Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i BE-së dhe Ballkani

Spread the love

Selim Ibraimi

Përderisa treshja rajonale Vuçiç, Rama dhe Zaev tregonin për efektet pozitive të tregut të përbashkët i quajtur tashmë si “Open Balkans”, në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut (MV) ishin hapur vatra të mëdha të zjarrit. Ekipet e zjarrëfikësve me mjete që datojnë nga ish- Jugosllavia dhe sistemi i Shqipërisë socialiste u munduan të pengojnë shtrirjen e tij të mëtutjeshme në vendet urbane dhe fshatra. Kritikët thonë se “Open Balkans” është menduar si union tregtar kundër politikave burokratike të BE-së, mirëpo as njëra qeveri përkundër lavdërimeve nuk mund të përballojë zjarret në shkallë të gjerë. Shqipëria dhe MV me mjete të shekullit XX u munduan të demonstrojnë një farë aftësie të menaxhimit të krizave e cila në fund rezultoi përsëri me thirrje për ndihmë nga BE-ja dhe vendet fqinj. BE dhe SHBA pa përjashtuar Serbinë dhe Kosovën dhanë kontribut me ekipe dhe burime njerëzore në shuarjen e vatrave të zjarrit, megjithatë përhapja e tyre tregoi se sa e brishtë është siguria në Ballkan dhe sa shpejtë fatkeqësitë natyrore mund të kthehen në debate politike. Shqipëria dhe MV shihet se edhe pas tre dekadave të rënies së komunizmit nuk kanë investuar në teknologji për të përballuar sfidat e shekullit nga  ndryshimet klimatike. Në Sh.B.A. p.sh. “FEMA” (Federal Emergency Management Agency), është autoriteti kryesor për të gjitha krizat dhe gëzon një buxhet të jashtëzakonshëm me mjete të kohës së fundit. Në MV, “Agjencia për Menaxhimin e Krizave” me vite vepron me plane të vjetra dhe situata e fundit është një tregues se sa pak është investuar për të ardhmen dhe sa të papërgjegjshëm janë zyrtarët qeveritarë.

Siç vërehet as “Open Balkans” dhe idetë tjera nuk mund të zëvendësojnë rolin e BE-së dhe mekanizmat e saj brenda dhe jashtë. Pavarësisht dallimeve, BE dhe shtetet e unionit kanë buxhet dhe strukturë mirë të organizuar të agjencive të krizave. Le të fillojmë me “Mekanizmin e Mbrojtjes Civile” të BE-së e cila është themeluar në vitin 2001. Sipas dokumenteve të themelimit, mekanizmi  i mbrojtjes civile synon të forcojë bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE -së dhe shteteve pjesëmarrëse në mbrojtjen civile për të përmirësuar parandalimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore. Themeluese e agjencisë është Komisioni Evropian (KE) i cili luan rol kyç në koordinimin e reagimit ndaj katastrofave duke kontribuar me mbi 75% të kostove të transportit.

Përveç shteteve anëtare të BE-së, aktualisht janë edhe gjashtë shtete tjera pjesëmarrëse në këtë mekanizëm duke filluar nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia, Islanda, Norvegjia dhe Serbia.

Sipas raporteve të BE-së që nga viti 2001, “Mekanizmi i Mbrojtjes Civile” i BE -së i është përgjigjur mbi 420 kërkesave për ndihmë brenda dhe jashtë unionit. Mekanizmi i Mbrojtjes Civile gjithashtu ndihmon zhvillimin e vazhdueshëm të standardeve më të larta duke ua bërë të mundur ekipeve të shpëtimit të kuptojnë më mirë qasjet e ndryshme dhe të veprojnë në mënyrë të ndërsjellë në raste të katastrofave natyrore.

Në kuadër të “Mekanizmit të Mbrojtjes Civile” aktive është edhe “Qendra Koordinuese e Reagimit të Emergjencave” (ERCC)  e cila mobilizon dhe reagon shpejtë me të gjitha mjetet në zonat e prekura nga zjarret, tërmetet apo vërshimet. ERCC gjithashtu monitoron ngjarjet në të gjithë botën dhe siguron vendosjen e shpejtë të mbështetjes emergjente përmes lidhjeve të shpejta me qeveritë apo vendet e prekura nga zjarret dhe vërshimet. Në MV, ekipe nga Çekia, Franca Holanda dhe shtetet tjera erdhën në ndihmë për shuarjen e zjarreve dhe ndarjen e përvojave me ekipet e MV-së.

Shpërthimi i zjarreve të fundit në MV, në Shqipëri dhe reagimi i autoriteteve të emergjencës me mjete të vjetra, duhet të jetë një mësim për qeveritë kombëtare se programet e trajnimit dhe modernizmi i mjeteve duhet të bëhet sa më shpejt në përputhje me rregullat e BE-së, pra të mekanizmave të saj. Përderisa qeveria, ministrat, deputetët, zyrtarët e niveleve të ulëta duke përfshirë kryetarët e komunave kërkojnë vetura të reja, bonuse, pushime jashtë dhe brenda, jetë luksoze, sekretaresha,  atëherë si është e mundur për tre dekada askush s’ka menduar për një agjenci të modernizuar dhe aktive, pasi një ditë zjarret mund të përhapen shpejt, mund të kemi vërshime dhe tërmete?! Çka pamë në MV dhe në Shqipëri ishe e turpshme që automjeti i zjarrfikësve të Shkupit me siguri i viteve të 60-ta të shek. XX dhe i pa servisuar të niset drejt Maqedoninë Lindore për të shuar zjarret. Tash është koha që të ndahen mjete për krizat dhe fatkeqësitë natyrore, të bëhen plane për të ardhmen dhe të modernizohen ekipet e emergjencës duke filluar nga qendrat kombëtare e deri në komunat rurale. Nuk ka BE në qoftë se vazhdojmë të shpenzojmë më shumë për dëshirat e qeveritarëve dhe të mos jemi në gjendje të lokalizojmë nesër një vatër zjarri. Tash e tutje me siguri qeveria dhe “Agjencia e Menaxhimit të Krizave” do të mendojnë më ndryshe, pasi është e pahijshme që qytetet dhe komunat rurale të mos kenë njësi zjarrfikësish dhe të rrezikohen banorët. Kurse të zgjedhurit tanë, kryetarët, deputetët, këshilltarët dhe shfrytëzuesit tjerë të parasë publike të keqpërdorin pozitat pa menduar se plotësimi i nevojave bazike dhe mbrojtja e jetës së qytetarëve bëjnë pjesë në të drejtat themelore, ku partitë dhe liderët tanë thirren aq shumë. Koha është që politikanët të mendojnë më shumë për votuesit se sa për makinat e tyre të shtrenjta.


Spread the love


Leave a Reply