INTERVISTA E PLOTE E MAKRONIT PËR SHTYPIN FRANCEZ

Spread the love

INTERVISTA E PLOTE E MAKRONIT PËR SHTYPIN FRANCEZ

Gazeta “Les Echos”: Pas dialogut tuaj me Presidentin Xi Jinping, çfarë mund të presim realisht nga Kina për Ukrainën?

Makron: Mendoj se Kina bën të njëjtin vëzhgim si ne, domethënë qe opsioni sot që kanë zgjedhur të dyja palët është vetëm i llojit ushtarak. Ukrainasit po rezistojnë dhe ne po i ndihmojmë. Nuk ka ardhur koha e negociatave, megjithëse ne duhet t’i përgatisim duke reflektuar mbi përmbajtjen e tyre. Ky është qëllimi i këtij dialogu me Kinën: konsolidimi i qasjeve të përbashkëta. Së pari, dakordësi mbi respektimin e parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Së dyti, dakordësi pa asnjë ekuivok se nuk luhet me armën bërthamore. I takon Kinës që të nxjerrë konkluzionet e duhura pas vendimit të Presidentit Putin për të instaluar armë bërthamore në Bjellorusi vetëm pak ditë pasi mori zotimin karshi Kinës për të mos bërë manovra të tilla. Së treti, ajo që na bashkon pikëpamjet me Kinën është qëndrimi shumë i qartë për respektimin e së drejtës humanitare në mbrojtje të fëmijëve. Dhe katër: vullneti i përbashkët për një paqe të negociuar dhe të qëndrueshme. Vërej se Presidenti Xi Jinping foli për nevojën e një arkitekture europiane të sigurisë. Por nuk mund të ketë arkitekturë europiane të sigurisë për sa kohë ka vende të pushtuara në Evropë ose konflikte të ngrira. Pra, shihni se nga e gjitha kjo del një matricë e përbashkët. A është Ukraina një prioritet për diplomacinë kineze? Ndoshta jo. Por ky dialog me Kinën bën të mundur që të relativizohen komentet e atyre që pretendojnë se Kina po tregon shumë tolerancë me Rusinë.

Gazeta “Les Echos”: Kinezët, duke qenë të obseduar nga një konfrontim me Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në dosjen e Tajvanit, a nuk ka një tendencë tek ata ta shohin Evropën si gur shahu ne lojën midis dy blloqeve?

Makron: Si europianë, prioriteti ynë është uniteti ynë. Ka qenë gjithmonë prioriteti im. Ne po i tregojmë Kinës se jemi të bashkuar si europianë dhe ky është mesazhi i kësaj vizite që e bëra të përbashkët me Presidenten e Komisionit, Ursula von der Leyen. Te kinezët, prioriteti kryesor është tërësia e tyre territoriale. Në këtë pikëpamje, Tajvani përben për ta një shqetësim madhor. Është e rëndësishme të kuptojmë se si ata arsyetojnë. Pyetja që na shtrohet ne europianëve është si vijon: a kemi ne interes që tema e Tajvanit të përshpejtohet dhe të vijë në rend të ditës? Jo! Gjëja më e keqe do të ishte të mendonim se ne europianët duhet të kënaqemi nga pozitat ku ndjekim ritmin e një situate që s’e kemi provokuar dhe të detyrohemi kështu t’i përshtatemi edhe ritmit amerikan edhe një reagimi të tepruar kinez. Pse duhet të ecim me ritmin e zgjedhur nga të tjerët? Në një moment, ne duhet t’i bëjmë vetes pyetjen se cili është interesi ynë si europianë? Ne nuk e dimë se me çfarë tempoje dëshiron të avancojë vetë Kina në dosjen e Tajvanit? A dëshiron ajo të ketë një qasje sulmuese dhe agresive? Rreziku është ai i një strategjie vetëpërmbushëse që ndodh sepse e përsërisim që do të ndodhë. Ndaj ne europianët duhet të zgjohemi. Prioriteti ynë nuk është të përshtatim axhendën tonë me atë të të tjerëve në të gjitha rajonet e botës.

Kurthi për Europën do të ishte që në momentin kur po arrijmë të kristalizojme një pozicionim tonin strategjik, në momentin kur Europa është më autonome strategjikisht tani se ç’qe para Covid-it, ajo të kapet shah mat në një shpërbërje të botës dhe në kriza që nuk do të ishin për fajin tonë. Nëse ka një përshpejtim të axhendas së konfliktit në gjirin e Duopolit (amerikano-kinez), ne nuk do të kemi as kohën e mjaftueshme dhe as mjetet e duhura për të financuar autonominë tonë strategjike. Në një situatë të tille do të shndërroheshim në vasalë, ndërsa po të kishim edhe disa vite kohë të përgatiteshim, ne mund të bëhemi poli i tretë i botës.

Gazeta “Les Echos”: Tani që një numër në rritje i vendeve evropiane po u drejtohen më shumë se kurrë Shteteve të Bashkuara për të garantuar sigurinë e tyre, a ka ende ndonjë kuptim kjo autonomi strategjike evropiane?

Makron: Sigurisht! Por ky është paradoksi i madh i situatës aktuale. Që nga fjalimi i Sorbonës për këtë temë qe kam mbajtur pesë vjet më parë, pothuajse gjithçka është bërë për të shkuar drejt autonomisë strategjike europiane. Ne kemi fituar pikësëpari betejën ideologjike, nëse përdor një terminologji të Gramshit. Pesë vite më parë thuhej se nuk ekzistonte sovraniteti europian. Kur flisja për komponentët në industrinë e telekomunikacioneve, pakkujt i interesonte kjo. Por pas fjalimit të Sorbonës, filluam t’ua bënim të qarte vendeve jashtë Europës se për ne kjo temë e telekomunikacioneve përbente një çështje madhore të sovranitetit dhe se do të ndërmerrnim miratimin e teksteve për ta rregulluar këtë situate, gjë që e bëmë në vitin 2018. Të paktën për Francën, unë vërej se pjesa e furnizuesve jo europianë të pajisjeve të telekomunikacionit ka rënë mjaft ndjeshëm, gjë që nuk është rasti për të gjithë fqinjët tanë.

Ne kemi promovuar po ashtu idenë e një mbrojtjeje europiane, ashtu si dhe idenë që Europa gjatë Kovidit të ishte më e bashkuar për t’u dhënë borxhe të brendshme vendeve anëtarë pa u varur nga jashtë. Pesë vjet më parë, autonomia strategjike ishte një utopi. Sot të gjithë po flasin për të. Është një ndryshim i madh. Jemi pajisur me instrumente për politikën e mbrojtjes dhe atë industriale. Ka pasur shumë përparime: Chips Act, Net Zero Industry Act, Critical Raë Material Act, këto tekste europiane janë si themele të autonomisë sonë strategjike. Kemi filluar të krijojmë fabrika për bateri, komponentë për energjinë nga hidrogjeni dhe për elektronikë. Dhe ne jemi pajisur me instrumente për mbrojtjen tonë që ishin krejtësisht në kundërshtim me ideologjinë dominuese në Europë vetëm tre-katër vjet më parë. Tani kemi për mbrojtje shumë efektive.

Aty ku duhet të jemi veçanërisht vigjilentë në këtë moment, është se lufta në Ukrainë po përshpejton kërkesën për armatime. Por industria europiane e mbrojtjes nuk arrin t’i plotësojë të gjitha nevojat dhe kjo industri është shumë e fragmentuar. Kjo ka bërë që disa vende te BE-se t’u drejtohen furnizuesve amerikanë apo edhe aziatikë par furnizime ushtarake. Përballë këtij realiteti, neve na duhet të rritemi. Autonomia strategjike duhet të jetë beteja e Europës. Ne nuk duam të varemi nga të tjerët për çështje kritike. Ditën që nuk ke më zgjidhje as në fushën e energjisë, as në fushën e mbrojtjes, as në fushën e rrjeteve sociale, as në fushën e inteligjencës artificiale sepse nuk kemi investuar në infrastrukturat e këtyre fushave, atëherë historia të nxjerr për një kohë nga loja.

Gazeta “Les Echos”: Disa mund të thonë se Europa sot është më shumë franko-gjermane sesa polake për shembull…

Makron: Nuk do ta thosha këtë. Ne kemi krijuar një fond europian për të prodhuar raketa dhe municione me 2 miliardë euro, një fond vetëm për pajisje europiane. Por është e qartë se ne kemi nevojë qe industria europiane e armatimeve të prodhojë më shpejt. Veçse kapacitetet tona prodhuese kanë arritur në maksimum. Nëse historia me konflikte po përshpejtohet siç po ndodh në këtë moment, është e qartë se duhet të ketë edhe një përshpejtim paralel të ekonomisë europiane të luftës. Ne nuk po prodhojmë armë as mjaftueshëm as shpejt. Rezultati, ju po e shikoni, polakët vetë po detyrohen të blejnë pajisje ushtarake koreane…

Por të mbetemi pozitivë, pasi nga pikëpamja doktrinare, juridike dhe politike, mendoj se kurrë nuk ka pasur një përshpejtim të tillë të konceptit të Europës si fuqi. Ne hodhëm bazat para krizës së Kovidit dhe pati një mirëkuptim të jashtëzakonshëm franko-gjerman gjatë pandemisë, që u konkretizua me një progres shumë të fortë në Europë në aspektin e solidaritetit financiar dhe buxhetor. Po ashtu ne riaktivizuam formatin e partneritetit të “Weimar”-it me Gjermaninë dhe Poloninë. Sot është i nevojshëm një përshpejtim i zbatimit të strategjive në nivel ushtarak, teknologjik, energjetik dhe financiar për të arritur sa më shpejt tek autonominë jonë reale europiane.

Gazeta “Les Echos”: Paradoksi është se edhe pesha e SHBA-ve në Europë në këtë moment është më e madhe se kurrë…

Makron: Sigurisht që e kemi rritur varësinë tonë ndaj Shteteve të Bashkuara në fushën e energjisë, por në një logjikë diversifikimi, sepse ishim shumë të varur nga gazi rus. Sot është fakt që ne jemi më të varur nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe të tjerët. Por ky diversifikim ishte i nevojshëm.

Te nocioni i peshës së amerikaneve në Europë duhet parë po ashtu dhe forca e inercisë nga e kaluara. Për një kohë të gjatë, Europa nuk e ka përfillur konceptin e autonomisë strategjike, për të cilën unë po luftoj. Sot, beteja ideologjike dhe konceptuale në këtë drejtim konsiderohet si e fituar. Ka sigurisht një kosto të lartë financiare të jesh autonom. Këtë e pamë dhe në sfidën për riindustrializimin e Francës në vitet e fundit: fituam betejën ideologjike, bëmë reformat që nevojiteshin, ato janë të vështira, por po fillojmë të shohim rezultatet. Sigurisht dhe në Francë kjo politikë e re e riindustrializimit po na kushton financiarisht sepse paguajmë për kostot e neglizhencës sonë gjate njëzet viteve të fundit. Kjo është politika! Duhet kohë. Duhet durim. Por me këtë çmim ndryshojnë mentalitetet.

Gazeta “Les Echos”: Fakti mbetet që Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë një politikë me Aktin e Reduktimit të Inflacionit (IRA) që ju vetë e keni cilësuar si agresiv ndaj Europes.

Makron: Kur shkova në Uashington dhjetorin e kaluar, ua thashë hapur që nuk isha dakord, madje u kritikova se e bëja këtë në mënyrë agresive. Por Europa reagoi dhe para përfundimit të tremujorit të parë të vitit 2023, në tre muaj, miratuam tri tekste evropiane. Ne do të kemi IRA-n tonë europiane për të luftuar inflacionin duke mbrojtur interesat tona siç e bënë amerikanët me aktin e tyre. Të veprosh me një shpejtësi të tillë në Europe siç e bëmë në këtë dosje është një revolucion i vogël.

Çelësi për më pak varësi nga amerikanët qëndron para së gjithash në forcimin e industrisë sonë të mbrojtjes dhe për këtë na duhen standarde të përbashkëta ndërmjet industrive europiane të mbrojtjes. Ne të gjithë investojmë shumë para, por nuk mund të kemi në Europë dhjetë herë më shumë standarde se amerikanët! Po ashtu, na duhet të përshpejtojmë përpjekjet në fushën e energjisë bërthamore dhe të rinovueshme në Europë. Kontinenti ynë nuk ka pasuri nëntokësore në lëndë djegëse fosile. Ekziston një lidhje midis nevojës se riindustrializimit, të respektimit të ambientit dhe sovranitetit. Është e njëjta betejë. Beteja për energji bërthamore, për burimeve energjie të rinovueshme dhe për kursime në konsumin e energjisë në Europë. Kjo do të jetë beteja e dhjetë deri në pesëmbëdhjetë viteve të ardhshme. Autonomi strategjike europiane do të thotë se vërtet kemi pikëpamje të ngjashme me Shtetet e Bashkuara, por në dosjet e nxehta aktuale si ajo e Ukrainës, ajo e marrëdhënieve me Kinën apo në raste vendosje sanksionesh, ne kemi një strategji tonën europiane. Ne nuk duam të hyjmë në një logjikë blloqesh. Përkundrazi, ne duhet të kujdesemi për një model europian me sa me pak risqe, një model që na bën të mos varemi nga të tjerët, një model që promovon kudo që është e mundur vlerat dhe interesat tona.

Do të ishte paradoksale që në momentin kur hedhim themelet e një autonomie reale strategjike europiane, do të na duhej të ndjekim politikën amerikane me një lloj refleksi paniku. Betejat për Europën sot konsistojnë nga njëra anë në përshpejtimin e autonomisë sonë strategjike dhe nga ana tjetër në sigurimin e financimit të ekonomive tona. Përfitoj nga rasti për të këmbëngulur në një pikë: ne nuk duhet të varemi nga ekstraterritorialiteti i dollarit.

Gazeta “Les Echos”: A është Joe Biden një Donald Trump më i sjellshëm?

Biden është i atashuar ndaj demokracisë, parimeve themelore, logjikës ndërkombëtare dhe ai e njeh dhe e do Europën, e gjithë kjo është thelbësore. Nga ana tjetër, ai është pjesë e një logjike qe dominon gjithë klasën politike amerikane, e cila përcakton interesin amerikan si prioritet numër një dhe Kinën si prioritet numër dy. Gjithçka tjetër ka më pak rëndësi për amerikanët. A është gjë e keqe? Jo, por ne duhet ta mbajmë këtë parasysh.

Gazeta “Les Echos”: A nuk është Kina fuqia që po na zë vendin kudo që Europa po tërhiqet, në Afrikë, në Lindjen e Mesme…

Makron: Nuk e besoj. Ka rreth njëzet vjet që jemi në një dinamikë ku vetëm po tërhiqemi. Vetëm tre vjet më parë vendosa të rrisim asistencën tonë për vendet ne zhvillim, por kjo erdhi pas pesëmbëdhjetë vjetësh tërheqjeje. Kur Europa tërhiqet, nuk duhet të habitemi që të tjerët të na zënë vendin. Kur Shtetet e Bashkuara i kthejnë sytë më shumë drejt vendit të tyre ose zonës së Paqësorit siç po e bëjnë që nga vitet 2010 dhe kur në të njëjtën kohë Europa pëson një krize financiare, Kina, natyrisht përfiton për të avancuar gurët e saj të lojës. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të rrimë në kontakt me Kinën që ajo të mbetet brenda një kuadri të përbashkët, që ajo të marrë pjesë në reformën e Bankës Botërore, që ajo të angazhohet me ne siç synon të bëjë në samitin e ardhshëm të Parisit, në qershor, për financimin e ekonomive në zhvillim.


Spread the love


Leave a Reply