“Kosova është demokraci, Serbia jo”

Spread the love

Këtë verë, mosmarrëveshjet mes Serbisë dhe Kosovës u përshkallëzuan edhe një herë. Kryeministri kosovar Albin Kurti paralajmëroi se lufta e Rusisë mund të përhapet në Ballkan.
E pyetëm: A është vërtet gjendja kaq keq, zoti Kurti?

Intervistoi:  Franziska Tschinderle më 26 shtator 2022

Albin Kurti tani është aty ku ka dashur të jetë gjithmonë. Pas një dere masive me një pllakë bronzi, ku shkruhet “Kryeministri”. Është në fund të një korridori të gjatë, në katin e tretë të nje kulle për e veshur me xhamë mu në qendër të Prishtinës. Dikur kjo kullë ishte bankë, tani ajo është rezidencë e qeverisë së shtetit më të ri në Europë.

47-vjeçari është në detyrë që nga marsi i vitit 2021. Fitorja e tij e thellë u konsiderua një pikë kthese në historinë e pasluftës së Kosovës. Me Kurtin, në ndërtesën e qeverisë u zhvendos edhe një brez i ri: të rinj, shumë prej tyre pjesë e diasporës, të shkolluar jashtë vendit.

Ata alternojnë mes anglishtes dhe shqipes së lëvruar; një fotografi e Bernie Sanders, amerikanit të majtë, është varur në mur pranë Skënderbeut, heroit kombëtar, nga epoka e mesjetës shqiptare.

Është 9 shtator dhe në Prishtinë bie shi. Vera po kalon, gjë që shihet edhe nga fakti se numri i targave zvicerane nëpër rrugë është në rënie. Për Kurtin, këta ishin muaj krize: inflacion, mungesë energjie dhe më pas, në fund të korrikut, të shtëna dhe sirena në kufirin me Serbinë. Situata mes Serbisë dhe Kosovës nuk ka qenë kohë të gjatë aq e tensionuar sa ishte  gjatë kesaj vere.

Mosmarrëveshjet u përshkallëzuan rreth dokumenteve për hyrje  dhe targave, për pasojë retorika midis Beogradit dhe Prishtinës është më e acaruar ngasa ishte për kohë të gjatë.

Presidenti Aleksandar Vuçiq pretendon pa ndonjë arsye të dukshme se shqiptarët duan të dëbojnë serbët nga Kosova. Albin Kurti, nga ana tjetër, ka paralajmëruar që nga lufta në Ukrainë se, agresioni rus mund të përhapet edhe në Ballkan.

Përshkallëzimit i fundit pas ndërmjetësimit nga ana e BE-së u mbyll disi. Por të dyja palët janë shumë larg nga qëllimi kryesor i dialogut. Deri më sot, Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të cilën e shpalli në vitin 2008. Kjo ndodhë përkundër faktit se mbi 100

shtetet anëtare të OKB-së e kanë njohur, përfshirë edhe Zvicrën.

Zoti Kurti, presidenti serb Aleksandar Vuçiq së fundmi ju ka quajtur “Zelenski i vogël”.
A ju nderon kjo?

Vuçiqin e kisha cilësuar më parë si “Putin i vogël” në Facebook. Unë nuk mendoj se ai ishte mjaft kreativ për të dalë me diçka më të mirë.

Putin pushtoi Ukrainën disa muaj më parë. Ushtria serbe nuk e ka kaluar kufirin me Kosovën që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. A mund të jetë se po e teproni?

Jo, për mendimin tim Serbia është një regjim klient i Kremlinit. Serbia dhe Rusia zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake të quajtura “Mburoja Sllave” dhe “Vëllazëria Sllave”. Pjesa më e madhe e industrisë së naftës në Serbi është në pronësi të Gazprom-it. Ministria ruse e Mbrojtjes ka në Ministrin e Mbrojtjes të Serbisë një  zyrë të saj. Serbia merr tanke dhe sisteme armatimi nga Moska.

Gjermania është gjithashtu e varur nga nafta e Putinit. Por ajo që e bën Serbinë unike në Evropë është se ajo refuzon të mbështesë sanksionet e BE-së kundër Putinit.

Sot, 70 për qind e serbëve kanë një opinion pozitiv për Vladimir Putinin.

Në të njëjtën kohë, mbështetja për Bashkimin Evropian ka rënë në nivelin më të ulët historik prej 30 për qind. Ky opinion është përhapur edhe te serbët në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit.

Për veriun do të flasim më vonë. Së pari një pyetje themelore: në një intervistë në fillim të gushtit ju paralajmëruat për një luftë me Serbinë.

A është vërtet se gjendja është kaq keq?

Ne nuk kemi frikë, por jemi vigjilentë. Mbesim megjithatë të shqetësuar. Sipas meje, ka katër arsye që e bëjnë një konflikt të mundshëm.
Së pari: Serbia nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës. Madje ajo lufton kundër njohjes sonë ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë financon strukturat ilegale brenda Kosovës për të minuar sundimin e ligjit dhe sovranitetin tonë.
Së dyti: Në Serbi nuk është përpunuar periudha e kaluar dhe rrjedhimisht ende nuk mund të pajtohen dhe të pranojnë krimet e luftës të kryera në vitet 1990. Nuk kanë shprehur fare keqardhje a kërkim falje.

Kjo kritikë nuk është e re: ishte e njëjta gjë edhe para shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Arsyeja e tretë që më shqetëson: Kosova është demokraci, Serbia jo. Kushdo që kufizohet me një autokraci është në rrezik.
Së katërti, Beogradi zyrtar mban lidhje të ngushta me presidentin despotik rus Putin.

Vuçiq e ka takuar Putinin pothuajse 20 herë në 10 vjet, më së fundi më 25 nëntor 2021 në Soçi, tre muaj para fillimit të luftës.

[Kurti merr një fletë nga tavolina me një mesazh agjencie.]

Unë po e citoj Vuçiqin tani: “Ne folëm për standarde të dyfishta dhe hipokrizi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Presidenti Putin e kupton se për çfarë po flas. Kemi folur edhe për veriun e Kosovës dhe e I kam treguar në hartë Putinit.”

[Kurti shikon lart nga shënimi i tij.]

Pse Putini është i interesuar për veriun e Kosovës, pyes veten?

Për Putinin, ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 kundër Serbisë ishte një fyerje. Ai kurrë nuk e njohu pavarësinë e Kosovës. Para luftës, Putini foli jashtëzakonisht shpesh për Kosovën. Ai e përdori këtë si shembull për të ilustruar pushtimin e tij dhe për të justifikuar agresionin ndaj Ukrainës. Çfarë i përgjigjeni atij?

Populli i Kosovës ka përjetuar gjenocid. Në pranverën e vitit 1999, 19 vende të NATO-s u mblodhën dhe bombarduan një vend të vogël në Evropë. Pra, duhet të ketë qenë shumë keq. Është shumë e vështirë të kesh 19 shtete në bord, aq më tepër që janë shtete demokratike, ku ka pasur protesta kundër ndërhyrjes. Në Ukrainë situata është shumë e ndryshme. Është ushtria ruse që kryen ndërhyrje ushtarake – në Krime, në Donbass, në të gjithë Ukrainën.

Derisa ju po paralajmroni për një luftë të mundshme mijëra të rinj kërcejnë në një koncert të këngëtares Dua Lipa në Prishtinë. A egziston gjendja e krizës  vetëm në retorikën e politikanëve?

Jam dakord me ju: njerëzit e zakonshëm nuk duan konflikt dhe nuk e inkurajojnë atë. Disa qindra njerëz të financuar nga Beogradi e bëjnë këtë.

Shumë prej tyre kanë fituar përvojë në luftërat e ish-Jugosllavisë.

Në vitet 1990, Vuçiq ishte ministri i informacionit i një regjimi që ju arrestoi dhe deportoi në Serbi. 22 vjet më vonë ata të dy janë ulur në një tryezë dhe po negociojnë të ardhmen e vendeve të tyre. A është kjo kënaqësi personale për ju?

Në të vërtetë, jo. Do të preferoja shumë që në Serbi të shihja politika progresive dhe pro-evropiane. Por nuk është kështu. Nga ana tjetër, atmosfera gjatë takimeve tona në Bruksel është përmirësuar.

A keni shtrënguar ndonjëherë duart me njëri-tjetrin?

Jo kurrë. Kjo për shkak se ne jemi takuar tre nga katër herë gjatë Pandemisë së Corona-s dhe nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare.

Le të kalojmë te ngjarjet aktuale. Veriu i Kosovës është i populluar kryesisht me serbë, rreth 50,000 banorë. Më 31 korrik u ngritën barrikada në kufi. Dezinformimi në Twitter mori përmasa të mëdha.

Papritmas u fol për një sulm të Serbisë. çfarë ndodhi në të vërtetë?

Atë ditë u ngritën 13 barrikada, 9 prej tyre në më pak se 10 minuta.

Bandat kriminale që janë pjesë e strukturave ilegale në veri, të lidhura me Beogradin i krijuan ato. Qëllimi i tyre ishte të mbronin individë të armatosur që janë pas tyre. Situata ishte shumë e rrezikshme dhe e tensionuar. Mund të jemi të lumtur që nuk ka pasur  ndonjë të vdekur.

Një njësi speciale e policisë kosovare, e njohur si Rosu, vazhdon të shkojë në veri për të goditur aktivitetet e kontrabandës. Për shumë serbë ajo shihet si armik. Të rinjtë u referohen atyre si “pushtues”.

E dini çfarë është interesante? Nga prilli i vitit të kaluar dhe këtë gusht, forcat speciale kosovare arrestuan 71 persona në veri: 33 shqiptarë, 26 serbë të Kosovës, 6 serbë nga Serbia, 3 romë, 2 boshnjakë dhe një goran.

A thua se etnia nuk ka rëndësi nga këndvështrimi i policisë?

Krimi i organizuar është multietnik dhe ndërkufitar. Strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës padyshim që kanë problem

nëse policia jonë merr masa kundër tyre. Në luftën kundër  kontrabandës, laboratorëve të drogës dhe minierave ilegale të bitcoin-it, policia jonë është sulmuar vazhdimisht, vetëm këtë vit dhe vitin e kaluar mbi 40 herë. Janë pikërisht këta kriminelë që ngritën barrikadat në korrik. Disa janë në listat e sanksioneve të SHBA-ve.

Sapo jam kthyer nga Mitrovica. Qyteti është i ndarë etnikisht në jug shqiptar dhe veri serb. Në jug, flamujt e SHBA-së valëviten, në veri “Z”, simboli i luftës së agresionit të Rusisë, është skalitur në muret e shtëpive. Si dëshironi ta rregulloni këtë hendek të thellë në shoqërinë tuaj?

Për shkak se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe rrjedhimisht kufijtë e saj, gjithmonë ka konflikte. Në korrik, mosmarrëveshja u përshkallëzua për dokumentet e identitetit dhe targat e makinave. Deri në fund: shtetasve kosovarë që hyjnë në Serbi pajisen me dokument të përkohshëm identiteti për shkak se autoritetet serbe ua kërkojnë këtë.

Shumica e serbëve në Kosovë e dinë se kohët kanë ndryshuar. Ato janë të integruara dhe një shembull i mirë i kësaj është se mbi 130,000 prej tyre të kenë me vete letërnjoftime kosovare. Ekziston vetëm një pakicë e vogël – midis 2000 dhe 5000 njerëz – që refuzojnë t’i njohin ato. Jam optimist se gjërat do të ecin për mirë.

Strukturat ilegale po humbasin gjithnjë e më shumë ndikim. Për shkak të kësaj, ata po bëhen gjithnjë e më agresivë. “Z” në muret e shtëpisë është një shenjë për këtë.

Njerëzit në veri vozisin me targa të lëshuara në Beograd. Ata duan ta ndryshojnë këtë.

Ne po punojmë shumë që serbët në Kosovë të kalojnë në targat e Kosovës. Sepse vetëm ato janë të ligjshme në këtë shtet. Tani ia kam shtrirë dorën popullit. Kushdo që regjistron targat e tij deri më 31 tetor, nuk paguan as taksa dhe as tarifë regjistrimi për automjetin. Kjo është shumë tërheqëse për serbët në Kosovë. Pikërisht për këtë po bëjnë presion strukturat ilegale. Por ka ende kohë të mjaftueshme për të riregjistruar tabelat e tyre.

Në objektet komunale të veriut janë të suvatuara me qindra pankarta ku qëndron parolla “Nuk dorëzohemi”. Njerëzve u kërkohet veçanërisht të mbajnë targat e tyre serbe. Do aplikoni në fund forcën?

Pas datës 1 nëntor, këto shenja do të jenë të paligjshme dhe ne do të veprojmë në përputhje me ligjet tona.

Më 15 gusht 2021, talebanët morën pushtetin në Afganistan pasi NATO ishte tërhequr më parë nga vendi. A mund t’u besoni amerikanëve?

NATO do të mbetet në Kosovë sepse Kosova dëshiron të anëtarësohet në NATO. Të dyja janë pjesë e historisë së njëra-tjetrës – dhe kështu do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen. Nuk ka asnjë paralele mes Afganistanit dhe Kosovës. E vetmja gjë që mbaj mend për këtë 15 gushti ishte: Si mund të ndihmojmë për çështjen e refugjatëve? Si rezultat, Kosova pranoi rreth 1,800 refugjatë afganë. NATO na ofron mbrojtje dhe siguri, dhe ne gjithashtu kontribuojmë në aleancën e mbrojtjes perëndimore. Nga marsi deri në qershor të vitit të kaluar morëm pjesë në stërvitjen ushtarake “Defender Europe” me 330 ushtarë dhe së bashku me ushtrinë amerikane dërguam një forcë paqeruajtëse në Kuvajt.

Ju i thoni të gjitha këto duke ditur që administrata juaj e parë u rrëzua me urdhër të Uashingtonit? I dërguari i Trump-it për Ballkanin, Richard Grenell, donte që ju të largoheshit.

Ai të shihte si një ngatërrestar me të cilin nuk mund të bësh marrëveshje.

Kosova e konsideron SHBA-në mik, partner dhe aleat për sigurinë dhe mbrojtjen tonë. Përsëri, me përjashtim të Bjellorusisë, nuk ka asnjë vend më i afërt me Kremlinit sesa Serbia. Kjo është arsyeja pse SHBA është më e rëndësishme për ne se çdo vend tjetër. Por, sigurisht që nuk jam dakord me gjithçka që thonë përfaqësuesit e SHBA-ve. Kjo u bë e qartë në vitin 2020, kur i dërguari i Trump-it për Ballkanin, Grenell, donte që unë të hiqja dorë nga kërkesat e mia ndaj Serbisë.

Grenell në Twitter-in e sotëm ju quan “fashist”. Çfarë do të thotë kjo për Ballkanin nëse shefi i Grenellit, Donald Trump, kthehet një ditë?

Jam optimist se gjërat do të shkojnë për mirë në SHBA.

Joe Biden është politikani më përparimtar në botë sot. Shpresoj që kjo ndjenjë transatlantike të mos humbasë. Shpresoj për më të mirën.

Në nivel lokal, partia juaj Vetëvendosje së fundmi pësoi një disfatë. Opozita fitoi në shumicën e komunave. Si e shpjegoni këtë?

Opozita është bashkuar kundër nesh. Qeverisja është e lodhshme. Nuk të jep aq kohë të jesh pranë bazës së partisë dhe të takosh njerëz. Pandemia na goditi më shumë se partitë e tjera, sepse ato tradicionalisht reklamojnë përmes spoteve në TV. Metodat tona ishin gjithmonë takimet publike.

A mund të ndodhë që keni marrë më pak vota sepse diaspora në Gjermani apo Zvicër nuk ka votuar?

Ke te drejte. Në nivel lokal, ajo merr pjesë në një numër shumë më të vogël.

Le të marrim një të re shqiptare nga Zvicra – gjenerata e dytë apo e tretë. Jeton në Bernë dhe një herë në vit vjen në  Kosovë gjatë verës. A duhet lejuar një person i tillë të ketë fjalën e tij në politikë në vendin tuaj?

Më shumë aeroplanë udhëtojnë ndërmjet Prishtinës dhe Zvicrës në ditë sesa ka lidhje me autobus ndërmjet qyteteve të veçanta. Diaspora nuk vjen vetëm një herë në vit, por disa herë. Çdo i treti qytetar i Kosovës jeton jashtë vendit – shumica e tyre në Gjermani dhe Zvicër. Transfertat nga jashtë përbëjnë 20 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Mund të mos jesh gjallë këtu, por na ndihmojnë të jetojmë këtu. Për këtë kontribut material dhe financiar, por edhe për njohuritë që na sjellin, duhet të kenë të drejtën për vendimmarrjet politike.

Megjithatë, diaspora nuk zëvendëson shtetin social. Si keni ndërmend ta luftoni varfërinë në vendin tuaj?

Unë e konsideroj si model sistemin e arsimit dual në Gjermani, Zvicër dhe Austri. Ne duhet të lidhim nevojat e tregut të punës me arsimin.

Disa ditë më parë ndoqa një klasë me nxënës të moshës 15 deri në 18 vjeç: parukierë, muratorë, ndihmës infermierë spitalesh, kuzhinierë. Ata janë në shkollë tre ditë në javë dhe në kompani dy ditë në javë. Kjo është një mënyrë për të luftuar varfërinë dhe për të krijuar vende pune.

Qeveria juaj së fundmi bashkoi paketa me vlerë milionshe për të luftuar inflacionin dhe krizën energjetike. Ekspertët e ekonomisë kritikojnë: Paratë e shpejta për disa muaj nuk është një strategji veçanërisht e qëndrueshme.

Studentët kanë marrë pagesa të njëhershme prej 100 eurosh – për herë të dytë. Ka pasur edhe përfitim për nënat me fëmijë të vegjël. Kemi rritur pensionet me 11 për qind dhe ato për invalidët me 33 për qind. Edhe sipërmarrësit vendas – ofruesit e shërbimeve ose tregtarët, kanë marrë para. Ne kemi bërë bashkë një paketë ekonomike dhe inflacioniste. Ne gjithashtu subvencionojmë konsumin e energjisë dhe lehtësojmë ata që reduktojnë konsumin, pra kursejnë energjinë. Por une shpresoj që edhe ne, si e gjithë Europa, të dalim nga kjo krizë. Dhe shpresoj t’i mbijetojmë dimrit. Kremlini dëshiron të ndajë Evropën.

Katër vite më parë më shpjeguat gjerësisht dhe hollësisht pse nuk mund të identifikohesh me flamurin blu dhe të artë të Kosovës. A ka ndryshuar kjo tani?

Për mua si Kryeministër i Republikës, flamuri i Kosovës është detyrë dhe obligim imi dhe gjithashtu diçka që unë e respektoj dhe e përqafoj. Ai është prioriteti im kryesor. Mund të ketë gjëra të tjera në programin e lëvizjes sonë.

Për shembull se, Shqipëria dhe Kosova një ditë mund të formojnë një shtet – një Shqipëri të Madhe. Duhet të hiqje dorë nga kjo ëndërr?

Askush nuk duhet të heqë dorë nga ëndrrat e tij. Por ju duhet të qëndroni gjithmonë realistë.

__________________________________

[Republika.ch është revistë e së majtës progresive zvicerane.
Është revistë dixhitale për politikën, biznesin, shoqërinë dhe kulturën. Financohet nga lexuesit e saj. Përktheu: ISHGJ]

__________________________________

Për autoren

Franziska Tschinderle është gazetare e pavarur dhe jeton në Tiranë. Ajo ka shkruar së fundmi për Republikën një reportazh nga Serbia, e cili e sheh Rusinë si aleatin e saj më të rëndësishëm – gjë që ka bazë historike.


Spread the love


Leave a Reply