HIJA E SKEMËS SERBE NË “BALLKANIN E HAPUR”

Spread the love

Unioni si i tillë me një Serbi pro-ruse do të jetë një rrjet i mirë për veprimin rus në Ballkanin Perëndimor dhe mbajtjen gjallë të armiqësive të vjetra, duke ndërtuar mure të reja. Megjithatë, shqiptarët nuk duhet të hyjnë në aleanca dhe të bëhen pjesë e blloqeve, ku pas nismave si garantues mund të jenë shtete të treta. Prapëseprapë, Kosova në të ardhmen duhet të vendosë se ka do të shkojë në rast të refuzimit të mundshëm nga Perëndimi dhe ndryshimeve radikale në sistemin ndërkombëtar. Politika e kritikave dhe hedhjes poshtë të të gjitha projekteve ndërkombëtare do të ishte e dëmshme për shtetin e ri. Fragmentimi i “Botës Shqiptare” në këtë dekadë veçse ka krijuar përparësi për “Botën Serbe”, ku çuditërisht ka hyrë Shqipëria.

Shkruan:  Dr Selim Ibraimi, Tetovë/Uashington

Nuk është hera e parë që popujt e Ballkanit hynë në aleanca në mes veti ose nëpërmes shteteve të treta ndërtojnë blloqe qofshin për interesa politike dhe ekonomike. Lidhja Ballkanike e fillim shekullit XX ishte ideologjike dhe kryesisht kishte për synim forcimin e kombit serb, botës ortodokse në Ballkanin Jugor dhe padyshim daljes në Adriatik. Shtetet dhe qeveritë së pari shohin interesin nacional e pastaj, po qes e nga bashkëpunimi arrijnë të maksimizojnë të hyrat, qeveritë vendosin të hyjnë në unione. Zakonisht në unionet tregtare dhe ushtarake dominon më i forti, pasi aleancat nuk mund të qëndrojë pa mjete ushtarake dhe buxhet të qëndrueshëm financiar.

Gjeopolitika e tregut

Në “Ballkanin e Hapur” shteti më i fuqishëm është Serbia e cila ka tërhequr pas vetes Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dy shtete që lëngojnë nga korrupsioni i madh dhe mungesa e shtetit ligjor. Në një refuzim të BE-së, socialisti Rama, neo-komunisti Zaev dhe ultra-nacionalisti Vuçiq u nisën të formojnë unionin e përbashkët tregtar i quajtur së fundmi si “Ballkani i Hapur”, kryesisht i projektuar mbi baza të dominimit ekonomik dhe ekspansionit territorial serb. Më vonë, nga dinamikat e jashtme, ideja mund të marrë formën e një Serbie të Madhe, të integruar me të gjitha viset ku jetojnë serbët në një union të vetëm kryesisht me popullatë ortodokse dhe e mbështetur nga buxheti i Serbisë.

Qeveria e Shqipërisë së kryeministrit Edi Rama me vetëdije ka hyrë në varësi me shtetin serb, duke konsideruar se lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave do të sjellë përfitime për ekonominë shqiptare. Në parim është në rregull, megjithatë logjika e thjeshtë ekonomike tregon diçka tjetër – Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë kapacitete tregu për ta dominuar ekspansionin tregtar serb. Shqipëria nga mungesa e mjeteve teknologjike dhe eksportit të ultë të mallrave në tregun e përbashkët do të ketë deficit më të madh tregtar krahasuar me Serbinë apo edhe Maqedoninë e Veriut.

Tregu shqiptar do të pushtohet nga mallrat serbe dhe maqedonase, kurse ekonomia shqiptare do të ketë eksport të ultë në “Ballkanin e Hapur”. Serbia dhe Maqedonia e Veriut në tregun e përbashkët ballkanik, për shkak se janë vende gjeografikisht të izoluara dhe pa dalje në det, me marrëveshjet e reja krijojnë një mundësi të re strategjike për dalje në ujërat e ngrohta dhe qarkullim të mallrave dhe kapitalit nga porti i Durrësit në pikat tjera strategjike të bregdetit shqiptar. Ky port me tregun e lirë do të jetë në shërbim të tre shteteve anëtare të unionit tregtar, sepse tregu i përbashkët nuk parasheh kufizime për shtetet në të drejtën e shfrytëzimit të pikave strategjike. Në tenxheren e re të tregut të përbashkët shumë çështje ekonomike do të kalojnë në duart e treshes ose, më shkurt, Serbisë dhe deri-diku Maqedonisë së Veriut. Shqipëria, në një gjendje të tillë, do ta ketë të pamundur të eksportojë mallra në Serbi dhe në tregun maqedonas, për arsye të natyrës predatore të qeverive serbo-maqedonase dhe mentalitetit blerës të serbëve dhe  maqedonasve ndaj produkteve shqiptare.

Në një raport dy me një për tregun shqiptar, prodhuesi shqiptar do të jetë para kolapsit të përgjithshëm të mos shitjes apo mospasjes treg në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Këtu nuk është e rastit se pse qeveria e Malit të Zi ende po heziton t’i bashkëngjitet kësaj nisme serbo-maqedonase-shqiptare, pasi vetvetiu me këtë veprim do të humbte atë pak sovranitet të fituar me vështirësi nga Serbia. Duke i njohur serbët mirë, malazezët e moderuar çdo herë e kanë preferuar një Mal të Zi të pavarur nga Serbia. Hyrja në tregun e përbashkët do t’i jepte fund ekonomisë edhe ashtu të dobët malazeze.

Në mungesë të planeve konkrete, reagojnë SHBA dhe BE

SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE) e kanë përshëndetur nismën me fraza të mira duke e mbështetur tregun e përbashkët. Në mungesë të një strategjie afatgjate për Ballkanin Perëndimor, Stejt Departamenti ka mbetur pa nisma serioze dhe tash është detyruar të avancojë Serbinë si aktor dominues në Ballkan me projekte që shkojnë në mbrojtje të interesave serbe dhe forcimit të ekonomisë së Serbisë mbi tregun shqiptar në emër të një tregu të përbashkët. Nga një pikë tjetër, tregu do të izolojë Kosovën, duke ia zvogëluar kapacitetet e import-eksportit ose, thënë shkurt, treshja Serbi, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut do ta shkatërrojnë ekonominë e Kosovës dhe kjo njëkohësisht do të ndikojë në zhvillimet politike kosovare.

Me unionin e ri, Serbisë nuk i duhet më angazhim ndërkombëtar për çnjohje të Kosovës. Tash aty e ka partnerin shqiptar, qeverinë e Ramës, e cila do të bëjë çmos të mos bashkëpunojë me të gjithë kundërshtarët politikë dhe ata që nuk mendojnë si ai.

Pas “perdes së zezë” janë bërë disa hapa konkrete ndërmjet palës maqedonase dhe serbe, duke nënshkruar një marrëveshje për unifikimin e postave. Këtu nuk është shprehur qartë lideri i BDI-së Ali Ahmeti, partner qeveritar i kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, i cili tashmë është i varur nga politika serbe. Maqedonia e Veriut, nën drejtimin e kryeministrit Zaev, në emër të bashkëpunimeve rajonale, gjithnjë e më shumë po bëhet vasale nga Beogradi, pasi shumë zyra ndërkombëtare janë vendosur në Serbi.

Me ardhjen në pushtet të ish komunistëve maqedonas, Shkupi zyrtar si pikë referimi e ka Serbinë dhe :Botën Serbe” të marrëdhënieve ndërkombëtare. Unioni si i tillë, me një Serbi pro-ruse, do të jetë një rrjet i mirë për veprimin rus në Ballkanin Perëndimor dhe mbajtjen gjallë të armiqësive të vjetra duke ndërtuar mure të reja. Megjithatë, shqiptarët nuk duhet të hyjnë në aleanca dhe të bëhen pjesë e blloqeve ku pas nismave si garantues mund të jenë shtete të treta. Me liderët aktualë do të jetë vështirë t’i shohim përparësitë dhe rreziqet e hyrjes në unione, aty ku interesi ekonomik kombëtar përdoret si prodhim për shtetet armike të dy shekujve të fundit. Prapëseprapë, Kosova në të ardhmen duhet të vendosë se kah do të shkojë në rast të refuzimit të mundshëm nga Perëndimi dhe ndryshimet radikale në sistemin ndërkombëtar. Politika e kritikave dhe hedhjes poshtë të të gjitha projekteve ndërkombëtare do të ishte e dëmshme për shtetin e ri. Fragmentimi i “Botës Shqiptare” në këtë dekadë veçse ka krijuar  përparësi për “Botën Serbe”, ku çuditërisht ka hyrë Shqipëria.


Spread the love


Leave a Reply