Zgjerimi i NATO-s në Lindje!

Spread the love

Zgjerimi i NATO-s në Lindje!

ARMAND PLAKA

Tashmë, kur kanë kaluar më shumë se 7 muaj që nga i fillimi ndërhyrjes ruse në Ukrainë, dinamika e ngjarjeve ka diktuar shumë zhvillime dhe ndërkaq kanë ndryshuar edhe strategjitë. Si rrjedhojë, gjithashtu ka ndryshuar nga Kremlini pjesërisht edhe retorika në shpjegimin e shkaqeve, për të cilat pretendohet se u nis ky “aksion”.

Por sërish gjithçka vërtitet tek ato që mund t’i cilësojmë si “arsyet nistore”, në të cilat u ndërtua e gjithë ngrehina propagandistike, mediatike e politike e Kremlinit për të nisur agresionin mbi Ukrainë.

Edhe pse disa nga pikat mbeten tërësisht e dukshëm pretendime si p.sh: persekutimi i rusëve në Ukrainë, ringjallja e nazizmit e sjelljet fashiste të përhapura gjerësisht deri në qeverisjen e lartë etj., duket se njëra syresh të paktën ka mbetur disi e pasqaruar, e turbullt e mbi të cilën në dukje të paktën ekziston një bazë, nga e cila mund të ngrihen pretendime, edhe pse po aq ka dhe kundërshti e mospranim nga kundërshtarët e Kremlinit, dmth nga bota perëndimore.

E, në fakt, dukej si e paralajmëruar qysh më parë, nëse do sjellim në vëmendje deklaratat e kreut të Kremlinit në 2007 në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku u vu re edhe çarja e parë e madhe mes NATO-s dhe Rusisë, e cila deri në ndërhyrjen në Ukrainë, shihej si një partnere e NATO-s në sfidat madhore në përballje me terrorizmin, kërcënimet kibernetike, katastrofat natyrore e ato që lidhen me klimën etj.

Po çfarë u bë shkak dhe përse Moska flet vazhdimisht për një hatërmbetje, për një besëprerje (nëse do përdornim në këtë rast një fjalë tërësisht shqipe, e cila duket se në këtë kontekst është shumë e përshtatshme) të Perëndimit në lidhje me Rusinë? – A ka pasur një premtim të pambajtur të Perëndimit dhe ku bazohet e gjitha kjo? – A ka pasur një deklaratë, një marrëveshje të shkruar nga e cila mund të marrë udhë ky pretendim? – Fundja, për çfarë bëhet fjalë? – Më tej, si derivate të kësaj pyetje mund të shtronim për diskutim edhe: a mbillen kësisoj edhe debate të tjera, të cilat lidhin me këtë rast tangent edhe me fatin e Shqipërisë?

Më poshtë do tentoj të jap përgjigje për pyetjet e shtruara më lart, duke u bazuar tërësisht në fakte, dëshmi të dorës së parë, protagonistë, protokolle bisedash e negociatash, marrëveshjesh, e burime mediatike (kryesisht gjermane), të cilat kulmuan sigurisht me fillimin e konfliktit në pranverë të vitit:

Gjithçka nis më 12 shtator 1990 kur RFGJ, RDGJ dhe katër fuqitë Fituese të Luftës së Dytë, nënshkruan në Moskë atë që tashmë në histori njihet si: “Marrëveshja 2+4”. Më 4 mars 1991, ish-BRSS e ratifikoi atë si i fundmit i shteteve nënshkruese e njëmbëdhjetë ditë më vonë marrëveshja hyri në fuqi. Por nëse Kremlini gjatë negociatave për arritjen e saj u tërhoq prej hunde apo jo dhe mos vallë kjo marrëveshje solli me vete gabimisht pasoja, të cilat nuk ishin parashikuar, kjo akoma dhe sot e kësaj dite i bën studiuesit e politikanët të diskutojnë me tone të nxehta.

Bëhet fjalë për procesin e zgjerimit të NATO-s me anëtarë të rinj në Lindje të kontinentit, çka sot tashmë prej më pak se dy dekadash është një realitet. Kjo, sepse në valën e parë të zgjerimit në 1999, Aleanca Veriatlantike mori me vete si fillim vetëm treshen “shembullore” të Vishegradit; Hungari, Çeki, Poloni për ta vijuar më pas në 2004 me të gjithë brezin e vendeve të tjera nga Blloku i ish Demokracive Popullore në kufi me ish Bashkimin Sovjetik: Sllovakinë, Bullgarinë, Rumaninë, sikurse edhe me një vend të ish-Jugosllavisë; Slloveninë.

Por më shumë bujë atëbotë bëri sigurisht anëtarësimi i treshes baltike, ish anëtare të dikurshme direkte të Unionit të Republikave Socialiste Sovjetike: Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Për ne, i rëndësishëm në këtë aspekt do të mbetet viti apo vala e tretë e anëtarësimeve, ajo e vitit 2009, ku bashkë me Kroacinë u anëtarësua edhe Shqipëria, për t’u pasuar më pas me anëtarësimet e fundit më pak se një dekadë më vonë, respektivisht me Malin e Zi në 2017 dhe Maqedoninë e Veriut në 2020.

Kaq për sa i përket historisë. Sepse procesi duket se nuk po mbyllet me kaq. Ai do vazhdojë me shumë gjasa me anëtarësimin e Suedisë e Finlandës (pas ratifikimit të pritshëm nga të gjitha vendet anëtare), si dhe me trajtimin e kërkesave për anëtarësim të Ukrainës, e pjesëmarrjen në iniciativa të NATO-s, që shohin të kyçura vende neutrale si Austria e deri te republika post- sovjetike si Moldavia e ato kaukaziane si Armenia e Azerbajxhani.

Një shtytje për këtë temë pësova kur pashë të ritransmetohej ditët e fundit në mediat gjermane një dokumentar i transmetuar për herë të parë në Kanalin e Dytë Publik Gjerman “ZDF” dy vite më parë, (shih: Inside NATO: (3/3) – Krieg und neue Feinde, 23.08.2020) e ku citoheshin apo përmendeshin protagonistë të njohur të kohës, që nga Mikhail Gorbaçov e James Baker, te Hans Dietrih-Gensher e Helmut Kohl, te Jamie Shea, ish-zëdhënës i NATO-s, Volfgang Ishinger në rolin e tij si ish-ambasador gjerman në Uashington dhe si drejtues i Konferencës së Sigurisë së Mynihut në 2007, por edhe historianë të njohur rusë e gjermanë si: Dr. Dmitri Trenin, ish-ushtarak sovjetik, Prof. Sönke Neitzel, historian ushtarak shumë i njohur momentalisht në Gjermani, Prof. Claudia Major nga Universiteti i Berlinit etj., ku një pjesë të rëndësishme zë me atë rast edhe ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në 1999, çka nga Prof. Neitzel vlerësohet si “aksioni i vetëm i suksesshëm i NATOs në këto 20 vite”.

Sidoqoftë, një pjesë të rëndësishme të dokumentarit e zë çështja e zgjerimit të NATO-s, duke cituar pikërisht Dr. Trenin nga Moska, i cili thekson se: Nuk ka rëndësi nëse ka pasur apo jo marrëveshje me shkrim apo jo me NATO-n e Perëndimin për moszgjerim në Lindje, pasi Kremlini tashmë e sheh këtë çështje si “thyerje të besimit në përballje me Perëndimin”, çka ngjan vërtet si një paralajmërim për ngjarjet që do pasonin më pas e që do të kulmonin me ndërhyrjen në Ukrainë.

Por kjo çështje ka ngritur herë pas here krye në shumë diskutime, edhe pse dukej sikur lihej ndonjëherë në heshtje, duke të dhënë përshtypjen se ishte një temë e sikletshme për palën perëndimore. Ka pasur edhe deklarata të personaliteteve të mëdha në Perëndim siç është rasti i Henry Kissinger (por jo vetëm) që kanë folur për një gabim të NATO-s me zgjerimin në Lindje, duke e parë atë si “mollë sherri” me Moskën, gjithsesi duke e gjykuar si vendim, si veprim, pa tentuar të diskutojnë nëse diçka e tillë është kërkuar, propozuar, premtuar, miratuar apo refuzuar, çka sigurisht se është tjetër debat.

Por si qëndron e vërteta dhe pse prej saj s’duhet bërë bisht, pasi kjo do të vijonte të ushqente edhe më tej një iluzion e tymnajë informative që sjell keqkuptime e që ushqen në mënyrë të padrejtë një makinë propagandistike që (sigurisht jo vetëm prej saj) mban ndezur luftën.

Vetëm me hapjen e arkivave amerikane në vitin 2017, dëshmitë e protagonistëve e akte të tjera, duket se fakte të reja hodhën dritë mbi sqarimin e dilemës, duke bërë që vetëm një këmbim në dukje i thjeshtë protokollar në formë pyetjepërgjigje t’i vendosë vulën debatit, edhe pse kjo nuk ka mundur dot të zbehë aspak pretendimin e Kremlinit që lidhet jo pak edhe me atë që profesori rus Dr. Trenin theksoi dy vite më parë (e që e përmenda më lart në artikull).

Por le t’i kthehemi sërish historisë e kronologjisë për të shkuar në finale te “Guri i Rozetës”, le të themi, çelësi që pretendohet pra, se e ka zgjidhur më në fund dilemën.

Kur Helmut Kohl më 28 nëntor 1989 papritur bëri publik planin e tij me dhjetë pika të Ribashkimit Gjerman, në Ministrinë e Jashtme Gjermane po buçisnin telefonat. Qeveria Federale në Bon në këtë moment po merrte mbështetje të plotë e pa rezerva nga administrata amerikane nën Presidentin George Bush. Kjo, pasi në gjirin e saj u identifikua herët shansi i papërsëritshëm, që me anë të një Gjermanie të Ribashkuar të arrihej të sigurohej tërësisht roli udhëheqës i SHBA-ve në Europë.

E kësisoj, në fillim shkurti 1990 gjatë vizitës së ish-ministrit të Jashtëm gjerman, Hans-Dietrich Gensher, në Uashington, punonjësit e Departamentit të Shtetit nën drejtimin e James Baker-it po prisnin ndërkaq të gjenin pikat e përbashkëta me planin e hartuar prej vetë tyre.

Ndërkaq, Boni, kuptohet, me anë të ndihmës e mbështetjes amerikane po shihte se mund t’ia dilte mbanë që të sheshonte pretendimet e të gjitha vendeve të treta, të cilat po nxitonin të fusnin duart në këtë proces e që në një mënyrë apo në një tjetër, do ta vështirësonin procesin. Se nën cilat rrethana do të formësohej tashmë rendi i Pasluftës, këtë do ta vendosnin tashmë tërësisht dhe në mënyrë ekskluzive vetëm Fuqitë Fituese: SHBA, Britani, BRSS dhe Franca së bashku me qeverinë e Republikës Federale Gjermane dhe partnerët e rinj të sapozgjedhur të atij shteti që akoma vijonte të quhej RDGJ.

Por sigurisht se kjo mbështetje nuk mund të ofrohej dot falas. Me mbështetje të plotë të Uashingtonit, Kohl und Gensher mund të kishin të bënin vetëm nëse fusnin në llogari një premisë primare që do të duhej ta mbronin e avokonin fort: atë se Gjermania e re, e bashkuar, duhej të ishte pjesë e NATO-s, çka do të përbënte një nyje gordiane në negociatat e pritshme me Moskën. Zemërimi i Gorbit në Kremlin në një takim të mëparshëm mes gjermanëve e sovjetikëve, pati treguar se sa sovranitet ishte e gatshme të lëshonte një fuqi fituese e Luftës Dytë përballë çështjes gjermane.

Por edhe në Uashington, Hans-Ditrih Gensher do të duhej të bënte një manovër të fortë. Së bashku me sekretarin amerikan të Shtetit, ai bënte me dije se Perëndimi në të gjitha negociatat dhe bisedat vetëkuptohet se do të merrte parasysh interesat strategjike të Bashkimit Sovjetik. “Ne ramë dakord se nuk ekziston synimi që zona e sigurisë e NATO-s të zgjerohet në Lindje”, kujtonte më vonë Gensher. “Kjo vlen, meqë ra fjala, jo vetëm në lidhje me RDGJ-në, të cilën ne nuk duam ta përfshijmë, por në përgjithësi”.

Ditë më vonë gjatë vizitës që do të bënte në Moskë, ish-kreu i diplomacisë amerikane, James Baker, do t’i rikthehej edhe një herë kësaj çështje. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij e dinin se: vetëm kështu do të mund të mbahej një derë e hapur për negociatat. Dhe strategjia e tyre nisi të funksiononte.

Jack Matlock, i cili në vitin 1990 ishte ambasador i SHBA-ve në Moskë, do të theksonte vite më vonë: “Unë i mbaj mend fjalët e Baker-it: ‘Ju nuk duhet të përgjigjeni menjëherë, por të mendoni rreth kësaj çështje. Po e pranojmë se NATO nuk zgjerohet më tej në Lindje, asnjë centimetër: A s’do të ishte pastaj më mirë për stabilitetin e ardhshëm botëror, nëse Gjermania të futej në NATO dhe që Amerika të ishte edhe më tej prezente ushtarakisht në Europë?”.

Gorbaçov u përgjigj: “Çdo zgjerim i NATO-s drejt Lindjes vetëkuptohet se do të ishte i papranueshëm. Por unë e kuptoj se çfarë po mendoni ju me këtë. Dhe unë dua të mendoj një herë më thellë rreth kësaj çështjeje”.

Rruga, pra, dukej e shtruar që përfaqësuesit e gjashtë vendeve të takoheshin më 5 maj në Bon. Por aty u pa se sovjetikët ishin larg gëlltitjes së karotës së NATOs. Ish-ministri i tyre i Jashtëm, Eduard Shevardnadze, këmbëngulte se neutraliteti politik e ushtarak i Gjermanisë do të ishte kusht i panegociueshëm për Ribashkimin. Palët e përfshira në “2+4” e kishin lënë tashmë tavolinën pa arritur ndonjë rezultat konkret.

Në këtë pikë u duk sikur planet e Uashingtonit po dështonin “me sukses”. Mirëpo, në Bon dukeshin optimistë. Pasi pas kulisave diçka po lëvizte. Vetëm një ditë para nisjes së negociatave në Bon, po vetë Shevardnadze me një telefonatë i kishte kërkuar qeverisë federale një ndihmë konkrete financiare, mundësisht sa më urgjente. Dhe të njëjtën lutje ia kishte drejtuar edhe Kryeministrit të ri të mbetjes së fundit të RDGJ-së, Lothar de Maizière.

“Shevardnadze tha: ‘Ne, muajin e ardhshëm nuk do të kemi më mundësi të paguajmë (d.m.th. rrogat, s’do kemi më mundësi për likuiditet financiar). Dhe nëse kjo ndodh, Gorbaçovi në Kongresin e Partisë në fillim korriku, nuk do të mund të zgjidhet më. Dhe më pas, ne as nuk mund ta implementojmë dot marrëveshjen që nënshkruam me ju’!”.

Kancelari Federal Helmut Kohl dërgon më 14 maj drejt Moskës të besuarin e tij Horst Telçik së bashku me përfaqësues të bankave të mëdha gjermane. Në valixhe gjendej një miratim krediti në vlerën e pesë miliardë Markave. Ndihma, siç konstatonte më pas Telçik, për qeverinë gjermane shihej si “pjesë e paketës së plotë”, çka do të thoshte se: Pritej që Gorbi të ofronte koncesione në çështjen e NATO-s.

14 ditë më vonë, Gorbaçov dhe Shevardnadze u gjendën dhe vetë në Uashington. Sërish bëhej fjalë për një paketë ndihmash. E sërish puna erdhi te negocimi i paketës së plotë politike. Ndryshimi i vetëm në këtë rast ishte se: amerikanët dukshëm po tregonin më pak skrupuj, duke i shtrënguar më fort gishtat në duar.

James Baker kujtonte vite më vonë: Më kujtohet diskutimi në sallën e konferencave në Shtëpinë e Bardhë. Ne i bëmë një pyetje Gorbaçovit: A besoni ju se çdo vend ka të drejtë të zgjedhë se në cilën aleancë sigurie ai dëshiron të bëjë pjesë? Dhe ai u përgjigj: Po, natyrisht!

Bob Zoellick, kryestrateg i “State Department”-it, po në lidhje me këtë detaj, kujtonte vite më vonë: “Unë i dërgova Presidentit Bush një shënim, në të cilin unë i lutesha atij që ta përsëriste edhe një herë këtë pikë (këtë pyetje). E kështu ai e përsëriti. Dhe sërish Gorbaçovi e pranoi atë. Por njëkohësisht mund të vije re se sa shumë shqetësim mbizotëroi në anën sovjetike të tavolinës së bisedimeve. Kjo ishte një nga ato momentet më të pazakonta diplomatike, që unë kam përjetuar ndonjëherë”, kujtonte Zoellick.

Duket sikur nga ky moment gjithçka merr udhë në mënyrë normale. Nënshkrimi i Gorbit te Pakti: një formalitet. Dhe nga ato biseda e pohime s’doli asgjë në publik. Arsyeja: Sepse qeveria amerikane, sikurse edhe aleatët e saj në Bon, e dinin se para shefit të Kremlinit në Moskë do të gjendeshin shumë telashe e re të zymta. Përfaqësuesit komunistë të vijës së ashpër ishin tashmë një realitet i njohur prej vitesh që shkonin vazhdimisht kundër linjës së reformatorit të Kremlinit. Ndërsa reformatorë radikalë e nacionalistë si Boris Jelcin, po kërkonin një riformatim të të gjithë sistemit politik në vend.

Në fillim, korriku në vigjilje të Kongresit të 28-të të Partisë (bolshevike) Komuniste të BRSS ndërkaq vetëm diçka dukej e qartë: Se Gorbit atje do t’i shtrëngohej fort dara. Dhe kësisoj do të ishte shumë e zorshme ta rishihje atë me mandat të rinovuar. Sidomos, po të merrej vesh publikisht “koncesioni” që u ishte bërë amerikanëve.

Me një diferencë të qartë me dy të tretat e 4.600 delegatëve, ai u rizgjodh në krye të partisë, duke shuar përkohësisht mëdyshjet. Dhe kësisoj duke i dhënë udhë implementimit të marrëveshjes “2+4” dhe jo vetëm.

Kuptohet se pas saj do të rridhnin zinxhir procese madhore që do të preknin mbarë kontinentin dhe do të formësonin tërësisht politikat e reja në shumë fusha, së pari ato ekonomike dhe jo më pak ato të sigurisë. Në këtë sens, pa dyshin duket se shumë përfitoi edhe Shqipëria, duke zhvendosur tërësisht orientimin e saj ekonomik, politik e për më tepër atë të sigurisë, si pjesë e një aleance të re politiko-ushtarake, ndërsa po prej saj dhe përpjekjeve të vetë popullit shqiptar në Kosovë, u arrit edhe shmangia e gjenocidit, largimi i forcave serbe dhe fitimi i lirisë.

Pas një analize të ftohtë, bazuar në fakte, rezulton, pra, se paratë e Perëndimit (e posaçërisht të Gjermanisë), ndërsa Moska gjendej në situatë të vështirë ekonomike, bënë që të mbyllej një sy e një vesh e të merrej një miratim pa bujë nga pararendësja e Federatës Ruse, për të cilin të paktën zyrtarisht Kremlini sot nuk ka arsye të fajësojë më Perëndimin për “prerje në besë” edhe pse me zë e figurë qarkullojnë deklaratat e Gensherit, të cilat nuk përbëjnë akt final, por vetëm deklarata fillestare dhe të paprotokolluara, të cilat madje Boni e Berlini zyrtar janë kujdesur t’i korrigjojë shumë shpejt, ndërsa ai nuk po fliste si një përfaqësues i autorizuar “i Perëndimit”.

A mund të fajësojë Moska për këtë Gorbaçovin? Kjo është çështje e Kremlinit dhe e historianëve rusë. Por fakti është se ky i fundit, (i ndjerë tashmë prej pak kohësh) u dakordësua kur u pyet nëse çdo vend është i lirë të zgjedhë aleancën ushtarake që dëshiron. Si pasojë, veprimet e mëtejshme të vendeve sovrane në kontinent pas rënies së “Perdes së Hekurt” për anëtarësim në një aleancë politiko-ushtarake që përfaqësuesit e atyre kombeve e kanë vlerësuar si më të përshtatshme, janë bazuar tërësisht mbi këtë premisë fondamentale për cdo komb të lirë, ku bën pjesë edhe Shqipëria. [Panorama]


Spread the love


Leave a Reply