Kryeministri i Kosovës: “Rrezikojmë luftë, pas Serbisë qëndron Putini”

Spread the love

Kryeministri i Kosovës: “Rrezikojmë luftë, pas Serbisë qëndron Putini”

Intervista e Kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti dhënë për të përditshmen italiane “La Repubblica

Serbët kanë 48 baza përreth vendit tonë. Protestat nuk ishin spontane por të organizuara nga Beogradi me mbështetje të Rusisë.

Të dy liderët takohen nga dy herë në vit, e kjo nuk është normale. Herën e fundit Vuçiq i ka treguar veriun e Kosovës në hartë. 

Nga i dërguari i “La Repubblica” Fabio Tomacci.

Prishtinë – Rreziku që të shpërthejë një konflikt i ri midis Kosovës dhe Serbisë  është i lartë. Do të isha i papërgjegjshëm nëse do të thoja të kundërtën, mbi të gjitha pasi bota pa se çfarë bëri Rusia me Ukrainën. Kryeministri kosovar Albin Kurti, 47 vjeç, lider i socialdemokratëve, e ka meritën që nuk fshihet pas stilit të diskutimit. Në tavolinën e studios së tij, në ndërtesën më të lartë në Prishtinë ka dosjen  që dokumenton dorën e zgjatur të Moskës në Beograd që do të thotë edhe tek serbët në veri të Kosovës.

Linja e vendosjes së reciprocitetit të trajtimit midis shqiptarëve dhe serbëve, duke ia nisur nga procedurat e kalimit të kufirit midis dy vendeve po i sjell frytet: në zgjedhjet e shkurtit VETËVENDOSJE! fitoi 50.2% të votave duke u bërë partia më e votuar në të historinë e Kosovës së pavarur. Sukses i justifikuar edhe nga indikatorët ekonomikë të vitit të fundit: BPV + 10.53 %, Eksportet + 83%, investimet e huaja + 22%.

Sa i lartë është rreziku për një konflikt të ri?

Nuk do të thoja shumë i lartë, ngase këtu kemi kontingjentin e NATO-s, por i lartë është sigurisht. Në fund të fundit jemi një demokraci që jemi në kufi me një autokraci.

Para pushtimit të Ukrainës gjasat kanë qenë të pakta, tani situata ka ndërruar. Episodi i parë, rrjedhojë e idesë fashiste të pansllavizmit që ka Kremlini ishte Ukraina. Nëse do të ketë një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë gjasat që një luftë e tretë të ngjajë në Ballkanin perëndimor, e në Kosovë veçanërisht, janë shumë të larta.

Çfarë elementësh keni kur thoni se Moska komandon Beogradin në raport me Kosovën?

Në 25 nëntorin e kaluar Presidenti Vuçiq ishte në Sochi, ishte takimi i nëntëmbëdhjetë me Putinin në dhjetë vite, mesatarisht takohen nga dy herë në vit. Nuk është normale për drejtues shtetesh. Në atë rast Vuçiqi pati thënë se: folëm për standardet e dyfishta dhe për hipokrizitë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Putin është i vetëdijshëm. Unë ia tregova në hartë veriun e Kosovës.

Që Serbia është në orbitën ruse nuk është diçka e re. Çfarë ka ndryshuar?

Në shtator të vitit 2021 nën optikën e reciprocitetit mora vendim të vendoseshin targat e përkohshme për serbët që do të hynin në Kosovë, ata u përgjigjën duke ngritur në fluturim MIG29 në kufirin tonë, ku dhe shkoi ambasadori rus dhe Ministri i Mbrojtjes i Serbisë. Kujtoj se qendra humanitare Serbo-Ruse e ndërtuar në 2012 gjendet 160 km larg zyrës ku ju dhe unë jemi duke folur. Dhe 151 nga 250 deputetë të Kuvendit të Serbisë janë anëtarë të grupit të miqësisë Serbi – Rusi.

Nga pikëvështrimi ushtarak a keni vënë re lëvizje që ju shqetësojnë?

Vitin e kaluar patën planifikuar 91 ushtrime ushtarake të përbashkëta, e i realizuan 104 të tilla. Dy më të rëndësishmet quhen “Mburoja sllave” dhe  “Vëllazëria sllave”. Nga gusht të vitit 2001 Serbia ka vendosur përreth kufirit me Kosovën 48 baza të avancuara operacionale, 28 të ushtrisë dhe 20 të xhandarmërisë. Veteranët serbë janë bërë të gjithë pro rus. Si të thuash, rreziku është aty dhe po e paralajmërojmë.

Ju e shtytë zbatimin e masës për targat dhe dokumentet kosovare  për 1 shtator masa që provokuan protestat në veriun e Kosovës me shumicë të popullsisë serbe. Do t’i ndryshoni këto masa apo do t’i mbani të njëjtat?

Në javën e tretë të gushtit do të ketë një takim mes nesh dhe serbëve në Bruksel mbi marrëdhëniet Kosovë – Serbi. Shpresoj të kontribuojë në uljen e tensioneve.

Gjykuar nga deklarimet e eksponentëve të Listës Serbe ata do të mbeten kundër. Por reforma do të hyjë megjithatë në fuqi? 

Ndërrimi i targave të vendosura nga Millosheviqi është vendim i qeverisë time. I kanë dy muaj kohë. E njëjta vlen për dokumentet, të dielën për ato pak orë që ishte në fuqi, në pikat kufitare ku qarkullohen lirshëm, u dhanë 2679 leje pa asnjë incident. Kjo është arsyeja pse ju është dashur të thërrasin dikë për barrikadat. Protesta nuk u bë spontanisht nga poshtë, por u organizua nga Beogradi dhe u mbështet nga Rusia.

Të dielën pati persona të maskuar nëpër rrugë. A e keni një ide më të saktë tani?

Prokuroria është duke shqyrtuar filmimet e publikuara në rrjetet sociale aktualisht. Ishin njerëz në listën e pagave të Beogradit, të cilët punojnë në strukturat ilegale në veriun e Kosovës. Disa prej tyre janë kriminelë, të vendosur vitin që shkoi në listën e zezë të Departamentit të thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po i referohem Radojçiqit dhe Veselinoviqit. Ishte një deja vu, metodë e përdorur nga serbët në fillim të viteve ’90 gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.

Por Kosova sot është një vend demokratik dhe ata mund të bëjnë fare pak. Janë të frustruar ngase edhe pse nuk na njohin si shtet, ekonomia jonë po lulëzon.

A nuk mendoni se hyrja në NATO si objektivi juaj i deklaruar ka për të shkaktuar tensione të tjera me Serbinë?

E kundërta është e vërtetë. Partneriteti ynë me Programin e Paqes dhe hyrja në NATO do të kontribuojë në ruajtjen e paqes afatgjatë. Dhe është e bazuar në vlerat euroatlantike.


Spread the love


Leave a Reply