Ngritja e fantazmave mesjetare

Spread the love

Në janar të këtij viti në sheshin “Shën- Sava” në Beograd u promovua statuja e Stefan Nemanjës, vepër e skulptorit rus Aleksandër Rukavishnikov. Emocionet kombëtare dhe nacionaliste përfshinë jo vetëm Serbinë, por të gjithë të ashtuquajturën “Botë serbe”. Stefan Nemanja i lindur në Mal  të Zi (1114-1199) ishte Mbreti i Principatës së Madhe serbe (Rashkë) nga viti 1166 e deri në 1196.

Nga Dr  Selim Ibraimi

1.Nga burimet historike të mesjetës mund të gjejmë ngjashmëri të raporteve të principatave dhe mbretërive që kanë bashkëpunuar, kanë lidhur aleanca në kohë krize ose kanë hyrë në luftë. Kështu mund të përmendim një ngjarje që lidhen me diplomacinë gjermane në Ballkan dhe përpjekjet për rikonfigurim të rajonit me fuqi tjera dominuese në krye me Serbinë. Perandori gjerman Frederiku I marshoi në vitin 1189 nga Budapesti përmes Beogradit, Nishit, Adrianopojës drejt Kostandinopojës që në atë kohë ishte ende në duart e Perandorisë Bizantine.

Në qytetin e Nishit, Stefan Nemanja dhe perandori gjerman u takuan në fund të korrikut të vitit 1189. Në këtë takim, Nemanja i kërkoi perandorit gjerman që ushtria perandorake-kryqëtare gjermane të sulmonte Bizantin, si një strategji për të mbajtur perandorinë e tij në Rashkë dhe zotimet në Serbinë Qendrore. Kjo në fakt nuk ndodhi, nuk kaloi shumë kohë perandori gjerman e theu keq ushtrinë serbe të Nemanjës.

2.Nuk kaloi as një ditë pasi presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri shqiptar Edi Rama u takuan me Kancelaren gjermane në largim Angela Merkel, nacionalizmi dhe fyerjet filluan në stilin e njohur të viteve të 90-ta. Festimi i Ditës së Unitetit të Serbisë bashkë me ultra-nacionalistët e Bosnjës Serbe dhe hapësirës tjetër gjeografike ortodokse, treguan për objektivat afatgjate të shteteve të “Open Balkans” në rindërtimin e një Ballkani të veshur me ngjyra të nacionalizmit të shek. XVIII. Kujtimi i Stefan Nemanjës në Beograd dhe madhështia për shtetin e unifikuar serb e ngritën lartë këtë figurë historike të mesjetës serbe, të “Dinastisë së Nemanjiqëve” që sunduan Ballkanin për dy shekuj nga viti 1166 e deri në 1371.

Përderisa debati rreth “Open Balkans” dhe Procesit të Berlinit ka përçarë një pjesë të politikës vendore dhe qeverive të WB-6, ngritja e figurave të ekspansionit serb, do të ketë disa efekte negative në qasjen e zgjidhjeve të kontesteve politike dhe kufitare. Nga Uroshi, Nemanja, Dushani, Llazari, Radomiri, Brankoviqët, Obrenoviqët, Karagjorgjeviqët e deri tek princërit serbë të shek të XIX, ekspansioni serb në drejtim të Evropës Juglindore ka marrë forma të ndryshme dhe ka evoluar në bazë të gjendjes ndërkombëtare dhe raportit të forcave të perandorive- Fuqive të mëdha.

Kur Nemanja në Rashkë u fuqizua tepër, dëshira për të marrë territore u rrit. Megjithatë ai pa dyshim vazhdon të mbajë vulën e heroit kryesorë serb të ndërtimit të një Serbie të fortë mesjetare e cila në kohën e sundimit të Mbretit Dushan do të shtrihej deri në Greqi, ku aty bizantinët ishin dobësuar dhe zotimet e tyre së shpejti do të kalonin nën Mbretërinë e re serbe. Zakonisht në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare kemi ngjashmëri dhe dallime me zhvillimet e sotme në Bashkimin Evropian (BE) dhe në Ballkanin Perëndimor. Po sot të njëjtat ide, politikanë radikalë serb dhe të tjerë në Ballkanin Perëndimor i shohin si zgjidhje për konsolidimin nacional në BE-në e post -Merkelit. Dëshira serbe mbetet e njëjta dhe nuk ka ndryshuar, ajo vetëm ka marrë një dinamikë tjetër të nxitjes së emocioneve për një shtet të madh serb në Ballkan ku të gjithë serbët që jetojnë jashtë do të bëheshin pjesë të unionit të dominuar nga Serbia me një ekonomi dhe GDP që i tejkalon disa shtete të Ballkanit dhe vihet në konkurrencë me Turqinë dhe Bullgarinë rivale.

3.Disa shembuj mund ta përmirësojnë klimën e uljes së nacionalizmit dhe fillimin e bashkëpunimit të vërtetë ekonomiko -kulturorë. E para, është vazhdimi i reformave në shtetet kandidate për në BE, e dyta ndihma financiare për ekonomitë e prekura nga pandemia e cila është premtuar, por ende nuk po shihet në jetën e përditshme të qytetarëve. Dhe sa ma shpejt të shpërndahet nga organet burokratike qeveritare; dhe e treta, ka të bëjë me ripozicionimin e BE-së dhe të SHBA-së rreth planeve për ngritjen e shteteve të pastra nacionale. Nëse SHBA në vazhdim do të heshtë rreth mureve të reja që po ngriten në Ballkan nëpërmes projekteve kinse të integruara, atëherë duhet qartë të përgatitemi për shkëmbime territoriale, kufij të rinj ose një botë të re si në kohën e sundimit të Stefan Nemanjës.

Qoftë para hyrjes në BE ose bashkimeve në unione gjeo-ekonomike është mirë që mitet e principatave mesjetare të harrohen si një fillim për stabilitet në Evropën Juglindore. Ndryshe Ballkani me një BE të dobët, Rusi agresive, Kinë e cila dominon në investimet ekonomike dhe infrastrukturën kritike dhe me një SHBA e cila bën tërheqje nga angazhimet globale në bazë të interesave nacionale dhe ruajtjes së status quo-s në disa rajone, atëherë gjendja në Ballkan nuk do të jetë edhe aq premtuese, integrimet në BE do të stërgjaten dhe sub-unione të reja do të lindin. [ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply