forca. Pra  raporti i forcave në fillim të operacioneve ushtarakë në Frontin e Katërt ishte 1 me 5.2 në favor të Ukrainës. Të dyja palët këtu kishin në përgjithësi forca pa eksperiecë lufte, me përjashtim të njësive të forcave speciale të ushtrisë që kishin fituar eksperiencë, për rusët duke luftuar në Siri, ndërsa për ukrainasit duke luftuar në republikat separatiste që nga 2014.

Edhe ky front duke gjykuar nga numri i forcave të hedhura në veprim duket se ka pasur të njëjtin qëllim si Fronti i Dytë, për të mbajtur të angazhuara forcat ukrainase këtu dhe për të tërhequr gjithë vëmendjen jo vetëm të Ukrainës por edhe të NATO-s, duke mos lejuar ukrainasit të organizojnë dhe çojnë përforcime në dy frontet e lindjes. Dhe ky front ja arriti qëllimit duke krijuar përshtypjen sikur do e sulmonte Kievin. Ky front arriti që të depërtonte me shpejtësi të madhe në javën e parë duke arritur për 5 ditë në dyert e Kievit. Ndërkohë që në krahasim me Luftën e Dytë Botërore, forcave gjermane iu deshën 7 javë për të arritur në dyert e Kievit. Tashmë që Kremlini ka deklaruar se ka përfunduar fazën e parë të operacionit të vet ushtarak, ka filluar të bëjë tërheqje të trupave nga ky front dhe po i përqëndron ato për të bërë përforcime në Frontin e Dytë dhe të Tretë.

Duke parë veprimtarinë në të katër frontet, forcat ruse kanë arritur që për një përiudhë kohore prej gati 6 javësh, të shtrijnë forcat e tyre në një gjatësi vije luftarake prej 6230 km si dhe të arrijnë të vendosin nën kontroll një territor me madhesinë e Anglisë. Gjithashtu ky operacion ushtarak me mënyrën se si u realizua dhe se si po ecën, jam i mendimit, se jo vetëm që do të jetë objekt studimi dhe leksioni në të ardhmen në akademitë e mirëfillta ushtarake, por do ta detyrojë NATO-n dhe aleatët e saj, por jo vetëm, por edhe gjithë ushtritë e tjera të botës që të rishikojnë doktrinat e tyre ushtarake. Pasi ky operacion vuri në dyshim dy bazat kryesore të artit modern të luftës.

Baza e parë e këtij arti ka të bëjë me formën e sulmit. Në doktrinën ushtarake të NATO-s dhe Amerikës në fillim bëhet bombardimi dhe goditja ajrore në tapet, më pas rivlerësohen dëmet e shkaktuara dhe pastaj futen forcat tokësore. Ndërsa rusët në këtë operacion filluan në të njëjtin moment si goditjen nga ajri dhe atë raketore edhe futjen e trupave tokësore në lëvizje drejt objektivave.

Kjo lëvizje nuk i dha mundësi kundërshtarit që të arrinte të bënte në kohë vlerësimin e dëmeve që kish pësuar dhe të arrinte të rigruponte ose rifurnizonte forcat e veta. Kështu ukrainasit u gjendën de facto të angazhuar në luftim, duke iu hequr edhe aftësin e koordinimit ndërmjet forcave të ndryshme, duke lejuar kështu përparimin më të shpejtë të trupave sulmuese, ashtu si e pamë në tre frontet e sipërpërmendur.

Baza e dytë e artit ushtarak modern bazohet mbi raportin e forcave. Doktrina ushtarake e NATO-s dhe aleatëve parasheh se raporti i forcave në një luftë në fillim duhet të jetë 3 me 1 në favor të sulmuesit. Duke parë raportin e forcave që ka dalë në të katër frontet e këtij operacioni, na rezulton se në total raporti i forcave është 1 me 2 në favor të forcave ukrainase, pra në favor të forcave mbrojtëse, por një raport që varion në çdo front të lartpërmendur dhe që asnjëherë nuk shkon sipas doktrinës ushtarake të artit modern të luftës. Por i gjithë ky disfavor në raportin e trupave në luftim është kompensuar nga fuqia e goditjes ajrore dhe mënyra e përdorimit të tij. Plus edhe nga sasia e fuqisë së zjarrit të përdorur në një front të caktuar, bazuar mbi organizimin e renditjes së trupave.

Në këtë rast trupat ukrainase kanë prej viti 2004 që kanë nisur një transformim të organizimit të tyre. Kryesisht prej viti 2013 nën këshillimin e këshilltarëve ushtarakë të NATO-s të stacionuar në Ukrainë, kanë riorganizuar gjithë trupat e tyre në formacione brigade. Ndërsa rusët, i kanë mbajtur formacionet e tyre në forca të renditura në divizione, të cilët kanë në përbërjen e tyre 5 brigada me armë të kombinuara.

Në praktikë kjo do të thotë që forcat ruse, jo vetëm që mund t’i vendosin forcat e tyre në një front më të gjerë luftimi dhe shtrirje se ato Ukrainse, por duke pasur kështu në dispozicion një sasi më të madhe njerëzish dhe mjetesh, janë në gjendje që të jo vetëm të qëndrojnë më gjatë në një operacion ose fushë betejë, por edhe të absorbojnë  goditjet në mënyrë më të madhe dhe gjithnjë të hedhin forca të freskëta në sulm, bazuar mbi rotacionin e brigadave sipas skalioneve. Duke pasur më shumë forca dhe më shumë mjete janë në gjendje që të kenë fuqi zjarri më të madhe dhe të shakaktojnë dëme më të mëdha dhe me afat të gjatë ndaj kundërshtarit në terren.

Aktualisht, Operacioni Ushtarak Rus në Ukrainë, ka arritur që të realizojë një pjesë të vendimit strategjik të Kremlinit, atë të demilitarizimit të Forcave Ushtarake Ukrainase. Kjo është arritur nëpërmjet shkatërrimit të tyre, ku me anë të aviacionit, në këto javë Ukrainës iu shkatërrua e gjithë Forcën e saj Ajrore si dhe Forca e saj Detare. Aktualisht, këto dy forca ekzistojnë vetëm në letër, pasi fizikisht, ato kanë pushuar së ekzistuari. Deri më tashti, rusët kanë arritur gjithashtu që të shkatërrojnë 70% të Forcave Kundërajrore të Ukrainës, si dhe 26% të Forcave Tokësore, kanë arritur që të shkatërojnë edhe 95% të Forcave Logjistike të saj si dhe gjithë depot e karburantit, duke i kthyer kështu tashmë forcat ukrainase në forca statike në pamundësi për të kryer lëvizje të mëdha dhe të gjata të trupave.

Duke i ditur të gjitha këto, Ukraina ka hequr dorë tashmë siç duket nga tentative për të realizuar kundërofensiva, të cilat mund t’i japin asaj fitore strategjike në fushën e betejës. Dhe kështu, ka vendosur të bëjë vetëm një luftë propagandistike, që hyn më shumë te operacionet psikologjikë. Luftë të cilën e kryeson vetë presidenti i saj, Zelensky, duke qënë se ka qënë dhe ka mbetur një aktor. Dikur aktronte për skenar të filmave që i shkruante vetë, ndërsa tashti duket që po aktron për skenarë të huaj, të cilët po e çojnë Ukrainën drejt katastrofës. Sa më shpejt ta kuptojë që e gjithë kjo nuk është film por realitet, aq më shpejt do arrijë të gjejë rrugën drejt një marëveshje paqeje, e cila ndoshta do t’i jepte fund karrierës së tij mediokre politike, por ama do të shpëtonte shumë jetë njerëzish dhe vetë Ukrainën.

____________


Spread the love


Leave a Reply