Zoti i luftës Vikto Bout, kurthi dhe implikimet

Spread the love

Zoti i luftës Vikto Bout, kurthi dhe implikimet

Nga Dr Dritan HOTI

Në momente të caktuara të historisë, perandori apo shtete që iu pasojnë atyre aktivizojnë emisarë të “spikatur” për të përmbushur misione të rëndësishme në funksion të influencave gjeopolitike e strategjike apo problematikave që ndërlidhen me spiunazhin, të tria bashkë të gërshetuara me njëra-tjetrën.

A nuk përmbushën misione të tilla Laurenci i Arabisë, i cili përshpejtoi shpërbërjen e perandorisë otomane duke rigrupuar arabet e Lindjes së Mesme apo një Bob Denard (alias Gilbert Bourgeaud) në shërbim të rikonceptimit të influencave post-koloniale franceze.

Aktorë të tillë për çdo rrethanë përfaqësojnë shkollat e tyre të trajnimit e formimit, si edhe janë përçues të interesave apo filozofisë së veprimit të strukturave e shteteve që ata iu përkasin. I tillë është edhe rasti i trafikantit më të madh të armëve në botë, rusit Victor Bout. Raste të tilla janë aq spektakolare saqë frymëzojnë pasqyrimin e këtyre aktiviteteve nëpërmjet filmave që thyejnë rekorde shikuesish si edhe besteseller-ve të letërsisë. Victor Bout, elementët biografike, të të cilit ngelet ende të paqarta, u lind zyrtarisht në janar të 1967 në Taxhikistan nga prindër rusë, teksa shërbimet e inteligjencës afrikano-jugore, të cilat janë interesuar imtësisht për rastin e tij, ai u lind në Ukrainë (në pjesën rusofone të saj).

Victor Bout ndoqi studimet në Institutin Ushtarak të Gjuhëve Orientale, elementë të caktuar të kësaj shkolle ishin në vëmendje të veçantë të shërbimeve sovjetike të spiunazhit KGB. Ai, me përfundimin e studimeve, u emërua si oficer i forcave ajrore të Rusisë. Nuk ekziston ende ndonjë e dhënë formale që mund të konfirmojë se Viktor Bout ishte pjesë e KGB-së, ndërkohë që burimet amerikane të inteligjencës ishin të bindur se vjehrri i tij punonte në nivelet e larta të kundërspiunazhit sovjetik. Tregtari më famëkeq i armëve në botë, i cili në përfundim të studimeve të tij njihte disa gjuhë të huaja duke përfshirë edhe dialekte të ndryshme të Afrikë. Në fillimet e tij, Viktor Bout, pothuajse pa të ardhura në dispozicion, në mënyrë disi misterioze arriti të shtinte në dorë disa avionë Antov si logjistika fillestare e aktivitetit të tij.

Përzgjodhi pikërisht në këto etapa të para të sipërmarrjes së tij të vendosej në qytetin Ostend të Belgjikës, qytet i pajisur me një aeroport, kriter parësor i përzgjedhjes prej tij. Dhe jo vetëm siç ndodh jo rrallëherë në këto afera ku ndërlidhen konkretisht kontrabanda e armëve me spiunazhin, ndryshe nga bashkëpunimi në diplomaci, i cili mbështetet formalisht mbi bazat e një kuadri etik, kooperimi në fushën e spiunazhit i kapërcen limitet që imponon etika. Në Belgjikë, Victor Bout vendosi ura bashkëpunimi me një të ngjashmin e tij, tregtar armësh e aventurier, francezin Michel Victor Thomas, i cili nga ana e tij mbante me ushtrinë dhe shërbimet sekrete franceze, duke kryer në raste dhe zona të caktuara shërbimet e duhura ne interes të këtyre institucioneve.

Kështu, në harkun kohor të pak viteve Viktor Bout ia doli të ndërtonte një flotë të vërtetë avionësh, e përbërë prej 60 aparatësh fluturues, duke shtrirë për më tepër tentakulat e tregtisë së tij shumëfitimprurëse në të gjitha pikat e konflikteve më të nxehta të globit, duke nisur nga konflikti i brendshëm në Siera Leone, duke ndërtuar një bashkëpunim preferencial tregtie armësh me diktatorin e Liberisë, Charles Taylor, për të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës interesoheshin nga afër për shkak të dyshimit të një kooperimi të mundshëm të diktatorit liberian me AlKaedën.

Sistemi Bout përfshiu brenda skemës së bashkëpunimit të tij edhe komandantin afgan Massoud, por duke furnizuar njëkohësisht me armë edhe kundërshtarët e tij, telebanët. Kur zhvillonte tregti armësh me diktatorin liberian Ch.Taylor, Viktor Bout paguhej me diamante. Modus operandi Bout-it, ajo e furnizimit të dy kampeve kundërshtare, ishte edhe rasti Angolës, duke armatosur paralelisht forcat qeveritare të Dosantos-it si edhe forcat rebele, kundërshtarët e tij. I sigurt në aktivitetin e tij, Viktor Bout nuk hezitoi të shpërndante e armët e tij edhe në Azi, në konfliktin në Sri Lanka, madje mendohet se ai i ka shitur armatime si edhe gaz toksik edhe Al-Kaedës.

Për më tej, ai u përfshi edhe në konfliktin e brendshëm kolumbian duke përzgjedhur si klientin e tij FARK-un, kundër të cilit, veçmas forcave qeveritare kolumbiane, ishin përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kësisoj, në zenit të famës së tij, por edhe zotërues i një pasurie marramendëse, tregtari më i madh i armëve në botë, rusi Victor Bout ra preh e një kurthi që i kishin ngritur atij, pikërisht amerikanët. Këtë radhë nuk ishin agjentët e inteligjencës amerikane, CIA-s, por dy operativët e DEA (Drug Enforcement Agency) të kamufluar si të dërguarit e FARK-ut kolumbian negociuan direkt për blerjen e një arsenali të gjerë armësh.

Kjo ofertë e re erdhi në favor të tregtarit të “famshëm” të armëve, pikërisht në momentin kur Departamenti Amerikan i The sarit i kishte ngrirë atij rreth 6 miliardë dollarë. Shprehjes të të dërguarve të rremë të FARK-ut, se “ky arsenal armësh do të përdorej ndër të tjera për te vrarë amerikanë”, Viktor Bout iu përgjigj se “për atë kjo nuk përbënte asnjë problem, madje përkundrazi një lloj kënaqësie”. Në ditën e takimit për të finalizuar këtë marrëveshje spektakolare, Viktor Bout, i joshur veçanërisht nga ky përftim i lakmueshëm, e zhvendos personalisht nga Rusia për në Tajlandë. Dhe pikërisht në sallën e konferencave të një hoteli të Bangkokut vërshuan dhjetëra agjentë të tjerë të DEA-s, duke ekzekutuar këtë kurth perfekt.

Si rrjedhojë u përmbyll ky cikël jete për trafikantin më “të famshëm” të armëve në botë, rusin Viktor Bout, për të cilin nuk ekzistonte ende një fotografi e vetme. Me të gjitha gjasat, dhënia fund e aktiviteteve të tij përmban edhe një arsye, ndoshta edhe më domethënëse; lufta e ftohtë ndërkohë kishte përfunduar, teksa një ndër tiparet kryesore të sistemit të ri ndërkombëtar që e shoqëron ende atë në tri dekada të fundit është sfida e rajonalit përkundrejt globalit, e cila konkretisht konsiston në një rivalitet të ri, ndoshta edhe më të ashpër sesa ai i luftës së ftohtë ndërmjet diplomacisë e shërbimeve sekrete amerikane e ruse në pikat e reja të nxehta dhe në rajone të ndryshme të globit, të cilat nisur për nga natyra e përmbajtja nuk ishin dhe nuk janë identike dhe që vazhdojnë ta mbajnë të fragmentarizuar dhe si të rrezikuar rendin e ri botëror.

Shërbimet e Inteligjencës amerikane e dinin që prej një kohe të gjatë që Viktor Bout ishte një emisar i rusëve, i cili vepronte në funksion të skemave të interesave ruse në mënyrë të disfavorshme përkundrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë mënyrë, sapo rasti i volitshëm u paraqit CIA dhe autoritetet më të larta në Uashington, i dhanë dritën jeshile DEA-s për ta neutralizuar. Viktor Bout u ekstradua në vazhdim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një gjykatë e këtij vendi e dënoi me 25 vite burgim. Në qelinë ai mbante të varur në shenjë krenarie një portret të Vladimir Putinit.

Pas tentativave nëpërmjet kanaleve diplomatike, nisur nga rëndësia që Rusia i atribuonte atij, Vladimir Putin thuri një dredhi cinike e të mirëmenduar, duke përfshirë në të yllin e basketbollit amerikan, Britney Griner, e arrestuar në mënyrë të paqartë për mbajtjen e një sasie të papërfillshme të lendeve narkotike nga autoritetet ruse. Putini në gjykimin e tij gjakftohtë e të pamëshirshëm ishte i bindur plotësisht mbështetur në detyrimin juridik e angazhimin etik se qeveria e SHBA-ve do të negocionte lirimin ndaj B.Griner, të përfshirë në mënyrë të padrejtë në Rusi në një skemë të tillë manipulimi.

Nuk ishte simbolika e një shkëmbimi dispropocional që krijoi një pështjellim të menjëhershëm ndërkombëtar, por vetë vazhdimësia e një aktiviteti të ri të Viktor Bout mund të përbënte një shqetësim për vetë sigurinë ndërkombëtare. Konkretisht, ekspertë të sigurisë parashikojnë që nisur nga përvoja e tij, ai mund të përfshihet dhe të jetë i dëmshëm në luftën e Ukrainës. Por në stadin aktual ku ndodhet ky konflikt, zotësia apo eksperienca e një njeriu përmban limite të mëdha dhe mund të jetë influencuese në ndonjë zonë të kufizuar apo momente kalimtare të kësaj lufte, por kurrsesi vendimtare në fatin e saj. Fati i kësaj lufte do të varet nga tri elemente që ndërveprojnë si një automatizëm njëri me tjetrin.

Ato janë përkushtimi dhe strategjia e duhur ushtarake dhe deri tani ushtria ukrainase ka qenë mbresëlënëse dhe një ndër ushtritë më të organizuara në Evropë, së bashku me epërsinë teknologjike të armatimeve, të siguruara deri me tash nga perëndimi, kryesisht nga Amerika. Një preokupim tjetër që asociohet me sigurinë globale është se në kushtet aktuale që kanë të bëjnë me një mori sanksionesh të rrepta nga Perëndimi përkundrejt Rusisë, trafikanti rus i armëve, tashmë në liri, mund të tentojë të përdorë lidhjet e tij transnacionale për të thyer në drejtime të caktuara këtë kordon sanksionesh në këto momente veçanërisht tejet penalizuese për Rusinë.

Ndërkohë që paradoksalisht, “fama” e tij ndërkombëtare përbën një pengese të madhe për të. Viktor Bout, i cili në të shkuarën ka qenë objekt i dy tentativave për eliminim e tij fizik, e ka pothuajse të pamundur të përfshihet vetë me të njëjtin intensitet, si në të shkuarën, në këtë aktivitet. Ai, njëlloj si Andey Lugovoi, ish-oficer i KGB-së, i akuzuar për helmatisjen e disidentit Aleksander Litvinenko, u bë pjesë e partisë ultra-nacionaliste, Partia liberaledemokrate e Rusisë, e shndërruar në një strehëz që rigrupon elemente të tilla. Kështu që fati i mëtejshëm i Viktor Bout qëndron i pazgjidhshëm me atë të elitës aktuale nacionaliste në Kremlin, e cila nëpërmjet një tentative të pakuptimtë për të prodhuar një realitet të ri kombëtar e gjeopolitik ndërkombëtar e sheh veten më të pasigurt se kurdoherë.


Spread the love


Leave a Reply